“Në kërkim të Historisë Mesjetare Arbërore”, libri më i ri i prof. Jahja Drançolli

Dec 30 • Histori, Kulturë

Në një postim në profilin e tij në facebook, prof. Dr. Jahja Drançolli lajmëron për daljen e librit të ri me titull “Në kërkim të Historisë Mesjetare Arbërore” (“In search of Medieval Albanian History”) i cili ofron interpretime të reja dhe mbështetet në një pjesë të hulumtimit në arkiva e biblioteka të Italisë, Kroacisë, Turqisë dhe Austrisë, që autori i ka bërë gjatë studimeve të tija.

 

Në shkrimin e tij lajmërues, vetë autori shpjegon për librin. Këtu po e japim të plotë:

“Libri ofron interpretime të reja dhe bazohet në rezultatet e hulumtimit shumëvjeçar, dhe pjesërisht, të pabotuar.

Libri trajton periudhën mesjetare arbërore, të cilën mua më pëlqen për ta quajtur si epoka e artë e historisë dhe shtetësisë arbërore-shqiptare, dhe është pa dyshim një periudhë në të cilën çdo njoftim nga të ndryshmet ngjall shumë emocione.

Theks i veçantë në këtë libër i vihet vazhdimësisë iliro-arbërore-shqiptare, ku historia jonë në kushte mesjetare përfshinte arealin shumë më të gjerë sesa konsiderohen trojet e sotme etnike shqiptare, prandaj teza se arbrit gjatë mesjetës kanë humbur pjesë të territoreve të veta, në këtë libër ka mbështetje historike.

Tema qendrore e këtij libri është formimi i identitetit arbëror mesjetar duke nënvizuar dallimet rajonale; krijimi dhe përhapja e identitetit etnik arbëror; formimi i fuqisë politike të arbërve; zhvillimi shoqëror; kultura si shtytës i marrëdhënieve shoqërore, si dhe organizimi i jetës fetare, tema këto të trajtuara në mënyrë origjinale dhe interdisiplinare të mbështetura në metodologji bashkëkohore.

Në libër është bënë përpjekje që të dekonstruktohen përfundimet e historiografisë tradicionale.

Me gjithë lëshimet e mundshme qofshin ato profesionale ose teknike, ndryshe nga shumë libra nga historiografia jonë, të botuara në dekada të fundit te ne, libri në fjalë do të jeton ca më gjatë.

Libri është botuar me ndihmën financiare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë, si dhe të botuesit “Unioni i shqiptarëve në Republikën e Kroacisë” me në krye të Esad Çollaku dhe Sejfedin Prekazi.

Redaktor gjuhësor i librit është Edmond Ramadani; dizajnues Faik Krasniqi; kopertinën e ka bërë Kaltrina Drançolli, ndërsa realizimin e punëve digjitalizuese Ermal Gashi”, përfundon shkrimi i autorit./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »