Në fillim ishte Fjala…
31 dhjetor 2019 – E martë, Shën Silvestri, Nata e Vitit të Ri, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,18-21; Ps 96,1-2.11-13; Gjn 1,1-18)
Prania e Hyjit
Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.
Liria
Do të mundohem që bile pak t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha brengat e mia i vë në dorën e Hyjit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.
Ndërgjegjësimi
Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen tu siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala e Zotit
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.
Gjn 1, 1-18
1 Në fillim ishte Fjala
e Fjala ishte në Hyjin
e Fjala ishte Hyj.
2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.
3 Prej Saj u bë çdo gjë
e pa Të nuk u bë asgjë.
E çdo gjë që u bë,
4 e pati në Të jetën
e Jeta është drita e njerëzve;
5 e Drita shndriti në errësirë
e errësira nuk e pushtoi.
6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit.
Emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar,
për të dëshmuar Dritën,
që të gjithë të besojnë nëpër të.
8 Ai nuk ishte Drita,
por ‑ për të dëshmuar Dritën.
9 Drita e vërtetë
që shndrit çdo njeri,
erdhi në botë.
10 Ishte në botë
e bota u krijua prej Saj,
e bota nuk e njohi.
11 Erdhi ndër të vetët,
e të tijtë nuk e pranuan.
12 Atyre që e pranuan
u dha zotësinë
të bëhen bijtë e Hyjit:
atyre që besojnë në Emrin e tij.
13 Këta s’i bëri bij të Hyjit
as gjaku
as prirja e mishit
as prirja e njeriut
por ‑ Hyji.
14 E Fjala u bë njeri
e banoi ndër ne.
Ne e pamë lavdinë e tij,
atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm
plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall:
“Ky është ai, për të cilin thashë:
‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë,
sepse ishte përpara meje!’“
16 Vërtet, prej plotësisë së tij
të gjithë ne morëm,
madje, hir mbi hir.
17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun,
porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.
18 Hyjin kurrë askush nuk e pa:
Biri i vetëm ‑ që është Hyj,
një natyre me Atin,
Ai bëri të njihet.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- “E drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.” Duke shikuar vitin e ri kalendarik, të shkëlqejmë edhe ne me dritën hyjnore. Kjo dritë ndriçoftë në ne që të besojmë se jemi bijtë e Hyjit, të dashur deri në pikën e fundit. Në kthim t`i duam pafund të tjerët dhe të sjellim dritë dhe rehati në jetët e tyre.
- O Zot, në vitin e ardhshëm më ndihmo në lutje time të përditshme që të njoh ty më mirë dhe, si të gjithë të tjerët, më ço atje ku je ti – më afër zemrës së Atit.
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, qëndro pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër që do të të besoj gjithmonë.
Faleminderit pse më do.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit të Shenjtë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« CARPE DIEM – Vlerësimi i kohës dhe përdormi i saj Letër publike e Imzot Dodë Gjergjit drejtuar policit »