Koncerti i Koreve të Famullive për Krishtlindje 2019
Me iniciativën e ipeshkvit tonë Mons. Dodë Gjergjit, me punën e koordinatorit dioqezan të këngës kishtare Don Shtjefën Dodes, sivjet u organizua koncerti i Krishtlindjes i Koreve të Famullive të Dioqezës Prizren-Prishtinë.
Të dielën, më 29 dhjetor, në orët e pasdites së vonë, u mblodhën 7 Kore në Qendrën “BogdaniPolis” – që gjendet nën Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, që në atmosferë të Krishtlindjes të afrohen dhe njihen në mes vete, të nxisin shpirtin kreativ dhe të urojnë njëri-tjetrin për festa, nëpërmjet këngës.
Mbrëmja pati edhe karakter garues duke i dhënë një shije paraprake, si uverturë, e festivalit që do të mbahet vitin e ardhshëm 2020. Tri vendet e para fituan nga një shpërblim modest. Sipas vlerësimit të udhëheqësve të koreve dhe jurisë në krye me pianisten Lule Elezi dhe profesoreshën e solfegios Kristina Palokaj Perkola, vendi i parë i takoi famullisë së Pejës. Për vendin e dytë u zgjodh famullia e Stubllës. Kurse vendin e tretë e zuri famullia e Doblibarës dhe ajo e Llapushnikut & Kravasarisë.
Shtatë famullitë pjesëmarrëse (sipas ABC-së) në koncertin e Krishtlindjes 2019 – Prishtinë ishin:
Kori i Famullisë së Doblibares, me këngën “Emanuel”.
Kori i Famullisë së Gllogjanit, me këngën “O i vërteti Biri i Zotit”
Kori i Famullisë së Llapushniku & Kravasaria, e këngën “Jehun dëgjo”
Kori i Famullisë së Novosellës, me këngën “O natë e shenjtë (O Holy night)”
Kori i Famullisë së Pejës, me këngën “Gloria – Plima, plima” (Herthar Meyer)
Kori i Famullisë së Stubllës, me këngën “Adeste fideles”
Kori i Famullisë së Zymit, me këngën “Ave Maria”
Në fjalimin e tij të rastit ipeshkvi Mons. Dodë Gjergji i falënderoi dhe lavdëroi të gjithë udhëheqësit e pjesëmarrësit duke iu thënë se e meritojnë që pas gjithë aktiviteteve për festa të mund të mblidhen dhe të festojnë një mbrëmje së bashku. Njëherësh e bëri të njohur festivalin e këngës së krishterë që do të mbahet në vitin 2020. Që tani koret e famullive mund të përgatiten për këtë eveniment dioqezan.
Gjatë darkës së përbashkët u kënduan edhe këngë rasti, qytetare dhe argëtuese, prej individëve kreativë nga famulli të ndryshme duke krijuar kështu një atmosferë gazmore dhe familjare.
Të gjithë pjesëmarrësit i falënderojmë për gatishmërinë, angazhimin e tyre, atmosferën dhe emocionet që zgjuan te të gjithë të pranishmit me këngët e tyre. Zoti i shpërbleftë me të mirat e veta – Ai ju dhëntë ide të mira, kreativitet, durim, vullnet të mirë e mbi të gjitha dashuri për t`i dhënë nder e lavd Zotit edhe në vazhdim!/drita.info
« Letër publike e Imzot Dodë Gjergjit drejtuar policit Mesazhi i Paqes 2020: Paqja si ecje shprese. Dialog, pajtim dhe kthim ekologjik »