Më ndihmo, o Zot, ta njoh nevojën time për ty

Jan 3 • Meditimi i ditës

3 janar 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Gjn 2,29-3,1-6; Ps 98, 1,3cd-4,5-6; Gjn 1,29-34)

 

Prania e Hyjit

Jemi në kohën e Krishtlindjes dhe mbase je akoma duke kaluar nëpër shumëçka. Gazetat, TV & radio, dritat e Krishtlindjes nëpër rrugë – ato të gjitha po na thonë të kënaqemi, por ndoshta edhe na bëjnë presion. Si po kalon festa e Krishtlindjes për ty këtë vit? A je i/e zënë, i/e preokupuar? I/e shqetësuar ndoshta, për mënyrën sesi do t’i pëlqesh të gjithëve? Apo i/e trishtuar, i/e mërzitur, ndoshta je i/e zemëruar sepse një kohë paqeje dhe gëzimi doli të ishte një kohë vetmie, apo pikëllimi, apo lëndimi për ty?

 

Liria

Nuk është shumë e vështirë ta kujtosh dikë që do të ketë pasur vështirësi këtë Krishtlindje, ose ndonjë pjesë të botës ku gëzimi i Krishtlindjes mungonte. Nëse kjo je ti, ose dikush që e di, çfarë fjale dëshiron të dëgjosh, ose t’iu thuash atyre njerëzve? A do të ndihmonin fjalët e ungjillit?

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma kujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Asnjëherë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
E dëgjoj tekstin me mend e zemër dhe vërej fjalën apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Gjn 1, 29-34

 

29 Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha:

“Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!

30 Ky është ai, për të cilin thashë:

‘Pas meje vjen një njeri,

i cili është më i madh se unë,

sepse ishte përpara meje!’

31 Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Gjoni dëshmoi edhe:

“E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ 34 Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gjon Pagëzuesi ishte në gjendje të shihte kush ishte Jezusi, sepse ishte i vetëdijshëm për veten dhe misionin e vet. Më ndihmo, o Zot, ta njoh nevojën time për ty, që të mësoj të mbështetem në ty dhe të drejtohem ty me besim.
  • Jezus, ndërsa e shikoj jetën tënde zbuloj ç`do të thotë të jetosh në harmoni me Hyjin dhe njerëzit e tjerë. Ti e merr mëkatin e botës dhe më fton të jetoj si ti, duke më shëruar nga gjithçka që mund të më frenojë, duke më lejuar që t`i largoj pengesat.
  • Kur ta dëgjosh sërish ungjillin vë re se si Misioni i Gjonit e ka arritur plotësinë e vet. Detyra e tij ishte t`i drejtonte njerëzit kah Jezusi, Qengji i Hyjit. Me këto fjalë Gjoni e heq perden, ndërsa Jezusi e merr vendin qendror në skenën e historisë njerëzore duke na ftuar të qëndrojmë me të.

 

Bashkëbisedimi

Gjoni e dinte kush është Jezusi, por kush ishte Jezusi në vetvete – kjo i qe zbuluar. Ai e sheh Shpirtin Shenjt sesi zbret dhe qëndron mbi Jezusin. Shpirti Shenjt banon në mënyrë permanente në të. Teksa jam duke e jetuar këtë ditë a mund të jem i/e vetëdijshëm/e për Shpirtin e Zotit që hyn në jetën time?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Qengji i Hyjit inkurajon tone biblike të mundimeve të qengjit dhe shërbëtorit vuajtës te profeti Isaia: i dorëzuar si qengji që e çojnë në thertore, duke marrë mbi vete mëkatet tona.
O Zot, sa herë që dëgjoj për krimet e tmerrshme të kryera nga raca njerëzore, dhe për padrejtësitë dhe dhimbjet që njerëzit i pësojnë për shkak të ligësisë së dikujt, e vetëdijesoj se kjo është bota në të cilën ke hyrë edhe ti, barra të cilën e ke marrë mbi vete. I ke pasur supet të forta për t’u marrë me të keqen që është në botë. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »