NJERËZIT E MËDHENJ

Jan 3 • Opinion

Nga Prend Buzhala

 

Madhështia i takon njeriut, sepse vetë është qenie madhështore. Secila epokë i ka njerëzit e vet të mëdhenj, të mëdhenjtë e mendjes e të vizionit. Cilët njerëz i kërkon një kohë? I kërkon luftëtarët e armës, heronjtë e ndryshimeve shoqërore apo dijetarët me mendje të shquar?

 

1.
Thuhet: pyete rininë e një vendi se në kërkim të cilëve heronj është, dhe atëherë lehtë mund të flasim për të ardhmen e saj. “Pikësynimet e larta formojnë karaktere të larta dhe objektivat e spikatura sjellin mendje të shquar.” (Tryon Edvard).

Për deri sa bota perëndimore është vazhdimisht në kërkim të njerëzve me inteligjencë të jashtëzakonshme në fushat e panumërta të dijes, njerëz me prirje të mëdha në shkencë, kulturë, sporte etj; nuk është e habitshme pse ajo e blen dhe i jep përparësi trurit njerëzor në të katër anët e planetit. Atë energji të grumbulluar prirjesh e dijesh, që nuk kanë mundësi ta çlirojnë në vendet e tyre, në botën perëndimore e gjejnë hapësirën e shkarkimit të energjive të tilla mendore, krijuese e vepruese. Nuk është e habitshme prandaj, përse shoqëria e sotme perëndimore nuk quhet a kapitalizëm, as socializëm, as ekonomi e tregut, as e majtë apo e djathtë, por quhet SHOQËRI E DIJES.

Po ne, si sillemi ndaj dijes dhe njerëzve që kanë prirje? A thua, kur japim para (deri në 20 mijë euro për një solo këngëtare pa kriter artistik), e ndihmojmë kulturën? Ose kur ndahen para nga ministritë përkatëse për pseudo-vepra e jo për vepra me vlera shkencore, apo të fushave tjera? Nuk është e thënë që NJË TË DITURI t’i jepet pagë e madhe (siç i kanë profesorët universitarë pa asnjë rezultat shkencor e dituror), a siç mendojnë për ta blerë atë shpirt të madh mendjet e cekëta të pushtetit; por për ta ndihmuar në projektet e tij diturore. Të mos harrohet: fitimi i i njohurive dhe ideve mbi shkencën, historinë (mbi religjionin, kulturën, artin, identitetin, civilizimet etj), ndikon në ngritjen e kulturës së përgjithshme dhe ka rol emancipues. Dija është kapital njerëzor dhe kombëtar. Me anë të përvetësimit të dijes e të njohurive të mendimit racional, të arsyeshëm, shkencor, paraqesim thesarin e pasur të vetvetes, nga njëra anë, dhe kundërthëniet e përmbajtjeve historike, kulturore, religjioze apo artistike, nga ana tjetër… Përmasat e mësimit për të kaluarën, për religjionet dhe për sistemin e vlerave, duhet të ndërtohen mbi kornizat racionale, karshi stereotipeve tradicionale historike, ideologjike etj. DIJA E ÇLIRUAR krijon dhe drejtpeshimet brenda një shoqërie e kombi…

Rrugët tjera qëndrojnë të hapura! Fatkeqësisht, ndër ne, DIJA ende shpallet armik (si në regjimet totalitare, ku INJORANCA duhet të udhëheqë me shtetin e jo DIJA), ndërkohë që shoqëritë (post)moderne po ndërtojnë një Epokë të Re postkapitaliste që quhet SHOQËRIA E DIJES, EKONOMIA E DIJES…

A jemi larg apo afër kësaj?!

 

2.
Duke menduar që një mendje të shquar ta kooperativizojnë në ndonjë tabor politik, për t’u stolisur me ata emra, kështu i bëhet dëm ti madh vetë dijes: “Një mendje e shquar nuk përsoset as thellohet duke u bashkuar me ata që kanë më pak dije.” (Matshona Dhliwayo). Kësisoj, jo vetëm që i pasivizojmë autoritetet e tilla, por sikur ato i vëmë në gjumë; dhe, thuhet, në gjumë atëherë i vëmë edhe gjërat tejet të rëndësishme e të mëdha. Kur William Ellery Channing thoshte: “Mendjet e mëdha ekzistojnë që t’i bëjnë të tjerët të ditur, mendjemprehtë. Superioriteti i tyre duhet të përdoret, jo për ta shthurur turmën në një çiflig vasal intelektual, jo për të vendosur mbi ta një tirani shpirtërore, por për t’i zgjuar ata nga letargjia, dhe për t’i ndihmuar ata të gjykojnë vetë”; ai këtë e kishte thënë në përputhje me idetë e idealet e një shoqërie (angleze shek XIX) që po çlirohej e po emancipohej si një shoqëri moderne.

Dhe, po qe se e lëmë të lirë, e ndihmojmë ta çlirojë energjinë e tij diturore e mendore; njeriu i tillë, i mendjes së spikatur, do ta në na e hapë një shteg për ndryshime aty ku fare nuk ka shpresë; aty ku nuk lëviz asgjë, ai e ruan prirjen e zotësinë për të vepruar e funksionuar ndryshe; aty ku ka indiferencë, ata shtrojnë pyetjet shqetësuese… Nga ana tjetër, po ashtu, ka mjaft fakte që njerëz të tillë lindin në mese me shtrëngesa sociale, apo nga familje të goditura nga varfëria; apo nga një ngjarje jetësore që mund ta shembte për tokë. Kjo e kishte shtyrë Dr. P. S. Jagadeesh Kumar të thoshte se “Secila mendje e shkëlqyeshme furnizohet nga zemra e thyer.”

E, megjithatë, mendjet e tilla nuk ndalen. Ata kapërcejnë vështirësitë e fatkeqësitë, krijojnë, rindërtojnë, ringrihen, ruajnë durimin dhe paqen brenda vetes në procesin e punës.

Naim Frashlri ynë, te poezia “Të vegjëlit” shfaq këto ideale të epokës:

Falu gjithë mirësitë

Të rrojën me nder në jetë

Të mësojnë dituritë

Të bëhen të vërtetë

Të nderojnë mëmëdhenë

Vlerat t’ja lartësojnë

Mbi gjithë botën ta ngrenë

Si lule ta zbukurojnë!

Ndërkaq, kur u realizua liria e u bë shteti shqiptar, ishte koha kur Gjergj Fishtra kërkonte “bërjen e shqiptarit” dhe mbante qëndrim të fortë ndaj fenomeneve negative të kohës: “Injoranca e krenaria, shkojnë bashkë si shtati e hija!” Dhe te poema satirike “Gomari i Babatasit” ai thotë:

Për me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jetë ma pare

Njeri i ndershëm e atdhetar,

T’ jetë fisnik, zemër-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket hafije

Mandej duhet që t’ ketë dije-

Dije t’hàpt n’ekonomi,

N’histori e në tregti,

N’politikë e në drejtsi;

Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi

Shk’ asht lirija e qytetnimi.

 

3.
Kur flasim për diçka, për jetën, dashurinë, shoqërinë, shtetin, dijen, politikën, ekonominë, lumturinë, kulturën, artin etj etj, gjithnjë citohen njerëzit e mëdhenj. Madje, ata citohen edhe në kohë të vështira, në kohën kur të tillët përndiqen!

Ndërsa jo pak të tjerë, që në fëmijëri, shfaqin prirje e dëshira për ta vështruar, ,kundruar e kuptuar universin e pafund, fshehtësitë e një qelize, ndërtimin e një sateliti për ë ngarendur nëpër univers…
Thëniet e tilla artikulojnë një vizion të thellë, që i jep kahe rrjedhave të dijes, por edhe jetës, shoqërisë dhe vetë historisë, duke i frymëzuar të tjerët që ato mendime të bëhen realitet, që ato vizione të bëhen pronë e njerëzve. Mendimet e tilla gjithsesi lindin nga përvojat e pasura meditative, të thella, nga përvojat enciklopedike diturore, nga sakrificat e mëdha që ata bëjnë duke ia kushtuar tërë jeët një misioni të dijes, shkrimit apo zbulimit shkencor.
Na bie shpesh rasti që të lexojmë jo pak shkrime nga njerëz të shquar dhe na pengon një ndërlikim i madh i shprehjes së mendimit. Prandaj thuhet që njerëzit e mëdhenj arrijnë përsosmërinë e thënies së qartë, stilin e thjeshtë. Qartësi në mendje, në kokë e në vizione, qartësi edhe në komunikim e ligjërim. Tjetër gjë është natyra e punimeve shkencore me më shkallë të lartë profesionale për nevoja akademike apo të fushave të tjera të prodhimit, teknologjisë etj; ata i takojmë në të gjitha fushat e dijes, edhe në filozofi e në shkencë, edhe në politikë e në religjione, edhe në arte e në kulturë, edhe në fushën e etikës e të estetikës.

Duke investuar te dija për ta krijuar SHOQËRINË E DIJES, nuk është e rastit pse mendjet e tilla të shquara arrijnë të bëjnë kthesa edhe në zhvillimin e teknologjisë, bioteknologjisë e të industrisë, dhe arrijnë të bëjnë revolucione të pandërprera, në këtë drejtim./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »