Hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin

Jan 4 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela II pas Krishtlindjes (A)

 

Leximi i parë   Sir 24, 1-4.12-16

Të urtët e Izraelit kishin profetizuar që Urtia hyjnore duhej të vendoste banesën e saj mes njerëzve. Duke lexuar këtë pjesë me sytë e krishterë Urtia është Jezu Krishti, Fjala që ka “vënë rrënjët e saj në mes nesh”.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.

Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  147

 

Ref: Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne

————————————-

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,

madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,

i bekoi bijtë e tu në ty!

————————————-

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,

ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,

lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

————————————-

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,

drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:

asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

————————————-

 

Leximi i dytë    Ef 1, 3-6.15-18

Shën Pali lëvdon Jezu Krishtin, Urtinë dhe Bekimin e Hyjit. Nëpërmjet Krishtit Ati na ka bërë bij të tij në shpirt. Nuk jemi jetimë të braktisur në mes të botës, por duhemi nga Hyji ashtu si jemi.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur.

Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë;  lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë. 

Aleluja

 

 

Ungjilli  Gjn 1, 1-18

Sot rilexojmë hyrjen e Ungjillit të Gjonit. Krishti është Fjala, dëftimi dhe zbulimi më i lartë i Hyjit, Ai është Hyji, Biri i dalë nga Hyji Atë, Ai u mishërua për të qenë mes nesh dhe për të qenë për ne dritë dhe jetë, vëllai ynë dhe Shpëtimtari.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta ështe drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.

Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë.

Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Liturgjia e fjalës së sotme është një ftesë për të reflektuar mbi domethënien e Krishtlindjes. Është e rëndësishme të kuptohet se kush është Ai që erdhi në mes nesh, e pse erdhi.  Është Fjala e amshuar e Atit që u bë njeri. 

Fjala u bë njeri dhe banoi ndër ne”.  Hyji i largët dhe i padukshëm bëhet një Hyj i afërt dhe i dukshëm. Një Hyj që hyn në historinë tonë, jo për zili siç hynin perënditë e paganëve, por për dashuri, një dashuri që qëndron përgjithmonë edhe kur ne mbyllim derën e zemrës sonë.

Mishërimi i tij është përgjigjja e bindur dhe e lirë ndaj planit të shpëtimit të Hyjit. Dituria e amshuar zbret nga qielli dhe banon mes njerëzve. Nuk bëhet fjalë për dijen njerëzore, e cila na mëson se si të arrijmë qëllimet në jetë, por për dijen hyjnore që na bën të zbulojmë rrugën e shpëtimit dhe mënyrën se si mund të arrijmë.

Shën Pali i drejton një himn lavdërimi Atit, i cili na ka bijësuar si bijtë e vet me ndërmjetësinë e Krishtit. Të krishterët së bashku me besimin kanë marrë diturinë dhe njohjen për të kuptuar misterin e Hyjit. Ungjilli i sotëm shpreh shikimin e besimit, që prezanton Krishtin si “drita e vërtetë që shkëlqen në errësirë”. Drita e tij shkëlqen akoma sot me intensitet shumë të madh, por bashkëkohësit tanë e kanë të vështirë të perceptojnë shkëlqimin që vjen nga Krishti.

Kjo kohë Krishtlindjesh na dhëntë aftësinë për ta bërë të dukshëm, nëpërmjet jetës sonë, dashurinë e tij që shpëton sot çdo njeri.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, akoma të mbushur me dritën e Krishtlindjes që sapo kemi kaluar, ia drejtojmë Atit lutjet tona. Të themi së bashku:

Na dëgjo, o Zot.

L. O Zot, jepi Kishës sate shtegtare mbi tokë çdo plotësi të hirit: e ndihmuar nga forca e Shpirtit Shenjt të dijë të jetojë kohën e tashme në mënyrë të shenjtë dhe të pastër. Të lutemi

L. O Zot, udhëhiqi ata që qeverisin kombet: që të bëhen ndërtuesit e një bote, të themeluar mbi paqen dhe mbi drejtësinë. Të lutemi

L. O Zot, ndihmoji ata që kanë humbur besimin: drita e Jezu Krishtit t’i udhëheqë të gjejnë mrekullinë dhe vetëdijen që Biri i Hyjit është mishëruar për të shpëtuar çdo njeri. Të lutemi

L. O Zot, mbroje këtë bashkësi të mbledhur në emrin tënd: festa e Krisht-lindjes lëntë në zemrat tona gëzimin që të ndihemi bij të dashur nga Hyji dhe aftësinë tua dëshmojmë të tjerëve. Të lutemi

M. O Atë, që na ke shpëtuar nëpërmjet Birit tënd Jezus, vazhdo të na ndihmosh me diturinë tënde, që të ecim gjithmonë në dritën tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »