Meshari i Gjon Buzukut (1555) – një libër me vlera të rralla gjuhësore e letrare

Jan 5 • Histori, Kulturë, Letërsi

Nga Evalda PACI

 

Si një ndër librat më të trajtuar në historikun e studimeve mbi shkrimin shqip dhe fillesat e tij, si një dëshmi shkrimore që dallon prej të tjerave që na përafrohen dhe me të dhëna më konkrete në lidhje me evidentimin e çdo vepre që kalon etapa formësimi dhe më tej sheh dritën e shtypit, Meshari (1555) përkujtohet dhe në një ditë si e sotmja, e ndërmendur prej vetë përpiluesit të vet në përmbyllje të tij.

Për pjesët e rëndësishme që e ndërtojnë dhe që janë bërë objekt studimi për mjaft dekada, për faktin që pikërisht këta përbërës tekstorë u konkretizuan më tej në botime të mëvetësishme falë zhvillimeve që do të lidhen pandashëm me vetë historinë e kishës së Romës dhe reformat themelore që karakterizojnë shekuj të caktuar, ky libër vijon të jetë model i një kompleksiteti përmbajtësor që vështirë të ndeshet në vepra të mëvona, qoftë dhe në ato që nuk ndahen me shumë vite nga datimi kronologjik që na njoftohet prej vetë autorit në tekstin që shpesh emërtohet pasthënie apo dhe kolofon. Një tekst si i kolofonit mund dhe të rimerret nga autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe në formate përmbajtësore a konceptime të ngjashme që reflektojnë dhe shprehje të modestisë nga ana e tyre dhe që dëshmojnë vështirësi të pashmangshme në proces të përpilimit të tyre, por veçantia e një teksti që ndërkohë përbën dhe një ndër të paktat dëshmi mbi rrethanat e përmbushjes së një detyre të vështirë siç ishte realizimi i vetë veprës, mbetet e njëjta në sytë e tekstologut dhe studiuesit të teksteve të vjetra shqipe. Kolofoni mbetet ndër të tjera një dëshmi e njohjes dhe nga ana e autorit të një tradite shkrimore dhe kulturore që karakterizon historinë e librit në një kontekst mirëfilli evropian dhe pikërisht ndërtime të caktuara të përzgjedhura prej tij, bashkë me rimarrje tekstesh që gjinden dhe në përmbajtje pasazhesh të caktuara nga libri, përforcojnë një mendim të tillë. I marrë si shembull ilustrimi dhe në tekste a botime të paracaktuara të jenë të një natyre sa didaktike, aq dhe edukative në shkollat shqiptare, pasthënia në fjalë përfaqëson dhe një element njohjeje për brezat mbi më të parin libër që njeh deri më sot tradita e studimeve mbi shkrimin shqip dhe historinë e tij, një vepër unike që gëzoi vëmendjen e shumë studiuesve dhe një vend nderi në një panoramë studimore të dijes së albanologjisë. Një meritë e sjelljes në objekt të kujtesës së brezave të një teksti të tillë, sintetik, por shumë domethënës u takon albanologëve që u kujdesën gjatë për riprodhimin e pjesëve të veçanta e më tej të vetë librit: Eqrem Ҫabejt, Atë Justin Rrotës O.F.M., Selman Rizës, Engjëll Sedajt etj.

Meshari si emërtesë vijon të jetë një përveçim që sigurisht dhe thjesht i cekur si i tillë të kujton një vepër me të cilën lidhet historia e letërsisë së shkruar shqipe dhe një periudhë e caktuar e përvijimit të saj, ndërkohë nuk mund të mos reflektojmë mbi të tjera përcaktime të mundshme që sigurisht duhet të mëtojnë t’i përafrohen natyrës së mirëfilltë të konfigurimit tekstor të këtij të fundit dhe që njihen dhe në një traditë studimesh që evokojnë dhe lëvrimin e shkrimit të shenjtë në Evropë dhe në Ballkan. Do të mund të gjejmë në të pjesë nga Ungjijtë e që lidhen me festivitetin e krishterë dhe celebrime të posaçme liturgjike, litani të shenjtërve në variant që bën të mundur përqasje me areale të afërta jo vetëm në pikëpamje gjeografike, evokime të figurave themelore që u bënë dhe objekt frymëzimi të një krijimtarie popullore për të cilën dhe tradita shqiptare e ajo arbëreshe është një dëshmi e gjallë e konkrete, ndërtime gjuhësore për të cilat Meshari mbahet e konsiderohet si një ndër burimet më të para të evidentimit të tyre.

Dhe pse me mungesë elementesh të një natyre sa biografike, aq dhe historike që do të duhet t’i bashkëngjiteshin nën veshjen e një domosdoshmërie që nuk u mungon veprave të tjera të ngjashme dhe të afërta në kohë, Meshari përbën një monument shkrimor të cilit mund t’i qasemi përherë me një kërshëri të pashterrshme shkencore./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »