Vërshimi i dashurisë

Jan 10 • Këndvështrime

Nga Fulton J. Sheen

 

Dikur moti në përjetësinë e pafund, në atë ditë që nuk kishte as fillim as fund, Zoti kënaqej në bashkësinë e pakufi me të Vërteten dhe Dashurinë në shoqërinë e përzemërt të Tre Personave të Trinisë: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt. Duke mos kërkuar asgjë për përsosmërinë e Tij, duke mos dëshiruar asgjë për lumturinë e Tij, duke mos nevojitur asgjë për të plotësuar jetën e Tij, nuk ekzistonte asnjë nevojë për Zotin që ndonjëherë të dal jashtë vetes. Prandaj, nëse Ai ndonjëherë ka vendosur të krijojë një botë, do te ishte jo për shkak të nevojës, ose detyrës, e as detyrimit, por vetëm për shkak të dashurisë.

Pse atëherë Zoti krijoi një botë? Zoti krijoi botën për diçka që është e njëjta arsye pse ne e gjejmë të vështirë të mbajmë një sekret! Gjerat e mira është vështirë t’i mbajmë. Trëndafili është i mirë dhe i tregon sekretet e veta pafund. Dielli është i mirë dhe i tregon sekretet e veta në dritë dhe ngrohtësi. Njeriu është i mirë dhe i tregon sekretet e mirësisë se tij në gjuhën e mendimit. Por Zoti është pafundësisht i mirë, prandaj edhe pafundësisht i dashur. Pse atëherë Ai, me nxitjen e lirë të dashurisë se tij, nuk e le dashurinë të vërshojë dhe të sjellë e gjallërojë botët e reja? Zoti nuk mund të mbante, si te thuash, sekretin e dashurisë se Tij, dhe tregimi i kësaj ka qenë krijimi…

Fare natyrshëm mendja e atij Arkitekti të madhe, do të mund të krijonte dhjetë mije bota të ndryshme nga kjo. Kjo absolutisht nuk është bota më e mirë që Zoti ka mund të bëjë. Por është bota më e mira për qëllimin të cilin Ai e kishte për të krijuar. I Madhi Zot ka zgjedhur të bëjë universin vend ku nuk janë të gjitha krijesat si shkopinj e gurë, dru e egërsira, ku secili është i nxitur nga ligji i natyrës, apo nga ligji i instinktit deri te fundi i ashpër i papërkulshëm, pa e shijuar aspak kënaqësinë e lirisë. Ai dëshiroi të vendosë në parajsë krijesën e bërë sipas fytyrës dhe ngjashmërisë se tij, por prapë krijesë që dallon nga gjithë të tjerat, sepse e pajisur me atë dhuratë të lavdishme të lirisë, e cila është fuqia e të thënit “PO” apo “JO”, e të zgjedhurit për të sakrifikuar veten për detyrë apo detyrën për vete, dhe përgjithmonë duke mbetur pronar dhe kapiten i se ardhmes dhe fatit të vet. Me fjalë të tjera, Zoti dëshiroi të bëjë një univers moral dhe i vetmi kusht ku moraliteti është i mundshëm është liria./drita.info

 

(Pjesë nga libri The Divine Romance – Romanca Hyjnore: Përktheu: Arbnora Goajni – Mazreku)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »