Një trajtim analitik dhe sintetik për librin e Noel Malcolm-it “Kosovo. A Short History” (Pjesa e dytë)

Jan 13 • Histori, Kulturë

Nga Zef MIRDITA

Në kapitullin vijues autori flet për periudhën e luftës austro-turke të vitit 1683-1690, e cila është kthesë e rëndësishme në historinë evropiane. Në mënyrë të veçantë është e rëndësishme për vetë Kosovën. Me këtë luftë është e lidhur edhe Dyndja e madhe e serbëve: 1689-1690 (139-162). Ajo është mistifikuar dhe mitologjizuar aq shumë në historiografinë serbe, sa që është e tepërt të flitet për të. E pra, në dallim nga historianë të shumtë perëndimorë, të cilët në ndikimin që s’ta pret mendja të historiografisë serbe kur është fjala për “dyndjen”, Malcolm e thotë troç se kjo “dyndje” me tragjedinë e Betejës së Kosovës (1389), është pjesë përbërëse e mitit nacional dhe religjioz të popullit serb. Në dritën e teologjisë ortodokse serbe viti 1389 në krahasim me Jezu Krishtin është viti i kryqëzimit, ndërsa ai 1689 është viti i varrimit, ndërsa 1912 është viti i ringjalljes (140).

Megjithatë, edhe rreth kësaj “Dyndje të madhe” në vetë historiografinë serbe, ekzistojnë mendime kundërthënëse, varësisht prej interesave politike të fuqive botërore në Kosovë, porse të gjitha këto drejt synimit të politikës pragmatike të qeverive serbe. Kështu për shembull, historiani serb Jovan N. Tomić, duke shkruar në vitin 1913 për këtë dyndje, pra në vitin kur po mbahej Konferenca e ambasadorëve në Londër, në të cilën vendosej për kufijtë e Shtetit shqiptar, haptas thotë: “Ky është një mashtrim historik, (sic!) që i studiuar jo mjaftueshëm ka mundur të mbahet deri më sot. Burimi i këtij gabimi ndodhet në shënimet dhe kronikat që kanë shkruar priftërinjtë ortodoksë dhe në identifikimin e tyre me shkretinë që për këtë arsye kishte filluar në ortodoksi në këtë anë me bjerrjen e vetë popullit serb;[1] ndërkaq në një vend tjetër i njëjti historian, por në vitin 1902, thotë: “Tërheqja e ushtrisë qesare, lënia e patriarkanës nga ana e patriarkut si dhe shqetësimi i popullit dhe ikja (sic!) e tyre pas qesarëve kanë pasur pasoja të tmerrshme për popullin serb…”[2] Nga kjo shihet qartë pragmatizmi i historiografisë serbe, i cili gjithmonë ishte në funksion të politikës ekspansioniste të shtetit kah jugu, realizim i bashkimit integralist të popullit serb madje në kufijtë e jurisdiksionit të Patriarkanës së Pejës.[3]

E pra, edhe vetë karakteri i kësaj lëvizjeje të popullit është i dyshimtë: është kjo një “ikje”, siç thotë Tomić apo një “dyndje”, siç mendon shumica e historianëve serbë?[4] Dhe jo vetëm kaq. Është i dyshimtë edhe numri i serbëve të cilët në këtë lëvizje lanë Kosovën.

Sipas Vuk Stefanović Karadžić u vunë në lëvizje 27.000 familje,[5] ndërsa sipas historianëve të tjerë serbë në lëvizje ishin vënë 37.000 familje të cilat në të vërtetë ishin prona kolektive familjare, kështu që numri i të shpërngulurve serbë nga Kosova ka qenë ndërmjet 400.000 dhe 500.000 vetë. Shkaku për një zmadhim të tillë, pohon Malcolm, është që të provohet se para vitit 1690 ka pasur në përpjesëtim pak shqiptarë në Kosovë, se vdekshmëria e serbëve ka qenë e madhe dhe se shqiptarët kanë ardhur në Kosovë vetëm pas kësaj ikjeje masive të serbëve (140). Por, historiani i njohur serb R. Samardžić në lidhje me numrin e të shpërngulurve nga Kosova thotë: “Rreth tridhjetë mijë shpirtëra kanë ikur në krye me patriarkun Arsenije Crnojević nën mbrojtjen e car Leopoldit I. Të tjerët janë fshehur nëpër vende strehimi, në pyje dhe male të dendura. Në mes Velesit në jug dhe Beogradit në veri, krejt toka  ka qenë e rrënuar”.[6] Ndërsa Leopold Ranke në veprën Serben und Turken im neunzenhnten Jahrhundert, Leipzig, 1879, duke folur për këtë dyndje të serbëve thotë: “Ai (sc. Arsenije Crnojević, Z.M.) është nisur me disa mijëra besimtarë që kishin qenë të shënjuar me shenjën e kryqit kah kampi perandorak i përqendrimit…”[7] E pra, në bazë të të dhënave që gjinden në letrën të cilën Arseni III, ia kishte dërguar pasardhësit, Leopoldit I, Malcolm vjen në përfundimin se numri i të shpërngulurve serbë ka qenë ndërmjet 30.000 dhe 40.000 vetëve. Është me rëndësi që përfundon se nuk kanë qenë të gjithë nga Kosova, por edhe nga rrethet e Nishit, rrafshinat e Moravës dhe rrethi i Beogradit (161).

Kjo ikje masive e serbëve nuk vihet në dyshim. S’ka dyshim edhe për faktin se bashkë me ta kanë qenë të detyruar të ikin edhe shqiptarët – katolikë që ishin në njësitë që i kishte organizuar argjipeshkvi i Shkupit, Pjetër Bogdani në luftë në anën e austriakëve kundër turqve, e që ishin rreth 6.000 vetë (140, 148).[8]

Pa marrë para sysh dyshimet në të cilat lexuesi has në këtë kapitull, si për shembull, a kanë luftuar në anën e austriakëve edhe shqiptarët – myslimanë që kanë ikur prej njësive turke, është me rëndësi konstatimi i autorit se nuk është e vërtetë që Arseni III Crnojević, që ngurronte ndërmjet Vjenës dhe venedikasve e që në fund iu drejtua Vjenës (154-155), të ketë qenë në krye të kësaj ikjeje masive të popullit serb. Nëse ka qenë kështu, atëherë kjo ndërlidhet me periudhën e mëvonshme. Në të vërtetë, autori pohon se ai ka ikur me dhjetë kuaj të ngarkuar me pasuri, ndërsa “Rashianët” e kanë plaçkitur rrugës. Në të vërtetë, askush nuk ka pasur kohë, pohon autori, që të shpëtojë nga Kosova perëndimore, nga Peja, ku ndodhej Patriarkana (158).

Periudha ndërmjet viteve 1690-1817 është periudha e Rimëkëmbjes dhe rënies (163-180). Burimet kryesore për ndriçimin e kësaj periudhe për autorin kanë qenë raportet e argjipeshkvit të Tivarit Vinçenc Zmajeviqit, si dhe ipeshkvit të Prizrenit Mate Mazrekut, të dërguara Kongregatës “Propaganda Fide”. Meqenëse Arsenit III, edhe pse i kishte dërguar lutje sulltanit, nuk i qe lejuar të kthehej në Pejë, sulltani, për ta ndaluar ikjen e mëtejshme masive të popullsisë emëroi si patriark të Pejës Kalimahun, që ishte me prejardhje greke (163-164). Është befasues konstatimi i autorit se, edhe pse ky shekull është karakteristik për islamizimin intensiv, megjithatë ky nuk ishte synimi i politikës së shtetit (164). Por, qysh në faqen tjetër vë qartë në dukje, se katolikët kanë qenë të detyruar të paguajnë tatime të rënda. Për këtë arsye Kelmendasit, respektivisht Klementinët ishin të detyruar të shpërnguleshin në rrafshnaltat e Peshterit, në veri të Pejës, domethënë në Sanxhak dhe në Novi Pazar (165). Kjo është me rëndësi, edhe për zbulimin e prejardhjes së popullsisë së sotme në këto zona, e cila është islamizuar krejtësisht dhe flet serbisht, respektivisht tani boshnjakisht.

Katolikët ishin në pozitë të palakmueshme ndërmjet pushtetit osman dhe patriarkut të Pejës, i cila në bazë të fermanit të fituar nga sulltani kishte pushtet edhe mbi katolikët. Patriarkut për këtë arsye i duhej t`i paguante sulltanit tatimin vjetor që e mblidhte prej katolikëve (166-167). Pozita e Kelmendasve respektivisht Klementinëve – katolikë në mënyrë të veçantë u përkeqësua në vitin 1714 kur përkrahën venedikasit. Kështu, duke ikur me ushtrinë e cila po tërhiqej, u vendosën si banorë visesh kufitare në Hrtkovc dhe Nikinc në Srem. Edhe ata që në vitin 1737 kishin luftuar nën udhëheqjen e patriarkut të KOS, Arsenit të IV Shakabent, në vitin 1992 serbët i përzunë nga vatrat e tyre, ndërkaq Vojisllav Sheshelj Hrtkovcët u ndryshoi emrin në Serbisllavë (170).

Historianët shqiptarë, si ata nga Kosova po ashtu edhe ata nga Shqipëria, këtë ikje masive kah fundi i vitit 1737 e konsiderojnë “dyndje të dytë”. Mirëpo, Malcolm mendon se një shumicë e madhe e këtyre refugjatëve, nuk kanë qenë nga Kosova, por nga veriperëndimi (170). Kosovën atëherë e sundonin tri familje aristokrate: Mahmutbegollët, të njohur si Begollë (Pejë), Rotullët (Prizren) dhe Gjinollët (Gjilan) (175). Meqë për komunitetin ortodoks në Kosovë, në këtë periudhë flitet shumë pak, historianët serbë këtë e shpjegojnë si periudhë e një trysnie të madhe mbi këtë popullsi, respektivisht të emigrimit të vazhdueshëm të Shqiptarëve në Kosovë. Malcolm këtë pohim nuk e pranon dhe vë në dukje pozitën e privilegjuar të ortodoksëve dhe hierarkisë së lartë kishtare ortodokse në raport me katolikët dhe Kishën Katolike. Përveç kësaj, autori pohon se në Kosovë ka ardhur një numër i madh popujsh të ndryshëm, si për shembull vasojeviqët dhe vllahët ortodoksë që gradualisht janë serbizuar. Kështu pra, përfundon se pohimet mbi Serbët si popullsi autoktone në Kosovë janë trillim i kulluar (ratler bogus), sepse shumica e popullsisë në Kosovë e di prej nga kanë ardhur (179).

Në kapitullin e dhjetë Reformat dhe rezistenca: 1817-1878 (181-201), që në fillim autori ironizon historianët serbë, të cilët konsiderojnë se historia e Kosovës e shekullit XIX është periudhë tragjike, por edhe ata shqiptarë që mendojnë se kjo është një periudhë e luftërave heroike të popullit shqiptar për çlirimin kombëtar (182). Sipas Malcolm, kjo është një periudhë në të cilën të fortët vendas u rezistojnë reformave të sulltan Mahmutit II (1808-1839), duke kërkuar për vete një autonomi më të gjerë. Kjo edhe çoi, thotë autori, në betejën e tretë të Kosovës e cila me 16 korrik të vitit 1831 u bë në të njëjtin vend ku edhe e para e vitit 1389 me ndryshimin se atëherë kanë qenë në konflikt dy ushtri homogjene. Është fjala për njërën kryengritëse, në krye të së cilës ka qenë udhëheqësi karizmatik Husein pasha Gradaščević dhe ushtria e sulltanit në krye me vezirin e madh. Në anën e Husein pashës kaluan edhe shqiptarët, të cilët deri më atëherë, kishin qenë në ushtrinë turke. Fitoi Husein pasha. Autori vjen në përfundimin se fituesi s’ka ditur ta shfrytëzojë këtë fitore, sepse po ta kishte pas shfrytëzuar do të kishte ndryshuar rrjedha historike e Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë. Husein pasha ka besuar në premtime dhe koncesione, ndërkaq politikanët turq me intriga krijuan ndasi në aradhet e aleatëve. Pasojat kryesore të këtij episodi për Kosovën janë fundi i sundimit të pakontrolluar të dinastive vendase dhe vendosja e administratës ushtarake, me çka një pjesë e madhe e Kosovës u bë një ejalet me seli në Shkup, e më vonë në Prizren. Fryma liberale e këtyre reformave shihet edhe në përndjekjen e kriptokatolikëve, laramanëve, të cilët publikisht ishin vetëquajtur katolikë (186).

Autori ndalet në politikën e Ilije Garašanit dhe në korrespodencën e tij me udhëheqësin shpirtëror të Mirditës, me abatin mirditor, imzot Gaspër Krasniqin. Kur e shpjegon këtë korrespodencë, autori pohon se Serbia me përdorimin e këtij “koalicioni” të krishterë ka dashur të përfitojë elementin katolik të Mirditës në mënyrë që të mund të dilte në det (189, 218). Për fat të keq, ky pohim është edhe i saktë edhe i pa shprehur krejt. Sepse autori nuk i shpjegon arsyet e korrespodencës së imzot Gaspër Krasniqit me Ilije Garašanin, kontaktet e imzot Prenk Doçit, abatit të Mirditës, me princin malazez Nikollën I. Mendoj se autori duhet ta shpjegonte këtë, sepse historiografia zyrtare shqiptare “bashkëpunimin” e këtyre udhëheqësve shpirtërorë katolikë me Illije Garašanin dhe princ Nikollën I e ka konsideruar si akt tradhtie, të drejtuar kundër interesave të popullit shqiptar. E pra, shtrohet pyetja çfarë kanë mundur të tradhtojnë përveç se institucionet turke shtetërore dhe shpirtërore të cilat, siç ka ardhur në përfundim me të drejtë akademik Rexhep Qosja,[9] e kanë tjetërsuar popullin shqiptar nga qytetërimi evropian?! Përveç institucioneve të Kishës Katolike, që në mënyrë të ndërgjegjshme kultivuan identitetin shqiptar kombëtar, shpirtëror dhe kulturor, institucione të tjera që do të vepronin në këtë drejtim nuk ka pasur. Tek e fundit, nuk ka ekzistuar as shteti kombëtar për pavarësinë e të cilit, deri edhe (mbase) me mjete makiaveliste, kanë luftuar këta kryetarë shpirtërorë të Mirditës.

Duhet thënë se në gjithë këtë, qëllimet e të dyja anëve kanë qenë të ndryshme. Meqë popullsia shqiptare islame shprehte ndershmëri prej nënshtetësi ndaj perandorisë turke – edhe pse në kryengritje të ndryshme ka luftuar kundër pushtetit turk, por vetëm për çlirim social dhe ekonomik, dhe jo edhe për mëvetësinë politike dhe pavarësinë e vendit – katolikët dhe udhëheqësit e tyre shpirtërorë kanë luftuar jo vetëm për çlirimin social dhe ekonomik, por edhe për pavarësinë e mëvetësinë e vendit, si dhe etnointegritetin e tij. Kjo shihet qartë nga përmbajtja e telegramit të dërguar episkopatit shqiptar në Shkodër të 29 qershorit të vitit 1919, të cilin e nënshkruan mons. Luigj Bumçi, ipeshkëv i Lezhës, At Gjergj Fishta, françeskan dhe poet kombëtar shqiptar dhe Luigj Gurakuqi, laik dhe intelektual katolik.[10] Përveç kësaj, qëndrimi i asaj kohe është se “çështja lindore” mund të zgjidhet vetëm në bashkëpunim të ndërsjellë të popujve të krishterë. Në këtë dritë, duhet të shikohet bashkëpunimi i Shqiptarëve katolikë dhe Serbisë respektivisht të Malit të Zi. Tek e fundit, përse mos të vihet në dukje edhe e vërteta se shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe, Kishën katolike dhe klerin e saj i konsideronte si rrezikun më të madh për realizimin e politikës ekspansioniste nacionale serbe.[11] Po ashtu, është e pakuptueshme që autori kur flet për të a. q. Republikën e Mirditës të krijuar në vitin 1921 (275), nuk thotë asnjë fjalë se kundër këtij prodhimi të Beogradit ka qenë i tërë kleri shqiptar me inteligjencën katolike shqiptare.[12]

Arsyen e ruajtjes së tempujve dhe manastireve ortodokse në Kosovë autori, me të drejtë, e gjen tek elementi islamizues shqiptar si dhe tek sinkretizmi i tij fetar (190). Po ashtu, çdo orvatje për ta vërtetuar përkatësinë etnike në Kosovë në bazë të të dhënave turke është e tepërt. Sepse në Perandorinë osmane popujt e ndryshëm nuk janë ndarë sipas përkatësisë etnike, por sipas asaj fetare, d.m.th. si popull që kishte kuptimin e bashkësisë fetare. Për shembull, përveç popullit hebre dhe ermen ekzistonte edhe populli ortodoks (194).[13] Por, jo të gjithë myslimanët në Kosovë ishin shqiptarë. Këtu duhet të numërohen edhe Vllahët e islamizuar që me kohë janë shqiptarizuar. Mirëpo, autori numëron si myslimanë edhe Malësorët, përkatësisht torbeshët, të cilët kanë folur gjuhën sllave Slav-speaking, këtë gjuhë flasin akoma sot, dhe kanë kaluar në islamizëm që në vitin 1766, edhe pse disa e kishin pranuar që më parë fenë islame. Kalimin e tyre në islamizëm autori e shpjegon me të lënët pas dore, nga ana e peshkopëve grekë pas heqjes së Patriarkanës së Pejës në v. 1766. Këtë përfundim autori e ka nxjerrë në bazë të gojëdhënës popullore (195, 197, 198). Megjithatë është mendim i përhapur se këto struktura të quajtura “Slav speaking” në të vërtetë kanë qenë Vllahët e serbizuar.[14]

Duke folur për strukturën etnike në shek. XIX në Kosovë, Malcolm ndër të tjera thotë se ka qenë një numër i madh familjesh ortodokse dhe si gjuhë amtare kanë pasur shqipen, dhe thotë se jo të gjithë myslimanët kanë qenë shqiptarë. Kishte rreth 6.000 Çerkezë dhe të paktën 10.000 romë myslimanë si dhe ortodoksë (194-195, 306, 214-217). Edhe pse gjuha, veçanërisht në këtë mjedis multietnik, nuk mund ta vërtetojë përkatësinë etnike të disa njerëzve, shtrohet pyetja: a mos janë këta ortodoksë “Albanian-Speaking” Vllahë? Dhe sado që të jenë interesante disa pohime të autorit mbi procesin e “serbizimit”, respektivisht “shqiptarizimin” e strukturave të ndryshme etnike në Kosovë, ai megjithatë nuk jep prova të forta për pohimet e veta. Ai po ashtu përmend Lumen, rreth 30 km në perëndim të Prizrenit, banorët e së cilës në fillim kaluan në islamizëm e pastaj nga “Slav-speaking” në gjuhën shqipe, siç është rasti i Rahovecit, ku shpirtërisht sundojnë dervishët (197). Se kush janë këta “Slav-speaking” në kuptimin etnik, autori nuk e shpjegon.

Megjithatë duhet vënë në dukje trimëria intelektuale dhe morale e autorit në kundërshtimin e ideve të Jovan Cvijićit dhe “atin e etnografisë politike serbe” Spiridon Gopčevićin, sipas të cilëve të gjithë Shqiptarët në Kosovë janë “Serbë të shqiptarizuar”, për më tepër dhe Gegët,[15] pa marrë parasysh se a janë myslimanë apo katolikë (198-199). Të gjitha këto pohime të rreme, pohon Malcolm, këta autorë i kanë mbështetur në disa elemente sinkretike fetare, siç janë Festa e shtëpisë, Buzmi të cilën e festojnë edhe Shqiptarët katolikë edhe ortodoksët, dhe që, sipas tyre, janë me prejardhje serbe (198).

Edhe pse për Malcolm prejardhja e krishterë e myslimanëve shqiptarë është e padyshimtë, është pak e papërcaktuar kur është fjala për përkatësinë e ortodoksisë apo katolicizmit. Ai thotë se “Albanian speaking” mund të jenë edhe anëtarët e Kishës ortodokse. Në favor të këtij mendimi, përmend popullsinë e Rekës, në veri të Dibrës që edhe sot i përket fesë ortodokse, ndërsa të tjerët kanë qenë të fesë katolike (198). Mirëpo, ç`të themi për të vërtetën se edhe në popullsinë e kësaj rrethine mbretëron mendimi se ata janë me prejardhje vllahe, e këtë e thotë vetë autori në një vend tjetër (203), e që ata i quajnë Gogë, që në popull është emri i përdorur për Vllahët.[16] Me këtë emër janë të pranishëm edhe në Prizren (213).

Edhe pse në krejt këtë argumentim të autorëve serbë rreth nocionit “arnaut”, me të cilin mendohet “Serbët e shqiptarizuar”, autori vëren disa pohime të rreme, megjithatë pranon mundësinë që ky proces të ketë qenë i ndërsjellët. E pra, ndryshe nga kjo, autori pohon, se në gjysmën e dytë të shek. XIX shumica e popullsisë së Kosovës fliste shqip.

E kam thënë tashmë se nocionet “Albanian speakers”, respektivisht “Slav speakers”, për një mjedis multietnik dhe fetar, siç është Kosova me rastin e vërtetim-caktimit të strukturës etnike janë të pamjaftueshme. Pikërisht për këtë arsye autori i përdor këto nocione “asnjanëse”. Domethënë, nuk duhet të harrohet se gjuha është pasqyrë e identitetit nacional, por edhe e integrimit social dhe kulturor në një mjedis shoqërisht dhe etnikisht të ndryshëm.

Kjo shihet qartë në kapitullin vijues të librit, në të cilin autori flet për fenomenin e shoqërisë multietnike të Kosovës me titull Pakicat tjera të Kosovës: Vllahët, Romët, Turqit, Hebrenjtë (202-214). Të gjitha këto struktura etnike në Kosovë akoma sot janë me karakter shumëgjuhësor, si edhe Çerkezët, prej të cilëve në Kosovë ka vetëm 50 familje dhe jetojnë në fshatin Donje Stanovce ndërmjet Prishtinës dhe Vushtrrisë, ndërsa flasin çerkezisht, turqisht, serbisht dhe shqip (214-216).[17]

Do të përqendrohem më shumë në çështjen e vllahëve në Kosovë se sa në grupet tjera. Malcolm në kreun e dytë shumë qartë e thekson faktin se Kosova është djepi i dy proceseve historike të etnikumeve të ndryshme: të shqiptarëve dhe vllehve (40). Nga këto troje, vllahët që nga shek. X lëviznin në drejtim të jugut deri në Greqinë veriore (202). Ndonëse pjesa tjetër e vllehve që jeton një kohë të gjatë në simbiozë me popullatën e trevës shqipfolëse lëviznin kah veriu dhe lindja e duke e kaluar Danubin në shek. XII, arrijnë në Rumani. Megjithatë, shumë prej tyre mbetën në Kosovë, Mal të Zi dhe Hercegovinë. Por autori thotë se gjithë vllahët autokton në Kosovë u zhdukën nga skena historike, sepse u asimiluan në serb ose e lëshuan Kosovën. Kurse Vllahët që përmenden në Kosovë në shek. XIX erdhën nga jugu dhe nuk ishin të lidhur me ata vlleh që këtu jetuan deri në fundin e mesjetës (22). Thënë të drejtën, dyja këto supozime janë të sakta. Mbi praninë e vllahëve në Kosovë, përkundër serbizimit të tyre përmes ortodoksizmit dhe shqiptarizimit, përmes islamizimit, flasin mbiemrat: Vllasi, Vllasaliu, Vllasolli etj., përkatësisht toponimet si, Staniqor, Planqor, gjegjësisht Vllashnje në Prizren, Vllastica në Gjilan apo edhe “varret e vllehve” etj. Kurse të lënit pa përmendur Vllahët në Kosovë gjatë “pushtimin dy shekullor të osmanlinjve”, autori mundohet ta justifikojë me aftësinë e tyre kulturore dhe të përshtatshmërisë gjuhësore. Ndonëse emri “Vllah” përmendet në dokumentet turke në kuptimin etnik,[18] megjithatë shuarjen e tyre duhet kërkuar te islamizimi apo fakti se si të krishterë janë trajtuar me termin “milet”.  Siç u tha edhe më parë, në shteti Osman popujt ndaheshin jo sipas përkatësisë etnike por sipas përkatësisë fetare.[19]

Vllahët, sipas autorit, kanë ardhur në mënyrë intensive në Kosovë, pas luftërave ruso-turke (përndryshe autori përherë termin osmane në vend të turke![20]) të viti 1768 – 1774 dhe pas rrënimit të Moskopoljës (shq. Voskopojë), qendrës së tyre më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike. Ata në Kosovë u vendosën në Ferizaj, Pejë, Gjakovë, por shumica në Prizren, ku më së shumti kanë qëndruar në identitetin e tyre etnik. Vetëm pas okupimit të Kosovës në vitin 1912, thotë autori, vllahët e Prizrenit u serbizuan tërësisht (205).

Duke shqyrtuar më tutje për strukturën etnike të Kosovës, Malcolm i përmend edhe turqit. Edhe pse nuk kishte pasur ndonjë ardhje masive të turqve (40), autori pohon se turqit jetojnë në Kosovë, që nga koha e Milutinit, d.m.th. që në shek. XIV. Porse, prania e turqve në këto treva dëshmon për praninë e tyre gjuhësore-kulturore e jo për atë etnike (sic! Z. M.). Posaçërisht kemi të bëjmë me mjediset urbane, ku turqishtja ishte gjuhë urbane derisa në fshatin Mamush afër Prizrenit dhe Dobërqan afër Gjilanit, flitet turqishtja klasike, e në veçanti në Mamushë. Përveç Yürükve (209) autori kësaj pasqyre ia shton edhe Kurdët, përkatësisht Arapët dhe Lazët, që kishin ardhur nga Anadolli veri-jugor, kurse gjuha e tyre është e ngjashme me gjuhën gruziane (209).

Kur autori i përmend Hebrenjtë, ai thotë se në Kosovë jetojnë që nga viti 1360, dhe kanë ardhur nga Hungaria.  Hebrenjtë ishin ashkenaz dhe sefardë. Megjithatë, edhe pse në vitin 1889 u shlye ligji antisemit, hebrenjtë, pohon autori, edhe më tutje ishin të padëshiruar në mjediset serbe (211-213).

Periudha nga Lidhja e Prizrenit deri në Revolucionin xhonturk: 1878-1908 (217-238), ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët (217). Viti 1878 konsiderohet vit i zgjidhjes së “Çështjes së Lindjes”, viti kur u ndryshua harta gjeopolitike e Perandorisë Osmane. Me paqen e San Stefanit më 03.03. 1878, të nënshkruar mes Turqisë dhe Rusisë, krijohet “Bullgaria e madhe”. Me këtë marrëveshje territori turk i populluar me shqiptarë ju dha shteteve të krishtera të Ballkanit. Ky pjesëzim i Perandorisë Turke, nuk i kënaqi Fuqitë e Mëdha evropiane. Për këtë arsye me 13 korrik 1878 u thirr Kongresi i Berlinit me qëllim të revidimit të marrëveshjes së San Stefanit. Kriteri themelor gjatë ndarjes së territorit të Perandorisë Osmane popujve ballkanik ishin feja dhe përkatësia etnike. Megjithatë, ky parim nuk u murr në konsideratë për shqiptarët.[21] Arsyeja ishte se shumica e tyre i përkiste fesë islame dhe si të tillë tregonin lojalitet ndaj sulltanëve, përkatësisht ndaj Perandorisë Turke. Ky lojalitet ka ndikuar që diplomacia evropiane t’i konsideron si turq. Duke ju falënderuar gjithë kësaj, Serbia e fitoi territorin e Nishit, por jo edhe Kosovën, thotë Malcolm. Natyrisht se shqiptarët nuk ishin të kënaqur dhe pikërisht kjo ishte shtysa që shpërtheu në lëvizjen e rezistencës në Kosovë, së pari kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, e më vonë ndaj Perandorisë Turke, që pas 34 vjetëve, me pasoja rrënuese, do të përfshijë gjithë Perandorinë, që do të jetë shkaku kryesor i rrënimit të Perandorisë Turke, gjegjësisht Osmane (201).

Si reagim kundër politikës së përmendur ndaj territoreve me popullatë shqiptare, më 12 korrik 1878 themelohet Lidhja e Prizrenit. Varësisht nga mospërputhjet në lëvizjen e shqiptarëve, Lidhja e Prizrenit e ngriti, për të parën herë çështjen shqiptare në rangun e diplomacisë. Por, Malcolm e hedh poshtë mendimin e historianëve shqiptarë, se kjo lëvizje e ka mbajtur kontinuitetin historik të një kohezioni social të caktuar dhe të një ideologjie të pakëputur të popullit shqiptarë. Këtij konceptimi i kundërshtojnë shumë ngjarje. Autori qartësisht thotë se Lidhja e Prizrenit i ka mbetur besnikë sheriatit dhe sulltanit, kurse në Kosovë ishte krejtësisht e përshkuar me frymën e fanatizmit islamik. Luftoi për pavarësi të caktuar, por nën Perandorinë Osmane. Kjo frymë do të reflektojë negativisht edhe tek shqiptarët katolik, bashkësitë shpirtërore dhe civile të cilwt, siç u tha edhe më lartë, kishin pasur kontakt me I. Grashaninin, si dhe me princin malazias Nikollën I, me qëllim që të kundërshtojnë këtë frymë islame dhe për të organizuar kryengritje në qëllim të krijimit të një  principate të pavarur shqiptare në krye me të parin e Mirditës Prenk Bibë Dodën (189, 197, 217, 222, 406, shën. 14). Kjo frymë islamike, fatkeqësisht do të ketë pasoja katastrofike gjatë caktimit së kufijve shtetëror të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Ky fanatizëm islamik do të krijojë armiq edhe tek të krishterët tjerë në këto troje. Kjo, pohon autori, i ka nxitur diplomatët e etnografët serb, të ngarkuar me frymë nacionaliste, që Kosovën të vejnë  nën pushtetin serb (229-230).

Megjithatë, duhet cekur se Malcolm ka të drejtë kur thotë se, një pjesë e madhe e popullatës sllave në Ballkan ka fundi i shek. XIX nuk ka pasur identitet nacional, posaçërisht ata të trojeve të Moravës së jugut. Kjo është e kuptueshme kur dihet se ai territor ishte me karakter vllah.[22] Sepse, siç e thekson me të drejtë Malcolm, përkatësia e KOS-it është para së gjithash fetare, e jo identifikim nacional (231).

Me frymën islamike, d.m.th. me panturqizmin janë të përshkuara, fatkeqësisht, edhe të gjitha lidhjet tjera shqiptare. Kjo frymë shprehej në konstatimin: ne nuk dimë çka është Kushtetuta. Për ne ekziston vetëm Sheriati? Kjo vlen edhe për xhonturqit dhe revolucionin e tyre, ideologët e të cilit ishin shqiptarët, kurse qëllimi i tyre ishte krijimi kombit osman sipas parimit të unifikimit të fesë me kombin, dhe me vetë ketë donin ta shlyenin dallimin mes shqiptarëve katolik dhe shqiptarëve mysliman. Por kjo ishte vetëm një farsë, sepse të krishterët me kushtetutën e xhonturqve para pushtetit shtetëror nuk ishin të barabartë me myslimanët (238). Pa marrë parasysh këtë, autori e thekson rolin vendimtarë të shqiptarëve të Kosovës në krijimin e regjimit xhonturk (237). Kundër kësaj fryme të panturqizmit, përkatësisht panislamizmit luftuan, edhe pse pa sukses, intelektualët-rilindës, kryesisht në emigrim.[23]

Kjo frymë islamike u rrënjos edhe në planin kulturor dhe në betejën e ankthshme kundër përdorimit të alfabetit latin në shkrimin shqip. Vërtet, hoxhallarët dhe myftitë e Dibrës dhe Prishtinës këtë alfabet, që u miratua në Kongresin e Alfabetit Shqip i mbajtur më 1908 në Monastir nën udhëheqjen e At Gjergj Fishtës, e shpallën alfabet i të pafeve. Edhe këshilli i ri turk në Selanik luftoi ankthshëm për ruajtjen e shkrimit arab që ishte dashur të shërbente si faktor uniteti për tërë perandorinë turke (239). Në këtë betejë kundër përdorimit të shkrimit latin islamistëve iu bashkangjitë edhe Organizata e Serbëve osmanllinjë në Shkup e cila nën komandantin çetnik Radenković si dhe me miratimin e xhonturqve në vitin 1908 themeloi degët nëpër mbarë Kosovën dhe Maqedoninë dhe kështu në vitin 1910 iu bashkangjitë xhonturqve në betejën e ashpër kundër përdorimit të shkrimit latin ndër Shqiptarë. Të gjitha këto probleme autori i shqyrton në kapitullin 13 me titull Kryengritjet e mëdha, pushtimi serb dhe Lufta e Parë Botërore: 1908 (239-263).

Bashkëpunimi i pushtetit serb me islamistët kundër Shqiptarëve me qëllim të realizimit të idesë serbomadhe nuk është rast i rrallë. Kjo manifestohet edhe në rastin e formimit tashmë të përmendur të Organizatës së Serbëve osmanllinjë e cila i ndihmon Turgut pashës në gulçimin e kryengritësve shqiptarë (242) të cilët, të verbëruar me idenë e islamizmit dhe panturqizmit, kanë luftuar vetëm për çlirimin social dhe ekonomik, por jo edhe për mëvetësimin politik. Madje edhe Deklarata të cilën Ismail Qemajli e botoi në “Librin e kuq” në Malin e Zi deklaronte besnikërinë ndaj sulltanit (244). Edhe atëherë, kur fiset katolike të Shqipërisë veriore nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, – të cilat i ndihmoi Mali i Zi, porse shpejt edhe i tradhtoi – bërën kryengritje, Shqiptarët myslimanë nuk iu bashkëngjitën (244). I vetmi që luftoi për çështjen e vërtetë shqiptare ka qenë Hasan Prishtina, i cili, vërtet, në fillim qe i entuziazmuar me idetë e xhonturqve, por si intelektual i formuar në Perëndim, shpejt u largua. Për dallim prej tij, të tjerët ishin të preokupuar me idenë e panturqizmit siç ishte Isa Boletini, Riza beg Kryeziu dhe Bajram Curri (244, 246). Autori me të drejtë pohon se agjentura serbe kishte bashkëpunuar me Isë Boletinin, Nexhip Dragën dhe Bajram Currin. Isa Boletini me skrupulozitet kishte bashkëpunuar edhe me kolonelin famëkeq Apisin, themeluesin e “Dorës së zezë” si dhe me komandantin çetnik Kosto Pećanc-in. Në të vërtetë, ai këtu e ka luajtur një rol të dyfishtë. Edhe pse pranonte shuma të mëdha parash nga qeveria serbe, në fund megjithatë i ka tradhtuar (250, 251, 262, 265).

Pas Betejës së Kumanovës në vitin 1912 dhe okupimit të Kosovës nga ushtria serbe, fillon periudha e gjenocidit mbi Shqiptarët, me kthimin e dhunshëm të Shqiptarëve katolikë në ortodoksizëm,[24] spastrimin etnik me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës (252-260), madje gjithë këtë para syve të Fuqive të mëdha. Në të vërtetë, nga ligjërimi i autorit shihet qartë politika e lëkundshme e Fuqive të mëdha ndaj Shqiptarëve për realizimin e interesave të tyre. Për dallim prej të tjerëve vetëm Austro-Hungaria qe në anën e Shqiptarëve si dhe për bashkimin (aneksimin) e Kosovës me Shqipërinë (256, 261). Për fat të keq edhe këtu autori s`është shprehur në tërësi. Fjala është se nuk e shpjegon përse Fuqitë e Mëdha sillen ashtu ndaj Shqiptarëve. Kjo nuk është kurrfarë fshehtësie. Falë pikërisht ideve të panturqizmit dhe panislamizmit ata janë trajtuar si “Turq”,[25] respektivisht shtetin shqiptar në ndërthurje të shteteve të krishtera ballkanike e kanë konsideruar “një Turqi të vogël”.[26] Ky qëndrim është pranuar edhe në historiografinë shqiptare.[27]

Me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës, Serbia fillon ekzekutimin e kolonizimit të Serbëve në këtë vend, ndërkaq i kundërvihen Kaçakët. Këtë autori e shqyrton në kapitullin vijues me titull Kaçakët dhe kolonistët: 1918-1941 (264-288).

Malcolmi qysh në fillim decidivisht pohon se Kosova asnjëherë nuk ka qenë legalisht e bashkuar me shtetin serb. Sepse sipas paragrafit të 4 të Kushtetutës së vitit 1903, që në Serbi ka qenë në fuqi prej vitit 1912 deri më 1913 kur Kosova qe okupuar, qartë thuhet se kufijtë e Serbisë mund të ndryshohen vetëm me Kuvendin e madh popullor, dhe jo me “Kuvendin e rëndomtë popullor” apo me parlament. Mirëpo, Kuvendi i madh popullor që do të duhej të diskutonte për ratifikimin e kufijve të zgjeruar kurrë nuk ka qenë i thirrur. Nga kjo rrjedh se Kosova nuk i është bashkuar Serbisë as në bazë të kriterit të së drejtës ndërkombëtare. Sepse, pohon autori, kur një territor kalon nga një shtet në tjetrin me ndihmën e okupimit edhe në kohën e luftës, ky akt lypset të jetë i njohur me marrëveshje ndërmjet dy anëve ndërluftuese. Kjo ka të bëjë me Marrëveshjen e Londrës, e cila pas luftës qe nënshkruar ndërmjet aleateve ballkanike (duke përfshirë këtu edhe Serbinë) dhe Shtetit osman. Mirëpo, Serbia kurrë nuk e ka ratifikuar. Me të njëjtën gjë ka të bëjë edhe Marrëveshja e Konstantinopolit, e vendosur në mars të vitit 1914 ndërmjet Serbisë dhe Shtetit osman me të cilën Marrëveshja e Londrës konsiderohej e ratifikuar. As këtë Serbia kurrë nuk e ka bërë. I njëjti rast është me Marrëveshjen në Sevres në vitin 1920 madje edhe me atë në Ankara në vitin 1925 që kanë mbetur të pavlefshëm dhe joefikasë përs a i përket aktit të bashkimit të Kosovës me Serbinë. Fjala është se me Marrëveshjen në Ankarë në vitin 1925 Turqia e ka konsideruar Kosovën pjesë të Jugosllavisë, dhe jo të Serbisë (265-267).

Kur është fjala për politikën kulturore në territorin e pushtuar kosovar duhet thënë se Serbia e ka lejuar themelimin e shkollave private në Kosovë, mirëpo gjuha e ligjërimit (mësimore) është lypsur të jetë turqishtja për ç`gjë shkollat janë konsideruar turke (267). Për identitetin kombëtar shqiptar është angazhuar kleri katolik shqiptar, edhe pse, jo rastësisht, ipeshkvi ka qenë slloven. Ky kler predikonte dhe mësonte në gjuhën shqipe përveç katekizmit edhe lëndë të tjera mësimore. Për këtë arsye ishte i përndjekur dhe i mbytur, siç qe në vitin 1929 françeskani Konstantin Shtjefën Gjeçovi, i lindur në Janjevë, famullitar në Zym afër Prizrenit (272).

Në të kundërtën e politikës së hoxhëve dhe muftive në vitin 1930, tre priftërinj katolikë ia kanë dorëzuar peticionin Ligës së Popujve në Gjenevë me qëllim të mbrojtjes së drejtave të Shqiptarëve, pavarësisht nga feja e tyre, por ranë viktima të politikës kolonizuese të Serbisë (286).

Me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës qeveria serbe zbaton kolonizimin e pamëshirshëm dhe sjell në Kosovë popullatë serbe nga Lika, Bania dhe Korduni. Me këtë fillon edhe konfiskimi i truallit të popullatës shqiptare. Kaçakët megjithatë, thotë autori, e ngadalësuan këtë kolonizim të Serbëve në Kosovë (279).

Edhe në planin politik qeveria serbe bashkëpunon me elementin islamik. Ajo, duke llogaritur në mungesën e vetëdijes kombëtare shqiptare në pjesën e islamizuar të popullatës shqiptare, lejon punën e partisë politike të Xhemijetit (Uniteti), të themeluar në Shkup qysh në vitin 1919, qëllimi i së cilës ka qenë mbrojtja e interesit të myslimanëve shqiptarë (269). Kjo parti, siç vë në dukje vet autori, ka bashkëpunuar me partitë politike serbe madje për shembull me radikalët – centralistët dhe demokratët-unitaristët (270). Në këtë lojë politike Beogradi gjente njerëz nga rendet shqiptare nëpërmjet të cilëve zbatonte politikën antishqiptare. Njëri prej këtyre ka qenë edhe Ahmed Zogu, armiku i vdekshëm i politikanëve kosovarë, Kaçakëve dhe irredentistëve kosovarë (277), edhe pse ky i njëjti Zog në vitin 1928 do të kthehet kah Roma dhe të shpallet jo “mbret i Shqipërisë”, por “mbret i Shqiptarëve” (286-287).

Krijimi i banovinave (guvernatorive) në vitin 1939, sipas Malcolm-it, ka pasur për qëllim fshirjen e kufijve administrativ apo historik të popujve të Mbretërisë Jugosllave. Në këtë kuptim duhet të kuptohet dhurimi i territoreve të Kosovës banovinës së Vardarit, Moravës dhe Zetës. Qëllimi i kësaj ndarje ka qenë që popullata shqiptare në këto vende të reduktohet në pozitë të pakicave nacionale (283). Qartësisht flet për projektin e Vasë Ćubrillovićit mbi zgjidhjen e çështjes së Arnautëve ashtu që të dëbohet nga atdheu në Turqi (283-286). Dëm që Malcolmi asgjë nuk flet për rolin e turpshëm të hoxhëve të cilët me identifikimin e fesë islame me kombin turk, të korruptuar me shuma të mëdha parash nga qeveria serbe, ndihmonin në realizimin e politikës së spastrimit etnik të Kosovës. Pikërisht ashtu siç e kishte preferuar Vasa Ćubrillovići në projektin e cituar.[28]

Autori, po ashtu nuk e përmend luftën e Kishës katolike dhe klerit të saj, si dhe inteligjencës katolike shqiptare për ruajtjen e integritetit etno-gjeopolitik të popullit shqiptar. Është e mundur se nuk ka pasur për këtë material të mjaftueshëm. E gjithë ajo që deri më tani është shkruar për rolin e këtij kleri, është shkruar negativisht si në Kosovë njashtu edhe në Shqipëri. Pikërisht për këtë arsye, duke marrë para sysh dinjitetin e tij moral dhe intelektual, do t`i bënte një shërbim të papërshkrueshëm shkencës historike po të kishte shkruar diçka së paku kalimthi mbi këtë, në kontekstin e veprës së tij.

Periudha e Luftës së dytë botërore, është përfshirë në kapitullin 15 me titull Kosova e okupuar në Luftën e Dytë Botërore: 1941-1945. (289-313). Malcolmi këtu e ka treguar tërë aftësinë e tij, që në bazë të një analize suptile dokumentesh dhe ngjarjesh me poteze magjistrale ta paraqesë gjendjen politike në Kosovë gjatë këtyre pesë vjetëve. Për këtë arsye këtu do të ndalem vetëm në disa segmente që, sipas mendimit tim, janë me rëndësi jo vetëm për Kosovën por edhe për popullin shqiptar.

Me dekretligje nga tetori i vitit 1941 deri në shkurt të 1942 banorët që ndodheshin nën okupimin italian njiheshin shtetas të Shqipërisë (291). Me këtë akt për herë të parë në histori pjesa më e madhe e popullit shqiptar u gjind në shtetin njësuar nacional, edhe pse kjo ka qenë një prodhim i Italisë fashiste. Falë këtij prodhimi është mundësuar krijimi i shkollave në gjuhën shqipe (318) që popullatës myslimane shqiptare ia mundësoi lindjen dhe formimin e vetëdijes nacionale shqiptare.

Autori, me të drejtë konkludon se bashkëpunimi i popullatës shqiptare në Kosovë me okupatorët nuk themelohej në bazën ideologjike, por ishte pasojë e regjimit antipopullor gjenocidal serb në këtë territor prej vitit 1912 e më tutje (295-296). Rëndom është folur se Shqiptarët do të bashkëpunonin edhe me djallin e zi vetëm që të çliroheshin nga ky regjim serb! Madje edhe PKJ-a nuk ka qenë e fortë në Kosovë. Nga 239 anëtarëve Shqiptarë kanë qenë vetëm 25 (298, 300, 302).

Duhet të vihet në dukje fakti se reflektimet e Malcolm-it të kësaj periudhe, janë shumë të rëndësishme dhe korrekte, me gjithë ndërthurshmërinë e ngjarjeve kontradiktore në skenën politike shqiptare, si dhe me gjithë interpretimin e ideologjizuar të historiografisë shqiptare të periudhës komuniste në Shqipëri apo në Kosovë që ishte, për sa i përket kësaj periudhe, por edhe të tjerave, nën ndikimin e fuqishëm të historiografisë në Shqipëri. Para së gjithash fjala është për fillimin dhe formimin e lëvizjeve dhe partive politike gjatë kohës së luftës në territorin shqiptar. Autori ka krejt të drejtë kur thotë se PK-n e Shqipërisë e kanë krijuar delegatët e PK-ës së Jugosllavisë, Miladin Popović dhe Dušan Mugoša. Malcolm këtë konstatim të tij e bazon në fjalët e E. Hoxhës, të shprehura në një diskusion intern në vitin 1941: “Kur qe krijuar partia, besimi ynë në këta dy shokët tanë, Miladinin dhe Dushanin, ka qenë shumë i madh, sepse unë nuk kam pasur përvojë as s`kam pasur vështrim të qartë në lidhje me organizatën apo politikën”.[29] Ndërsa për Kosovën partia vazhdimisht ka heshtur, duke thënë, sipas fjalëve të shokut Miladin, se kjo çështje nuk ka të bëjë me ne (sc. Komunistët Shqiptarë, Z.M.) por kjo është çështje e Partisë komuniste të Jugosllavisë (302.)”. Një pikëpamje e tillë është e kuptueshme kur dihet, siç thotë Ismail Kadare, se mbartësit kryesor të PK-s së Shqipërisë kanë qenë Vllahët.[30]

Lëvizja e dytë politike e themeluar më 1942 ka qenë Balli kombëtar – Ballistët (Front nacional), ndërsa udhëheqësit e lëvizjes kanë qenë të orientuar në mënyrë proangleze (306), dhe të prirë në mënyrë antikomuniste. Lëvizja në historiografinë e ideologjizuar komuniste shqiptare ka qenë reaksionare, sepse, siç thonë paraqiste interesa të çifligarëve të mëdhenj.

Mirëpo, N. Malcolmi ka të drejtë kur thotë: “(…) programi i saj politik ka qenë republikan, antifeudal dhe, në përgjithësi, program i qendrës së majtë që shprehte shikimet e ithtarëve të Fan Nolit të cilin A. Zogu në vitin 1924 e rrëzoi nga pushteti.[31] Në të vërtetë programi i saj elementar shprehte aspiratat tashmë tradicionale për realizimin e idesë nacionale të Lidhjës së Prizrenit nga viti 1878, e kjo është krijimi i një shteti në të cilin do të jenë të përfshirë të gjitha territoret etnike shqipfolëse” (303). Ky ka qenë, në të vërtetë, programi i përfaqësuesve të Rilindjes Kombëtare të cilin është dashur ta realizojë Lidhja e Prizrenit me veprimtaritë e saja politike. Natyrisht se ky program për PKJ-në ka qenë i papranueshëm kështu që PKJ-a ka punuar në drejtim për t`i futur në grindje te dyja këto lëvizje politike shqiptare. Kjo edhe ka ndodhur me anulimin e marrëveshjes të nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të PKSH dhe Ballistëve në Muklje në gusht të vitit 1943, duke iu falënderuar intervenimit të M. Popovićit, me kërkesën: “Ju duhet të luftoni kundër fashizmit dhe jo për pavarësi”, dhe kështu ka ardhur deri te armiqësia e përgjakshme ndërmjet PKSH dhe Ballistëve (303-304).

Autori flet edhe për Lidhjen e dytë të Prizrenit, e cila qe formuar në një miting të madh publik në Prizren në vitin 1943, të cilën e nxitnin fuqitë okupuese gjermane. Për sa i përket  programit politik kombëtar, ai nuk është dalluar nga programi i Lidhjes së parë të Prizrenit, duke marrë para sysh se kjo e Dyta ka qenë e orientuar edhe në mënyrë progjermane (304-306).

Në mënyrë që t`i kundërvihet politikës së Lidhjes së dytë të Prizrenit PKJ-a, politikën e së cilës edhe më tutje e zbatonte M. Popović, përdori parullat “për vetëvendosje” e “deri te shkëputja.” Mirëpo, nga frika që këto parulla të mos çojnë në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Tito e ka qortuar rreptë (307). Në frymën e parullave të përmendura në territorin e Shqipërisë veriore mbahet prej 31. XII. 1943 deri më 2. I. 1944 Konferenca e Bunjanit, e ngjashme me AVNOJ-in. Nga 49 delegatët në këtë konferencë 42 kanë qenë Shqiptarë. Konkludimet e kësaj Konference të Bunjanit kanë qenë që edhe Shqiptarëve t’u jepet mundësia dhe e drejta për “vetëvendosje deri në ndarje.”

Natyrisht që me një vendim të tillë “fryma internacionalistike demokratike” e PKJ-s nuk ka mundur të pajtohet (308). E pra me gjithë këtë Rezoluta e Bujanit ka qëndruar politika zyrtare e Komitetit Krahinor edhe pas largimit të Gjermanëve.

Pas një analize të shkëlqyeshme të ndodhive, Malcolm qartësisht tregon se partizanët nuk e kanë çliruar Kosovën me luftë, por kanë në Kosovë hyrë pasi Gjermanët i kishin braktisur qytetet (309-311). Është befasuese që autori askund nuk e përmend hyrjen në Kosovë të Brigadës-partizane shqiptare të III-të dhe V-të, më vonë edhe dy divizioneve të Bosnjës jugore.[32] Autori flet edhe për kryengritjen në Drenicë më 1945 në krye me Shaban Polluzhën i cili e kundërshtoi shkuarjen në Frontin e Srijemit (312).

Duke përfunduar këtë kapitull, autori peticionin e nacionalistëve serb nga viti 1985, në të cilin thuhet se në mes të vitit 1941 dhe 1948 nga Shqipëria në Kosovë kanë ardhur 260.000 Shqiptarë, e radhit në lëmin e “fantazisë së kulluar” (312-313)./drita.info

Burimi: “U povodu knjige Noela Malcolma “Kosovo. A Short History”. Časopis za suvremenu povijest. god. 31., br. 3, Zagreb, 1999, f. 535 – 571.  I njëjti është botuar në revistën fetare-kulturore Urtia, 2/2006, f. 371-411. Përktheu nga kroatishtja: Don Shtjefën DODES.

 

———————————————————————————

[1] Jov. N. TOMIĆ, O Arnautima u Staroj Srbiji i Sandžaku, Beograd 1913, cit. Ap. Hasan KALEŠI, O seobama Srba sa Kosova krajem XVII. I početkom XVIII. Veka, etničkim promenama i nekim drugim pitanjima iz istorije Kosova, u: Obeležja. Časopis za društvena pitanja, nauku i kulturu. Godina VI, nr. 4, jul-august 1976. (Priština), 194.

[2] Jov. N. TOMIĆ, Deset godina iz istorije srpskog naroda i crkve pod Turcima (1683-1693), Beograd, 1902, 163, cit. Ap. H. KALEŠI, Vep. e cit., 196.

[3] “Patriarkana e Pejës” thotë R. Samardzhiq, e ka arsimuar lëminë e vet sipas principit fetar, respektivisht etnik: përveç popullatës në ato zona që kanë mbetur nën jurisdiksionin e patriarkanës së Konstantinopolit dhe arhiepiskopisë së Ohrit, ajo e ka mbledhur tërësinë e popullit serb, këtë jo vetëm në Turqi por edhe në shtetet fqinjë, edhe në Austri dhe Republikën e Venedikut.” (R. SAMRDŽIĆ, “Sudbina jednog naroda: Srbi od XIV do XX veka“, u: Ideje za srpsku istoriju, 235.

[4] R. SAMRDŽIĆ, Kandijski rat u srpskoj istoriji, në:Ideje za srpsku istoriju…, 135.

[5] “Duke diskutuar, thotë R. Samardzhiqi, në Fjalën hyrëse me autorin e paemër i cili e ka kritikuar botimin e dytë të Srpskog rijecnika (=Fjalorin serb) dhe me këtë rast me keqdashje e ka përmendur se hartuesi i tij është “nga pjesët e Jadrit në Turqi “Vuk ka shkruar: “… dhe nuk e thotë (ose ndoshta nuk e di?) se në Turqi është edhe Zeta, edhe Milesheva, edhe Gorazhde edhe Skenderi! (Shkodra?, Z. M.) Dhe se Kisha serbe (me jediz Slav) /jedizom Slavenskim/ është bërë në Turqi (atje ku Nemanja I e ka ndërtuar Gurrën (Burimin e ftohtë) dhe Dushani ku ka mbretëruar; ku është bërë dhe ku ka jetuar Shën Sava Nemanji dhe princ Lazari, dhe prej ku Patriarku Serb Çarnojeviq, Arsenije III, “на простоль святаго Саввъi сьдяшїй“, i kaloi në Gjermani 27.000 familje dhe ka ardhur në Sentandri (Shën Andre); “(cit. Ap. R. SAMARDŽIĆ, Počeci Vukova rada na srpskoj istoriji“, në: PSI III/1986, 101).

[6] R. SAMRDŽIĆ, Srpski narod između Turske i Austrije (1683-1739), në: Ideje za srpsku istoriju…, 149.

[7] Cit. Ap. Dr. Stefan ČAKIĆ, Velika Seoba Srba 1689/90 i patrijarh Arsenije III Črnojević, Novi Sad 1982, 171.

[8] T. R. ĐORĐEVIĆ, Stanovništvo u Srbiji posle Velike Seobe 1690. god., u: Godišnjak Nikole Čupića, knj. XXXIX, Beograd 1927, 4; Z. MIRDITA, Pokušaj rasvjetljavanja i rješavanja problema fenomena „planinskih“ odnosno „pastirskih“ socijalnih struktura Balkana, në: Povijesni prilozi, 12/1993, Zagreb 314, shën. 123 (Më tutje: PP).

[9] R. Qosja, Vep. e cit., 9.

[10] Jugoslavi moltiplicano insistentamente loro sforzo presso conferenza Pace per ottenere annessione con tuto territorio destra Drin nonché Alessio Mirdizia stop E`dunque di somma importanza far pervenire sollecitamente Conferenza da parte Episcopato Clero e Cattolici (sic!, Z.M.) energica protesta comulativa contro simili pretese dichiarando che elemento cattolico albanese ha tutto interesse sia dal punto di vista nazionale che da quello religioso di restare unito Albania indipendente (sic!, Z.M.) stop Protesta sia inviata direetamente Conferenza per Telegramma communicandoci dopia stop Copia sia pure consegnata al Comando codesto presidio militare stop. (Zef MIRDITA, Krishtenizmi ndër shqiptarë…, 374, shën. 442)

[11] “Mi smo – kaže svećenik Borojević, – u katolicizmu i do sada imali najogorčenijeg i najpodlijeg neprijatelja… I u prošlim ratovima najveći otpor kroz Staru Srbiju i novoskovanu Arbaniju davali su Arnauti katolici, a srpski (!) Skadar oteo je pobedonosnoj srpskoj vojsci katolicizam, a ne arnautska nacija. Nisu Skadar i Arbanija poklonjeni (!) naciji, no katolicizmu i nije svirepa i bezdušna Evorpa Arnautima za njihove crne oči dala Arbaniju, Skadar i Srpsko (!) Sinje More, no ih je katolicizmu dala. I sve teškoće koje smo imali i ranije i tada i sada i koje ćemo imati u budćnosti dolaze nam od strane katolika.” (sh. Glasnik pravoslavne crkve, nr. 23-24, viti 1913, 460-462, cit. Ap. Ljubica ŠTEFAN, “Povratak” albanskih katolika u pravoslavno “jato”, në: MI-ZBOR, 7-8/1999, Zagreb, 23). [= Ljubica ŠTEFAN, 120 vjet terror mbi shqiptarët, në: Urtia, revistë fetaro-kulturore 1-2/2002, fq. 87 (shën. i përkth.)].

[12] Zef MIRDITA, Krishtenizmi ndër shqiptarë…, 374.

[13] M. O. H. URSINUS, Zur Diskussion um „millet“ im Osmanischen Reich, në: Südostforschungen 48 (1989), 195-207.

[14] Aleksandar SOLOVJEV, Fundajajiti, Patareni i Kudugeri u vizntinkim izvorima, u: Zbornik radova knj. XXI. SANU. Vizantoliški institut knj. 1, (Beograd 1952), 126; Zef MIRDITA, Vlasi u svjetlu bizantskih autora, në: PP, 14/1995, 92 s.

[15] „Gegerei (…) Diese Namen bezeichnen, thotë J. G. Von Hahn, im tosischen Dialekte Nordalbanien und seinen Bewohner. Der letztere betrachtet sie als Spitznamen, legt sie daher sich selsbst nie bei und belegt den besonders in Mittelabanien zahlreich sitzenden Wallachen mit den Spitznamen γυγε (auch celtisch?). In Nordalbanien findet sich der Eigennamen γεγ, Gheg, und in Südalbanien γυγo – ja häufig, ebenso Ghiga in Griechenland (besonders auf Hydra, welches rein albanisch ist) und in der Wallachei; welcher Sprache die letztere Form eigentümlich zugehöre, können wir jedoch nicht angeben. – Die Bedeutung des Stammes ist uns dunkel. Vielleicht ist der Volksname dem Eigennamen entnommen, und gehört in die Kategorie von John Bull, Bruder Jonathan (…) Wir stellen zu der albanischen Form die römische gens geganea, eine der sechs lateinischen gentes, welche nach Livius III, 37 unter die patres aufgenommen wurden; doch erscheint schon in Plutarch, Numa 10 eine Gegania als Vestalin.“ (J. G. Von HAHN, Vep. e cit., 236).

[16] J. G. Von HAHN, Vep. e cit.

[17] Çerkezët nuk ekzistojnë më në Kosovë. Sipas disa të dhënave ata janë shpërngulur krejtësisht nga Kosova, pas 10 qershorit të vitit 1999 pasi janë ndalur bombardimet e Kosovës nga NATO.

[18] Nicoara BELDICCANU, Les Valaques de Bosnie ŕ la fin du XVsičcle et leurs institutions, në: Turcica VII/1975 (Paris), 122, shën. 4.

[19] Shi. shën. 62.

[20] Është interesante se autori e quan osmane një lagje të Prizrenit (352), edhe pse për ne prizrenasit kjo lagje është e panjohur. Përndryshe ajo quhet Mahalla e Gazi Mehmet pashës ku gjendet Xhamia e Bajraklisë, e ndërtuar në vitin 1573, ku janë mbajtur edhe mbledhjet e Lidhjes së Prizrenit 1878. (Shih. Dr. Esat HASKUKA, Historijsko-geografska analiza urbanih funkcija Prizrena. Univerzitet Kosova. Đakovica, 1985, fq. 181). Për ne të krishterët, qofshin ata katolik apo ortodoks, ajo ishte „lagje turke“, sepse aty flitej turqisht.

[21] The Trouth of Kosova…, fq. 123.

[22] Jovan CVIJIĆ, Osnove za geografiju i geologiju Makedonije i Stare Srbije, lib. I., Beograd 1906, fq. 182-183; Anastasije UROŠEVIĆ, Gornja Morava i Izmornik, SANU. Odjeljenje društvenih nauka. Srpski etnografski zbornik (Në vazhdim: SEZ), lib. LI. Maselja i poreklo stanovništva, lib. 28, Beograd 1951, fq. 4, 23, 36, 39, 69, 83, 202-207, 209, 277, 298 ff; Jovan F. TRIFUNOVSKI, Gornja Pčinja. SANU. Odeljenje društvenih nauka. SEZ lib. LXXVII. Naselja i poreklo stanovništva lib. 38, Beograd 1964, fq. 47 f.

[23] Peter BARTL, Albanien vom Mittelalter bis zur Gegenwart, Regensburg 1995, fq. 110

[24] Ljubica ŠTEFAN, “Srbija i Albanci“, Pregled politike Srbije prema Albancima od 1878. do 1914. godine, (Serbia dhe Shqiptarët“, Pasqyrë politike e Serbisë ndaj Shqiptarëve nga viti 1878 deri më 1914), Knjiga prva, Časopis za kritiko znanosti, Ljubljana, 1989., 135.­-138.

[25] Stvro SKENDI (alias Mehdi Frasheri), Albania, New York, 1956., 469.-470.

[26] Peter Bart1 në këtë çështje është eksplicit kur thotë se nuk kanë qenë kundër shtetit shqiptar vetëm fqinjtë por edhe vetë Shqiptarët muslimanë që kanë dashur të qëndrojnë në shtetin otoman: “Les peuples voisins n’ont pas ete les seuls a s’opposer ä la creation d’un Etat national albanais, mais egalement les Albanais de confession musulmane qui desiraient demeurer dans I’Etat ottoman. “(Nënvizoi, Z.M.) (ap. Milan Kosanović, Compte rendu du colloque: Mythes, symboles, rituels. Le pouvoir historique des “signes” en Europe du Sud­-Est aus XIX et XX-eme siecles, Bonn, 15-17 septembre 1997, u: Balkanologie volume II – Numero 1-juillet 1998 (Paris), 123.

[27] Prof. dr. Kristo FRASHERI, Trashëgimia dhe perspektiva shqiptare (Nasljedstvo i albanska perspektiva), u: Kombi. Rrugët e bashkimit kombëtar. Botuar nga shtepia botuese Onufri. New York, 1997., fq. 275.

[28] Vasa ČUBRILOVIĆ, Iseljavanje Arnauta, në: Izvori velikosrpske agresije. Rasprave ­dokumenti-Kartografski prikazi. Priredio Božo Čović. “August Cesarec”, Zagreb, l, 991, 113.

[29] Ky konstatim nuk ndodhet në “Memoare” që më vonë i ka shkruar Enver Hoxha dhe në të cilat, natyrisht, “pro domo sua” vë në dukje se M. Popović i ka thënë: „Nuk është e vërtetë se PKJ e ka themeluar PKSH, ju vetë e keni themeluar.“ (E. HOXHA, Kur lindi Partia. Kujtime, Tirane, 1981. Tirana, 1981., 131). Vidi još: Vl. Dedijer, Jugoslovensko-albanski odnosi (1939-1948), Beograd 1949.

[30] Ismail Kadare shkruan se në Politbiro rëndom ka qenë një e katërta, ndoshta një e treta e „shulëve“ apo Vllehëve. Ndërsa zëvendësi i E. Hoxhës pas çlirimit ka qenë famëkeqi Koçi Xoxe i cili deklarohej se ëshët Bullgar. (Ismail Kadare, Nga një dhjetor në tjetrin. Kronikë, këmbim letrash, “Payard” Paris 1991., 65.

[31] Në rrëzimin nga pushteti të episkopit Fan Noli, që dihet se ka qenë kryetar i Qeverisë demokratike, shumë shpejt janë marrur vesh ideologjia panislamike dhe panhelenike, duke organizuar njësitë e goditura mu në Greqi me Myfid Libohovën dhe Kostaq Kotën në ballë, ndërsa në Serbi me Ahmed Zogun. (sh. P. BARTL, Albanien von Mittelalter bis zur Gegenwart, 205).

[32] Histoire de I’Albanie des origines r nos jours. Sous la direction de S. Pollo et A. Puto. Preface par Maurice BAUMONT de I’Institut. Editions Horvath. Paris 1974., 288.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »