Një trajtim analitik dhe sintetik për librin e Noel Malcolm-it “Kosovo. A Short History” (Pjesa e parë)

Jan 13 • Histori, Kulturë

Nga Zef MIRDITA

 

Autori e trajton librin në mënyrë analitike dhe sintetike. Forca e librit të Malcolmit qëndron në faktin se teksti  nuk është i ngarkuar me polemika të historiografisë dhe mendësisë shoviniste të Ballkanit. Malcolmi arriti të çmistifikonte betejën e Kosovës (1389) dhe “Migrimin e Madh të Serbëve” (1689), temat me të cilat është e rënduar historiografia serbe. Libri i Malcolmit vë në dukje me sukses shkaqet e luftës së Ballkanit, veçanërisht të asaj të fundit (1991-1999), si një rrjedhojë e ideologjisë dhe politikave hegjemone serbe. Libri i Malcolmit do të ndihmojë si historianët serbë ashtu edhe ata shqiptarë të braktisin metodat romantike në shkrimin e historive të tyre.

Sidoqoftë, autori nuk mundi të binte dakord me disa nga përfundimet e Malcolmit, si mungesa e hamendësuar e masave shtypëse të Osmanlinjve mbi popullsinë lokale në Kosovë. Po kështu, Malcolmi pranon idenë që ka pasur një proces “Shqiptarizimi” të serbëve në Kosovë bazuar në emrat e një numri të caktuar të popullsisë shqiptare, ndërsa në të njëjtën kohë mohon se ka pasur një proces të njëjtë në drejtimin e kundërt. Arsyeja për këtë rrëmujë ka mundësi të qëndrojë në faktin që Malcolmi nuk vë re që kjo është një çështje e “shqiptarizimit” të Vllehve dhe jo serbëve. Pavarësisht nga këto të meta, autori e rekomandon këtë libër në mënyrë të veçantë.

 

Për dallim prej shumë librave dhe shkrimeve, kushtuar së kaluarës dhe të tashmes së Kosovës, që janë publikuar në Perëndim – publikime të autorëve serb, por edhe të atyre perëndimor, të shkruar nën ndikimin e fuqishëm të historiografisë serbe, do të thosha se libri i Noel Malcolm-it “Kosova. Një histori e shkurtër”, me siguri do të zërë një vend të rëndësishëm në qarqet shkencore dhe në ato politike. Përndryshe, siç do të dalë në pah nga leximi, vepra u kushtohet atyre. Në të vërtetë, autori ka dashur që përmes këtij libër t`u shpjegojë politikanëve dhe të pushtetshmëve perëndimorë shkaqet e vërteta të ngjarjeve të përgjakura, të cilat kanë ndodhur në vendet e ish Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë.

Edhe pse vepra e tij Bosnja. Një histori e shkurtër[1] në Perëndim fitoi lëvdata, por edhe ndeshi tërbimin e historianëve serbë, si dhe qëndrimin kritik të disa historianëve kroatë, me këtë vepër ai ka treguar se e njeh mirë të kaluarën dhe mendësinë e popujve të nënqiellit ballkanik. Është e vërtetë, siç shihet nga bibliografia, se është shkruar në bazë të lëndës arkivore të Venedikut, Bolonjës, Romës, Vatikanit, Vjenës, Zagrebit, Uashingtonit, Tiranës, Firencës, Parisit, Londrës, Oksfordit, por jo sipas arkivave serbe, “sepse – thotë – thjesht për këtë periudhë (shekullin e 17) nuk ekzistojnë. Nuk ka ekzistuar institucioni serb që t`i ketë mbledhur dokumentet serbe të shekullit të 17-të. Kisha ortodokse serbe (= KOS) po ashtu nuk ka kurrfarë arkivi të historisë, të përgjithshëm. Pas themelimit të metropoleve në Karllovcë, kjo ndodhi pas dyndjes së madhe, kanë mbledhur pak dokumente, mirëpo këtë nuk mund ta quajmë arkiv. Pas kësaj e keni një arkiv që është themeluar në shekullin e 19-të, ndërsa në shekullin e 20-të dhe KOS ka arkivin e përgjithshëm, administrativ.”[2]

E pra, pavarësisht nga kjo, analizës së përmbajtjes së librit i jam qasur sipas fjalës latine non quis, sed quid­? Duke lexuar këtë vepër, kanë dalë në pah edhe disa dyshime për disa përfundime të autorit. Por kjo është logjike. Tek e fundit, dyshimi intelektual, nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe i arsyeshëm, nëse është qëllimmirë.

Pasi të jetë lexuar vepra e N. Malcolm-it, Kosova. Një histori e shkurtër, në të cilën është përfshirë periudha nga lashtësia e vonë[3] e deri në vitin 1997, është e qartë se interesimet e autorit janë me karakter të kulluar intelektual dhe shkencor, me qëllim që, më në fund, publikut shkencor, kulturor dhe politik t`i paraqitet e kaluara e kësaj zone, e çliruar nga historiografia e diskutueshme ballkanike e një mendësie shoviniste.

Veprës i paraprin Falënderimi (IX – X) për të gjithë ata që e kanë ndihmuar me këshilla, literaturë, por edhe për ata që i kanë siguruar fondin Altistair Horne për periudhën 1995-1996, në mënyrë që të mund të përfundonte librin. Pastaj, vijojnë nëntë harta historike (XIII-XXI), Parathënia (XXIII-XXXII), si dhe 17 kapituj në të cilat është përfshirë e tërë historia e Kosovës (1-356), shënimet (357-427), Fjalori (428-430), regjistri i dorëshkrimeve (431-473) dhe Indeksi (474-492).

Pavarësisht nga fakti se secili kapitull është një tërësi e veçantë e përmbyllur, megjithatë në këtë paraqitje do prek disa çështje, të cilat për mua janë të afërta, e të cilat autori i ka paraqitur në mënyrën me të cilën nuk mund të pajtohem.

Në pjesën e Hyrjes, autori vë në dukje edhe shkaqet për të cilat është e nevojshme të shkruhet historia e Kosovës. Sipas tij ekzistojnë disa shkaqe: 1. Zona e Kosovës është një nga udhëkryqet e kulturave të Evropës Juglindore; 2. Ajo është një zonë domethënëse në të cilën kanë mbijetuar bashkë gjuha shqipe dhe rumune (siç!, ndofta aromune, Z.M.); 3. Ajo ka qenë zonë qendrore e Perandorisë osmane dhe 4. Kjo është një zonë në të cilën ka lindur dhe është zhvilluar lëvizja bashkëkohore nacionale shqiptare (XXXIV-XXXV).

Nga këto që prekëm shihet rëndësia e vetë librit, që me siguri do të merr qortime e lavdërime, por edhe të lihet mënjanë. Fundja, edhe vetë autori në shkrimin e këtij libri ka qenë i vetëdijshëm se gjendej ndërmjet dy “të vërtetave” kur është fjala për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës: asaj serbe, që Kosovën e konsideron si djepin e serbizmit[4] dhe asaj shqiptare, që po ashtu e konsideron Kosovën si djepin e shqiptarizmit[5]. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese, mendoj se duhet të mbështeten mendimet e autorit, me të cilat në të vërtetë ka treguar guximin e tij intelektual, por edhe moralin e një shkencëtari të epërm. Pavarësisht nga fakti se, a do të pajtohemi me gjithçka apo jo, do të mundohem që, sa më besnikërisht, t`i paraqes mendimet e tij, madje edhe me një ton polemik[6].

Në kapitullin e parë: Orientimi: vendet, emrat dhe popujt (1-21) Malcolm paraqet faktin se Kosova për perëndimorët ka qenë e panjohur. Edhe nëse kanë ditur diçka, kjo ka qenë vetëm për shenjat e rrugëve. Dhe për këtë arsye hartat gjeografike të Kosovës, të shtypura në Evropë, kanë qenë plot me gabime. Arsyeja e një gjendje të tillë është gjithsesi politike dhe jepet si pasojë e sundimit të gjatë osman mbi këtë territor, veçanërisht në periudhën e tij të fundit që karakterizohet nga kryengritje të shumta, por edhe me hakmarrje nga ana e pushtetit osman (1). E për sa u përket kufijve të tanishëm, të cilwt nuk përputhen me kufijtë etnikë, ata janë, sipas pohimit të autorit, vetëm rezultat i vendimeve politike mbas vitit 1945 që nuk e kanë marrë në konsideratë faktin se Kosova, nga pikëpamja fizike përbën një tërësi unitare (1). Për sa i përket vetë emërimit Kosovë e Metohi, prej vitit 1945 deri në vitin 1968 Kosmet, autori konsideron se këta janë emra tradicionalë (sic!), që është edhe shkak i shumë polemikave e mosmarrëveshjeve ndërmjet Serbëve dhe Shqiptarëve. Në të vërtetë, Shqiptarët pjesën perëndimore të Kosovës e quajnë Rrafshi i Dukagjinit sipas emrit të familjes mesjetare feudale shqiptare, territori i së cilës shtrihej thellë në Shqipërinë veriore. Ndërkaq, Serbët këtë pjesë e quajnë Metohi sipas pasurive (pronave) të manastireve ortodokse. Për të parën herë emri Kosovë përdoret në veprat mbi Betejën e Kosovës në vitin 1389; deri atëherë kronistët latinë këtë territor e kanë quajtur campus merulae (3), d.m.th. Fushë Kosovë. Për pushtuesit ky territor ishte i një rëndësi të madhe, sepse sunduesi i Kosovës kontrollonte hyrjet strategjike në Bosnje dhe Shqipërinë Veriore, kështu qw mbyllte lidhjen ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë Egjeane. Në këtë kuptim, duhet të kuptohen të gjitha planet strategjike të betejave të mëdha që janë bërë në territorin e Evropës Juglindore, dhe vetë Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe ajo më pak e njohur e vitit 1448 (8), por edhe ato të kohës së re.

Autori më tutje flet edhe për dallimet ndërmjet Shqiptarëve, para së gjithash, për dallimet gjeografike. Në veri jetojnë Gegët që janë popull shumicë, ku hyjnë edhe Kosovarët ndërsa Toskët janë në jug. Për kufi kanë lumin Shkumbin, i cili kalon nëpër pjesën e mesme të Shqipërisë; më pas vijnë dallimet gjuhësore dialektore, si dhe dallimet fetare: pjesa më e madhe i përket fesë myslimane – sunitët dhe shiitët në formën e bektashizmit, ndërsa pjesën e të krishterëve e përbëjnë 15% ortodoksë dhe 10 deri 12% katolikë.[7]

Në kapitullin e dytë autori diskuton Për problemin e prejardhjes së Serbëve, Shqiptarëve dhe Vllahëve në Kosovë (22-40). Është e ditur se çështja e etnogjenezës të çdo populli, dhe jo vetëm e këtyre treve që po shqyrtohen, është një proces shumë i ndërlikuar dhe i gjatë, që përmban elemente integrimi dhe dezintegrimi[8]. Autori, i përballur me faktin e mistifikimit të këtij problemi në historiografitë ballkanike, që nisen nga parimi i ardhjes së parë, respektivisht se popujt e ngulitur në këtë territor kanë ardhur si tërësi unitare, duke kaluar nga vendi në vend, e që në atë rast nuk e kanë ndryshuar etnoidentitetin, me vendosmëri nuk e pranon. Në të vërtetë, një mënyrë e të menduarit të tillë për autorin është joshkencore. Kështu nocioni “Serb” nga shekulli i VI nuk mund të identifikohet me atë të shekullit XVI. Një pranim i një identifikimi të tillë, do të ishte marrëzi (22).

Duke shqyrtuar ardhjen e Serbëve në Kosovë shihet se autori është nën ndikimin e një literature të caktuar (361, shënimi 4). Pa marrë parasysh këtë, ai megjithatë pohon se para tyre kanë ardhur Gotët, dhe se Serbët kanë jetuar në bashkësi me disa fise iraniane. Domethënë, emrat Kroat dhe Serb janë me prejardhje iraniane (23). Këtu, duhet theksuar se historiografia bizantine për shek. VII-VIII nuk ka të dhëna për Ballkanin bizantin të kësaj kohe. Dhe gjithçka që është shkruar deri tani mbi vendosjen e fiseve jugosllave, është shkruar në bazë të të dhënave të veprës së Konstantinit VII Porfirogenetit. Kjo vepër është shkruar me njëanshmëri, ajo është më shumë “një panegjirik sesa një histori e matur”, e pathemeltë dhe politike[9]. Përveç kësaj, është interesante që asnjëri nga historianët, që merren me këtë periudhë, as Malcolm, nuk ka reflektuar mbi diakronizmin e të dhënave e burimeve të shkruara dhe atyre arkeologjike dhe numizmatike, çka është shumë me rëndësi për vërtetimin e mënyrës dhe kohës së ngulitjes së fiseve sllave në trevat e sotme.[10] Ardhja e këtyre fiseve ka zgjatur për një kohë shumë të gjatë. Por nuk kanë qenë në gjithë territorin, baras të pranishme. Përndryshe, si ta kuptosh faktin që të dhënat e para arkeologjike të prejardhjes sllave në territorin e Kosovës janë vetëm nga shek. X,[11] ndërsa në zonën e Patriarkanës së Pejës  vetëm nga shek. XII.[12] Nga ajo që u tha është i kuptueshëm konstatimi i P. Lemerle kur, duke folur mbi burimet e shkruara të cilat kanë të bëjnë me ardhjen e Sllavëve në Ballkan, thotë se janë të rrallë, ndërsa lënda arkeologjike është disparate, fragmentaire.[13] Malcolm konsideron së prania e Sllavëve në Kosovë, në këtë periudhë është shumë e dobët. Edhe më domethënës është konstatimi i autorit se përhapja e Serbëve në territorin e Kosovës fillon qysh në shek. XII (26). Mirëpo, kur është fjala për prejardhjen e Serbëve në Kosovë, autori nxjerr përfundimin se ata janë nga Dalmacia, Bosnja ose edhe nga Serbia veriore (11). Mbi praninë e dobët të sllavëve në Kosovë flet edhe dallimi ndërmjet gjuhës serbe dhe bullgaro-maqedonase. Arsyeja e kësaj është që shumë toponime latine kanë mbetur për një kohë të gjatë për t`iu përshtatur më vonë emrave sllavë. Të tilla janë, për shembull, Naissus (serb. Niš), Lypenion (serb. Lipljan) dhe Scupi (serb. Skoplje). Në Serbinë Veriore, Dalmacinë kontinentale dhe Bosnje nuk ka dukje të tillë, sepse emrat e vjetër të qyteteve kanë humbur krejtësisht (27). E pra, si ta kuptosh faktin që format e përdorura sot për emrat e vendeve të lashta të këtij territori qendror ballkanik të shpjegohen me ndihmën e ligjshmërisë fonetike të gjuhës shqipe.[14]

Ata që e kanë mbijetuar katastrofën, ardhjen e barbarëve dhe sllavëve, duke ikur nëpër male, janë, pohon autori, Vllahët, respektivisht Arumunët të cilwt janë në lidhje të ngushtë me Rumunët (26). Ndërsa për sa i përket ardhjes së tyre, Malcolm anon kah mendimi i historianëve rumunë, të cilët ngulin këmbë në teorinë e vazhdimësisë. Domethënë, Vllahët e quajnë veten Arumunë. Gjuha me të cilën flisnin ka qenë latine. Por kjo nuk dallonte shumë nga gjuha e Rumunëve; dallimet në të vërtetë kanë lindur vetëm në shek. IX dhe X. Prandaj autori përfundon se ka prova bindëse se gjuha e Rumunëve në fillim ka qenë e njëjtë me gjuhën e vllehve. Djepi i tyre duhet gjetur në territorin e Danubit të jugut. Qysh në shek. e XII banorët e gjuhës të folur fillestare rumune janë ngulitur në territorin e veriut të Rumanisë (26).

Kosova, si dhe Bullgaria perëndimore, janë territoret në të cilat kanë jetuar vllahët (27). Dyndja domethënëse e kuazi-sllavëve, ndërsa autori me këtë mendon për Bullgarët, fillon qysh në shek. IX. Kosova nën sundimin e tyre gjendet vetëm nga viti 850 dhe kështu do të mbetet deri në ardhjen në pushtet të perandorit bizantin Bazilit II (976-1025), përkatësisht deri më 1014-1018, e më tutje plot dy shekuj (28).

E pra, sado që prejardhja e vllahëve të jetë e ndërlikuar, edhe pse ata në Kosovë janë autoktonë,[15] problemi i prejardhjes së shqiptarëve, më saktë etnogjeneza e tyre është edhe më e ndërlikuar. N. Malcolm, vë në dukje se ekzistojnë dy teori kryesore: ajo ilire, të cilën e mbështesin shkencëtarët shqiptarë, por edhe shumë të tjerë në botë, dhe e dyta thrakase, të cilën e mbështesin rumunët, bullgarët etj. Përveç këtyre dy teorive ekziston edhe ajo thrako-ilire (N. Jokl, H. Barić) dhe dako-mezike (Vl. I. Georgiev). Në të vërtetë, të gjitha këto teori janë të bazuara në një ngjasim të caktuar shqiptar me ilir, thrakian, respektivisht me gjuhët dako-mezike. Nga mënyra e trajtimit të çështjes, shihet qartë se autori i njeh shkëlqyeshëm të gjitha këto teori (28-35).

Edhe pse, nën ndikimin e fuqishëm të G. Weigand, i cili e ka mbështetur teorinë thrake, për ta mbështetur edhe më shumë G. Schramm, duke i marrë Besët, fis thrak si paraardhës dhe mbartës të krishterimit ndër Shqiptarët, Malcolmi, pas disa analizave të hollësishme gjuhësore, vjen deri në përfundim se Dardanët,[16] fis ilir, janë të parët e Shqiptarëve: “Do të mund t`i quanim etërit e parë të Shqiptarëve,[17] protoshqiptarët. Edhe pse ekzistojnë disa dilema se si do t`i klasifikojmë dardanët, e dimë se kanë folur ilirisht.”[18] Malcolm megjithatë thotë se nocioni “Dardania” duhet të merret si njësi fisnore dhe jo gjuhësore (40). Por në libër është më i matur: “Prandaj, pikërisht në rrafshnaltat e territorit të Kosovës (veçanërisht, por jo vetëm në zonën e saj perëndimore, duke i përfshirë këtu edhe disa pjesë të Malit të Zi) ka mundur të zhvillohet simbioza shqiptaro-vllahe. Të gjitha burimet e dokumentuara janë në pëlqim rreth kësaj çështjeje. Ajo çka del nga kjo është se zona e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të Shqipërisë Veriore, ka qenë epiqendër e dy etnive historikisht të ndryshme, por edhe ndërmjetësisht të lidhura: mbijetesa e Shqiptarëve dhe shfaqja e Rumunëve dhe Vllahëve.” (40, 202-205).

Për etnonimin shqiptar, që shfaqet aty kah fundi i shek. XIV, Malcolm me të drejtë thotë se prejardhja e emrit është shumë e pasigurt, edhe pse pranon mendimin e përgjithshëm se ai do të thotë ai që merr vesh (kupton), ndërsa për emrin “Albanët” rrënjën e nxjerr nga ajo indoevropiane Alb me domethënien zona malore (29). Me këtë Malcolm e dëbon mendimin e shkencëtarëve shqiptarë që konsiderojnë se emri Alban (shqiptar) rrjedh nga emri i fisit ilir Albanoi[19] në Ilirinë Jugore, saktësisht nga Arban, Arbër me domethënien “bujk”.[20]

Për dallim nga G. Schramm[21] i cili konsideron se Besët[22] i kanë krishtianizuar shqiptarët, Malcolm mendon se shqiptarët e kanë pranuar krishterimin nga misionarët e zonës gjuhësore latine, sepse gjuha shqiptare ka shumë fjalë latine, tw cilat me siguri i kanë huazuar, ose nga romakët ose nga barbarët e romanizuar (36).[23] Më tutje, autori përmend se Dardania ka pasur disa qytete dhe feude të mëdha, por megjithatë nuk është romanizuar krejtësisht (40). Në të vërtetë dobësia e romanizimit vihet në dukje në mosekzistencën e vendbanimeve urbane të tipit koloni, sepse vendbanimet urbane dardane, përveç kolonisë Scupi, në të vërtetë kanë qenë me karakter të municipium-it.[24]

Pavarësisht nga gjithë ajo që u tha, është e rëndësishme që autori pohon se Kosova është djepi i dy etnikumeve, Shqiptarëve dhe Vllehve. (40)

Nuk mendoj të ndalem gjatë në problemin e etnogjenezës së Shqiptarëve sepse për këtë kam shkruar edhe vetë.[25] Por e kuptoj autorin kur në fund të këtij kapitulli thotë: “ideja se Dardanët ilirë kanë qenë etërit e parë të Shqiptarëve, mund të ketë vetëm interes sentimental për Shqiptarët e sotëm të Kosovës (…) sepse një histori e vjetër nuk mund të ketë implikime në politikën e sotme” (40, 202). Por, konstatimi i dytë i autorit nuk e kënaq mendimin e qëndrimeve shqiptare: “Tashmë është provuar se Shqiptarët janë pasardhësit e Ilirëve jugorë, ndër të cilët edhe të Dardanëve, të cilët në kohën antike, janë shtrirë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës së sotme, në jug deri te Shtipi (Astibos), në veri deri te Nishi (Naissus). Po ashtu, nuk ka kurrfarë prova historik, te të cilat do të vërtetonin se Sllavët e kanë kolonizuar Dardaninë antike në shek. VI apo VII.”[26] Fakti se Shqiptarët shfaqen qysh në vitin 1043, kur njësitë shqiptare përmenden së bashku me ato greke në ushtrinë e një gjenerali kryengritës, respektivisht në Durrës në vitin 1078 dhe sërish në 1081, kur bashkohen me fuqitë bizantine kundër aventurierit norman Robert Guiscard (28), nuk do të thotë se ata janë në atë vend vetëm që prej asaj date.

Është dëm që autori nuk orvatet të shpjegojë, përse kaq vonë shfaqen në burimet historike. Arsyeja e kësaj duhet kërkuar në natyrën e vetë burimeve bizantine. Me të drejtë, pohon D. Antonijević se: “Të gjitha historitë bizantine dhe mesjetare, janë shkruar nga qytetet, nga rrafshinat dhe nga bregdetet, ndërsa ajo çfarë ka ndodhur në kodra nuk është shënuar, madje edhe po të kishin qenë në njohuri vetë shkrimtarët.”[27]. Ndërsa Sima Cirković është edhe më i qartë: “(…) Bizanti nuk llogarit në atë pjesë autoktonësh që kanë mbetur pas Sllavëve në brendësinë e Gadishullit ballkanik (…) Kur e përhap pushtetin e vet dhe has në Vllahë dhe Shqiptarë, në ta sheh njëjtë elementin e huaj dhe barbar si ndërsa i sheh Sllavët…”[28]. Prandaj, në vërtetimin e përmendjes së parë historike të Shqiptarëve duhet të kihet parasysh ngjarja, dhe jo data, respektivisht viti. Arsyeja e një qasjeje të tillë duhet kërkuar edhe në faktin që autorët bizantinë, nuk janë përherë konsekuentë në rendin kronologjik. Në këtë dritë, duhet kuptuar dhe analizuar përmendja e parë e Shqiptarëve, në burimet historike bizantine.

Në kapitullin e tretë me titull Kosova mesjetare para princ Lazarit: 850-1380 (41-57), që në fillim Malcolm përfundon se sintagma “Kosova është djepi i serbizmit” është e pasaktë, sepse “realiteti është krejt tjetër”. Prej ardhjes së sllavëve në Ballkan në shekullin e VII e deri në rënien e tij përfundimtare nën sundimin osman në vitin 1453, serbët e kanë sunduar Kosovën vetëm dy shekujt e fundit. Kosovën e kanë sunduar kanët bullgarë dhe princërit e tyre prej vitit 850 e deri në fillimin e shek. XI, ndërsa princërit bizantinë deri në dhjetë-vjetshin e fundit të shek. XII (41). Por, prania e shqiptarëve në këtë vend është e pa dyshueshme. Në kuptimin kishtar-administrativ, ky vend ka qenë nën juridiksionin e Ipeshkvisë katolike të Shkupit (46).[29]

Me rënien e Prizrenit nën sundimin e Nemanjiqit në vitin 1216, Kosova bie përfundimisht nën sundimin e serbëve. E pra, megjithatë, autori pohon se prania e shqiptarëve dhe vllehve në këtë vend është e padiskutueshme. Ushtria e princit Dushan gjatë pushtimit të Greqisë veriore përbëhej kryesisht nga shqiptarë dhe vllahë (48). Ç’është edhe më e rëndësishme, në kundërshtim me historiografinë serbe, nocioni vllah në këtë kohë nënkupton kategorinë etnike, dhe assesi atë sociale-profesionale (54). Kosova, më parë për shtetin serb, kishte më shumë rëndësi gjeografike edhe ekonomike, se sa politike. Sepse, siç e thotë autori, shteti serb mesjetar asnjëherë nuk ka pasur kryeqytet zyrtar. Tek e fundit, të gjithë sunduesit mesjetarë serbë e kanë pasur një qendër rezidenciale dhe një administrative. Edhe princi i fundit Lazar, me të cilin është i lidhur edhe fati i Kosovës, qendrën e vet kryesore administrative e ka pasur në Krushevc, por jo në Kosovë. Ajo çfarë është konsideruar me rëndësi të madhe nga serbët në Kosovë është Patriarkana e Pejës. Mirëpo edhe kjo ka qenë vetëm për koincidencë rrethanash. Është fjala për vitin 1299 kur Tatarët dhe Kumanët dogjën manastirin e Zhiçit. Por, sikur rastësisht të ishin nisur ndonjë rruge tjetër, ka mundësi, mendon Malcolm, që Kosova, kurrë të mos kishte qenë e rëndësishme për serbët e sotëm (50). Megjithëkëtë, prania e shqiptarëve si dhe vllahëve në këtë vend është e padiskutueshme, për çfarë flasin edhe të dhënat nga akt – dhurimet perandorake (54). Edhe pse vllahët, edhe më tutje janë marrë me bujqësi, në të gjitha vendet dhe periudhat, madje edhe ata që kanë jetuar në qytete, autori përfundon se me këtë ka filluar asimilimi i tyre me serbët. E pra, parashtron pyetjen: a i ka përfshirë ky proces edhe shqiptarët? Në hrizovulën e car Dushanit, lajmërohet një raport i ndryshëm ndaj vllahëve dhe i ndryshëm ndaj shqiptarëve. Ky dallim, sipas autorit, është pasojë e veprimtarisë ekonomike. Sepse, përfundon, kur edhe shqiptarët filluan të merren me bujqësi, atëherë edhe ata në akt – dhurime, si për shembull, në atë të Milutinit, identifikohen me serbët dhe trajtohen me të njëjtën kategori si serbët. Për këtë arsye, shqiptarët nuk përmenden më si të mëvetësishëm (55) në këto dokumente dhe si të tillë “historikisht” zhduken.

Megjithatë mendoj se arsyeja e kësaj është diçka tjetër. Meqenëse vllahët kanë qenë të besimit ortodoks dhe nuk kishin një kishë të tyren por iu bashkëngjitën Kishës Ortodokse Serbe (=KOS), kjo jo vetëm se e ka mundësuar, por edhe e ka përshpejtuar asimilimin e tyre me serbët. Për dallim nga ata, shqiptarët ishin të besimit katolik dhe ndaj tyre sunduesit serbë janë sjellë armiqësisht dhe vazhdimisht i kanë përndjekur (53). Mjafton të përmendet Kodeksi i car Dushanit, sipas të cilit Kisha Katolike ka qenë “Jeres latinska” (fe latine).[30] Përndjekja dhe ndalimi i veprimit të Kishës Katolike nga sunduesit serbë, nga njëra anë, si dhe mungesa e klerit katolik, nga ana tjetër, me siguri ka ndikuar shumë në kalimin e shqiptarëve nga katolicizmi në ortodoksi.[31] Tek e fundit Shën Sava me qëllim ka themeluar qendrat episkopale në vendin e romanëve dhe shqiptarëve që i takonin Kishës Romake.[32] Natyrisht që me këtë është zbatuar edhe politika shtetërore. Dhe në këtë dritë duhet të kuptohet edhe mospërmendja e shqiptarëve në dokumentet zyrtare. Sado të jetë i saktë, fakti se emrat personal nuk janë provë e identitetit etnik, megjithatë është mendim i pranueshëm i historianëve shqiptarë se nën emrat serbë të krishterë, kalendarikë fshihen shumë shqiptarë etnikë të besimit katolik.

Megjithatë, duhet thënë se historianët shqiptarë këtë qëndrim të tyrin e mbështesin në dokumentet e periudhës osmane. Mirëpo, për N. Malcolm këto janë vetëm ide të mira, sepse me to mund të shpjegohet vetëm “shqiptarizimi” i një territori të caktuar, por jo edhe periudha mesjetare (56). Duke u mbështetur në disa rezultate të historianit serb Stojan Stanojević, i cili qysh në vitin 1929 i ka studiuar emrat e shënuara në Hrizovulën e Deçanit, Malcolm përfundon se asimilimi ka qenë i dyanshëm, sado që të kenë qenë shqiptarët në pakicë (57).

Në kapitullin e katërt, me titull Beteja dhe miti (58-80), Malcolm diskuton për Betejën e Kosovës të vitit 1389. Sado që të jetë trajtuar kjo temë në historiografi,[33] ajo ende nuk ka mundur të çlirohet nga miti dhe mistifikimi. Për më tepër, në përsiatjen serbe të Betejës së Kosovës të vitit 1389, madje ekziston edhe teologjia mbi të. Shembull i prerë është peshkopi Nikolaj Velimirović (1880-1956). Sipas tij, misteri i Betejës së Kosovës ka rëndësi të madhe “për ripërtëritjen e të gjithë popujve në tokë”.[34] Radovan Samardžić pohon se “thelbi i traditës së mëvonshme mitike të Serbëve ka qenë në atë se Shteti i tyre mesjetar ka pësuar disfatë në betejën në fushën e Kosovës (1389) për arsye se, në vend të jetës tokësore, është përcaktuar për Mbretërinë qiellore.”[35]

Mendoj se është e tepërt të diskutohet për betejën e përmendur, sepse siç thotë Mircea Eliade ky është “shembull i prerë i halucinacionit kolektiv” kur “fantazia kolektive e asimilon një ngjarje historike në arketip tradicional.[36] E pra, nuk është ky një rast i vetëm në të kaluarën e popujve e veçanërisht “në popullin e prirë ndaj miteve”, siç pohon R. Samardžić – “siç është ai serb.”[37] Ajo çfarë është thelbësore për këtë kapitull mbetet konstatimi i Malcolm se pasoja e tragjedisë së Betejës së Kosovës, nuk është shkatërrimi i shtetit serb, sepse ai tashmë ishte pas shkatërruar pas vdekjes së car Dushanit në vitin 1355 (49). Në të vërtetë një rëndësi më të madhe, me pasoja tragjike për shtetin serb, ka pasur Beteja në Maricë (1371), me të cilën iu hapën dyert osmanlinjve për pushtimin e Ballkanit (58). Për shkencëtarë, nuk ka dyshim se në këtë luftë kanë marrë pjesë edhe shumë popuj të krishterë, siç janë: shqiptarët, bullgarët, çekët, kroatët, hungarezët, francezët (d.m.th. evropianët perëndimorë) (62).[38] E pra, sado që të jetë kjo paradoksale, autori nuk e dëbon mundësinë e pjesëmarrjes së disa shqiptarëve në këtë betejë në anën e Turqve, kuptohet, duke marrë parasysh ndikimin e osmanlinjve në zonën e Shqipërisë së Mesme (63), ku islamizimi i kësaj pjese të popullsisë tashmë kishte filluar. Por, një qëndrim i tillë është vështirë të pranohet, nëse merret para sysh fakti se islamizimi i shqiptarëve ka filluar qysh në shekullin e XV.[39]

Po ashtu, është interesant konstatimi i autorit se vrasja e sulltan Muratit ishte vepër e kalorësit hungarez. Në këtë kuptim, duhet kuptuar edhe pjesëmarrja e kontingjentit hungarez në anën e ushtrisë serbe. Dhëndri i princ Lazarit ka qenë Nicolas Garai, një prej aristokratëve më të fuqishëm në Hungari, i cili ishte shumë i angazhuar në problemet ballkanike të asaj kohe (71,74). Edhe vetë Millosh Kobiliqi, dhe jo Obiliq, siç e quajnë serbët, nuk ka qenë serb, por me prejardhje vllahoshqiptare (73). Në tërë këtë mit, sipas autorit, më e rëndësishmja është mendimi sipas të cilit Lazari, duke zgjedhur “perandorinë e qiellit”, bëri marrëveshje me Zotin, ndërsa kjo ka bërë që populli serb të konsiderohet “popull hyjnor” (80).

Në kapitullin e pestë me titull Vitet e fundit të Kosovës mesjetare serbe: 1389-1455 (81-92), autori diskuton lidhur me marrëveshjen ndërmjet mbretëreshë Milicës, e cila sundoi në vend të të riut Stefan Lazarevićit, të birit të princ Lazarit, dhe të dërguarit të sulltan Bajazitit. Kjo marrëveshje e solli Serbinë në pozitë vasale në lidhje me shtetin osman. Marrëveshjen e mbështeti edhe KOS-i në koncilin kishtar që u mbajt në vitin 1390. Ajo ka qenë vërtetuar edhe me martesën e Oliverës, motrës së Lazarevićit, për sulltan Bajazitin. Kjo martesë nuk ka qenë e detyruar, siç e konsiderojnë historianët serbë, por me dëshirë. Kjo u lidh sikurse çdo kurorë tjetër ndërmjet dinastive të asaj kohe. Në atë rast Bajaziti e ka respektuar fenë e saj, duke mos e detyruar atë që të kalojë në islamizëm. Për më tepër, Stefan Lazarević ishte miku më besnik i Bajazitit (81-81). Vetëm pas vdekjes së Stefan Lazarevićit në vitin 1427, pas të cilit vjen Đurađ Brankovići, Kosova i ngjitet territorit serb që arrinte deri në Beograd (85). Është interesante se autori pohon, edhe pse nuk sjell kurrfarë të dhënash, se familja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është me prejardhje nga Kosova.

Duke trajtuar Betejën e dytë të Kosovës, e cila zgjati prej 17 deri më 19 tetor të vitit 1448, autori vë në dukje rolin negativ të Đurađ Brankovićit, edhe pse ka të drejtë kur thotë, se besëlidhjet antiturke tw asaj kohe, janë për t’u vënë në dyshim pikërisht për arsye të rivalitetit të dyanshëm që përshkonte këtë koalicion. Por, autori pohon se po të kishte marrë pjesë rastësisht Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në këtë betejë, ajo me siguri do të kishte pasur një përfundim të ndryshëm, por edhe historia e Ballkanit do të kishte pasur fat krejtësisht të ndryshëm (90).

Me ardhjen e Mehmetit II Pushtues në fron në vitin 1451 fillon fundi i shtetit bizantin, despotizmit serb, me këtë edhe fundi i Kosovës. Sepse, me rënien nën sundimin turk të Novobërdes më 01. VI. 1455. dhe Prizrenit më 21. 6. 1459, në të vërtetë bie edhe e tërë Kosova nën pushtetin e tyre që zgjat deri në vitin 1912 (91).

Kapitulli në vijim i këtij libri me titull Periudha e hershme osmane e Kosovës: 1450-1580 (93-115) është shumë interesant, sepse autori dëshiron të provojë se mendimet e deritashme mbi karakterin barbar të këtyre osmanlinjve aziatikë janë të pasakta. Nuk janë të sakta, sipas autorit, edhe ato mendime sipas të cilave do të dilte se osmanlinjtë i kanë kolonizuar në masë territoret e pushtuara me popullsi turke. Në të vërtetë, të gjitha këto mendime janë pasqyrim i politikës dhe sundimit të Perandorisë së mëvonshme osmane (93).

Duhet theksuar se ekzistojnë dallime ndërmjet fakteve dhe mendimeve. E pra, po ashtu nuk është e rrallë që mendimi të merret edhe si fakt! Në këtë rast ndeshim një kundërthënie në vetë kontekstin e një mendimi dhe përmbajtjeje të caktuar. Me qëllim që të provojë se kjo periudhë e hershme e sundimit osman, mbi këto territore nuk ka qenë aq negative sa mendohet, Malcolm ndër të tjera pohon se nuk ka pasur shtypje “kombëtare” as islamizim të dhunshëm, edhe pse pas kësaj thotë se kalimi në islamizëm ka qenë rrugë e diferencimit të qartë social dhe ekonomik (94). Autori pohon se ka ekzistuar një shtresë e spahinjve të krishterë që, sipas tij, është provë e qartë që në këtë periudhë të hershme osmane nuk ka pasur dallime ndërmjet myslimanëve dhe jomyslimanëve (97), edhe pse vetë pranimi i islamizmit ka hapur rrugën e përparimit në strukturën politike dhe sociale (107). E çfarë të thuhet për sistemin e defshirmës (haraçi në gjak), i cili, ishte i pamëshirshëm për prindërit e krishterë, e për të cilin autori thotë se ka mundësuar përparim social dhe ekonomik? Dhe jo vetëm kaq! Ajo ka luajtur edhe një rol të rëndësishëm në përhapjen e islamizmit në Ballkan, por edhe përzierjen etnike në Perandorinë Osmane (96). Tek e fundit, autori thotë që të pafetë (të krishterët dhe hebrenjtë), ishin të një rangu më të ulët social dhe dëshmia e tyre në gjyq kundër myslimanëve nuk pranohej (98). Si atëherë të kuptohen konstatimet e autorit se në këtë periudhë të hershme të sundimit osman nuk ka pasur dhunë dhe detyrime për pranimin e islamizmit? Sepse dhuna nuk është vetëm të prerja e kokave dhe ngulja në hu, por edhe çfarëdo masash dinake juridiko-ekonomike, tw cilat i detyronin të krishterët ta mohonin identitetin e tyre fetar dhe kulturor.

Pavarësisht nga burimet dhe literatura e përdorur nga autori në shpjegimin e këtij problemi, në bazë të asaj çfarë ka vënë në dukje vihet qartë në përfundim se shkaqet kryesore të përhapjes relativisht të shpejtë të islamizmit në Ballkan – para së gjithash në Bosnje dhe Shqipëri – janë të natyrës juridike dhe ekonomike, dhe jo fetare.[40] Është e qartë që kjo shpie deri në një deformim moral që shprehej në fenomenin e korrupsionit, për çfarë flet edhe argjipeshkvi i Tivarit Marin Bici në raportin e tij Kongregatës “Propaganda Fide” në Romë.[41] Ngjarjet historike dhe fenomenet do të vështrohen në raporte shkak-pasojë. Këtë e ka më shumë se të qartë edhe N. Malcolm. Ai tolerancën dhe jodhunën ia dedikon fazës së hershme të sundimit osman në këto territore. Mirëpo dihet që sistemi bazor juridik i këtij sundimi ka qenë e drejta e Sheriatit. Ndërsa, në konceptimin e saj juridik, në raport ndaj jomyslimanëve ka qenë jotolerant. Për më tepër, po t’i kthehej mendja një myslimani dhe po të kalonte në një fe tjetër, do ta priste ndëshkimi me vdekje, ndërsa gratë do të rriheshin.[42] Pra, pushtimet osmane të Ballkanit si dhe zbatimi i islamizimit, me të mirë apo me dhunë, për popujt e Ballkanit, edhe për popullin shqiptar, kanë pasur pasoja negative dhe tragjike. Për këtë flet edhe historiografia shqiptare. “Islamizimi masovik, thotë Aleks Buda, kryetari i parë dhe shumëvjeçar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, që i përfshinte gati dy të tretën e popullit shqiptar, ka qenë fatkeqësi për Ballkanin, e veçanërisht për Shqipërinë sepse do të fusë elemente përçarjeje në kraharorin e familjes ballkanike dhe në popullin shqiptar.”[43] Me islamizimin populli shqiptar, është shkëputur nga rrjedhat normale të civilizimit perëndimor, ndërsa akademiku Rexhep Qosja thotë: “Megjithëse gjeografia e ka lidhur me Evropën (sc. Popullin shqiptar, Z. M.), prej Evropës populli shqiptar për herë të parën është shtrënguar të ndahet pas pushtimeve turke në shek. e XV-të. Perandoria Osmane ka ngritur mur mes Shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame si ideologji e saj shtetërore, por jo vetëm me të. Robëria turke e ka cenuar rëndë zhvillimin natyror të popullit shqiptar: ia ka këputur lidhjet që deri më atëherë ka vënë me Evropën; ia ka ndryshuar drejtimin që deri atëherë ka përvijuar; ia ka çrregulluar ritmin jetësor që deri atëherë ka  krijuar. Duke e shkëputur prej Evropës, pothuaj,  në të gjitha pikëpamjet, robëria turke do ta vonojë zhvillimin e popullit shqiptar, mandej në të gjitha fushat: materiale, ekonomike, kulturore, qytetëruese, urbane. Besimi tjetër, kodi tjetër juridik, parimet tjera morale, mënyra tjetër e jetës, që s’përputheshin me besimin, të kodin zakonor dhe mënyrën e jetës popullore, do të rrezikojnë rënd identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar, të ndërtuar, në njërën anë, mbi kulturën patriarkale vendase, kurse, në anën tjetër, mbi kulturën klasike romake dhe mbi krishterimin.”[44]

Me këtë mendim të një intelektuali shqiptar dëshiroj të tërheq vëmendjen për faktin se sundimi i Perandorisë osmane, megjithatë ka qenë shkatërrues për etnoidentitetin e popullit shqiptar. Me një fjalë, me pranimin e fesë së pushtuesit shqiptarët janë bërë fli e idesë fetare, me qëllime politike e cila identifikonte myslimanin me Turkun,[45] që për fat të keq rrënonte vetëdijen kombëtare shqiptare në pjesën islamike të popullsisë. Kjo do t’i kushtojë shumë shtrenjtë popullit shqiptar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913.

“Toleranca” e periudhës së hershme të sundimit osman mbi këto territore, Malcolm, e sheh edhe në raportin e mirë ndaj të gjithë atyre të krishterëve, të cilët pa kundërshtim do të kalonin në islamizëm. Me vetë këtë ata do të gëzonin të drejtën e zimmës, d.m.th. të drejtën e mbrojtjes. Kjo e drejtë vlente vetëm për të krishterët dhe hebrenjtë. Por, të gjithë ata që kundërshtuan dhe dolën kundër islamizimit u ndëshkuan dhe kishat u shembën apo u shndërruan në xhami. A thua nuk është kjo arsyeja përse nuk ka kisha katolike të asaj kohe në Kosovë dhe Shqipëri, gjë që nuk ndodh me kishat ortodokse? Shkaku i kësaj duhet kërkuar në faktin që Patriarkana e Pejës, qendra e së cilës para vitit 1459 ishte në Smederevë, gëzonte pozitë të volitshme në Perandorinë Osmane. Malcolm mendon se patriarku i Pejës ka qenë mjet i dobishëm për kontrollimin e territorit me popullsi fetarisht të përzier: katolikë dhe ortodoksë (110). Duhet vënë në dukje se autori, kur flet për të krishterët, nuk sjell kurrfarë dallimi konkret etnik, prej të cilit do të mund të njihej për cilët të krishterë është fjala.

Malcolmi merr në konsideratë emrat kalendarikë me prejardhje të krishterë që ndërlidhen me territorin e pjesës perëndimore duke thënë se shumica e tyre kanë qenë katolikë dhe një pakicë e popullsisë ortodokse në Pejë (112, 113). E pra, edhe këtu lexuesi mbetet në mëdyshje kur autori përdor konceptet Albanian – speaking dhe Serbian – speaking, edhe pse thotë se popullsia katolike shqiptare në territorin e Kosovës perëndimore, shumica e së cilës më vonë ka kaluar në islamizëm, ka folur shqip (113, 114). Autori i kundërshton mendimet e historiografisë serbe, sipas së cilës rritja e numrit të shqiptarëve në Kosovë gjatë kësaj periudhe të hershme ka qenë pasojë e ngulimit të tyre, ndoshta nga Shqipëria, të cilët për shkak të privilegjeve të caktuara kaluan në islamizëm, në dallim nga serbët që e pranuan islamizmin, porse nuk u islamizuan tërësisht (sic!) (112). Po ashtu kundërshton mendimin e historiografisë shqiptare, sipas të cilit shumica e popullsisë ortodokse në Kosovë ka qenë shqiptare. Historianët shqiptarë për këtë qëndrim të tyre gjejnë vërtetimin se në Janjevë në vitin 1570 ka ekzistuar “mahalla shqiptare”, në të cilën pleqëria e familjeve kanë pasur emra sllavë apo sllavo-shqiptarë. Malcolm mendon se emrat ortodoksë në formën shqipe që nënkuptojnë përkatësinë e kishës ortodokse nuk kanë domethënien dhe asimilimin e domosdoshëm kulturor të popullsisë shqipfolëse (113). E pra, në mungesë të klerit katolik, veçanërisht të atij të vendit, si dhe për shkak të veprimtarisë së patriarkanës së Pejës, me rastin e përdorimit të këtyre emrave kalendarikë, duhet qenë shumë të kujdesshëm në rastin e vërtetimit të përkatësisë së tyre etnike. Emrat mund të jenë më parë provë e përkatësisë fetare sesa asaj etnike të një popullsie të dhënë. Për përkatësinë etnike ata mund të flasin vetëm në raste të jashtëzakonshme enklavash etnike të caktuara me emra karakteristikë për bashkësi etnike të caktuara.

Duke marrë para sysh të gjitha këto mendoj se duhet hedhur tej teza për “shqiptarizimin e serbëve”. Këtu nuk është fjala për “shqiptarizimin e serbëve”, por për “shqiptarizimin e vllahëve”. Deri në një përfundim të tillë, vij në bazë të faktit që ky proces ka rrjedhur pikërisht në territorin klasik të vllahëve, ku simbioza shqiptaro-vllahe historikisht nuk mund të vihet në dyshim.[46]

Në kapitullin e shtatë autori flet për periudhën njëqindvjeçare, që nga viti 1580 e deri më 1680, të historisë kosovare që është e përshkuar nga luftëra dhe kryengritje. Njëkohësisht flet edhe për jetën fetare në këtë zonë (116-138). Për dallim nga KOS që ka qenë në Kosovë më e pasur, më e madhe dhe më e organizuar, ndërsa nga pushteti turk, edhe e privilegjuar, siç kanë qenë tek e fundit të gjitha KO në Perandorinë osmane, Kisha Katolike, për këtë arsye edhe katolikët që konsideroheshin përkatës të fuqisë armiqësore – prapëseprapë ka qenë e përndjekur. Autori flet për procesin e uniatizmit, për kalimin e ortodoksëve në besimin katolik si dhe për katolikët në ortodoksi, siç është rasti në zonën e Kosovës lindore (128). Flet për sinkretizmin fetar në formën e laramanizmit (131-132) si dhe për shfaqjen e sekteve të ndryshme të dervishëve (135)

Duke dhënë një figurë etnike të Kosovës, në bazë të raporteve të ipeshkvijve katolikë drejtuar Kongregatës “Propaganda Fide”, ndër të tjera, thotë se popullsia e pjesës perëndimore të Kosovës ka folur shqip dhe se këta janë katolikë, ndërsa në zonën e Kosovës lindore shumica e katolikëve ka folur Bosnian (sic!) (Serbo-Croat) (137). Se kush kanë qenë ata në kuptimin etnik autori nuk e sqaron, përveçse thotë se kanë folur boshnjakisht (serbo-kroatisht). A është fjala për katolikët nga Bosnja, apo, për ata me ndonjë prejardhje tjetër sllave, autori nuk mundet të pohojë asgjë me siguri. Malcolm ka të drejtë kur thotë se një numër i vogël i shqiptarëve katolikë, duke ikur për shkak të gjakmarrjes është larguar nga Shqipëria e Veriut dhe është vendosur në Kosovë prej të cilëve shumica kanë kaluar në islamizëm. Por, kur thotë se ka pasur ortodoksë edhe në territorin perëndimor të Kosovës (138), çka nuk vihet në dyshim, nuk jep kurrfarë sqarimi për përkatësinë e tyre etnike. A janë të gjithë ata serbë apo edhe vllahë? E që kanë ekzistuar vllahët në këtë zonë, flasin qartë edhe krisobulat e sunduesve serbë (54). /drita.info

 

Burimi: “U povodu knjige Noela Malcolma “Kosovo. A Short History”. Časopis za suvremenu povijest. god. 31., br. 3, Zagreb, 1999, f. 535 – 571.  I njëjti është botuar në revistën fetare-kulturore Urtia, 2/2006, f. 371-411. Përktheu nga kroatishtja: Don Shtjefën DODES.

 

—————————————————————————–

[1] Noel MALCOLM, Bosnia. A Short History, Macmillan, London 1994; Povijest Bosne. Kratki pregled, Erasmus – svjedočanstva. Zagreb – Sarajevo, 1995.

[2] Globus, 15 maj 1998, fq. 47.

[3] Dëm që nuk ka thënë asgjë për periudhën parahistorike të Kosovës, edhe pse lëmia e Kosovës e kësaj periudhe është shumë interesante por edhe e pasur me gjetje të ndryshme arkeologjike (shih. Zef MIRDITA, Kosovo od prapovijesti do kasne antike, në: Prilozi instituta za arheologiju u Zagrebu, vol. 11-12/1994-1995, Zagreb, 1997, fq. 167-178).

[4] D. BOGDANOVIĆ, Knjiga o Kosovu, Beograd 1985; Zadužbine Kosova, Prizren – Beograd 1987; Kosovo i Metohija u srpskoj istoriji, Beograd, 1989; Kosovo. Prošlost i sadašnjost, Beograd, 1989; Dušan T. BATAKOVIĆ, The Kosovo Chronicles, Beograd, 1992.

[5] Hamit KOKOLARI, Kosova djepi i shqiptarizmit, Tiranë, 1943; The Truth on Kosova. The Academy of Sciences of the Republic of Albania. Institut of History. Encyclopaedia Publishing House. Tirana, 1993; Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998.

[6] Opinionin intelektual dhe kulturor kroat për këtë vepër e ka raportuar sekretari politik i Partisë Liberale, natyrisht me një stil publicistik, Božo KOVAČEVIĆ, me titull: “Kosovo, neprolazna tema” / Kosova, temë e pakalueshme/, në Vjesnik, 24 shtator 1998, nr. 122/VI, fq. 24-25.

[7] Duhet thënë se këta numra janë shumë të dikutueshëm, sepse që prej vitit 1938 në Shqipëri tek regjistri i popullsisë nuk ekziston rubrika e përkatësisë fetare.

[8] Studien zur Ethnogenese. Abhandlungen der Rheinishc-westfälischen Akademie der Wissenschaften Band 72. Westdeutscher Verlag, Opladen, 1985.

[9] Franjo RAČKI, Scriptores serum croaticarum pred XII. Stoljećem, në: Rad JAZU LI/1880, fq. 152-164; T.C. Lounghis, L`historiographie de l`époque Macédonienne et la domination bizantine sur les peuples du Sud-est Européen d`apres les traités de paix du IXe siecle, në: Balkan Studies, 21/1, Thessaloniki, 1980, fq. 79-81. (Më tutje: BSt.).

[10] J. KARAYANNOPOULOS, Zur Frage der Slawensiedlungen auf dem Pelopones, në: Revue des études du Sud-est Européennes IX/3 (1971), fq. 443-460; M. Čorović-Ljubinković, Les Slaves du centrbalkanique du VIe au IXe siecle, në: Balcanoslavica. Centre des recheerches scientifiques de la kulture des anciens Slaves. Prilep. Association des sociétés archéologique de Yougoslavie. Beograd 1/1972, fq. 43-58.

[11] Vojislav JOVANOVIQ – Ljiljana VUKSANOVIQ – Nikola BERIQ, New Findes from the Slavic necropolis at Maticane near Pristina, në: Balcanoslavica 1/1972, fq. 107-111.

[12] Zef MIRDITA, Kosovo, SAP, në: Enciklopedija Jugoslavije I2 JLZ, Zagreb, 1980, fq. 234.

[13] P. LEMERLE, Invasions et migrations dans les Balkans depuis la fin de l`époque romane jusque`au VIII siécle, në: Revue historique, 211 (Paris, 1954), fq. 265.

[14] “Dagegen zeugen die heutigen südslawischen Formen antikeer Ortsnamen im zentralen Balkangebiet von einer Veremietlung durch albanische Lautgesetze.” (R. KATIČIĆ, Die Balkanprovinzen, në: Die Sprachen im römischen Reich der Kaiserzeit. Kolloquium vom 8. bis 10. April 1974. Beihefte der Bonner Jahrbücher. Band 40. Köln-Bonn, 1980, (116), respektivisht “Die heutige serb. Form Niš zeigt mit ihrer Hyphärese des vortonigen Vokals albanische sprachliche Vermittlung nach Jokl bei Ebert 1,92, also Niš: Naissus = alb. püll, „Walld“ <* pëüll: vulgärlat. * pa(d)ule < palude. (A. Mayeer, Die Sprache der alten Illyrier. Bd. I. Einleitung Wörterbuch der illyrischen Sprachreste, Wien, 1957, fq. 237).

[15] “Les populations autochtones dont on trouve les traces dans le pays des Slaves méridionaux du Moyen Âge sont les pâtres transhumants des montagnes appelés géneralement Valaques, mais aussi, Kutso Valaques, Aroumains, Tsintsares, plus rarement et au sud-ouest des pays serbes, Albanais (Arvanitai)» (Boško I. BOJOVIĆ, Le passé des territoires: Kosovo-Metohija (XIe-XVIIIe siecle), në: BSt., 38/1/1997, fq. 33).

[16] Domethënien e kësaj fjale e gjejmë në gjuhën shqipe, që domethënë “dardhë” madje edhe trung i dardhës edhe fryt: “Dardaner, dáρδε-a, alb. Birne und Birnbaum.” (shih Johan Georg von HAHN, Albanesische Studien I., Jena 1854, 236, nr. 9; 266, shënimi 144; Z. MIRDITA, About the Name Dardanian, në: Buletini i punimeve të Fakultetit filozofik në Prishtinë, X/1973, fq. 101-106.

[17] Është e paqartë se a është fjala në përgjithësi për prejardhjen e Shqiptarëve apo vetëm për Shqiptarët nga treva e Kosovës. Sepse N. Jokl shprehimisht pohon: “das alb. Sprachgebiet ist seit vorrömischer Zeit in der Nähe des Gr. Und des Lat. Zu suchen.” (Norbert JOKL, Sprachliche Beiträge zur Paläo-Ethnologie der Balkanhalbinsel. (Zur Frage der ältesten griechisch-albanischen Beziehungen). Aus dem Nachlass herausgegeben von Oskar E. Pfeiffer mit einem Vorwort Georg R. Solta. Schriften der Balkankommission Linguistische Abteilung XXIX. Wien 1984, fq. 36); R. Katicic në të gjitha këto shfaq një dyshim të caktuar: “Somit ist die thrakische Hypothese nur eine interesante Konstruktion, und die Annahme einer illyrischen Abstammung des Albanischen bleibt wegen der einleitend beschriebenen Verhältnisse die wahrscheinlicher, freilich auch nicht sicher erwiesen Alternative.” (sh. R. KATIČIĆ, Vep. e cit., 116). Kjo është edhe e kuptueshme kur dihet se në dallim nga gjuha thrake ajo ilire ka qenë vetëm e folur, por jo edhe administrative. Për këtë arsye edhe, për dallim nga ajo thrake, është jo mjaft e njohur.

[18] Globus, numri 388, 15 maj 1998 (Zagreb), fq. 44.

[19] Ptolem. III 12,20

[20] Sami FRASHËRI, Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhetë?, Bukuresht, 1899 – Prishtinë, 1978, fq. 21-22.

[21] Gottfried SCHRAMM, Anfänge des albanischen Christentums. Die frühe Bekerung der Bessen und ihre langen Folgen. Freiburg im Breisgau: Rohmbach, 1994.

[22] Është e njohur se autorët bizantinë me emrin Bessoi kanë nënkuptuar Vllehët (sh. G. Cankova-Petkova, La survivance du nom des Besses au moyenne âge, në: Balkansko ezikoznnije 6 (1963), fq. 93-96; W. TOMASCHEK, Die alten Thraker I/Wien, 1980 (Reprint), fq. 79-80. Për praninë e Besëve në Kosovën e sotshme flet edhe castrum Bessiana (Procop. De aedificiis IV, 4), emri i së cilës ka mbetur në emrin e fshatit të sotshëm Besia jo larg nga Prishtina kah Podujeva. (shih Zef MIRDITA, Kosovo od prapovijesti do kasne antike…, 174). Duhet vënë në dukje se gjuhëtarët domethënien e etnosit Bessoi e shpjegojnë me fjalën shqipe BESË, BESA. (sh. D. DETSCHEW, Die thrakischen Sprachreste. 2. Aufl. Mit Bibliographie 1955-1974. Wien, 1976. (Reprint), fq. 59).

[23] Zef MIRDITA, Das Christentum und seine Verbreitung in Dardanien, në: Balcanica IV/1973 (Beograd), fq. 83-93; I njëjti: Krishtenizmi ndër shqiptarë, Prizren-Zagreb, 1998, fq. 145-149.

[24] Miroslava MIRKOVIC, Urbanisierung und romanisieerung Obermesiens, në: Ziva antika XIX/2 (1969), Skopje, fq. 239-262, veçanërisht fq. 246; E njëjta: Einheimische Bevölkerung und römische Städte in der Provinz Obermösien, në: Aufstieg und Niedergang der römischen Welt. II. Prinzipat 6, Walter de Gruyter-Berlin-New York, 1977, fq. 845 e në vijim; Z. MIRDITA, Probleme der Urbanisation Dardaniens zur Römerzeit, në: Godisnjak XIV. Centar za balkanoloska ispitivanja knj. 2. ANUBH. Sarajevo, 1975, fq. 69-80; I njëjti: A propos de la romanisation des Dardaniens, në: Studia albanica IX/1972, Tirana, fq. 277-298; I njëjti: On the Problem of the Romanisation of the Dardanians, në: The Albanians and their Territories, Tirana, 1985, fq. 179-194.

[25] Zef MIRDITA, Problem etnogjeneze Albanaca, në: Encyclopaedia moderna 13/V/JAZU, Zagreb, 1970, fq. 30-39.

[26] Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 1998, fq.19.

[27] Dragoslav ANTONIJEVIĆ, Obredi i običaji balkanskih stočara. SANU, Balkanoloski institut. Posebna izdanja. Knj. 16 (Beograd, 1982), fq. 27.

[28] Sima ĆIRKOVIĆ, Albanci u ogledalu Juznoslovenskih izvora (Les Albanais a la lumiere des sources historiques des Slaves du sud), në: Iliri i Albanci. SANU. Naucni skupovi, knj. XXXIX. Odeljenje istorijskih nduka knj. 10, Beograd, 1988, fq. 326-327, 345.

[29] Për të kaluarën e kësaj ipeshkvije shih më gjerë: Farlati, Illyr. Sacr. VII, 16-17; VIII 2; Gjini GASPËR, Skopsko-prizrenska biskupija kroz stoljeca, “Drita”-Ferizaj “KS”-Zagreb, 1986, fq. 111-115 [Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj, Drita – Ferizaj, 1992]; Z. MIRDITA, Krishtenizmi ndër shqiptarë…, 167. Këtu duhet po ashtu të theksohet fakti se ipeshkvia e Prizrenit përmendet edhe në dokumentet konciliare, kurse prelatët e saj përmendën edhe në shek. XII (Gjini GASPËR, vep. e cit., fq. 116 e në vijim; Z. MIRDITA, vep. e cit., fq. 167-169).

[30] N. RADOČIĆ, Zakonik cara Dušana 1349. i 1354. Beograd. Naučno delo. 1964, 6-10; Gj. GASPER, vep. e cit., fq. 86-96; 97-110.

[31] Për shkaqet e kalimit të katolikëve në ortodoksi shih më qartë: Krunoslav Stjepan DRAGNOVIC, Massenübertritte von Katholiken zur “Orthodoxie” im kroatischen Sprachgebiet zur Zeit der Türkenherrschaft. Pontificium Institutum Orientalium Studiorum, Roma, 1937 (= Masovni prijelaz katolika na pravoslavlje hrvatskog govornog podrucja u vrijeme vladavine Turaka, Mostar, 1991. Përktheu nga origjinali Dr. Mijo Bosankić).

[32] Dr. Fran GRIVEC, Sveti Sava i Rim, Ljubljana, 1938, fq. 6, 8, 19-20.

[33] Ivan KAMPUŠ, Kosovski boj u objavljenim najstarijim izvorima i u novijoj srpskoj historiografiji, në: Historijski zbornik Godina XII (1), Zagreb 1989, 1-17. (Me tutje: HZ); Stjepan ANTOLJAK, Jesu li Hrvati sudjelovali u Kosovskoj bici 1389. godine?, në: HZ XLII (1), Zagreb 1989, 37-55). Shih edhe Bibliografinë: “Srpska straga rata. Trauma i katarza u istorijskom pamćenju.” Priredio Nebojša Popov, Beograd, 1996, fq. 789-817.

[34] R. Chrysostomus GRILL, një prej njohësve më të mirë të mendimit teologjik të Velimirit, këtë konstatim të cekur e shpjegon në mënyrën si vijon: “Bitka će biti ugrađena u svetim povijesnim dimenzijama Golgote i Kristova uskrsnuća kao sudionici na Kristiovu žrtvu za spas svakog pojedinog naroda, za cijelu Europu.” (R. Chrysostomus GRILL, Serbischer Messianismus und Europa bei Bischof Velimirović. Dissertationen Theologische Reihe. Band 77. EOS Verlag Erzabtei St. Ottilien. St. Ottilien 1998, cit. Ap. Adolf HAMPEL, Serbiens Gerechtigkeit telit die Welt, në: Frankfurter Allgemeine Zeitung, 12. 11, 1998). Në Betejën e Kosovës teologët serbë shohin tradhëtinë, vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishit. Domethënë, çdo hero i krishterë në Kosovë, pse është i kryqëzuar me Jezu Krishtin, njëherësh është edhe martir. Me këtë mbarë populli serb është bërë populli i Zotit. Dhe ashtu sikurse Kisha merr pjesë në misterin e Golgotës, po ashtu edhe Serbia në të njëjtën mënyrë në sajë të Kosovës merrë pjesë në misterin e Krishtit. (A. HAMPEL, vep. e cit.).

[35] R. SAMARDŽIĆ, Sudbina jednog naroda: Srbi od XIV do XX veka, në: Ideje za srpsku istoriju. Jugoslavijapublik. Beograd, 1989, fq. 220.

[36] Olga ZIROJEVIĆ, Kosovo u kolektivnom pamćenju, në: Srpska straga rata…, fq. 225.

[37] R. SAMRDŽIĆ, Aleksa IVIĆ, Još jedno vraćanje duga istoriji, në: Pisci srpske istorije III/1969 (Beograd), 170 (më tutje: PSI); I njëjti: Kraljevstvo Slovena u razvitku srpske istoriografije, në: Mavro ORBINI, Kraljevstvo Slovena, (Beograd, 1968), CIX-CXXXIV); Po aty: Ideje za srpsku istoriju, fq. 97.

[38] Stjepan ANTOLJAK, HZ XLII (1), Zagreb, 1989, fq. 53.

[39] Skënder RIZAJ, Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII. Administrimi, ekonomia, shoqëria dhe lëvizja popullore, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, fq. 460-480; Po aty: Islamizimi i popullit shqiptar, në: Rreth përhapjes së Islamit ndër shqiptarë – Përmbledhje studimesh, “Klubi kulturor Drita” Shkodër, 1997, fq. 131-151; Muhamet TËRNAVA, Përhapja e islamizmit në territorin e sotëm të Kosovës deri në fund të shekullit XVI (L`expansion de l`islamisme dans le territoire actuel de Kosova jusqu`à la fin du XVIe siecle), në: Gjurmime albanologjike – Seria e shkencave historike, IX-1979. Instituti Albanologjik i Prishtinës. Prishtinë, 1980, fq. 450-69.

[40] “Die Gründe der Verhältnismässig Ausbreitung des Islams auf der Balkanhalbinsel – vor allem in Bosnien und Albanien – waren nicht religiöser, sondern rechtlicher und wirtschaftlicher Art.” (sh. Georg STADTMÜLLER, Die Islamisierung bei den Albanern, në: Jahrbücher für Geschichte Osteuropas. N.F.3 (1955), 404.

[41] Franjo RAČKI, Izvještaj barskog nadbiskupa Marina Bizzia o svojem putovanju god. 1610 po Arbanaskoj i staroj Srbiji, në: Starine. JAZU. Knj. XX/1888, fq. 71. Për fenomenin e korrupsionit dhe ryshfetllëkun e këtij sistemi, është e vërtetë se fjala është për fundin e shek. XVII dhe pjesën e parë të shek. XVIII, shih më gjerë: P. BARTL, Quellen und Materialien zur albanischen Geschichte im 17. und 18. Jahrhundert, II. Dr. Dr. Rudolf Trofenik-München 1979. 1. “Notitie uniuersali dello stato di Albania e dell`operat oda Monsignor Vincenzo Zmaieuich Arciuescouo di Antiuari Visitatore Apostolico dell`Albania”.

[42] Joseph SCHACHT, An Introduction to Islamic Law, Oxford University Press, 1964, 130, 137.

[43] «Cette diversité crée par une islamisation massive, qui engloba presque les deux tiers du peuple albanais, fut néfaste pour les Balkans, et notamment pour l`Albanie, du fait qu`elle engendra des éléments de dissension au sein de la famille balkanique et du peuple albanais lui-meme.» (A. BUDA, Unité et diversité dans l`histoire du peuple Albanais et des autres peuples balkaniques, në: Actes du Colloque International de civilisations balkaniques, Sinai, 1962, fq. 64).

[44] Rexhep QOSJA, Shqiptarët dhe Evropa dje dhe sot, në: Strategjia e bashkimit shqiptar, Botimet Toena, Tiranë, 1998, fq. 8-9.

[45] A. BUDA, vep. e cit., fq. 65; Zija SHKODRA, Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes kombëtare, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë 1984, 34-35.

[46] Skënder GASHI, Albansko-vlaška simbioza u svjetlu onomastike, në: Onomastica Jugoslavica, knj. 10. Razred za filologiju. Zagreb 1982, 47-62. Në favor të kësaj shkon edhe leksemi laraman në apelativ, është e vërtetë se ndërlidhet me kriptokatolikët, karakteristik pikërisht për trevën e Karadakut të Shkupit por edhe Shqipërinë e Veriut. Mirëpo, ky leksem lehtë sjellet edhe në lidhje me refleksin arumun për latinisht romanus, me domethënie “vllah, bari”. Domethënë, në amza për vitin 1926 nën numrin 303 gjendet edhe mbiemri Lja Ramani me konotacionin e etno-patronimit. (sh. Milivoje PAVLOVIĆ, Govor Janjeva, Novi Sad 1970, 6). Kah ky supozim anon edhe romanisti Valentin Putanec. (sh. V. PUTANEC, Etimologija apelativa, prezimena i etnonima ljaraman/Ljaraman. Mbledhje shkencore mbi etimologjinë e mbajtur me 4 dhe 5 qershor 1987 në Zagreb. HAZU. Razred za filoloske znanosti. Zagreb 1993, 121-127).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »