Fjala që ka autoritet
14 janar 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Sam 1,9-20; Ps: 1 Sam 2,1.4-8; Mk 1,21-28)
Prania e Hyjit
Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Duke ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.
Si ishte dita e kaluar? Si po e ndjej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj avash
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Mk 1,21-28
21 Arritën në Kafarnaum. Menjëherë, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë. 22 Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse i mësonte si ai që ka autoritet e jo si skribët.
23 Pikërisht atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:
24 “Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na shfarosësh? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!”
25 Jezusi iu kërcënua:
“Hesht dhe dil prej tij!”
26 Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. 27 Të gjithë u tmerruan dhe i thoshin njëri‑tjetrit:
“Ç’u bë kështu!?”
“Ja, një mësim i ri i pajisur me pushtet!”
“Ky u urdhëroka deri edhe shpirtrave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!”
28 E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në katër anët e krahinës së Galilesë.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimi i Shenjtë:
- Jezusi mësonte me autoritet, e autoriteti i vinte nga personi i tij. Këtu shohim se çfarë do të thotë të jesh njeri në plotësi: pa frikë, plot mëshirë, plot dashuri, i zellshëm për drejtësi dhe i ndërgjegjshëm për atë çka është në zemrën e njeriut.
- Duke parë Jezusin, duke menduar për fjalët dhe sjelljen e tij edhe unë mësoj çfarë do të thotë të jesh njeri.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me anën e tekstit të Shkrimit Shenjt.
Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.
Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa u luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.