Përfitimet psikologjike dhe shpirtërore nga pjesëmarrja në Meshën shenjte

Jan 16 • Opinion

Nga Don Anton Uka

 

Pjesëmarrja në Meshën shenjte edhe pse është e argumentuar me rregullore kishtare, për fat të keq, për shumëkënd vazhdon të konsiderohet çështje që i takon vetëm sferës private të secilit person. Kështu njeriu i nxitur nga bindja apo mosbindja e tij fetare vendos të shkojë apo të mos shkojë në Meshën shenjte.

Pa dëshiruar të futem në kontekstin biblik, teologjik dhe kishtar të shenjtërimit të festës dhe të praktikimit të fesë, që do të kërkonte një qasje krejtësisht ndryshe, kësaj here, i nxitur nga disa sondazhe amerikane të publikuara ditëve të fundit, preferoj të ndalem te benefitet (përfitimet) psikologjike dhe shpirtërore që i dhuron njeriut pjesëmarrja e rregullt në Meshën shenjte.

Zakonisht njerëzit (sidomos ata të cilët nuk frekuentojnë Meshën) mendojnë se pjesëmarrja në Meshën shenjte ndërlidhet dhe përqendrohet vetëm me botën shpirtërore të individit. Nga studimet dhe sondazhet e shumta që janë bërë viteve të fundit rezulton se pjesëmarrja në kremtimet e shenjta dhe lutja me besim ka një efekt të madh, jo vetëm shpirtëror, por edhe psiko-fizik dhe social. Këto sondazhe, të bazuara në përvojën e atyre që rregullisht frekuentojnë Meshën e së dielës, sugjerojnë që “përfshirja në rite fetare favorizon shëndetin mendor, promovon angazhimin social, furnizon me resurse psikologjike (shpresë, optimizëm, entuziazëm, kuptim jete etj.) dhe njëkohësisht promovon stile më të mira jetese”.

Këto sondazhe sikur e konfirmojnë atë që thoshte në mënyrë provokuese por të thellë teologu, filozofi dhe matematikani i famshëm francez Bleise Pascal: “Ai që beson fiton gjithmonë: nëse Hyji ekziston, do ta fitojë shëlbimin (shpëtimin), nëse gabohet, gjithsesi do ta ketë jetuar një ekzistencë më të qetë, në krahasim me atë që nuk ka besuar”. Në përputhje me mendimin e Pascalit edhe Christopher Ellison, sociolog i famshëm në Universitetin e Teksasit, shkruan: “Religjioni dhe përshpirtëria ndikojnë pozitivisht shëndetin dhe cilësinë e jetesës së njeriut”.

Sondazhet amerikane tregojnë se çiftet e martuara, që së bashku frekuentojnë Meshën shenjte jetojnë më gjatë, kanë më pak gjasa të bien në depresion dhe më pak mundësi të divorcohen (krah.Harvard School of Public Health”). Ndërsa, sipas “Jama Psychiatry” gratë amerikane, që të paktën një herë në javë frekuentojnë celebrimet fetare, kanë pesë herë më pak gjasa të vetëvriten, në krahasim me ato që nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Bazuar në disa sondazhe që vijnë nga Britania e Madhe kuptojmë se të krishterët praktikantë janë njerëzit më të lumtur në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa ata që nuk identifikohen me ndonjë religjion të caktuar, kanë shkallë më të ulët humori dhe kënaqësie.

Nga këto sondazhe dhe studime të shumta kuptohet qartë se frekuentimi i Meshës shenjte është një e mirë e madhe, jo vetëm në aspektin shpirtëror, por edhe në atë psikologjik dhe sociologjik. Këto kërkime identifikojnë të paktën pesë përfitime që mund të merren nga pjesëmarrësit e rregulltë në Meshën shenjte.

 

  1. Gjumë më të mirë

Besimtarët praktikantë janë të prirë të flenë më mirë, sesa jo besimtarët. Hulumtuesit e kësaj fushe spekulojnë që përfshirja fetare mund të kufizojë “gjendjen mendore, kimike dhe fiziologjike, të shoqëruar me ankth psikologjik, me përdorim të substancave, me ekspozim ndaj stresit dhe me ngarkesë allostatike”, (çmim që trupi ynë paguan për t’iu përshtatur ndryshimeve me të cilat përballet) duke promovuar në individët praktikues të Meshës rezultate më të mira në nivel gjumi.

 

  1. Rreziqe më të vogla depresioni dhe vetëvrasjeje

Ndër faktorët që ndihmojnë më së shumti në parandalimin e vetëvrasjes dhe depresionit, duhet patjetër të merret parasysh edhe faktori fe apo besim. Hulumtimet tregojnë se në krye të kësaj liste parandaluese qëndron frekuentimi i kishave dhe pjesëmarrja në Meshën shenjte.

Në një studim të vitit 2016 të publikuar nga “JAMA Psychiatry”, studiuesit kanë zbuluar se personat që frekuentonin ritet fetare apo ndonjë shërbim religjioz, kishin një të pestën e shanseve për të kryer vetëvrasje.

 

  1. Martesë më stabile, të lumtur dhe seksualisht më të kënaqshme

Sipas Institutit për Studimet mbi Familjen“qiftet që lutën së bashku mbetën të bashkuar. Të kujtojmë se një gjë të tillë e thoshte edhe Shën Nënë Tereza e Kalkutës. Pra, qiftet që së bashku lutën dhe së bashku frekuentojnë Meshën shenjte janë të prira të kenë një lidhje më të qetë, më të lumtur, më domethënëse, sesa ata që nuk e bëjnë këtë.

Po ashtu, sondazhet flasin qartë se lutja, adhurimi dhe frekuentimi i përbashkët promovon martesa me një jetë seksuale më të kënaqshme. Sipas “Institutit për Kërkimin mbi Martesën dhe Religjionin”, rezulton se personat e moshës 18-59, që adhuronin së paku njëherë në javë, dëshmonin të kinin një jetë intime shumë të kënaqshme me burrin apo me gruan e tyre.

 

  1. Jetë më të gjatë

Sipas studimit të vitit 2016 të “JAMA Internal Medicine” rezulton se gratë me një jetë të mirë dhe të rregullt fetare kishin një rrezik mortalitetit (vdekje) 26% më të vogël sesa ato që nuk frekuentonin. Studiuesit kanë ardhur në përfundim se religjioni dhe përshpirtëria mund të jenë një burim i nënvlerësuar që mjekët do të duhej ta analizonin më shumë.

Duket qesharake, por dëshira për të arritur në Qiell duket se na bënë të qëndrojmë më shumë e më mirë mbi tokë.

 

  1. Presion të gjakut më të ulët

Të rriturit dhe të moshuarit me një jetë religjioze aktive janë të prirë të kenë presion më të ulët të gjakut sesa ata që janë më pak apo aspak aktiv në jetën fetare. Hulumtuesit e kësaj fushe kanë zbuluar se mes pjesëmarrësve që merrnin pjesë në ndonjë shërbesë religjioze, që lutnin apo që studionin Biblën, mundësia për ta pasur presionin e lartë të gjakut ishte 40% më e vogël në krahasim me ata pjesëmarrës që nuk e kishin një përvojë të tillë fetare.

Këto sondazhe sikur e vërtetojnë thënien e famshme popullore: “Shpirti i shëndoshë në një trup të shëndoshë”.

Është e qartë se qëllimi primar i besimit në Hyjin dhe i frekuentimit të Meshës shenjte nuk është ai i përfitimit psikologjik, fizik apo social, por, para se gjithash, i rritjes tonë shpirtërore, i forcimit dhe i miqësisë tonë me Jezusin, që në mënyrë të natyrshme përmirëson edhe raportin tonë me vetveten dhe me të tjerët.  

Duke përfunduar, theksoj se nga kjo sintezë kuptojmë se jeta shpirtërore nuk është relative. Nuk është indiferente ta kesh apo mos ta kesh kuptuar domethënien e përgjithshme të jetës, ta kesh apo mos ta kesh takuar të Vërtetën, Jezusin e Nazaretit, i cili në sakramentet e shenjta dhe në njerëzit ka dashur të mbetet shenjë e pashlyeshme e dashurisë së Hyjit në botë.

Uroj që këta rreshta të na ndihmojnë që mos t’ia mohojmë vetit përvojat shpirtërore, por ta marrim seriozisht ftesën biblike: “Eja e shih!” (Gjn 1, 46), në mënyrë që ta besojmë e ta kuptojmë bukurinë, dashurinë dhe ngushëllimin që sjellë takimi me Jezusin në Meshën shenjte./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »