Një trajtim analitik dhe sintetik për librin e Noel Malcolm-it “Kosovo. A Short History” (Pjesa e tretë)

Jan 17 • Histori, Kulturë

Nga Zef MIRDITA

 

Në kapitullin e 16 me titull Kosova nën sundimin e Titos: 1945-1980 (314-333) Malcolm, vërtetë pa një distancë të nevojshme historike, së paku për sa i përket periudhës kah fundi i viteve të 60-ta e më tutje, tërheq vëmendjen në faktin se politika e regjimit të ri në raport me përmirësimin e pozitës së Shqiptarëve në Kosovë ka qenë vetëm farsë. Në të vërtetë, deri te Plenumi i Brijuneve në vitin 1966 mund të thuhet lirisht se në asgjë nuk është dalluar nga ajo e viteve të paralufës. Kurse disa prej masave që i ndërmori Tito me qëllim të përmirësimit të pozitës së Shqiptarëve në Kosovë kanë qenë ose gjysmake ose një pragmatizëm i kulluar politik (314). Në pyetjen se kujt duhet t`i takojë Kosova E. Kardelji në mbledhjen e KC PKJ ka thënë: “Zgjidhja më e mira do të ishte që ajo të bashkohet me Shqipërinë. Mirëpo me qenë se jo vetëm faktorët e huaj por edhe ata të brendshëm nuk e përkrahin këtë, atëherë është më së miri që ajo të mbetet si një teritor i tërësishëm brenda Serbisë (315)”. Sepse, nëse do t`i dhurohej ajo Maqedonisë apo Malit të Zi atëherë popullata sllave në këto republika do të ishte pakicë. Kështu në Kuvendin popullor krahinor qe sjell rezoluta që Kosmeti (sc. Kosova dhe Metohia, Z.M.) t`i ngjitet Serbisë, gjë që edhe ndodhi më 3. IX. 1945. Për këtë votuan 142 deputet prej të cilëve vetëm 33 kanë qenë Shqiptarë. E pra, autori këtë akt juridik e vë në dyshim. Fjala është se sipas teoricienëve juridikë serbë, aneksimi ka ndodhur para shpalljes së Kushtetutës së Jugosllavisë Federale. Pikërisht për këtë arsye Kosova i takon Serbisë dhe vetëm atëherë Jugosllavisë. Teoricienët juridikë shqiptarë kanë pohuar se Kosova i është dhuruar Serbisë federale, me çka ajo definohet si njësi federale e Jugosllavisë. Në këtë cilësi Kosova ka funksionuar si njësi autonome politike (316).

Është interesante që autori nuk e përmend masakrën në Tivar, këtë Blajburg shqiptar, që ndodhi më 1 prill 1945, ku ranë viktimë 4000 njerëz, për të cilën ngjarje ekziston edhe material i botuar arkivor.[1]

Se E. Hoxha e ka urryer veriun e Shqipërisë, dmth. Gegët, e veçanërisht klerin katolik dhe katolikët në tërësi, nuk ka kurrfarë dyshimi. P. Bartl thotë se kjo është një reflektim i frikës së tij, nga pjesa shumicë e Gegëve mbi Toskë.[2] Në këtë frymë duhet të kuptohet përse E. Hoxha me krahë hapët ia dorëzoi Kosovarët, që përndryshe u takojnë Gegëve, Titos. Ky dorëzim shihet edhe prej një dokumenti të fshehtë nga një mbledhje e jashtëzakonshme të Plenumit partiak, të mbajtur në dhjetor të vitit 1946, në të cilën E. Hoxha shtron një pyetje “retorike”: “A është në interesin tonë që ne të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk do të jetë hap progresive për t’u bërë. Jo. Në këtë situatë, përkundrazi, duhet të bëjmë gjithçka që të sigurojmë që Kosovarët të bëhen vëllezër me Jugosllavenët (sic!, Z.M.)”. Ai, i shtyrë nga Moska, e cila inzistonte që Shqipëria të bashkohet me Jugosllavinë dhe Bullgarinë në një “federatë ballkanike”, ka kërkuar që ndër Shqiptarë sa më shumë të popullarizohet Jugosllavia (319-320).

Pas IB-s situata e Shqiptarëve në Kosovë edhe më shumë përkeqësohet. Fillon të realizohet politika e V. Čubrillovićit, d.m.th. dëbimi nga atdheu i Shqiptarëve “turq” në Turqi, kurse i Shqiptarëve-katolikë nëpër Bosnje dhe, veçanërisht, në Kroaci, në vendet e të cilave u mundësohet hapja e argjentarive. Kthesa fillon vetëm me Plenumin e Brijuneve në vitin 1966 e veçanërisht me Kushtetutën e vitit 1974 me anë të së cilës Krahinat bëhen pjesë konstitutive të RSFJ-s (324).

E përse Krahinat nuk janë bërë Republika, sipas Malcolmit, ekzistojnë arsye. E para, është me natyrë teorike sipas të cilës gjatë udhëheqjes komuniste, në Kuvendin e Dytë të AVNOJ-it në vitin 1943 Republikat kanë qenë entitete që paraqisnin “kombin” respektivisht “popullin”, për dallim prej “nacionalitetit”. Kurse arsyeja e dytë është e natyrës praktike sipas të cilës Shqiptarët nga Kosova janë “kombësi”, sepse populli i tyre me karakter konstitucional shtetëror jeton në shtetin Shqipëri dhe për këtë arsye Kosova nuk mund të jetë Republikë. E njëjta gjë është edhe me Hangarët në Vojvodinë. Kjo doktrinë në të vërtetë ka qenë e marr nga BRSS-a (327-328).

E pra, pa marrë para sysh të gjitha këto Malcolm vë në dukje se, si Kosova ashtu edhe Vojvodina, u janë dhuruar Mbretërisë Jugosllave, dhe jo ish Mbretërisë Serbe (329-331), prandaj ato i takojnë Jugosllavisë dhe jo Serbisë. Kurse për sa i përket zvogëlimit të numrit të serbëve në Kosovë, N. Malcolm këtë e shpjegon me faktin e aborteve që në përqindje, në raport me Evropën, ka qenë më i madhi në Serbi, dhe jo për shkak të dëbimit të tyre “të dhunshëm” nga atdheu Kosova. Sepse Malcolm drejtë e ka vërejtur se, shikuar statistikisht, të gjitha grupet etnike në Kosovë kanë natalitet relativisht të lartë (332-333).

Në kapitullin 17 të fundit me titull Kosova pas vdekjes së Titos: 1881-1997 (334-356) autori, natyrisht në bazë të literaturës dhe shtypit ditor paraqet me rend ndodhitë dhe mendimet e tij mbi to. Përmend parulla të ndryshme që thirreshin në demonstrata, jo vetëm Shqiptarët demonstratë por edhe Serbët dhe Malazezët që kanë folur shkëlqyeshëm shqip dhe janë infiltruar në rendet e masave shqiptare (336). Nga deklarata e Mustafë Sefedinit, ministrit të atëhershëm të punëve të brendshme të Kosovës, shihet se në gjithë këtë, së bashku me shërbimet e tjera të huaja, ka qenë i përzier edhe shërbimi i punëve të brendshme i Serbisë.[3] Për dallim nga Tihomir Vlaškalić, anëtari i KQ LK të Serbisë që konsideronte se demonstratat në Kosovë në vitin 1981 janë reflektim i politikës së gabuar ekonomike, të tjerët, ndër ta edhe zyrtarë të lartë partiak dhe politik shqiptarë, i kanë akuzuar demostrantët se janë separatistë dhe shovinistë (336). Për më tepër strukturat e larta politike dhe partiake shqiptare këto demonstrata i kanë përshkruar si kontrarevolucionare. Kjo ka qenë e mirëseardhur për qeverinë e atëhershme dhe establishmentin serb, sepse në harmoni me këto pikëpamje kanë mundur të ndërmarrin masa drastike. Së shpejti personat e “komprometuar” krahinor politik shqiptar kanë qenë të detyruar të japin dorëheqje. Këtë e bëri më 5 maj të vitit 1981 edhe Mahmut Bakalli, kryetar i KK LK të Kosovës.[4] Autori me të drejtë thekson se atëherë me sistemin famoz të diferenciacionit kishte filluar fushata e papërshkruar kundër inteligjencës shqiptare, duke filluar nga mësuesit e deri te profesorët universitar (336). Në ekzekutimin e kësaj politike është dalluar Azem Vllasi, edhe pse tani orvatet që për këto aktivitete të tija të asaj kohe të arsyetohet.[5] Megjithatë është e pakundërshtueshme se gjërat elementare fshihen në detaje!

Duhet vërë në dukje edhe pohimin e autorit që ka të bëjë me të mbrujturit (bashkimin, martesën) ndërmjet nacionalistave, intelektualëve, ushtrisë serbe dhe KOS-it kur është fjala për çështjen e Kosovës. Reflekton edhe për dukurinë e “Memorandumit” që e kanë sajuar dhe nënshkruar shumë anëtarë të SANU që definitivisht është shpallur në vitin 1989 dhe për të cilin pohon se mund të konsiderohet si manifest origjinal i politikës së “Serbisë së Madhe” të cilën Beogradi e ka ekzekutuar prej vitit 1990 (338-340).

Pas anulimit të autonomisë së Kosovës më 28 mars të vitit 1988 në mbledhjen në të cilën ka qenë edhe kryetari i KEF-it Ante Marković, Slobodan Milošević solemnisht dhe para mbarë botës, në prezencën e ushtrisë, inteligjencës, popullit dhe KOS-it, në të kremten e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës më 28 qershor të vitit 1989 në Gazimestan, promovoi programin e tij nacionalist: që të gjithë Serbët të jetojnë në një shtet. Ai me këtë, thotë autori, nxiti edhe nacionalizma të tjerë në ish Jugosllavinë (344).

Përqendrohet po ashtu edhe në shpalljen e rezolutës më 7 korrik të vitit 1990 nga Shqiptarët-anëtarë të Kuvendit Krahinor, në platon para dyerve të ndërtesës, sepse hyrja në sallë kishte qenë për ta e ndaluar. Me këtë rezolutë Kosova konsiderohet me entitet të drejtave të barabarta dhe me entitet të pavarur të federatës jugosllave, kurse në Kaçanik me 7 shtator të vitit 1990 shpall Ligjin mbi “Republikën e Kosovës”, i njohur si Kushtetuta e Kaçanikut (347). Autori më pas jep një përshkrim të shkurtër të fillimit të lëvizjes politike të njohur si: Lidhja demokratike e Kosovës – LDK që lindi në vitin 1989, dhe që konsiderohej kontinuitet historik me Lidhjen e Prizrenit të vitit 1878. Kjo lidhje shënjohet me fjalën “Lidhja”, në shqip Lidhja e Prizrenit (347). Direktivat elementare të politikës së Ibrahim Rugovës, kryetar i LDK-s, kanë qenë: 1. që të ndalohet revolta e dhunshme e popullit; 2. që ta internacionalizojë problemin e Kosovës dhe 3. që sistematikisht ta mohojë legjitimitetin e qeverisë serbe në Kosovë. Dy opsionet e para janë realizuar me sukses, ndërsa e treta megjithatë jo. Autori pohon se Fuqitë e mëdha edhe më tutje e kanë trajtuar problemin e Kosovës si çështje të brendshme të Serbisë (348).

Autori po ashtu në trajtim ndalet edhe në fenomenin e fundamentalizmit islam në Kosovë që politikanët, historianët dhe sociologët serbë e kanë theksuar si rrezik të madh për ortodoksinë sllave. Në të vërtetë për një qëndrim të tillë kanë dhënë shkas tekste të ndryshme që ishin botuar në shtypin ditor apo revial në gjuhën shqipe në Prishtinë dhe Shkup, madje edhe në Zagreb.[6] Mirëpo, autori pohon se për dallim nga Myslimanët në Bosnje, ku islami e ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjimin politik të Boshnjakëve, në Kosovë nuk ka mundur të zhvillohet fundamentalizmi islam thjesht për arsye se Kosovarët fetarisht nuk janë edhe shumë të ngarkuar. Megjithatë në hyrje të librit të tij, edhe pse vë në dukje se në Kosovë nuk ka kurrfarë lëvizje islamike ndër Shqiptarë, autori e pranon se ekzistojnë tensione të caktuara ndërmjet Shqiptarëve katolikë dhe myslimanëve. Mirëpo, ato nuk janë aq të theksueshme në mënyrë që të paraqitnin kërcënim për marrëdhëniet ndërmjet tyre (XXVIII). Në favor të kësaj autori përmend edhe ekzistimin e “Partisë Shqiptare Demokristiane”, anëtarët e së cilës janë myslimanë, madje edhe vet sekretari i kësaj partie (351). Natyrisht se në një ambient të frustruar, që lufton për ekzistencë është gjithçka e mundshme, madje edhe ekzistimi i një partie të tillë anëtarët e së cilës kanë bindje jo të krishtera! Për sa i përket fenomenit të përmendur është e nevojshme një analizë më e thellë sociologjike, dhe jo vetëm politike. Autori nuk i ka dhënë edhe aq shumë rëndësi të veçantë këtij fenomeni. Është e vërtetë se ekziston kjo parti. Mirëpo programi i saj në thelb nuk ka kurrfarë lidhje me programet e të njëjtave partive në Evropën Perëndimore, madje as me karakteristikën e jashtme që është kryqi.[7] E pra, autori megjithatë në shënimin 35, fq. 427 e pranon faktin se islami në jetën e rëndomtë është i pranishëm veçanërisht në rrethet rurale. Tek e fundit do të ishte e panatyrshme ta mohosh praninë e islamit në Kosovë si dhe interesimin e botës islame për fatin e sivëllezërve të vetë në fe.[8]

Duke diskutuar për dobësimin e autoritetit politik të I. Rugovës, autori thotë se kësaj i ka kontribuuar përfundimi i luftës në Bosnje dhe Marrëveshja e Daytonit, me të cilën është konsoliduar pozita politike e Slobodan Miloševićit, duke e konsideruar si fuqi konstruktive në regjion (353).[9] Mirëpo në dobësimin e tij kanë ndikuar edhe trazirat politike në Shqipëri.[10] Sepse i vetmi dr. Sali Berisha, moralisht dhe politikisht, e ka përkrahur LDK-n dhe kryetarin e saj dr. I. Rugovën dhe vetëm qeveria e tij e ka pranuar “Republikën e Kosovës” (354). Mirëpo, me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-s, Rugova humbet plotësisht ndikimin e tij politik. Sepse, siç thotë, Kryetari i qeverisë shqiptare në egzil, UÇK-ja nuk e ka njohur jo vetëm qeverinë e Rugovës por as të partive të tjera shqiptare në Kosovë.[11] Dëm që autori, mbasi e përmend UÇK-n, nuk është përpjekur të japë në disa fjalë profilin e saj, konkretisht strukturën ideologjike, sociale, politike dhe ushtarake, edhe pse është e ditur se ajo është me përbërje heterogjene, sociale, politike dhe ideologjike.[12]

Është interesant mendimi i Malcolmit se kur është fjala për raportin e mëtutjeshëm të Kosovës ndaj Serbisë, se Kosova për Serbinë definitivisht e humbur dhe më së pari për nga pikëpamja njerëzore, respektivisht demografike. I vetëdijshëm për këtë fakt, vazhdon autori, Kryetari i SANU, Aleksandar Despić, në vitin 1996 propozon që në mënyrë qytetëruese të ndahet Kosova (355). Kjo ishte në të vërtetë ideja e Dobrica Ćosićit të cilën e kishte propozuar qysh në vitin 1968, për ç`gjë edhe qe dëbuar nga SKJ.

Malcolm këtë vepër të tij e përfundon me një konstatim shumë të rëndësishëm. Sipas historiografisë serbe ajo që kishte ndodhur në Kosovë në vitin 1912 ishte vepër e çlirimit nga ana e sundimit kolonial. Autori thotë se në këtë ka të vërtetë. Mirëpo, sipas tij, Serbët kurrë nuk do ta kuptojnë problemin e Kosovës nëse nuk e pranojnë se popullsia e territorit të pushtuar e vitit 1912 para së gjithash ka qenë me prejardhje joserbe dhe se Serbia ia ka imponuar pushtetin kolonial popullsisë shumicë gjatë 85 vjetëve. Ndërsa prej kësaj politike më së pakti kanë pasur dobi Serbët e rëndomtë vendorë në Kosovë. Prej saj në të vërtetë dobinë më të madhe e kanë pasur Kosovarët – Shqiptarët (356).[13]

Pasi ta lexosh këtë vepër, të shtrohet pyetja se cili është qëllimi kryesor i këtij libri? Në këtë pyetje autori qysh në vetë Hyrjen përgjigjet kur thotë: “qëllimi i këtij libri nuk është mbrojtja apo mohimi i një zgjidhjeje të veçantë të krizës së Kosovës. Një lloj autonomie që do të duhej tu jepet Shqiptarëve, të gjithë vëzhguesve të huaj u duket e arsyeshme. Mirëpo ka edhe forma të tjera (XXXII).”[14] Nga ky pohim është e qartë se libri para së gjithash iu është dedikuar lexuesve evropianë respektivisht amerikanë, dhe në rend të parë diplomatëve.

Ky libër do të jetë i mirëseardhur edhe për historianët serbë dhe shqiptarë. Nëse asgjë tjetër, ai jep një pikëpamje të re jo vetëm për të kaluarën por edhe për të tashmen e Kosovës.

Me siguri shumë do ta vlerësojnë negativisht, sikurse edhe librin Bosna. Një histori e shkurtër. Megjithatë do të ballafaqohen me të vërtetën se mistifikimi dhe mitologjizimi i së kaluarës nuk i zgjidh problemet historike, por as ato politike. Në të vërtetë ajo shkakton luftëra, siç pohon me të drejtë Johannes Burkhardt.[15] Kjo edhe ka ndodhur prej 28 qershorit 1991 deri më 10 korrik të vitit 1999 në territorin e ish Jugosllavisë! Besoj se edhe historianët shqiptarë nuk do të jenë krejtësisht të kënaqur me disa pohime të autorit. Konstatimi i autorit “se një histori e vjetër nuk mund të përdoret në politikën e sotshme” (40) është e papranueshme për të gjithë ata historianë që nisen nga përsiatja romantike e historisë. Edhe supozimet e tyre mbi popullin “më të vjetër” në Ballkan, mbi “kontinuitetin e pandërprerë të jetës në hapësirat në të cilat sot jetojnë”, e që as okupatorët e huaj nuk kanë qenë në gjendje t`i turbullojnë për shkencëtarët nacionalist të pangarkuar janë vetëm një mit dhe asgjë tjetër. Ky “mit historik ndër Shqiptarët”, thotë Peter Bartl, ka lindur në bazë të veprave të romancierëve shqiptarë të shek. XIX, si Angel Masci-t,[16] Pashko Vasës,[17] që pohon se Ilirët, Epirotët, Maqedonët kanë qenë Pellazgë, paraardhës të Shqiptarëve dhe se të gjitha zonat të cilat janë të banuara me Shqiptarë duhet të bashkohen në një vilajet të vetëm. Për këtë shkruan edhe Sami Frashëri, që i takonte bektashizmit dhe që e identifikon fenë (sc. Islamin, Z.M.) me kombin, në vepërn e tij tashmë të përmendur.[18] Në këtë vepër thotë se Shqiptarët kanë qenë të banuar jo vetëm në Ballkan por edhe në Azinë e Vogël dhe Itali. Helenët dhe Maqedonët, Leka i Madh dhe i ati i tij, Filipi II kanë qenë Shqiptarë. S. Frashri, si dhe Pashko Vasa, edhe pse ky i fundit ka qenë katolik, por edhe administrues i Libanonit, pohon se sundimi osman për Shqiptarët ka qenë pozitiv, sepse ai ka mundësuar kontinuitetin historik. Mirëpo, P. Bartl pohon se zanafilla e këtij miti shqiptar ka qenë në funksion të interesit austro-hungarez. Për më tepër P. Bartl ka konstatuar se kjo vepër e S. Frashërti është plagjiat i rëndomtë dhe se nuk është e tij. Këtë S. Frashri në kohën e vet edhe e ka pranuar. E pra një konstatim edhe më i rëndësishëm i P. Bartlit është kur thotë se e tërë historiografia e re shqiptare është e bazuar në supozime nga periudha e Rilindjes kombëtare.[19]

A do të jetë kjo vepër e N. Malcolmit, nëse jo udhërrëfyes, së paku nxitës që historiografia serbe dhe shqiptare në paraqitjen e së kaluarës të çlirohet nga mitet romantike, duhet të presim e të shohim. Thuhet se nëse e kaluara nuk është ardhmëri e tejpashme nuk është e kuptueshme. Kurse e kaluara do të jetë e tejpashme nëse, në interpretimin e saj, çlirohet nga mitet. Kjo vlen për të gjitha historiografitë ballkanike.

Pavarësisht prej kësaj, kjo vepër është e rëndësishme jo vetëm për albanologjinë por edhe për ballkanologjinë në përgjithësi. Pikërisht për këtë arsye edhe kam vendosur të diskutoj në këtë mënyrë për të. Ndërsa, qëndrimet e mia të ndryshme nga ato të autorit nuk kanë pasur për qëllim zvogëlimin e vlerës së vetë veprës, por pikërisht të kundërtën./drita.info

 

Burimi: “U povodu knjige Noela Malcolma “Kosovo. A Short History”. Časopis za suvremenu povijest. god. 31., br. 3, Zagreb, 1999, f. 535 – 571.  I njëjti është botuar në revistën fetare-kulturore Urtia, 2/2006, f. 371-411Përktheu nga kroatishtja: Don Shtjefën DODES.

 

 ————————————————————————

[1] AVIIB. K. 141 I-I/5-8.IV. 1945, dr. Hakif BAJRAMI, Dokumenti NOB-a i socijali­stičke revolucije, Borbe na Kosovu 1945, në: Vjetar – Godišnjak. Arkivi i Kosovës – Arhiv Kosova, br. XVIII-XIX,Priština 1984, fq. 386-388. Që tragjedia të jetë edhe më e madhe të gjithë këta kanë qenë partizanë që janë nisur prej Prizrenit nëpër Kukës, Shkodër deri në Tivar. Rrugës, në mes të Kukësit dhe Shkodrës shumë kanë rënë viktima edhe rrugës nga partizanët e E. Hoxhës. Në të vërtetë kjo ka qenë vetëm ekzekutim i rekomandimeve që Vasa Çubrilloviqi ia kishte paraqitur qeverisë së Jugosllavisë Federative Demokratike me 3 nëntor të vitit 1944 në referatin me titull: Problemi i pakicave në Jugosllavi, në të cilin, ndër të tjera, shkruhet: „Problemi shqiptar më së miri mund të zgjidhet në rrjedhën e luftës, siç është kjo (…) Ne nuk kemi pasur kurrë kushte dhe raste më të mira për zgjidhjen e çështjes së pakicave. Përskaj spastrimeve ushtarake gjatë operimeve duhet të përdoren edhe mjete tjera: tu merren të gjitha të drejtat, të nxirren para gjyqit të luftës, të shpjeren në kampe të përqëndrimit, tu komfiskohet pasuria (prona) dhe të detyrohen që të shpërngulen (…) Ndoshta kurrë më nuk do të na ofrohet një rast i tillë që shtetin tonë ta shndërrojmë në tokë etnikisht të pastër (…) Nëse nuk e zgjidhim këtë problem tani, kurrë nuk do të arrijmë më vonë ta zgjidhim.“ (Nënvizoi, Z.M.) (cit. ap. Dr. Fehmi REXHEPI, “Teror i žrtve naroda Kosova 1941-1945,” në: Dr. Zvonirnir ŠEPAROVIĆ – Dr.Eshref ADEMAJ, Kosovo žrtva. Studija i dokumcntacija o stradalima Albanaca na Kosovu. Viktimologija. Časopis za pitanja stradanja ljudi. God. 2. br. 1-2, Zagreb 1991., 55). Haraçin e kësaj ideje të krisur gjenocidale Shqiptarët nga Kosova edhe njëherë e paguan, dhe është për të shpresuar se është edhe hera e fundit, duke filluar prej paraqitjes së Sllobodan Millosheviqit në skenën politike të popullit serb në vitin 1986, veçanërisht prej 24 mars deri më 10 qershor të vitit 1999.

[2] P. BARTL, Albanien von Mittelalter bis zur Gegenwart…, 259.

[3] Ylber HYSA, Dualiteti i kanaleve (i)legale… në: Koha, Nr.  99, 13-20 Mars 1996, Shkup, 9-12.

[4] 15 vjet më vonë M. Bakalli jep arsyen e dytë të dorëheqjes së tij. Pa marrë para sysh se kush atëherë ka qenë i detyruar të japë dorëheqje, ai tani pohon se këtë e ka bërë, sepse vlerësimet mbi ndodhitë ishin antishqiptare. (M. BAKALLI, “Vlerësimet qenë antishqiptare”,  në:  Koha, Nr.99, 13-20 Mars 1996, Shkup,  8.

[5] Azem VLLASI, ‘Pikëpamje. ’81-shi shumëdimensional” në: Koha, Nr. 102, 3-10 Prill 1996., 22-24. Natyrisht që, si për M. Bakallinë ashtu edhe për A. Vllasin, vlenë maksima e njohur se politika dhe e vërteta janë dy nocione inkompatibile.

[6] Dr. Muhamet PIRAKU, “O islamizaciji stanovništva Kosova i susjednih područja. Uloga islama u integraciji albanske nacije (Mbi islamizimin e popullsisë së Kosovës dhe zonave fqinje. Roli i Islamit në integrimin e kombit shqiptar)”, në: Dr. Zvonimir ŠEPAROVIĆ – Dr. Eshref ADEMAJ. Kosovo zrtva. Studija i dokumentacija o stradanjima Albanaca na Kosovu. Viktimologija. Časopis za pitanja stradanja ljudi. God. 2. Br. 1-2, Zagreb 1991., 85-93.; Rreth përhapjes së islamit ndër shqiptarët (Përmbledhje punimesh), Shkodër 1997, 25-35; 75-101, veçanërisht Avdi BERISHA, Shtatzënia e një mashtrimi, Prishtinë 1995.

[7] Dr. Engiell Sedaj, Partia shqiptare demokristiane. Themelimi, organiziml, Statuti, Programi, opcioni politik…mbi shqiptarët. “Iliriä” Bonn 1991., 7.-95.

[8] Kjo shihet qartë nga konstatimi i Adil Zulfikarpashiqit kur në bisedimin me Slloboda­n Milosheviqin, ndër të tjera thotë:”Gjëja e tretë për ç`gjë kam biseduar me Millosheviqin ishte çështja e Kosovës. I kam thënë: «Duhet ta dini se ne fetarisht jemi shumë të ndjeshëm dhe se ndajmë dhembshurinë me popullin shqiptar. Insistojmë që të nderohen të drejtat e tyre.»” (Adil Zulfikarpašić – Vlado GOTOVAC – Miko TRIPALO – Ivo BANAC,  Okovana Bosna. Razgovor.  Bošnjački institut – Zürich, 1995., 108).

[9] Mbi raportin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe luftës në Kosovë shih: Jens REUTER, “Die internationale Gemeinschaft und der Krieg in Kosovo“, në: Südosteuropa. Zeitschrift für Gegenwaretsforschung. 47. Jhg, 7-8/1998., 281-297.

[10] Michael SCHMIDT- NEKE, Regierungswechsel in Albanien: die Rückkehr der Krise, në: Südosteuropa., 47. Jhg.,10-1 I/1998., 51G-S35.

[11] Interview mit Bujar Bukoshi, në: Südosteuropa, 47. Jhg., 7.-8./1998., 369.

[12] Për strukturimin e saj ushtarak, social, ideologjik dhe politik shih më gjerë: Stephan LIPSIUS, Untergrundorganisationen im Kosovo. Ein Überblick, në: Südosteuropa, 47. Jhg., 1-2/1998., 75-82.; I njëjti: Kommunististische Parteien  in Albanien  und Kosovo Vorbild Enver Hoxha?, në: Südosteuropa, 47. Jhg., 10-11/1998., 53G-545.; Jens REUTER, Südosteuropa, 47. Jhg., 7-8/1998., 288-293

[13] “(…) ndërsa Serbia do të mbetet pa Kosovën (…) Për Serbët nuk do të jetë kjo një gjë e lehtë, dhe do t˙i duhet të kalojë procesin e përshtatshmërisë psikologjike (…) Serbët do ta kenë të vështirë sepse nuk kanë përfytyrim të qartë se ku i kanë kufijtë e shtetit të tyre. (Nënvizoi, Z.M.)” (Interview me N. Malcolmin, nga: Globus, nr. 388. 15, svibnja 1998. (Zagreb), 44.

[14] BE kishte paraparë pesë mënyra të zgjidhjes së krizës së Kosovës: l. Gjendja në mes të autonomisë që Kosova e kishte pasur deri më 1989. dhe Republikës. Sipas kësaj Kosova do t˙i kishte organet e saja të gjyqësisë dhe policinë, disa sektorë të profitit (ekonomisë) dhe tregtisë, administratën lokale si dhe politikën e tatimit lokal. Në lëmin e kulturës provinca do të ishte e pavarur, veçanërisht kur është fjala për fenë, përdorimin e gjuhës, sistemin e arsimimit dhe mediumet. Për stemat dhe simbolet shtetërore, si dhe shëndetësinë, do të vendosnin vetë; 2. Modeli i Tirolit Jugor; 3. Varijanti i pakicës suedeze në ujëdhesën finlandeze Á1and; 4.  Modelin e Kushtetutës së Tatarstanit. Ky vend e ka Kushtetutën e vet me të cilën shteti definohet si i pavarur. Mirëpo, ajo është ngushtë e lidhur me një pakt  (marrëveshje) me Rusinë. Me të Rusia udhëheq politikën e jashtme dhe vendos për shfrytëzimin e pasurive natyrore.;  dhe 5. modelin që preferonte SHBA, “protektoratin e qetë.” Kjo është “Mostar­-varianta.” Kosova gjatë tri vjetëve do të ishte nën mbikqyrjen në mënyrë që të krijoheshin kushte të volitshme për zgjidhjen përfundimtare të krizës së Kosovës.(shih: Jens REUTER, Südosteuropa, 47. Jhg., 7.-8./1998., 295.-29G.). Si duket megjithatë mbizotëroi menimi i SHBA-s, me një paqe strategjike të imponuar pas NATO bombardimeve të Kosovës dhe Serbisë nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999. E pra, a është zgjidhur me këtë çështja shqiptare?!

[15] ap. Milan KOSANOVIĆ, Compte rendu du colloque: Mythes, symboles, rituels. Le pouvoire historique des “signes” en Europe du Sud-Est aux XIX et XXeme siecles, në:  Balkanologie II./1. (1998.), 122.

[16] A. MASCI, Discorso sull’origine, costumi, c stato attuale della nazione Albanese, Napoli 1807.

[17] Vassa EFENDI, E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët – studim historik. Përkthim dhe komentim prej Mehdi Frashërit, Tiranë 1935.

[18] Shihe shën..  24

[19] P. BARTL, Albanien…, 102.; I njëjti: ap. M. Kosanović, në:  Balkanologie. 11/1(1998), 123-124.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »