Të mos e përjashtosh askënd
18 janar 2020 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1 Sam 9,1-4. 10.17-19; 10,1; Ps 21 (20); Mk 2,13-17)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,
që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.
Ndërgjegjësimi
O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.
Mk 2, 13-17
13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:
“Eja pas meje!”
Ai u çua dhe shkoi pas tij.
15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:
“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”
17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:
“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjtë:
- Masa e popullit që e dëgjonte Jezusin ishte e përbërë nga lloj-lloj njerëzish. Shumë prej tyre nuk kishin asgjë të përbashkët, disa madje e shpërfillnin njëri-tjetrin. Do të lus që të krishterët të mund të jenë tolerantë njëri ndaj tjetrit në mënyrën me të cilën Jezusi ka qenë ndaj njerëzve të kohës së vet.
- Të sëmurët edhe ata në nevojë zakonisht i janë afruar Jezusit me guxim dhe drejtpërdrejt – “farisenjtë e mirësjellshëm” u janë afruar nxënësve të tij. Edhe pse varem shumë nga të tjerët kjo për mua është një përkujtim që nevojat dhe pyetjet e mia gjithmonë t`i vë para Jezusit që ka kohë për mua.
Bashkëbisedimi
Jezus, gjatë kohës sa ishe në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.
Më mëso që të kem besim, mbështetje fëmijërore në ty.
Që të jetoj me vetëdije se ti kurrë nuk do të largohesh prej meje.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Një trajtim analitik dhe sintetik për librin e Noel Malcolm-it “Kosovo. A Short History” (Pjesa e tretë) Ta njohësh dhe ta pranosh Jezusin për shpëtimtar »