Ecja drejt paqes, është shtegu i shpresës që krijon të ardhmen e popujve

Jan 20 • Opinion, Res socialis

Prezantimi i Mesazhit të Paqes i Atit të Shenjtë Papa Françeskut për kremtimin e ditës së 53-të botërore të paqes

 

Nga Imzot Simon Kulli*

 

 

Shkëlqesitë nderuara,

vëllezër dhe motra

zonja dhe zotërinj!

Me rastin e përkujtimit të 20 vjetorit të shpërnguljes së një pjese të madhe të popullit nga Kosova, nën trysninë e luftës së detyruar të lëshojnë vatrat e tyre, duke u strehuar në Shqipëri dhe vende të tjera, Bariu i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, me të drejtë kërkon të shënohet kjo ditë në kujtesën tonë historike.

Përkujtimi i kësaj ngjarje, duke e ndërlidhë edhe me Mesazhin e Ditës Botërore të Paqes, të shpallur nga Kisha, tash e sa mot më parë, e që në Mesazhin e Paqes të Papa Françeskut, të lëshuar enkas në fillimin e këtij viti, merr një domethënie edhe më të thellë të ecjes sonë të përbashkët në rrugën e paqes që është “shtegu i shpresës”, përmes së cilës thuret ardhmëria e çdo populli.

Kujtesa historike është edhe horizonti i shpresës, që mban të hapur shikimin tonë të hedhur drejt së ardhmes, por duke soditur çdo gjurmë të hapave të hedhur në të kaluarën, në të cilën është mbjellë udhëtimi ynë, si fara të shpresës drejt horizonteve të reja.

Mesazhi i Paqes” që shpalosë Papa Françesku na bën me dije se: “kujtesa është horizonti i shpresës” dhe shton: “shumë herë në terrin e luftës dhe të konflikteve, kujtimi edhe i një gjesti sado të vogël solidariteti mundë të frymëzojë zgjedhje të guximshme dhe madje edhe heroike, mund të vërë në lëvizje energji të reja dhe të rindezë shpresa të reja tek individët dhe bashkësitë.”

Kujtesa e luftës është kujtesë e ngulitur në mishin e njeriut. Sa janë të thella rreth kësaj fjalët e Atit të Shenjtë, kur thotë: “Bashkësia jonë njerëzore mbart, në kujtesë dhe në mish, shenjat e luftërave dhe konflikteve që kanë ndjekur njëri-tjetrin, gjithnjë e më shkatërruese, dhe nuk reshtin së godituri sidomos më të varfrit dhe me të dobëtit. Edhe kombe të tëra e kanë vështirë të lirohen prej zinxhirëve të shfrytëzimit dhe të korrupsionit që ushqejnë urrejtje dhe dhunë. Ende sot, shumë burrave e grave, fëmijëve dhe të moshuarve, u mohohen dinjiteti dhe siguria fizike, liria, përfshirë edhe ajo fetare, solidariteti bashkësior, shpresa për të ardhmen. Shumë viktimave të pafajshme u duhet të mbartin mbi shpatullat e tyre sfilitjen e poshtërimit dhe të përjashtimit, të zisë dhe të padrejtësisë, madje edhe traumat që rrjedhin prej dhunës sistematike ushtruar kundër popujve dhe njerëzve të tyre të dashur.”

 

Frika dhe mohimi ndaj tjetrit: amza e luftës

Papa Françesku, kur flet për shkaktuesin e luftës, amzën e saj e sheh sidomos tek mohimi dhe mospranimi i tjetrit. Rreth saj thotë: “Lufta, siç e dimë, shpesh fillon prej faktit se tjetri është i ndryshëm, gjë që nxit dëshirën për ta zotëruar dhe vullnesën par ta sunduar atë. Ajo lind në zemrën e njeriut prej egoizmit dhe kryelartësisë, prej urrejtjes që çon në shkatërrimin e tjetrit, në mbylljen e tjetrit në një imazh negativ, në përjashtimin dhe në zhdukjen e tij. Lufta ushqehet prej degjenerimit të marrëdhënieve, prej ambicieve hegjemonike, prej shpërdorimit të pushtetit, prej frikës ndaj tjetrit dhe prej të ndryshmes, që shihet si pengesë; dhe në të njëjtën kohë lufta vetë i ushqen të gjitha këto gjëra.”

Degjenerimi i marrëdhënieve sidomos ndërnjerëzore që buron nga mospranimi i tjetrit dhe nga frika ndaj të ndryshmes së tjetrit, shihen jo vetëm si pengesa, por edhe si burim që nxit luftën. Lufta ushqehet më së pari nga rrënimi i relacioneve ndërnjerëzore. Dhe nëse nga këto dromca të përditshme të relacioneve të thjeshta ndërnjerëzore, që në shikim të parë duken jo aq domethënëse, nuk mbahet dhe nuk ushqehet jeta jonë, atëherë mbahet gjallë damari i urrejtjes që shkatërron rrjetën e bashkësisë njerëzore.

Më tutje Papa Françesku, shton: “Çdo situatë kërcënimi ushqen mosbesim dhe mbyllje në vetvete. Mosbesimi dhe frika rrisin brishtësinë e marrëdhënieve dhe rrezikun e dhunës, në një rreth vicioz, që kurrë nuk mund të çojë në një marrëdhënie paqeje.”

Si mund të krijojmë një ecje paqeje dhe njohje të ndërsjellë? Si ta prishim logjikën e sëmurë të kërcënimit dhe të frikës? Si ta prishim dinamikën kaq të përhapur të mosbesimit? – pyetet Papa Françesku – dhe shton: “Duhet të arrijmë një vëllazëri reale, të bazuar në origjinën e përbashkët që kemi, domethënë që të gjithë vijmë prej Hyjit, dhe të ushtruar në dialog dhe besim të ndërsjellë.” Sepse: “Dëshira për paqe është thellësisht e shkruar në zemrën e njeriut dhe nuk duhet t’i nënshtrohet asgjëje që nuk i përgjigjet kësaj dëshirë.”

 

Paqja: ecje dëgjimi

Ati i Shenjtë është i vetëdijshëm se ecja drejtë paqes është një sfidë e madhe, pasi interesat që janë në lojë, si në marrëdhëniet mes personave, bashkësive dhe kombeve janë të shumta dhe kontradiktore. “Bota nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për dëshmitarë të bindur, për artizanë të paqes të hapur ndaj dialogut pa përjashtime dhe manipulime. Në fakt nuk mund të ketë paqe nëse nuk ekziston një dialog i bindur mes burrave dhe grave që kërkojnë të vërtetën përtej ideologjive dhe opinioneve të ndryshme. Paqja është një ndërtesë që duhet të ndërtohet vazhdimisht, një ecje që bëjmë së bashku duke kërkuar të mirën e përbashkët dhe duke u angazhuar për të mbajtur fjalën e dhënë dhe për ta respektuar të drejtën. Në  dëgjimin e ndërsjellë mund të rriten edhe njohja dhe vlerësimi i tjetrit, deri në atë pikë sa te armiku të shohim fytyrën e një vëllai.”

 

Paqja: ecje pajtimi

Të jetuarit tonë në falje rrit aftësinë tonë për t’u bërë burra dhe gra të paqes. Ajo që është e vërtetë për paqen në fushën sociale, është e vërtetë edhe në atë politike dhe atë ekonomike, pasi çështja e paqes i përshkon të gjitha përmasat e jetës bashkësiore: nuk do të ketë kurrë paqe të vërtetë nëse nuk jemi të aftë të ndërtojmë një sistem të drejtë ekonomik. Siç shkruante Benedikti XVI, dhjetë vjet me parë, në Letrën Enciklike: “Dashuria në të vërtetën”: “Fitorja mbi nënzhvillimin kërkon të veprohet jo vetëm mbi përmirësimin e transaksioneve të bazuara në këmbim (…) por sidomos mbi hapjen progresive, në kontekst botëror, ndaj formave të veprimtarisë ekonomike të karakterizuara prej kuotave të dhurimit falas.”

 

Arrin aq sa shpreson

Ecja e pajtimit kërkon durim e besim. S’mund ta arrish paqen, nëse s’e shpreson atë.Përpara së gjithash duhet të besosh në mundësinë e paqes, të besosh se tjetri ka po aq nevojë për paqe sa edhe ti. Në këtë gjë, mund të na frymëzojë dashuria e Hyjit për secilin prej nesh, dashuri liruese, e pakufizuar, falas dhe e palodhshme.

“Kultura e takimit mes vëllezërve e motrave i kundërvihet kulturës së kërcënimit. E kthen çdo takim në një mundësi dhe në një dhuratë të dashurisë bujare të Hyjit. Na udhëheq që t’i tejkalojmë kufizimet e horizonteve tona të ngushta, për të synuar gjithmonë që ta jetojmë vëllazërinë universale, si bij të të njëjtit Atë qiellor.”

Më lejoni ta përmbyllë këtë paraqitje rreth “Mesazhit të Paqes,” të Papa Françeskut, më një pamje nga poeti dhe mistiku i njohur Çarls Pexhi (Ch. Peguy), i cili duke i kënduar virtytit të shpresës që ndërlidhet aq thellë edhe me paqen, thoshte: Nga të gjitha virtytet hyjnore, shpresa është virtyti më i mahnitshëm që e mrekullon Hyjin: “besimin që preferoj, thotë Zoti, është shpresa.”[1] Sepse “ajo është e mahnitshme dhe është me e mrekullueshmja e hirit tonë.“[2]

“Të besosh është e lehtë, të mos besosh do ishte e vështirë.

Të duash është e lehtë, të mos duash do ishte e pamundur.

Por të shpresosh është sfilitëse.

E lehtë është prirja të mos shpresosh dhe tunduese,

por shpresa e vogël, prihet nga dy motrat e mëdhaja

dhe ajo mezi dallohet.

(…)

Është ajo, e vogla, që i tërheq ato të dyja .

Besimi sheh, vetëm atë që është.

Shpresa, sheh atë, çka do bëhet.

Dashuria nuk do, përveç asaj që është.

Shpresa do, atë çka do bëhet.

Besimi sheh, atë çka është.

Në Kohë dhe në Amshim.

Shpresa sheh, atëçka do bëhet.

Në kohë dhe për amshim.”[3]/drita.info

 

*Fjala e plotë e paraqitjes së mesazhit të paqes të Papa Françeskut në Akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri”, Qendra BogdaniPolis, Prishtinë, 18 janar 2020. Titulli është i redaksisë sonë.

 

————————————————————

[1] CH. PEGUY, Il clima della speranza, Padova, 1982, fq.73

[2] Po aty, f. 76.

[3] CH. PEGUY, Il clima della speranza, f. 78-80.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »