CHIARA LUBICH (1920 – 2008), në 100 – vjetorin e lindjes

Jan 23 • Opinion

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them: kush e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më dërgoi, ka jetën e pasosur dhe ai nuk del në gjyq, por tashmë kaloi prej vdekjes në jetë.” (Gjn 5, 24).

“Fjalët e Ungjillit janë prania e Zotit në mesin tonë. Zoti është rini e amshuar. Ja, pra, përse ekziston afiniteti mes Ungjillit – fjalës Zotit – dhe rinisë.” (Chiara Lubich).

 

Nga Don Lush Gjergji

 

Chiara Lubich është e lindur në Trento më 22 janar 1920 në një familje të mirë të krishterë. Emri i pagëzimit i ishte Silvia, mirëpo e mahnitur me figurën e Shën Klarës nga Assisi, me anëtarësimin në rregullin e tretë françeskan ajo mori emrin Chiara. Qysh në moshën 19 vjeçare zgjidhet kryetare e Aksionit Katolik në qytetin e lindjes. Në Loreto, gjatë një takimi të Aksionit Katolik, me përjetimin shpirtëror në shtëpinë nga Nazareti, pati diçka jashtëzakonisht të bukur dhe fuqishme, apo siç thoshte ajo: “hiri i posaçëm i Hyjit më përfshiu të tërën”, përvojë kjo e cila do t’i mundësonte që tutje të shoqërohet me Zotin dhe me njerëzit.

         Mendoi se do ta realizohej në studime filozofike. Mirëpo, Lufta e Dytë Botërore, si shumëkujt, po ashtu edhe Chiara-s, ia rrënoi dëshirat, planet, ëndrrat. Ishte detyruar  t’i ndërpriste studimin dhe të ballafaqohet me realitetin e ri dhe mizor. Filloi punën në  një shkollë e me këtë edhe ta ndihmonte  sadopak edhe familjen.

         Pikërisht nga përvoja e luftës, vrasjeve, rrënimeve të çdo lloji, ku gjithçka flitet mbi urrejtjen, rritet personaliteti i madh i ChiaraLubich, themelueses së fokolarinve (fjala focolare domethënë vatër, zjarrishtë, vatër familjare dhe është simbolika e jetës familjare), e cila dëshironte t’i jepte përgjigje  sfidave dhe krizës së përgjithshme.

         Gjatë luftës është dukur se shumë shpejt do të vinte deri te fundi i botës, sepse rrënimet dhe vrasjet ishin kudo të pranishme. Chiara e re së bashku me disa shoqe  të saja është e prekur thellë, e brengosur, e tronditur, mirëpo edhe e vendosur se duhet të bënte diçka për të tjerët.

Ajo thoshte: “Në brendinë time kam dëgjuar zërin i cili më tha: Kushtoju Zotit në tërësi. Pas disa ditëve e bëra këtë, iu kushtova Zotit për tërë jetën time. Gëzimi ishte i pamasë… Shpirti im ishte i përfshirë me hir të posaçëm, me flakë e cila ishte ndezur në mua… Gjatë bombardimeve me disa shoqe të mia kam menduar mbi porosinë e madhe të Jezusit:Po ju jap një urdhër të ri: Duajeni njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duaeni edhe ju njëri‑tjetrin! (Gjn 13, 34) Dhe urdhrin tjetër: “Që të gjithë të jenë një” (Gjn 17, 21). Chiara Lubich iu kushtua Zotit krejt në formën  personale më 7 dhjetor 1943.

 

LËVIZJA E FOKOLORINËVE

Në themelet e këtyre dy parimeve, dashurisë dhe kërkimit të unitetit, ka lindur Lëvizja Fokolorine, e cila i përfshinë të gjithë, burra dhe gra, të rinjtë, të martuarit dhe rregulltarët e rregulltaret, meshtarët dhe ipeshkvijtë, me një qëllim të vetëm: të tentohet gjithçka që njerëzimi të bëhet njëherë e përgjithmonë një familje e vetëm. Zoti është Dashuri, burim dashurie, dhe kjo dashuri konkretizohet në dashuri ndaj njeriut, duke filluar pikërisht nga rrethi familjar. Zoti më do, Zotin na do, ai është burim i Dashurisë, të Mirës, dhe për këtë duhet të jetojmë në dashuri dhe këtë t’ua bartim  dhe dhurojmë për çdo ditë edhe të tjerëve.

Chiara Lubich thoshte: “Lufta është ndezur.U zhdukën shumë shtëpi e jeta të njerëzve, u shkatërruan gjërat dhe personat të cilat i kishim ndërtuar ne si ideale tona. Një vajzë e donë shtëpinë të cilën nuk e ka më. Një  tjetër ishte e fejuar, mirëpo i fejuari nuk do të kthehet më nga fushëbeteja. Unë studioja në një qytet. Më nuk pata mundësi të vazhdoja studimin. Dikush pati dashuri të madhe ndaj artit; sa çel e mshel sytë, shumë vepra artistike u shkatërruan…”

         Për të mos mbetur kjo zbrazëti në zemër dhe shpirt të shumëkujt, janë të nevojshëm idealet, vlerat edhe më të mëdha se ato cilat  janë shkatërruar. Kështu Zoti, Ungjilli, dashuria u bërën ideale të reja për shumë vajza, program i përkushtimit dhe jetës, flijimit për të tjerët që t’ju ndihmohet, për të patur mundësi që të jetohet ky realitet i ri.

         Zoti bëhet pikë qendrore e takimit, jetës, dashurisë për këto vajza të cilat jetonin së bashku me Jezusin dhe mes vete sipas mësimit të tij: “Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre” (Mt 18, 20). Bërthama e këtij bashkimi gjithnjë e më tepër thellohet dhe kështu bëhet dëshmi e qartë edhe për të tjerët. Nga vëllazëria me Zotin dhe të afërmin lind thirrja – dërgimi – dëshmia, për t’i bërë edhe të tjerët pjesëmarrës të kësaj dhurate të madhe – e kjo në rend të parë është Jezusi, prania dhe dashuria e tij mes nesh dhe për ne. Metanoia – ndërrimi – kthimi fillon pikërisht këtu, sepse Jezusi shpall dhe dhuron  vetveten dhe na thërret për çiltërsi, bashkëpunim, dhuratës reciproke, në veçanti përmes jetës familjare.

         Pas degës femërore të fokolarineve, në vitin 1948, qe themeluar edhe dega mashkullore. ChiaraLubich së bashku me disa shoqe dhe bashkëpunëtore të saj zhvendoset në Romë. Dëshmia e tyre dhe thellësia e përkushtimit të krishterë vërehet, rritet, frymëzonte dhe  tërheq shumë të rini.

ChiaraLubich, më 27 shtator 1948  pati një takim pune në Monttecitori me IginoGiordano, politikan me kulturë të lartë të krishterë. Ky takim ishte providencial, sepse me të hapën dyert për fokolarinët edhe  për persona të martuar e martuara, për familje. IginoGiordiani do të jep kontribut të madh dhe ndjeshmëri lëvizjes edhe për shumë pyetje tjera shoqërore.

         Në vitin 1949 fillon përvoja e parë mariano-shpirtërore me Maripolet verore. Këto përvoja ishin aq të bukura dhe të thella, saqë kanë ndryshuar jetën pjesëmarrëseve, duke zgjuar dhe freskuar edhe më tepër dëshirën burimore ndaj bashkësisë, ndaj shenjtërisë së jetës.

         Në vitin 1956 fillon botimi zyrtar i fletushkës së Lëvizjes fokolarine “CittàNuova “ e cila ndihmon dukshëm në komunikimin reciprok  si dhe përhap propozim përvojat – fetare – bashkësinë e Lëvizjes në forma dhe pjesë të ndryshme të Italisë, më vonë të Evropës dhe botës.

ChiaraLubich dhe shoqet e para të saj i paraqiten ipeshkvit të TrentosMons. Carl de Ferrarit qysh në fillimet e përvojave të tyre. Ai edhe miratoi Lëvizjen fokolarine në nivelin e ipeshkëvisë së tij më 1 maj 1947.

Në Romë “Ofici i Shenjt” kishte shumë dilema dhe huti rreth jetës dhe veprimtarisë së tyre. Mons. Giovanni Battista Montini, atëherë nënsekretar i shtetit  të Vatikanit, u takua me Chiara Lubich dhe bashkëpunëtoret e saj. Më vonë ai iu përgatiti dhe mundësoi edhe takimin me Papën Piu XII (1953). Papa i dëgjoi me shumë vëmendje e kujdes, atësisht, dhe i përkrahu moralisht në përpjekjet e tyre të mira. Lëvizjen fokolarine zyrtarisht e miratoi Papa Gjoni XXIII më 23 mars 1962.

         Me thellimin e jetës me Zotin fitohet stabiliteti, risia, freskia e dashurisë dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, familjare, martesore. Duke u takuar me Lëvizjen fokolarine shumë familje janë rilindur, ripërtërirë, janë realizuar në plotësi, dhe pikërisht me këtë përvojë janë bërë burimi jete, dashurie për gjeneratat e reja. Ja disa dëshmi konkrete: “Jam atë i familjes. Më herët kam jetuar jetën, punën time, kurse familjen time e kisha disi sikur peshë, barrë, detyrim. Gjithçka më dukej aq monotone, e rënde dhe e pavullnetshme. Kur takova Lëvizjen fokolarine, qeshmë atëherë kam kuptuar, e më pas edhe përjetuar për mua diç krejt të re dhe të panjohur, të bukur, të pasur dhe të thellë. Në lëtyrën e njerëzve kam zbuluar buzëqeshjen, gëzimin e jetës, dashurisë, dhurimit. Unë kam rilindur. Këtë e vërejnë edhe në familjen time, në punë, gjithkund. Jam i lumtur, i qetë, sigurt, sepse më do dhe më thërret Zoti të dua, të dhurohem. Të jetosh kështu është bukuri!”

         Një çift i ri: “Përmes Lëvizjes ne kemi zbuluar dhe provuar se Zoti është dashuri. Në prezencën e kësaj dashurie edhe ne duhemi në dhurimin e ndërsjellët, në nderimin e jetës, në kërkim të gëzimit dhe lumturisë. Duke zbuluar fenë që do të thotë Dashurinë – Zotin – për çdo ditë shkojmë bashkë ka ky unitet dhe bashkësi e mrekullueshme…”

         “Duke jetuar përvojën e Lëvizjes kemi zbuluar risinë – Jezusin, i cili tani na jep risinë e martesës sonë, në marrëdhënie me fëmijët tanë, me veten tonë, me të gjithë njerëzit rreth nesh. Tani dëshirojmë që gëzimin  tonë ta ndajmë edhe me të tjerët”.

 

CHIARA LUBICH DHE EKUMENIZMI

Chiara Lubich dhe Lëvizja fokolarine janë të përkushtuar shumë edhe në dialogun ekumenik me Kishat e ndryshme të krishtera. “Provania më mundësoi të realizoj takime të ndryshme me luteranët, anglikanët, të reformuarit dhe Kisha tjera të krishtera. Gjatë një takimi në Gjermani ishin të pranishëm edhe tre pastor luterianë. Pas fjalëve të mia, thanë: ‘Shihni se si e jetojnë Ungjillin katolikët!’. Ishin të habitur, sepse gati nuk na kanë njohur aspak. Pas këtij takimi, përvoje, na ftuan në famullitë, bashkësitë e tyre, në grupet e tyre për të dëshmuar përvojën e fesë sonë. Nga ky takim lindi Lëvizja fokolarine luterane. Kështu  lindi edhe qyteza ekumenike Ottmaring, në afërsi të Augsburgut. Ngjashëm ndodhi edhe në Angli… Në vitin 1976 pata hirin që për herë të parë të takohem me patrikun Ekumenik Atenagora I. Për mua kjo ishte përvojë e rrallë, sepse Atenagora ishte personalitet i shquar, i jashtëzakonshëm, vërtet njeri shpirtëror. Nga ai mësova se çka duhet bërë për të vërtetën në dashuri, sepse ai kishte dashuri të madhe. Me zemrën e tij të madhe ai përqafoi gjithë botën, gjitha Kishat. Pas takimit që kishte me Papën Pali VI në Stamboll ishte gjithë e më tepër i drejtuar kah Kisha katolike në kërkim të bashkimit me këtë Kishë. Pra, Patriku ishte i dashuruar në Lëvizjen tonë, sepse në ne gjeti jetën dhe dashurinë, dy elemente të cilat i ka në zemër kisha Ortodokse. Ai me të madhe ia hapi dyert Lëvizjes sonë në botën ordodokse. Më kujtohet shprehja të cilën e ka përsëritur shumë herë: ‘ Do të vij dita, do të lind dielli, do të lozin dhe këndojnë engjëjt, kurse gjithë ne, patrikët dhe ipeshkvijtë do të tubohemi rreth Atit të Shenjt, të kremtojmë rreth të njëjtit Kelk’…

Chiara Lubich theksonte: “Lëvizja fokolarine është dëshmi e re në jetën e Kishës, freskon, apo siç thotë Gjon Pali II: ‘Shpeshherë, kur jam i pikëlluar dhe i lodhur, e kujtoj një fjalë: folokarinët’…”

         Lëvizja ekziston dhe i reziston kohës, përhapet dhe përfiton shumë të rinj të botës, sepse themelohet në të vërtetën-Jezusin, dhe në Dashuri, e bënë Jezusin prezent në mes nesh. Kjo Prani-Dashuri jep hapësirë dhe kohë të re njeriut, familjes, shoqërisë, për njerëzimin e ri.

          “Kështu kemi ndërtuar edhe një qytezë ku jetohet Ungjilli, ku do të mund të thoshim:“Ejani e shihni!” (Gjn 1, 39) Qyteza e parë qe ndërtuar në Lopiano, afër Firencës. Lopiano niset nga Krishti, sepse ai na ka thënë: ‘Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre’… Duhet të jemi gjithnjë e më tepër të hapur ndaj të gjitha Kishave, ndaj çdo religjioni, për të pasur mundësi të tjerët të shohin dhe përjetojnë atë që neve dëshirojmë, atë që dëshiron Zoti,  dashurinë e vërtetë. Përhapim këtë dashuri të përgjithshme të Zotit-Atë për gjithë ne…”

ChiaraLubich me Lëvizjen e saj fokolarine dëshmon edhe sot në pjesët e ndryshme të botës, në gjuhë të ndryshme, kultura, religjione se mund të jetohet ndryshe në familje dhe në shoqëri, në dashuri dhe për dashuri. Për kontributin e dhënë ajo mori mirënjohje të shumta kombëtare e ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe çmimin Templeton.

 

TË JETOHET UNGJILLI ME MARINË

         Nga përvoja e fesë përmes Lëvizjes fokolarineChiaraLubich erdhi deri te ky përfundim: “Lëvizja fokolarine është dëshmi konkrete se duke jetuar Ungjillin të gjitha vlerat vijnë në vendin e vet: Zoti, njeriu, vëllazëria e përgjithshme, drejtësia shoqërore, struktura qytetare, familja, përpjekjet njerëzore, dhimbja, vdekja… Ne të krishterët duhet të kemi më tepër besim në fenë tonë, më tepër besim në shpalljen, atëherë shumë probleme, edhe ato njerëzore, do të jenë fatbardhësisht të zgjidhura.”

         Të krishterëve sikur iu mungon vetëdija, siguria, guximi i fesë – dashurisë – dëshmisë, kësaj të vërtete të madhe gjithnjë të vjetër dhe të re – risisë: Jezu Krishtit. “Fjalët e Ungjillit janë prania hyjnore në mes nesh… Për këtë mendoj se Ungjilli është armë mjaft e fortë, me të vërtetë, më e forta dhe, edhe pas dymijë vjetëve tërheq të rinjtë, të gjithë ata që besojnë sinqerisht… Pas dymijë vjetëve Ungjilli është si kurrë më parë aktual, dhe do të jetë gjithmonë, sepse Zoti është i amshuar, gjithmonë sot…” pohonte Chiara Lubich.

         Lëvizja fokolarine qe 50 vite ka si shprehje jete të përmuajshmen shumë gjuhësore“Città Nuova“ si dhe shtëpinë botuese me emër të njëjtë dhe me botime të ndryshme fetaro–kulturore në shërbim të jetës, familjes, dialogut ekumenik dhe ndërfetar.

         Për njësitë e përshpirtërisë të Lëvizjes Chiara Lubich thoshte: “Misioni i parë udhëzues-fuqi në të cilën Zoti ndërtoi përshpirtërinë tonë ishte: Zoti është dashuri… mendimi i dytë udhëheqës-fuqi është: vullneti i Zotit. Mjafton të jetohet kjo për të qenë të krishterë të përsosur… Urdhri i dashurisë do të ishte i pamundur, po mos të ishte Jezusi në mesin tonë… Gjithë anëtarëve të Lëvizjes për çdo muaj i prezantohet nga një fjalë Ungjillore si komentuar egzegetës. Ne atë e quajmë: Fjala e jetës. Ja një njësi tjetër e përshpirtërisë sonë… Atëherë edhe një shtyllë e Lëvizjes: Eukaristia… Edhe një parim operativ: Maria, Nëna e Lëvizjes. Me këtë kemi thënë të gjithë. Zoti na ka dhuruar dhe ne e kemi përjetuar gjithmonë si të tillë… Lidhja e mëtutjeshme e jona është prania e Jezusit në hierarkinëe Kishës…”.

Fokolarinët në fillim u quajtën Vepër e Marisë, i mbetën besnikë Marisë, besnikë Ungjillit, Kishës, besnikë nevojave të kohës sonë dhe me këtë i dhanë dhe japin kontribut të çmuar forcimit të familjes dhe vetë shoqërisë si “bashkësi”. Kontributi i dytë është gjithsesi bashkimi i Kishës dhe Kishave në dallime, në besnikëri ndaj Krishtit, në dashuri dhe në falje, si dhe dialogu ndërfetar, për të pasur mundësi krijimin e familjes së madhe të popullit të Zotit – bijave dhe bijve – të Atit të përbashkët.

Fokolarinëtsenzibilizojnë dhe realizojnë gjitha këto në themelet e dy të vërtetave dhe risive: “Jezusi është në mes nesh” dhe “Që të jenë të gjithë një!”.

Në jetën dhe veprën e ChiaraLubich, shndriti Jeta përmes fesë dhe dashurisë, përmes shërbimit dhe dhurimit, erdhi deri te shprehja Dashuria-Zoti, si bazë e jetës dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, si çelës i ekumenizmit dhe dialogut ndërfetar. Personat si ChiaraLubich hapin horizonte të reja dhe konkretizojnë mundësi të shumta për gjithë ne.

Chiara Lubich ndërroi jetë në Rocca di Papa, afër Romës, me 14 mars 2008, ndërsa qe varrosur më 18 mars 2008.

Meshën e salikimit e udhëhoqi Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali TarcisioBertone në Bazilkën e Shën Palit jashtë Mureve, me pjesëmarrje dhe prani shumetnike dhe shumfetare nga viset e ndryshme të botës. Ai ndër të tjera tha: “Të dashur vëllezër dhe motra, vazhdojmë kremtimin eukaristik, duke sjell në altar falënderimin tonë Zotit për dëshminë që po e lë kjo Motër në Krishtin, për intuitat e saja profetike të cilat i kanë paraprirë dhe kanë përgatitur ndërrimet e mëdha historike si dhe ngjarjet e jashtëzakonshme që i ka përjetuar Kisha në shekullin XX… Ajo thoshte se do të paraqitej para Zotit, kur do ta pyeste për emër, në mënyrën më të thjeshtë: “Emri im është FALËMINDERIT! Të falënderoj, o Zot, për të gjitha dhe përgjithmonë”./drita.info 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »