Krishti bashkë-ndjen me ty

Jan 23 • Meditimi i ditës

23 janar 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 18, 6-9; 19, 1-7; Ps 55; Mk 3, 7-12)

 

Prania e Hyjit

E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, miq, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehur.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote. Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi. Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis. Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Kjo kohë e lutjes është një mundësi për të shuar etjen për plotësi – etjen time për Zotin, burimin e jetës – një shans për të pirë nga burimi, nga burimi i ujit të gjallë dhe për t`u freskuar, ripërtërirë.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çka të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çka po ngjanë në zemrën tënde.


Mk 3, 7-12

 

7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.

9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte. 10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 11E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësisht të mos dëftonin se kush është.


Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

·                     Në këtë lexim e dëgjojmë ndikimin e madh që ka Jezusi te njerëzit, turmat janë aq të mëdha sa rrezikojnë ta shtypin atë. Si duhet ta kenë ndjerë veten miqtë e tij, dishepujt e tij të ishin pjesë e këtij spektakli të madh?

·                     Jezusi duket shumë i popullarizuar në këtë skenë, në këtë fazë të shërbimit të tij – një tërheqës i turmës. A mund ta imagjinosh se çfarë ishte ajo që i tërhiqte kaq shumë vetë për ta parë? Dhe pse kjo turmë – më vonë – u kthye kaq shpejt kundër tij?

·                     Ndërsa e dëgjon skenën e përshkruar përsëri, merr një moment për ta imagjinuar veten, si të ishe atje, duke e dëgjuar Jezusin dhe duke e shikuar atë me kaq shumë njerëz që i bënin kërkesa. Si do të mund të kesh reaguar ti? Si do t’i përgjigjeshe Jezusit?

 

Bashkëbisedimi

Ashtu siç rritej popullariteti i Jezusit ashtu i vijnë njerëzit nga të gjitha anët dhe largësitë. Çfarë kërkojnë ata? Çfarë kërkoj unë kur ndodhem para Jezusit?

Flit me Jezusin tani ashtu si me një mik. Mund të dëshirosh të bisedosh me të për përgjigjen tënde ndaj këtij leximi, ose për ndonjë gjë tjetër që është në mendjen ose zemrën tënde në këtë moment.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Jezusi befas u bë një “sensacion” – turma dhe kalimtarët i bënin presion që vinin edhe nga vende të largëta. Të tillë ishin të kënaqur edhe nëse vetëm arrin ta preknin.

Edhe ne, gjatë ditës, mund ta “prekim” Jezusin në shumë mënyra, përfshirë përmes Momentit të Shpirtit – me lutjen që na lidh me Të dhe praninë e Tij në jetën tonë të përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »