Papa Françesku: E diela III gjatë vitit shpallet e Diela e Fjalës së Hyjit

Jan 24 • Këndvështrime, Kisha në botë

Me letrën apostolike në formë të Motu proprio “Aperuit illis”, Papa Françesku ka shpallur që e Diela III gjatë vitit t’i kushtohet kremtimit, reflektimit dhe përhapjes së Fjalës së Hyjit. Dokumenti është publikuar më 30 shtator 2019 në përkujtimin liturgjik të Shën Jeronimit, në fillim të 1600 vjetorit të kalimit në amshim të përkthyesit të Biblës në gjuhën latine, i cili thoshte se “Mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohje e Krishtit”.  Në vazhdim e japim letrën e plotë të Papa Françeskut të përkthyer në gjuhën shqipe.

 

 

LETRA APOSTOLIKE
NË FORMËN E «MOTU PROPRIO»

E ATIT TË SHENJTË
FRANÇESKU

APERUIT ILLIS

ME TË CILËN THEMELOHET
E DIELA E FJALËS SË HYJIT

 

 

1. «Ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet» (Lk 24,45). Është një nga gjestet e fundit të bëra nga Zoti i ngjallur, para Ngjitjes së tij. U duket dishepujve ndërsa ata janë të mbledhur së bashku, e thyen me ta bukën dhe ua hap mendjen për të kuptuar Shkrimet e Shenjta. Atyre njerëzve të frikësuar dhe të zhgënjyer ai ua zbulon vështrimin e misterit pashkvor: domethënë që, sipas planit të amshueshëm të Atit, Jezusi duhej të pësonte dhe të ngjallej nga të vdekurit për të ofruar kthimin dhe faljen e mëkateve (khs. Lk 24,26.46-47); dhe premton Shpirtin e Shenjtë që do t’u japë atyre forcën për të qenë dëshmitarë të këtij Misteri të shpëtimit (khs. Lk 24,49).

Marrëdhënia mes të Ngjallurit, bashkësisë së besimtarëve dhe Shkrimit të Shenjtë është jashtë mase jetike për identitetin tonë. Pa Zotin që na udhëzon, është e pamundur që të kuptojmë në thellësi Shkrimet e Shenjta, por është gjithashtu e vërtetë e kundërta: pa Shkrimet e Shenjta ngjarjet e misionit të Jezusit dhe të Kishës së tij në botë, mbeten të pakuptueshme. Me të drejtë Shën Jeronimi mund të shkruante: «Mos njohja e Shkrimeve është mos njohje e Krishtit» (In Is., Prologu: PL 24,17).

2. Në përfundim të Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, unë kisha kërkuar që të mendohej për «një të diel të kushtuar plotësisht Fjalës së Hyjit, për të kuptuar pasurinë e pashtershme që vjen nga ai bashkëbisedim i vazhdueshëm i Hyjit me popullin e tij» (Let. ap. Misericordia et misera, 7). T’ia kushtosh në mënyrë të veçantë një të diel të Vitit liturgjik Fjalës së Hyjit, lejon, para së gjithash, që Kisha ta rijetojë gjestin e të Ngjallurit, i cili e hap edhe për ne thesarin e Fjalës së tij, në mënyrë që të mund të jemi kumtues të kësaj pasurie të pashtershme në botë. Në lidhje me këtë, na vijnë në mendje mësimet e Shën Efremit: «Kush është i aftë të kuptojë, Zot, tërë pasurinë e vetëm të njërës prej fjalëve të tua? Është shumë më tepër ajo që s’e kapim sesa ajo që arrijmë ta kuptojmë. Ne jemi pikërisht si ata të etur që pinë në një burim. Fjala jote na ofron shumë aspekte të ndryshme, ashtu si të shumta janë perspektivat e atyre që e studiojnë atë. Zoti e ka ngjyrosur fjalën e tij me bukuri të larmishme, në mënyrë që ata që e shqyrtojnë atë të mund të sodisin atë që pëlqejnë. I ka fshehur në fjalën e tij të gjitha thesaret, në mënyrë që secili prej nesh të gjejë një pasuri në atë që sodit» (Kom. mbi Diatessaron, 1, 18).

Prandaj, me këtë Letër, unë kam për qëllim t’u përgjigjem kërkesave të shumta që më kanë ardhur prej anës së popullit të Hyjit, në mënyrë që, në tërë Kishën, të mund të kremtohet në njësinë e synimeve e Diela e Fjalës së Hyjit. Tashmë është bërë një praktikë e zakonshme të jetojmë momente, në të cilat bashkësia e krishterë përqendrohet në vlerën e madhe që Fjala e Hyjit ka për ekzistencën e saj të përditshme. Në Kishat e ndryshme vendore ekziston një pasuri e nismave që e bëjnë Shkrimin e Shenjtë gjithnjë e më të kapshëm për besimtarët, kështu që t’i bëjnë ata të ndjehen mirënjohës për një dhuratë kaq të madhe, të përkushtuar për ta jetuar atë në të përditshmen dhe përgjegjës për ta dëshmuar atë me koherencë.

Koncili Ekumenik i Vatikanit II i ka dhënë një impuls të madh rizbulimit të Fjalës së Hyjit me Kushtetutën dogmatike Dei Verbum. Nga ato faqe, të cilat meritojnë gjithmonë që të meditohen dhe të jetohen, del në pah në mënyrë të qartë natyra e Shkrimit të Shenjtë, të qenurit i përçuar brez pas brezi (kap. II), frymëzimi i tij hyjnor (kap. III), që përqafon Besëlidhjen e Vjetër dhe të Re (kap. IV dhe V) dhe rëndësia e tij për jetën e Kishës (kap. VI). Për ta zhvilluar më tej atë mësim, Benedikti XVI, në vitin 2008, thirri Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve me temën “Fjala e Hyjit në jetën dhe misionin e Kishës“, pas së cilës ai publikoi Nxitjen Apostolike Verbum Domini, e cila përbën një mësim të pashmangshëm për bashkësitë tona. [1] Në këtë Dokument, thellohet në një mënyrë të veçantë, karakteri performues i Fjalës së Hyjit, sidomos kur, në veprimin liturgjik, del në pah karakteri i saj i mirëfilltë sakramental. [2]

Prandaj, është mirë që të mos mungojë kurrë në jetën e popullit tonë kjo marrëdhënie vendimtare me Fjalën e gjallë që Zoti asnjëherë nuk lodhet së drejtuari Nuses së tij, në mënyrë që të mund të rritet në dashuri dhe në dëshminë e fesë.

3. Prandaj, caktoj që e Diela e III-të e Kohës së Gjatë Vitit t‘i kushtohet kremtimit, reflektimit dhe përhapjes së Fjalës së Hyjit. Kjo e Diel e Fjalës së Hyjit do të ketë vend në një moment të volitshëm të asaj kohe të vitit, kur jemi të ftuar që të përforcojmë lidhjet me hebrenjtë dhe të lutemi për bashkimin e të krishterëve. Nuk bëhet fjalë thjesht për një rastësi kohore: kremtimi i së Dielës së Fjalës së Hyjit shpreh një vlefshmëri ekumenike, sepse Shkrimi i Shenjtë ua tregon atyre që vihen në dëgjim të tij, rrugën që duhet ndjekur për të arritur në një bashkim autentik dhe të qëndrueshëm.

Bashkësitë do të gjejnë mënyrën për ta jetuar këtë të Diele si një ditë solemne. Do të jetë e rëndësishme, sidoqoftë,  që në kremtimin eukaristik, teksti i shenjtë, të mund të vënë në një vend të posaçëm në mënyrë që të bëhet e dukshme për asamblenë vlera normative që ka Fjala e Hyjit. Në këtë të diele, në një mënyrë të veçantë, do të jetë e dobishme të vihet në dukje shpallja e saj dhe homelia të përshtatet për t’i dhënë rëndësi shërbimit që i jepet Fjalës së Zotit. Në këtë të diele ipeshkvijtë mund të kremtojnë ritin e Lektoratit ose të japin një shërbesë të ngjashme, për të kujtuar rëndësinë e shpalljes së Fjalës së Hyjit në liturgji. Në të vërtetë, është themelore që të mos mungojë çdo përpjekje e nevojshme për përgatitjen e disa besimtarëve për të qenë shpallës të vërtetë të Fjalës me një përgatitje të përshtatshme, ashtu siç ndodh, tashmë, në një mënyrë të zakonshme për akolitët ose ministrat e jashtëzakonshëm të Kungimit. Në të njëjtën mënyrë, famullitarët do të mund të gjejnë format për dorëzimin e Biblës, ose të njërit prej librave të saj, tërë asamblesë, në mënyrë që të nxjerrin në pah rëndësinë e vazhdimit, në jetën e përditshme, të leximit, thellimit dhe lutjes me Shkrimin e Shenjtë, duke iu referuar posaçërisht lectio divina-s.

4. Kthimi i popullit të Izraelit në atdheun e vet, pas mërgimit në Babiloni, qe shënuar në mënyrë domethënëse nga leximi i librit të Ligjit. Bibla na ofron një përshkrim të përmallueshëm të këtij momenti në librin e Nehemisë. Populli është mbledhur në Jerusalem, në sheshin e Derës së Ujërave, duke dëgjuar Ligjin. Ai popull ishte shpërndarë në internim, por tani gjendet sërish i mbledhur rreth Shkrimit të Shenjtë sikur të ishin «një njeri i vetëm» (Neh 8,1). Në leximin e librit të shenjtë, populli «dëgjonte me kujdes» (Neh 8,3), duke ditur se do të gjenin në atë fjalë kuptimin e ngjarjeve të jetuara. Reagimi ndaj shpalljes së atyre fjalëve qe përmallimi dhe lotët: «[Levitët] e lexonin pjesë pjesë dhe ia shpjegonin kuptimin, që populli ta kuptonte mirë atë që lexohej. Atëherë qeveritari Nehemi, prifti dhe skribi Esdra si dhe levitët që e mësonin popullin, iu drejtuan mbarë popullit: “Kjo është ditë që i kushtohet Zotit, Hyjit tonë! Mos jini të trishtuar as mos qani!” Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e Ligjit […]. Dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj» (Neh 8,8-10).

Këto fjalë përmbajnë një mësim të shkëlqyeshëm. Bibla nuk mund të jetë thjesht trashëgimi e disave, e aq më pak një koleksion librash për ato pak të privilegjuar. Ajo i përket, para së gjithash, popullit të thirrur për ta dëgjuar atë dhe që ta njohë veten në atë Fjalë. Shpesh, vërehen tendenca që përpiqen ta monopolizojnë tekstin e shenjtë duke e syrgjynosur atë në qarqe të caktuara ose në grupe të përzgjedhurish. Nuk mund të jetë kështu. Bibla është libri i popullit të Zotit që, në dëgjim të saj, kalon nga shpërndarja dhe ndarja në bashkim. Fjala e Hyjit i bashkon besimtarët dhe i bën ata një popull të vetëm.

5. Në këtë bashkim, krijuar nga dëgjimi, Barinjtë, në radhë të parë, kanë përgjegjësinë e madhe që t’ua shpjegojnë dhe mundësojnë të gjithëve që të kuptojnë Shkrimet e Shenjta. Meqenëse është libri i popullit, ata që kanë thirrjen të jenë ministra të Fjalës duhet ta ndiejnë fuqimisht nevojën për ta bërë atë të kapshme për bashkësinë e tyre.

Homelia, posaçërisht, ka një funksion shumë të veçantë, sepse zotëron «një karakter pothuajse sakramental» (Nxitja ap. Evangelii Gaudium, 142). Ta bësh dëgjuesin të futet në thellësi të Fjalës së Hyjit, me një gjuhë të thjeshtë e të përshtatshme, ia lejon meshtarit që të zbulojë gjithashtu «bukurinë e shëmbëllesave që Zoti përdorte për të stimuluar praktikën e së mirës» (ibid.). Kjo është një mundësi baritore për të mos u humbur!

Për shumë prej besimtarëve tanë, në të vërtetë, kjo është e vetmja mundësi që kanë për të kapur bukurinë e Fjalës së Hyjit dhe ta shohin atë t’u referohet jetës së tyre të përditshme. Prandaj është e nevojshme të kushtoni kohën e duhur për përgatitjen e homelisë. Komenti i leximeve të shenjta nuk mund të improvizohet. Madje, ne predikuesve na kërkohet angazhimi për të mos u zgjatur jashtë mase me homeli të stërholluara ose me argumente pa lidhje. Kur ndalemi për të medituar dhe për t’u lutur mbi tekstin e shenjtë, atëherë jemi në gjendje që të flasim me zemër për të arritur në zemrat e personave që dëgjojnë, ashtu që të shprehim thelbësoren që kapet dhe që jep fryt. Të mos lodhemi kurrë së kushtuari kohë dhe lutje Shkrimit të Shenjtë, në mënyrë që të pranohet «jo porsi fjalë njerëzish, por pikërisht ashtu si në të vërtetë është ‑ porsi fjalën e Hyjit» (1Sel 2,13).

Është mirë që edhe katekistët, për shërbesën që kanë për të ndihmuar rritjen në fe, ta ndiejnë urgjencën për t’u ripërtërirë përmes familjaritetit dhe studimit të Shkrimeve të Shenjta, të cilat u lejojnë atyre të nxisin një bashkëbisedim të vërtetë mes atyre që i dëgjojnë ata dhe Fjalës së Hyjit.

6. Para se t’i mbërrinte dishepujt, të mbyllur në shtëpi dhe t’i hapte ato ndaj kuptimit të Shkrimit të Shenjtë (khs. Lk 24,44-45), i Ngjalluri u duket dy prej tyre përgjatë rrugës që çon nga Jerusalemi në Emaus (khs. Lk 24,13-35). Tregimi i Lukës ungjilltar vëren se është pikërisht dita e Ringjalljes, d.m.th e diela. Ata dy dishepuj diskutojnë mbi ngjarjet e fundit të mundimit dhe vdekjes së Jezusit. Udhëtimi i tyre është i shënuar nga trishtimi dhe zhgënjimi për arsye të përfundimit tragjik të Jezusit. Ata kishin shpresuar në Të si për një Mesi çlirimtar dhe gjenden përballë shkandullit të të Kryqëzuarit. Me maturi, vetë i Ngjalluri afrohet dhe ecën me dishepujt, por ata nuk e njohin atë (khs. rr. 16). Përgjatë udhës, Zotëria, duke kuptuar se ata nuk e kanë kuptuar domethënien e mundimit dhe vdekjes së tij, i pyet; ai i quan ata «të pamend e të ngadalshëm» (rr. 25) dhe «që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të» (rr. 27). Krishti është ekzegjeti i parë! Jo vetëm se Shkrimet e qëmotshme kanë hershuar atë që Ai do të realizonte, por Ai vetë ka dashur të ishte besnik ndaj asaj Fjale për ta bërë të qartë të vetmen histori të shpëtimit që gjen përmbushjen e saj në Krishtin.

7. Prandaj, Bibla, duke qenë Shkrim i Shenjtë, flet për Krishtin dhe e kumton si atë që duhet të kalojë nëpër vuajtje për të hyrë në lavdi (khs. rr. 26). Jo vetëm një pjesë, por të gjitha Shkrimet flasin për Të. Vdekja dhe ngjallja e Tij janë të pakuptueshme pa to. Kjo është arsyeja pse një nga rrëfimet më të hershme të fesë nënvizon se Krishti «vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë. Iu duk Kefës» (1Kor 15,3-5). Meqenëse Shkrimet flasin për Krishtin, ata na e bëjnë të mundur të besojmë se vdekja dhe ringjallja e tij nuk i përkasin mitologjisë, por historisë dhe janë në qendër të besimit të dishepujve të tij.

Lidhja midis Shkrimit të Shenjtë dhe fesë së besimtarëve është e thellë. Duke qenë se besimi vjen nga dëgjimi dhe dëgjimi ka në qendër fjalën e Krishtit (khs. Rom 10,17), ftesa që buron prej saj është urgjenca dhe rëndësia që besimtarët duhet t’i kushtojnë dëgjimit të Fjalës së Zotit si në veprimin liturgjik ashtu edhe në lutjen dhe reflektimin personal.

8. “Udhëtimi” i të Ngjallurit me dishepujt e Emausit mbaron me darkën. Udhëtari i mistershëm pranon kërkesën këmbëngulëse që të dy ia drejtojnë atij: «Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur» (Lk 24,29). Ata ulen në tryezë, Jezusi merr bukën, thotë bekimin, e thyen dhe ua jep atyre. Në atë moment sytë e tyre hapen dhe e njohin atë (khs. rr. 31).

Ne kuptojmë nga kjo skenë sa e pandashme është marrëdhënia mes Shkrimit të Shenjtë dhe Eukaristisë. Koncili II i Vatikanit mëson: «Kisha i ka nderuar përherë Shkrimet hyjnore siç ka bërë për vetë Trupin e Krishtit, duke mos pushuar asnjëherë, veçanërisht në liturgjinë e shenjtë, së ushqyeri me bukën e jetës nga tryeza si e Fjalës së Hyjit ashtu edhe e Trupit të Krishtit, dhe t’ia ofrojë besimtarëve» (Dei Verbum, 21).

Frekuentimi i vazhdueshëm i Shkrimit të Shenjtë dhe kremtimi i Eukaristisë bëjnë të mundur njohjen ndërmjet personave të së njëjtës përkatësi. Si të krishterë, ne jemi një popull i vetëm që ecën në histori, i fortë me praninë e Zotit midis nesh, që na flet dhe na ushqen. Dita kushtuar Biblës nuk dëshiron të jetë “një herë në vit”, por një herë për gjithë vitin, sepse kemi nevojë urgjente që të bëhemi familjarë dhe shumë të afërt të Shkrimit të Shenjtë dhe të të Ngjallurit, i cili kurrë nuk pushon së thyeri Fjalën dhe Bukën në bashkësinë e besimtarëve. Për këtë arsye, ne kemi nevojë që të krijojmë një mirëbesim të vazhdueshëm ndaj Shkrimeve të Shenjta, përndryshe zemra mbetet e ftohtë dhe sytë mbesin të mbyllur, të goditur, siç jemi, nga format e shumta të verbërisë.

Shkrimi i Shenjtë dhe Sakramentet janë të pandashme midis tyre. Kur Sakramentet përudhen dhe ndriçohen nga Fjala, ato shfaqen në mënyrë më të qartë si qëllimi i një udhëtimi ku vetë Krishti hap mendjen dhe zemrën për të njohur veprimin e tij shpëtimtare. Është e nevojshme, në këtë kontekst, të mos harrojmë mësimin që vjen nga libri i Zbulesës. Këtu mësohet se Zoti qëndron para derës dhe troket. Nëse dikush e dëgjon zërin e tij dhe e hap derën, ai hyn për të darkuar së bashku (khs. 3,20). Krishti Jezus troket në derën tonë përmes Shkrimeve të Shenjta; nëse dëgjojmë dhe e hapim derën e mendjes dhe të zemrës, atëherë futet në jetën tonë dhe qëndron me ne.

9.  Në Letrën e Dytë të Timoteut, që në njëfarë mënyre përbën testamentin e tij shpirtëror, Shën Pali porosit bashkëpunëtorin e tij besnik që të frekuentojë vazhdimisht Shkrimin e Shenjtë. Apostulli është i bindur se «i tërë Shkrimi i shenjtë, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të rregulluar, për të edukuar në drejtësi» (3,16). Kjo porosi e Palit për Timoteun përbën një bazë mbi të cilën Kushtetuta konciliare Dei Verbum trajton temën e madhe të frymëzimit të Shkrimit të Shenjtë, një bazë nga e cila dalin në dukje veçanërisht synimi i shpëtimit, dimensioni shpirtëror dhe parimi i mishërimit për Shkrimin e Shenjtë.

Duke kujtuar para së gjithash porosinë e Palit për Timoteun, Dei Verbum nënvizon se «librat e Shkrimit mësojnë me siguri, me besnikëri dhe pa gabime të vërtetën që Hyji, për shpëtimin tonë, donte që të na dorëzohej në Shkrimet e Shenjta» (n. 11). Meqenëse këto udhëzojnë për shpëtimin me anë të besimit në Krishtin (khs. 2Tim 3,15), të vërtetat që gjenden në to shërbejnë për shpëtimin tonë. Bibla nuk është një përmbledhje e librave të historisë, as e kronikave, por është i tëri i drejtuar ndaj shpëtimit të plotë të personit. Rrënjët e pamohueshme historike të librave të përfshirë në tekstin e shenjtë, nuk duhet të na bëjnë të harrojmë këtë qëllim parësor: shpëtimin tonë. Gjithçka është drejtuar drejt këtij qëllimi të gdhendur në vetë natyrën e Biblës, e cila është e përbërë si një histori shpëtimi në të cilën Hyji flet dhe vepron për t’u ardhur në takim të gjithë njerëzv edhe për t’i shpëtuar ata nga e keqja dhe vdekja.

Për të arritur këtë qëllim shpëtimtar, Shkrimi i Shenjtë, nën veprimin e Shpirtit Shenjt, e shndërron fjalën e njeriut, të shkruar në një mënyrë njerëzore, në Fjalë të Hyjit (khs. Dei Verbum, 12). Roli i Shpirtit Shenjt në Shkrimin e Shenjtë është themelor. Pa veprimin e tij, rreziku për të ngelur të mbyllur vetëm në tekstin e shkruar, do të ishte pas dere, duke e bërë të lehtë interpretimin fundamentalist, nga i cili duhet të qëndrojmë larg, në mënyrë që të mos e tradhtojmë karakterin e frymëzuar, dinamik dhe shpirtëror që ka teksti i shenjtë. Siç kujton Apostulli, «shkronja vret e Shpirti jep jetën» (2Kor 3, 6). Prandaj, Shpirti Shenjt e shndërron Shkrimin e Shenjtë në një Fjalë të gjallë të Hyjit, të jetuar dhe të përçuar në besimin e popullit të tij të shenjtë.

10. Veprimi i Shpirtit Shenjt nuk ka të bëjë vetëm me formimin e Shkrimit të Shenjtë, por vepron edhe tek ata që vihen në dëgjim të Fjalës së Hyjit. Është i rëndësishëm pohimi i Etërve konciliar sipas të cilit Shkrimi i Shenjtë duhet të «lexohet dhe të interpretohet në dritën e të njëjtit Shpirt me të cilin është shkruar» (Dei Verbum, 12). Me Jezu Krishtin, zbulimi i Hyjit arrin përmbushjen dhe plotësinë e tij; megjithatë Shpirti Shenjt vazhdon veprimin e vet. Në të vërtetë, do të ishte reduktuese ta kufizosh veprimin e Shpirtit Shenjt vetëm në natyrën, hyjnisht frymëzuese, të Shkrimit të Shenjtë dhe të autorëve të ndryshëm të tij. Është e nevojshme, pra, që të kemi besim në veprimin e Shpirtit Shenjt, i cili vazhdon të realizojë një formë të veçantë frymëzimi të tij kur Kisha mëson mbi Shkrimin e Shenjtë, kur Magjisteri e interpreton në mënyrë autentike (khs. ibid., 10) dhe kur çdo besimtar e bën atë normë të veten shpirtërore. Në këtë vështrim, ne mund t’i kuptojmë fjalët e Jezusit kur, dishepujve që pohojnë se e kanë marrë kuptimin e shëmbëlltyrave të tij, u thotë: «Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra» (Mt 13,52).

11. Dei Verbum, në fund, saktëson se «fjalët e Hyjit të shprehura në gjuhë njerëzore, u bënë të ngjashme me të folurën e njeriut, ashtu si tashmë Fjala e Atit të amshueshëm, duke marrë dobësitë e natyrës njerëzore, u bë e ngjashme me njeriun» ( 13). Është, si të thuash, që Mishërimi i Fjalës së Hyjit i jep formë dhe kuptim marrëdhënies mes Fjalës së Hyjit dhe gjuhës njerëzore, me kushtet e saj historike dhe kulturore. Është në këtë ngjarje të shënuar që merr formë Tradita e cila, edhe ajo gjithashtu, është Fjalë e Hyjit (khs. ibid., 9). Shpesh ne rrezikojmë që t’i ndajmë mes tyre Shkrimin e Shenjtë dhe Traditën, pa e kuptuar se ata, së bashku, janë i njëjti burim i Zbulimit. Karakteri i shkruar i të parit nuk i heq asgjë të qenurit të tij plotësisht fjalë e gjallë; ashtu si Tradita e gjallë e Kishës, e cila e bartë atë pa ndërprerje ndër shekuj, brez pas brezi, e mban atë libër të shenjtë si «rregulli më i lartë i fesë» (ibid., 21). Për më tepër, përpara se të bëhej një tekst i shkruar, Shkrimi i Shenjtë u bartë me gojë dhe u mbajt i gjallë nga besimi i një populli që e njihte atë si historinë e vet dhe parimin e identitetit të tij në mesin e shumë popujve të tjerë. Besimi biblik, pra, bazohet në Fjalën e gjallë, jo në një libër.

12. Kur Shkrimi i Shenjtë lexohet në të njëjtin Shpirt me të cilin është shkruar, ai mbetet gjithnjë i ri. Besëlidhja e Vjetër nuk është kurrë e vjetër njëherë pasi është pjesë e së Re-së, sepse gjithçka shndërrohet nga i njëjti Shpirt që e frymëzon. I gjithë teksti i shenjtë ka një funksion profetik: ai nuk ka të bëjë me të ardhmen, por me të tashmen e atyre që ushqehen nga kjo Fjalë. Vetë Jezusi e pohon qartë këtë, në fillim të shërbesës së tij: «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj» (Lk 4,21). Kushdo që ushqehet me Fjalën e Hyjit çdo ditë, bëhet, si Jezusi, një bashkëkohës i njerëzve që takon; ai nuk tundohet që të bjerë në nostalgji sterile për të kaluarën, e as në utopi të paturp të drejt së ardhmes.

Shkrimi i Shenjtë e kryen veprimin e tij profetik, para së gjithash, kundrejt atij që e dëgjon atë. Ai ngjall ëmbëlsi dhe hidhërim. Na vijnë ndër mend fjalët e Ezekielit kur, i ftuar prej Zotit për të ngrënë rrotullën e librit, ai rrëfehet: «për gojën time qe i ëmbël si mjalti» (3,3). Edhe Gjoni ungjilltar, në ishullin Patmos, rijeton të njëjtën përvojë si Ezekieli duke ngrënë librin, por shton diçka më specifike: «në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m’u hidhërua barku» (Zb 10,10).

Ëmbëlsia e Fjalës së Hyjit na nxit që ta ndajmë atë me ata që takojmë në jetën tonë, për të shprehur sigurinë e shpresës që ajo përmban (khs. 1Pjt 3,15-16). Hidhësia, nga ana tjetër, shpesh, vjen sakaq që e vërtetojmë se sa e vështirë është për ne kur duhet ta jetojmë atë në mënyrë koherente, ose kur e përjetojmë nga afër refuzimin e saj ngaqë nuk çmohet e vlefshme për t’i dhënë kuptim jetës. Prandaj është e nevojshme që kurrë të mos ngopemi me Fjalën e Hyjit, por të ushqehemi me të në mënyrë që ta zbulojmë dhe ta jetojmë në thellësi marrëdhënien tonë me Hyjin dhe vëllezërit tanë.

13. Një provokim i mëtejshëm që vjen nga Shkrimi i Shenjtë është ai që ka të bëjë me bamirësinë. Fjala e Hyjit na thërret pa pushim në dashurinë e mëshirshme të Atit që u kërkon bijve/ave të tij të jetojnë në bamirësi. Jeta e Jezusit është shprehja e plotë dhe e përsosur e kësaj dashurie hyjnore që nuk mban asgjë për vete, por ua ofron të gjithëve vetveten pa u kursyer. Në shëmbëlltyrën e Lazrit skmanor gjejmë një tregues të çmueshëm. Kur Lazri dhe i pasuri vdesin, ky i fundit, duke e parë skamnorin në prehrin e Abrahamit, kërkon që ai të dërgohet tek vëllezërit e tij, në mënyrë që t’i qortojë ata ashtu që ta jetojnë dashurinë ndaj të afërmit, për të shmangur që edhe ata të vuajnë të njëjtat mundime. Përgjigja e Abrahamit është therëse: «Kanë Moisiun e profetët, le t’i dëgjojnë ata» (Lk 16,29). Të dëgjojmë Shkrimet e Shenjta për të praktikuar mëshirën: kjo është një sfidë e madhe që gjendet përballë jetës sonë. Fjala e Hyjit është në gjendje që të hapë sytë tanë për të na e bërë të mundur që të dalim nga individualizmi që çon në asfiksi dhe sterilitet, ndërsa hap rrugën e bashkëndarjes dhe solidaritetit.

14. Një nga episodet më domethënëse të marrëdhënies mes Jezusit dhe dishepujve është tregimi i Shndërrimit. Jezusi ngjitet në mal për t’u lutur me Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Ungjilltarët kujtojnë se, ndërsa fytyra dhe rrobat e Jezusit shndritnin, dy burra bisedonin me Të: Moisiu dhe Elia, të cilët personifikojnë respektivisht Ligjin dhe Profetët, domethënë Shkrimet e Shenjta. Reagimi i Pjetrit ndaj kësaj pamjeje është përplot me mahnitje të gëzueshme: «Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë» (Lk 9,33). Në atë moment një re i mbulon me hijen e vet dhe dishepujt i zë frika.

Shndërrimi na sjellë ndër mend festën e tëbanave, kur, pas kthimit nga mërgimi, Esdra dhe Nehemia ia lexonin popullit tekstin e shenjtë. Në të njëjtën kohë, ajo hershon lavdinë e Jezusit në përgatitje të shkandullin të mundimit, lavdi hyjnore që thirret edhe nga reja që i mbështjellë dishepujt, një simbol ky i pranisë së Zotit. Ky Shndërrim është i ngjashëm me atë të Shkrimit të Shenjtë, i cili e përtejëson veten kur ushqen jetën e besimtarëve. Siç kujton Verbum Domini: «Në rifitimin e artikulimit mes kuptimeve të ndryshme të Shkrimit, bëhet vendimtare, atëherë, kalimi nga shkronja tek shpirti. Nuk bëhet fjalë për një kalim automatik dhe të vetvetishëm; nevojitet një përtejësim i shkronjës» (n. 38).

15. Në ecjen në pranim të Fjalës së Hyjit, na shoqëron Nëna e Zotit, e njohur si e lume sepse ka besuar në përmbushjen e asaj që Zoti i kishte thënë (khs. Lk 1,45). Lumnia e Marisë i paraprin të gjitha lumnive të thëna nga Jezusi për skamnorët, për ata që qajnë, për të butët, për pajtuesit e për ata që salvohen, sepse është kushti i domosdoshëm për çfarëdolloj lumnie tjetër. Asnjë skamnor nuk është i lum për faktin se është i varfër; ai bëhet i tillë nëse, ashtu si Maria, beson në përmbushjen e Fjalës së Hyjit. Na e kujton këtë një dishepull i madh dhe mjeshtër i Shkrimit të Shenjtë, Shën Augustini: «Dikush në mes të turmës e çoi zërin e i tha: “Lum kraharori që të mbarti!” E ai: “Madje, të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e ruajnë!”. Si të thuash: edhe nëna ime, të cilën ju e quani të lume, është e lume pikërisht sepse ajo e ruan fjalën e Hyjit, jo sepse në të Fjala u bë mish dhe jetoi mes nesh, por sepse ruan vetë Fjalën e Hyjit përmes të cilës u bë dhe që në të u bë mish» (Sul Vang. i Gjn., 10, 3).

E diela kushtuar Fjalës e rrittë në popullin e Hyjit familjaritetin fetar dhe të vazhdueshëm me Shkrimet e Shenjta, ashtu siç mësonte autori i shenjtë që në kohërat e lashta: «Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!» (Lp 30,14).

Dhënë në Romë, pranë Shën Gjonit në Laterano, 30 shtator 2019

Përkujtimi liturgjik i Shën Jeronimit në fillim të 1600-vjetorit të vdekjes

 

FRANÇESKU

 

 

—————————

[1] Khs. AAS 102 (2010), 692-787.

[2] «Sakramentaliteti i Fjalës mund të kuptohet, kështu, në analogji me praninë reale të Krishtit nën dukjen e bukës e të verës së shuguruar. Duke iu afruar altarit dhe duke marrë pjesë në tryezën eukaristike, ne kungohemi realisht me trupin e gjakun e Krishtit. Shpallja e fjalës së Hyjit në kremtim, bën që ta njohim se është vetë Krishti ai që është i pranishëm dhe që na drejtohet ne për të qenë i pranuar» (Verbum Domini, 56).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »