“Çka duhet të bëj, o Zot”?

Jan 25 • Meditimi i ditës

25 janar 2020 – E shtunë, Kthimi i Shën Palit (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 22, 3-16 ose Vap 9, 1-22; Ps 116; Mk 16, 15-18)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

I kërkoj Zotit të m`i hap sytë të shoh atë që ai dëshiron që unë të shoh.

E lus Zotin që të hedh dritën e tij në jetën time.

 

Fjala

Leximet e kësaj jave nga Ungjilli i Markut kanë treguar historinë e fillimit të shërbimit të Jezusit. Kemi dëgjuar për mrekullitë e tij fillestare të cilat ishin kaq të mrekullueshme, që një numër i madh njerëzish e ndiqnin. Nga këta ndjekës ai zgjodhi dymbëdhjetë dishepujt, që të ishin dymbëdhjetë shtyllat themeluese të shërbimit të tij. Sigurisht, historia nuk mbaron këtu dhe përmes ungjijve dishepujt, nxënësit shpesh nuk kanë njohuri dhe mençuri, gjë që i shtyn ata të marrin vendime të tmerrshme – sikurse ishte Juda kur e tradhtojë Jezusin, dhe Pjetri kur e mohoi Jezusin. Por Pjetri dhe të tjerët përfundimisht pajtohen me Jezusin e Ngjallur. Konvertimi i zelltarit antikristian, Saulit, në apostull të Krishtit, Pali, është i ngjashëm në këtë drejtim. Historia në leximin e kësaj fundjave nga Veprat e Apostujve, është vetëm një fillim: Saulit iu desh ca kohë që të bëhej Pal dhe ca kohë të fillonte të kuptonte se thirrja e tij për të predikuar – te hebrenjtë dhe te johebrenjtë, paganët – fuqinë shpëtuese të Jezusit, Birit të Hyjit, ishte diçka që ishte një udhëtim i tërë jetës për të. Pali thotë në Letrën e tij drejtuar Kishës në Galaci, “Zoti më zgjodhi para se të lindja dhe më thirri me anë të hirit të tij … Tre vjet pas (shndërrimi i Rrugës së Damaskut), unë u ngjita në Jerusalem”. Përgatitja për këtë moment të kthimit të tij ishte gjithë jeta e tij. Kjo festë është festuar në Kishë që nga shekulli i gjashtë, por u bë universale në shekullin e XII. Leximi i sotëm është nga Veprat e Apostujve. Dëgjoje me mend e zemër. Vë re fjalinë apo ngjarjen që të lë përshtypje.

 

Vap 22,6-10

 

6 “Ndërsa po udhëtoja dhe po i afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe, 7 unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’ 8 Unë u përgjigja: ‘Kush je, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon!’ 9 Ata që ishin me mua, dritën njëmend e panë, por zërin e atij që fliste me mua nuk e dëgjuan. 10 Atëherë thashë: ‘Çka duhet të bëj, o Zot?’ E Zoti më tha: ‘Çohu e shko në Damask e atje do të të thuhet çka duhet të bësh. 11 Pasi prej shkëlqimit të asaj drite më nuk shihja, shoqëruesit e mi më morën për dore e arrita në Damask.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo është një histori e shkëlqyeshme – Zoti ndërhyn në mënyrë dramatike në jetën e Saulit. Dhe po aq e jashtëzakonshme është përgjigjja e menjëhershme e Saulit: “Çka duhet të bëj, o Zot?” Ndoshta kjo dritë verbuese ishte e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e Saulit. Dhe Sauli përgjigjet thjesht, por me gjithë zemër. Si të bën të ndihesh?
  • A ka pasur raste në jetën tënde kur ke pyetur “Çka duhet të bëj, o Zot”? A ka ndonjë dëshirë tek ti t’i përgjigjesh Zotit me gjithë zemër si Sauli?
  • Dëgjoje sesi historia vazhdon dhe reflekto se si i përgjigjesh ti ftesës së Zotit.

 

Bashkëbisedimi

Saulit, të quajtur tani Pali, i kërkohet të dëshmojë ato që ka parë dhe dëgjuar. Merr pak çaste për të biseduar me Jezusin se si dëshiron të dëshmosh atë që di për të – pa marrë para sysh formën që merr përgjigjja jote në jetën tënde.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Në rrugën për Damask Pali e dëgjon zërin që i thotë: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’ E kur ka pyetur: ‘Kush je, o Zot?’ e dëgjon përgjigjen: ‘Unë jam Jezusi, të cilin ti e salvon!’ Dhe interesant Pali përjeton kthimin momental.

Edhe unë e salvoj Jezusin kur i nguc, ngacmoj të tjerët apo jam i/e keq ndaj tyre, marr nëpër gojë apo përhapi fjalë të këqija dhe të rrejshme për të tjerët.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »