Me Jezusin plotësohen profecitë dhe fillon Mbretëria e Hyjit

E diela III gjatë vitit (A) – E diela e Fjalës së Zotit

 

 

Leximi i parë   Is 8, 23- 9, 3

Profeti Isaia u shpall hebrenjve të poshtëruar dhe të shtypur fundin e pushtimit të huaj dhe fillimin e çlirimit. Kjo profeci shpallet sot duke iu referuar Ungjillit që do të dëgjojmë. Jezusi është “Drita e madhe” që shfaqet mes njerëzve të Galilesë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Në kohën e kaluar Zoti e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftalit, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përngjat detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  27

 

Ref: Zoti është drita ime dhe shëlbimi im

———————————–

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,

kë do të kem frikë?

Zoti më fsheh në tendën e vet

në ditë të vështirë.

———————————-

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,

vetëm atë ia kërkoj:

që të jetoj në Shtëpinë e Zotit

të gjitha ditët e jetës sime,

që ta shijoj kënaqësinë e Zotit

e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

———————————

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit

në tokën e të gjallëve.

Shpeso në Zotin: bëhu burrë!

Ji zemërfortë e prite Zotin!

———————————

 

Leximi i dytë    1 Kor 1, 10-13.17

Shën Pali qorton të krishterët e Korintit për të keqen e rëndë nga e cila është e goditur bashkësia: Shpirti i ndarjes që vë njërin kundër tjetrit. Ky mëkat kërcënon akoma sot çdo bashkësi të krishterë. Nuk është i krishteri që mbizotëron Fjalën e Ungjillit, por është Krishti dhe fjala e Tij që kanë fuqi mbi jetën e të krishterëve.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e mos të ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje. Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: “Unë jam i Palit!” “Unë i Apollit!” “Unë i Kefës!” “Unë jam i Krishtit!”. Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja!

Jezus predikonte Ungjillin e Mbretërisë, dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Aleluja!

 

 

Ungjilli    Mt 4, 12-23

Ungjilltari Mateu fillon tregimin e shërbimit publik të Zotit Jezus duke kujtuar profecinë e Isaisë të dëgjuar pak më parë, sipas së cilës një dritë e madhe duhej të shkëlqente një ditë në Galile. Jezusi thërret katër dishepujt e tij të parë dhe i fton të gjithë të kthehen me zemër të re dhe të pastër.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E lëshoi Nazaretin e shkoi e u vendos me banim në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja paganë, populli që gjendej në errësirë pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita”. Qysh atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!” Ndërsa Jezusi po ecte përngjatë Detit të Galilesë, pa dy vëllezër: Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat, dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babën e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Në jetën tonë, takojmë shpesh errësira, pengesa, dështime, që na shtypin. Kërkojmë dritën që nuk mund ta sigurojmë me forcat tona. Kush do na e japë dritën?

“Populli që gjendej në errësirë pa një dritë të madhe”. Jezusi fillon shërbimin e vet në Galile, toka e banuar nga shumë paganë. Ku arrin Jezusi arrin drita e jeta për të gjithë, edhe për paganët.

“Jezusi filloi të predikojë: Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!”. Jezusi u drejton njerëzve që takon një apel (‘kthehuni’) e një lajm (‘Mbretëria e Hyjit është afër’). Kthehuni, domethënë t’i drejtojmë Hyjit fytyrën dhe zemrën, duke e dëgjuar me kujdes e me besim. Mbretëria e Hyjit tregon Hyjin vetë, Zot e Mbret i popullit të tij, që u afrohet njerëzve, për të zhdukur çdo situatë padrejtësie e dhimbje-je.

“Ndërsa Jezusi po ecte përngjat Detit të Galilesë, pa dy vëllezër. … E u tha: ‘Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!’. Thirrja nga ana e Jezusit është hir, është dhuratë. Vendimi i njeriut është vetëm përgjigja. Një përgjigje e tillë shpreh besimin e dishepullit, që i besohet krejtësisht atij që e thërret. Ata nuk do të zënë më shumë peshk duke i vrarë, por njerëz duke i shpëtuar nga vdekja. Jezusi duke thirrur dishepujt i bashkon me vetveten e në të njëjtën kohë i përfshin në një bashkësi, ku Ai është boshti dhe qendra. Nuk i shkëput nga njerëzit e tjerë, por do që bashkimi me Të e mes tyre të shpërndahet në mision: është realiteti i Kishës!

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë lutjen e përbashkët Atit qiellor, që ka dërguar Birin e tij në botë për të ndërtuar bashkimin e familjes njerëzore dhe për të mbledhur bijtë e Hyjit të shpërndarë.

L. Të themi së bashku:  Mblidhi bijtë e tu, o Atë.

L. Për Ipeshkvijtë, pasardhësit e Apo-stujve, që të shpallin të palodhur Ungjillin dhe të marrin një përgjigje besimi të fortë dashurie bujare nga besimtarët. Të lutemi.

L. Për të gjithë ata që vuajnë persekutimin për shkak të besimit: që të jenë të mbështetur nga lutja jonë dhe nga dashuria e krishterë për atë që nuk njeh Hyjin tonë. Të lutemi.

L. Për bashkësitë tona famullitare që të jenë prani e gjallë e Kishës mes shtëpive të njerëzve. Të lutemi.

L. Për ne këtu të pranishëm: që nga Eukaristia në të cilën kemi marrë pjesë të marrim më shumë fuqi për t’u kthyer te Hyji me zemër të re dhe të pastër, duke qenë të gatshëm ndaj vullnetit të tij. Të lutemi.

M. O Hyj, Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, dëgjoji lutjet tona për bashkimin e të krishterëve dhe na jep Shpirtin e dashurisë e të paqes, që të gjithë bijtë e tu të jenë të njëzëshëm në rrëfimin e besimit dhe të bashkuar në lavdërimin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: