“Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

Jan 28 • Meditimi i ditës

28 janar 2020 – E martë, Shën Tomë Akuini, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 2 Sam 6, 12b-15.17-19; Ps 24, 7-10; Mk 3, 31-35)

 

Prania e Hyjit

Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.

Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,

e gjej paqen dhe pushimin.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 3, 31-35

 

31 Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikë ta thërrasë. 32 E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.”

33 Ai u përgjigj:

“Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?”

34 Dhe, si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin përreth tij, tha:

“Ja nëna ime e vëllezërit e mi! 35 Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime e nëna!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pse mendon se “nëna dhe vëllezërit e Jezusit” e dërguan dikë ta thërrasë? Pse po përpiqeshin të flisnin me të?
  • Shikoje përgjigjen e Jezusit. Imagjinoje që je një nga njerëzit e turmës. Si duket, si ndihesh?
  • Tani imagjinoje që ti je nëna e Jezusit, ose një nga vëllezërit e tij? Si ndihesh tani?
  • Dëgjoje përsëri paragrafin biblik. A ka ndonjë frazë në tekst që e shpreh gjithë atë që dëshiron të thuash? Cila është ajo frazë?

 

Bashkëbisedimi

Në përmbyllje, bashkoji të gjitha mendimet dhe ndjenjat që ky fragment biblik ka ngjallur në ty, dhe bëji ato një lutje dhe drejtoja atë lutje Zotit, Atit tënd Qiellor.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Thelbi i krishterimit është zgjerimi i marrëdhënieve tona – besimit, bashkë-ndjesisë, përkushtimit, besnikërisë, mirësisë, mëshirës, dispozicionit, inkurajimit, mbështetjes, forcës, mbrojtjes – të gjitha këto cilësi i lidhin njerëzit së bashku në dashuri dhe unitet reciprok.

O Zot i dashur, faleminderit për dhuratën e prindërve dhe dashurinë e tyre sakrifikuese. Faleminderit për nënën e Jezusit, që është edhe nëna ime. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »