Qetësi aktive

Jan 31 • Meditimi i ditës

31 janar 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Sam 11, 1-4a. 5-10a. 13-17; Ps 50; Mk 4, 26-34)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde.

Dëshiroj të të dua sikurse ti më do mua.

Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Liria

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i vetëdijshëm dhe mirënjohës

Për të gjitha bamirësit që mi ke dhuruar.

Gjithmonë ta ndajë këtë bekim me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mbështetje, uzdajë, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 4, 26-34

 

26 Dhe /Jezusi/ vazhdoi:

“Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e hedh farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet ‑ pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.”

30 Dhe thoshte:

“Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur hidhet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.”

33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

 

Çka po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Në këtë paragraf, Jezusi i tregon dy histori për diçka që quhet «Mbretëria e Hyjit». Çka mendon se është kjo “Mbretëria e Hyjit”?

Të dy tregimet flasin për procesin mahnitës të rritjes – diçka që ishte ndoshta më e njohur për Jezusin dhe audiencën e tij sesa për ne. Çka mendon, cili është kuptimi i këtyre dy historive?

Pse mendon se Jezusi i mësonte turmat me shëmbëlltyra, kurse “nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha”?

Tani dëgjoje përsëri paragrafin. Pyete veten, “A po më sfidon Jezusi të bëj diçka këtu? Çfarë dëshiron ai që unë të bëj? A jam i gatshëm ta bëj atë gjë?”

 

Bashkëbisedim

Sa herë që mendojmë për një “mrekulli” ajo që të vjen në mend është diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo “mrekulli” mund të jetë edhe fakti që nga një farë e vogël rritet një filiz i madh. Dora e fshehur e Zotit drejton gjithçka.

Jeta ime është “projekt” i Zotit. Unë duhet t’ia jap Zotit lirinë që të punojë në mua. Atëherë do të jem “vepër arti” e Zotit.

Në përmbyllje përmblidhe gjithçka që ke ndier dhe menduar në minutat e fundit, dhe paraqitja si lutje Zotit Atë, Jezusit, ose Shpirtit Shenjt.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Mbretëria e Hyjit, sundimi i Hyjit në zemrat e njerëzve vjen atëherë kur njerëzit përnjëmend e dëgjojnë Jezusin. Fillimet e mbretërisë mund të jenë jo spektakulare, mirëpo Hyji do të mbretërojë në zemrat e njerëzve në një kohë të shpejtë. Për këtë arsye nuk ka nevojë që ithtarët e Jezusit të jenë të padurueshëm apo të demoralizuar.

O Zot, shpesh jam i/e demoralizuar, i/e ligështuar kur shikoj të keqen dhe padrejtësinë në botë. Lus për durim dhe shpresë. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »