A ia tregoj Zotit shqetësimet e mia më të thella?
4 shkurt 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 2Sam 18, 9-10.14b.24-25a.30-32 – 19, 3; Ps 86, 1-6; Mk 5, 21-43)
Prania e Hyjit
Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.
Liria
Kur e ndjej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,
madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,
edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.
Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.
Fjala e Zotit
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Mk 5, 21-43
21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të.
I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë.
25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” 29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.
30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha:
“Kush m’i preku petkat?”
31 Nxënësit e tij iu përgjigjën:
“Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“
32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.
33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”
35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!” 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.
40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.
Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Duke marrë guximin dhe nismën, gruaja i theu barrierat fizike, shoqërore dhe religjioze dhe e përjetoi fuqinë e prekjes shëruese të Jezusit. Vuajtja njerëzore e zgjon dhembshurinë e Jezusit. Do të lus që të kem besim si kjo grua – duke besuar se Jezusi do të më ndihmojë, se do të më afrohet me butësi në momente kur kam nevojë.
- Jezusi nuk dëshiron që unë vetëm të shërohem. Ai dëshiron që të jetë i/e lidhur me mua, që unë të jetoj në paqe.
- Duke e medituar këtë skenë a mund të rrezikojë që Zoti të m`i zbulojë shqetësimet/problemet më të thella të vetes sime dhe të tjerëve? A mund të kem besim që ai do të intervenojë dhe veprojë?
Bashkëbisedimi
O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.
Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.
I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.
Po lëshohem në duart e tua.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Sytë e mi e panë Shëlbimin…! Të rinjtë në rrugën e pjekurisë: 3. Identiteti »