Dhembshuri për të pambrojturit, të pafajshmit, naivët

Feb 7 • Meditimi i ditës

7 shkurt 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Sir 47, 2-13; Ps 18, 31.47.50-51; Mk 6, 14-29)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si kaloi dita e fundit?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala

Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 6, 14-29

 

14 Edhe mbreti Herod dëgjoi për Jezusin, sepse emri i tij u bë i njohur. Thuhej: “Gjon Pagëzuesi u ngjall prej të vdekurish, prandaj në të po veprojnë fuqitë mrekullibërëse”. 15 Disa të tjerë thoshin: “Është Elia!” Prapë disa tjerë: “Është profet si çdo profet tjetër!” 16 Kur dëgjoi, Herodi tha: “U ngjall Gjoni, ai, të cilit ia pata shkurtuar kokën!”

17 Dhe njëmend, vetë Herodi kishte dhënë urdhër të kapej Gjoni, të ngujohej në pranga e të burgosej. Shkaku ishte Herodiada, gruaja e Filipit, të vëllait të tij, të cilën e kishte marrë për grua. 18 E pasi Gjoni i kishte thënë Herodit: “S’guxon ta mbash gruan e vëllait tënd!”, 19 Herodiada e urrente dhe donte ta vriste, por nuk mundte, 20 sepse Herodi e druante Gjonin. E dinte mirë se është njeri i drejtë e i shenjtë e prandaj edhe e mbronte. Kur e dëgjonte, trazohej fort në shpirt, por prapëseprapë e dëgjonte me ëndje.

21 Por erdhi dita e volitshme, kur Herodi, me rastin e ditëlindjes së vet, u përgatiti një gosti bujarëve të vet, oficerëve të lartë dhe krerëve të Galilesë. 22 Hyri vajza e Herodiadës e kërceu. I pëlqeu shumë Herodit dhe të ftuarve. Atëherë mbreti i tha vajzës.

“Lyp prej meje çka të duash dhe unë do ta jap.”

23 Dhe iu përbetua (shumë):

“Do të jap gjithçka të më lypësh, qoftë edhe gjysmën e mbretërisë sime!”

24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës:

“Çka të kërkoj?

“Kokën e Gjon Pagëzuesit!” ‑ i tha ajo.

25 Vajza u kthye vrik te mbreti e i tha:

“Dua të ma japësh tani në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit.”

26 Mbreti u trishtua, por për shkak të premtimit dhënë me përbetim e për shkak të të ftuarve, nuk deshi t’ia mohojë kërkesën. 27 Mbreti menjëherë dërgoi një vrasës dhe urdhëroi t’ia sjellë kokën e Gjonit. Ky shkoi, ia shkurtoi kokën në burg, 28 e solli në pjatë, ia dha vajzës, kjo ia dha s’ëmës.

29 Kur dëgjuan nxënësit e Gjonit, erdhën, morën trupin e tij dhe e shtinë në dhe.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Herodi dha një premtim të çmendur, mburrja e tij nuk e lejoi ta revokojë atë. O Zot, drejtoji qëllimet e mia dhe udhëzomi fjalët që të jap nder e lavd
  • Si mundet kjo ngjarje fatkeqe të më ndihmojë në lutje? Ndoshta do të mund të më kujtohen të pambrojturit, të pafajshmit, naivët – të gjithë ata që janë të abuzuar, të shpërdoruar për arritjen e qëllimeve të njerëzve të tjerë. Lus që të kem dhembshuri për ta.

 

Bashkëbisedimi

Ç`ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »