Shkupi hap Departamentin për studimin e figurës së Shën Nënë Terezës

Feb 8 • Kulturë

Më 7 shkurt 2020, në Shkup, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka hapur departamentin e ri për studimin dhe hulumtimin e jetës dhe veprës së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës. Në prani të personaliteteve të shumta të kulturës, ministra dhe ambasadorë, Drejtori i ITShKSh-së, Dr. Skender Asani, tha se ne “në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, këtu në Shkupin tonë të lashtë, po e hapim Departamentin për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figurës së Nënës Terezës.”

 

Drejtori i Institutit z. Skender Asani, në fjalimin tij inaugural theksioi rëndësinë e këtij departamenti: “Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, po e hedh edhe një hap të rëndësishëm në thellimin e veprimtarisë shkencore, duke e vendosur figurën e Nënës Tereze në qendër të kësaj veprimtarie.

Për Nënën Tereze janë shkruar libra, janë bërë filma dhe janë zhvilluar mijëra veprimtari që lartësojnë figurën e saj, mirëpo kjo që po bëjmë ne sot mund të konsiderohet ndërmarrja më kuptimplote, jo pse për herë të parë në botë po themelohet një departament që merret ekskluzivisht me emrin dhe veprën e saj, por edhe për faktin se tash e tutje studimi dhe hulumtimi i rinisë, i përkatësisë fetare dhe familjare si dhe impakti në botë i kësaj figure kolosale do të bëhet me një përkushtim të vaçant shkencor nga ana e një institucioni, siç është ITSHKSH, që si pikë referimi ka vlerat e civilizimit Perendimor dhe bashkëjetesën me kulturat dhe traditat tjera.
Rëndësia që ka Nënë Tereza në përhapjen e vlerave sublime humane e shpirtërore, ka qenë frymëzim I pashtershëm për miliona njerëz, sidomos për ata që kanë pasur nevojë për ngrohtësinë e dorës së zgjatur që gjendet kur të tjerët të harrojnë. Nënë Tereza mbetet simbol shembullor i dorës që mbeti vazhdimisht e zgjatur drejt kauzave që ajo i ndërtoi jo duke vendosur me çdo kusht vetveten në qendër të vëmendjes, por duke e orientuar vëmendjen e krejt botës nga skutat më të padukshme të vuajtjeve njerëzore. Departamentin për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figurës së Nënës Tereze, që po e promovojmë sot, ka si pikësynim pikërisht zbërthimin e komleksitetit të kësaj figure, duke i ofruar mbarë shoqërisë modelin e mire të trajtimit të gjithë atyre që janë në anën e drejt të kauzave humane globale.

Rruga që lidh Gonxhe Bojaxhiun me Nënë Terezën kalon nëpër kalldrëmet e Shkupit, por edhe nëpër kvartet plot vuajtje të Kalkutës, kurse e përbashkëta e kësaj rruge është dimensioni hyjnor i një përkushtimi që vlera e njeriut tejkalon dimensionin e përkatësisë kombëtare e fetare. Nënë Tereza ishte shqiptare, por modeli i kauzave shpirtërore që ajo përhapi në botë na mësoi të tejkalojmë muret e egove tona nacionale, fetare e racore.

Ndjehem tepër krenar që i takoj një gjenerate që po zhvillohet në frymën e mësimeve dhe porosive të Nënë Terezës, kurse si drejtues i këtij institucioni tash e tutje po e shumëzoj përgjegjësinë time me një obligim edhe më të madh që bota shkencore do ta ketë pikë referimi Departamentin tonë për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figurës së Nënës Tereze, me të gjitha resurset e nevojshme shkencore e njerëzore.

Do të jemi bashkëpunues me të gjitha ato qendra hulumtuese, arkiva e muze dhe me të gjithë ata punonjës shkencor që në foksin e tyre studimor do ta kenë emrin dhe veprën e lavdishme të Nënë Terezës, duke i dhënë kështu një shtytje edhe më të madhe objektivit madhor për të cilin edhe do të ekzistojmë tash e në të ardhmen.”- ishin fjalët e drejtorit Skender Asani.

Ndërsa biografi i Nënë Terezës Don Lush Gjergji theksoi se “Themelimi i Departamentin për Studimin, Hulumtimin dhe Edukimin e figurës së Nënës Terezës, në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për mendimin tim është një vepër shumë e rëndësishme jo vetëm për ne si shqiptarë por për të gjithë Maqedoninë e Veriut, sepse figurat e tilla i japin njeriut dhe njerëzimit dimensione të reja të vlerave dhe virtyteve pa të cilat jeta nuk ka kurrfarë kuptimi dhe domethënie”.

I pranishëm ishte edhe Anton Sereçi, shkupjani veprimtar, i cili përkujtoi ish ideatorin e këtij Instituti, Arben Xhaferi, që sipas tij, u kujtua që atëherë se të gjitha punët duhet t’i kryejmë përmes institucioneve. “Sot ne të gjithë jemi krenar që mund të flasim për Nënën Tereze, në mënyrë institucionale”, përfundoi Sereqi./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »