Çfarë lloj drite jam?

Feb 9 • Meditimi i ditës

9 shkurt 2020 – E diela 5-të gjatë vitit (A), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 58,7-10; Ps 112,4-8a.9; 1Kor 2,1-5; Mt 5,13-16)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim të gjakuar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund t`ia kujtoj vetes kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të më përqafoj dashuria e Hyjit?

 

Liria

Lus për hirin e besimit

në gjithçka që do të mund të isha dhe të bëja

vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që gjithçka krijon nga dashuria,

që të vazhdojë të më krijojë, udhëheq dhe formojë.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të njoh në të tjerët.

Mbushe zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate

të cilën ma ke treguar nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë

dhe ia vë mendjen fjalisë apo shprehjes që më flet diçka.

 

Mt 5, 13-16

 

13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Njerëzit zakonisht nuk e lëvdojnë ushqimin kur ka kripë, kurse shumë vetë do ta dëshironin kur u mungon Si i kontribuoj unë botës me diçka të rëndësishme – me diçka që mua s`ma tërheq vëmendjen, por që është e nevojshme?
  • Ne shpesh mendojmë se llamba është diçka dekorative, që përmirëson hapësirat ku jetojmë. Jezusi flet për dritën më shumë si diçka që zbulon jetën dhe të vërtetën. Do të bashkëbisedoj me Zotin në lidhje me llojin e dritës që jam unë, dhe ta dëgjoj se çfarë lloji drite Zoti dëshiron që unë të jem.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »