Të krishterët janë kripa e tokës dhe drita e botës

Feb 9 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela V gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë  Is 58, 7-10

Profeti Isaia duke kritikuar një besim plot me formalitete, shpjegon se cilat janë veprimet fetare që i pëlqejnë Hyjit. Vetëm në këtë mënyrë lavdia e Zotit do të banojë në atë që beson, dhe ai që beson do të jetë si drita në errësirë.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “Ndaje bukën tënde me të uriturin, pranojë në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: ‘Këtu jam!’ Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi 112

 

Ref: I drejti shkëlqen porsi dritë

————————————-

Lum ai njeri që e druan Zotin,

ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë.

I ëmbël është njeriu që përdëllen

e huajon, punët e veta i kryen me ndërgjegje.

————————————-

Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë,

nuk i trembet lajmit të keq.

E patrandshme është zemra e tij

me shpresë në Zotin.

————————————-

Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet,

është dorëdhënë, u fal skamnorëve;

drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,

balli i tij ngallit për nder.

————————————-

 

Leximi i dytë 1 Kor 2, 1-5

Predikimi i Shën Palit paraqitet me të gjithë dobësinë e tij: Ai shpall Krishtin e kryqëzuar. Nuk ka qenë Pali që e ka zgjedhur këtë lloj shpallje, por ka qenë Hyji që i ka kërkuar këtë predikim që nuk është fryt i shkencës së kësaj bote. Udha e Kryqit është e vështirë. Megjithatë në dobësinë e tij ka vepruar Shpirti Shenjt që i jep guxim atij që beson, që edhe pse i kryqëzuar, të besojë në fuqinë e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit – dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin fjalime të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Unë jam drita e botës, thotë Zoti: kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës

Aleluja.

 

Ungjilli   Mt 5, 13-16

Jezusi na drejton këto fjalë: “Ju jeni kripa e tokës dhe drita e botës”.  Besimtari është dritë, sepse ecën në lavdinë e Zotit të vet. I krishteri është drita e botës, sepse ndjek Krishtin, dritën e botës dhe vepron si Krishti për lavdinë e Atit. I krishteri është edhe kripë e tokës. Kripa është simboli i asaj që pastron dhe jep shije dhe është shenjë e besëlidhjes. I krishteri shfaqet në botë si ai që i jep kuptim botës dhe si shenjë e besëlidhjes mes njerëzve dhe Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në maje të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Jeta e besimtarit të vërtetë është reklama më e mirë që flet për Hyjin. Të qenët jonë dishepuj të Krishtit nuk mund të jetë i fshehur por i dukshëm. “Ju jeni kripa e tokës”. Jezusi u drejtohet dishepujve të tij duke përdorur tre imazhe, për të përshkruar karakteristikat e atyre që duan ta ndjekin. E para është kripa, që përdoret për t’u dhënë shije ushqimeve, për t’i ruajtur e për të pastruar objektet; dhe është edhe simbol i diturisë.

Bashkësia e krishterë është kripë kur ka shijen e lumturive, përderisa ungjilli i jep kuptim ekzistencës njerëzore. Ashtu si kripa që humb shijen e fuqinë e saj nëse prishet, ashtu besimtari humb besueshmërinë kur të jetuarit e tij nuk ka më shijen e ungjillit, e pra jeta e tij nuk i shërben askujt.

“Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në maje të malit”. Imazhi i dytë i propozuar është ai i qytetit që qëndron mbi mal. Ai i referohet Jerusalemit të ri, Kishës. Bashkësia e krishterë duhet të jetë e dukshme, duke treguar vërtetësinë e saj e besnikërinë ndaj ungjillit, për të bërë të njohur dashurinë e Atit.

“As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje”. Në imazhin e tretë flitet për dritën e ndezur, që nuk duhet të fshihet ose të fiket, por të jetë e dukshme për të ndriçuar gjithmonë. Dishepulli i Jezusit, duke marrë prej tij dritën, bëhet llamba që ndriçon botën.

Për të krishterin të jesh dritë dhe kripë domethënë të jetosh veprat e mira, të treguara nga lumturitë, sepse personat që i shohin të mund të lëvdojnë Hyjin.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Hyji na thërret gjithmonë për të bashkëpunuar me Të në planin e tij të shpëtimit. Të lutemi së bashku e të themi:

Ardhtë mbretëria jote, o Zot!

L. Që Kisha të dijë gjithmonë t’i përgjigjet me një jetë me të vërtetë të krishterë të anëtarëve të saj, një bote që mendon se Hyji dhe Krishti i tij nuk u duhet njerëzve. Të lutemi.

L. Për Papën, pasardhësin e Pjetrit, që të mund të bëhet gjithnjë e më shumë ai që përcjell njerëzit te Krishti Zot, Udha, e Vërteta dhe Jeta. Të lutemi.

L. Për çdo dishepull të Krishtit që të angazhohet për respektimin e jetës së çdo qënieje njerëzore që nga ngjizja deri në perëndimin e tij natural. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë që të jetë e vëmendshme për të kryer vepra drejtësie dhe mëshire për të qenë dritë në kohën tonë. Të lutemi.

M. O Hyj, plot me mirësi dhe mëshirë, dëgjoje lutjen tonë të përvuajtur dhe bëj që, nën shembullin e apostujve të parë, të dimë të të ndjekim edhe ne, me bujari dhe besim në Fjalën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »