Çfarë e bën njeriun të papastër?

Feb 12 • Meditimi i ditës

12 shkurt 2020 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 1Mbr 10, 1-10; Ps 37, 5-6.30-31.39-40; Mk 7, 14-23)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

 Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që përshkohet nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa rrënuar, disa ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala
Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 7, 14-23

 

14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:

“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër. 16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

17 Kur u nda prej turmës e hyri në shtëpi, nxënësit e pyetën për vështrimin e shëmbëlltyrës. 18 Ai u tha:

“Si? Po as ju nuk qenkeni në gjendje ta kuptoni? Po a nuk e kuptoni se asgjë që hyn nga jashtë në njeriun, nuk mund ta bëjë të papastër njeriun, 19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark e del në nevojtore?”

Kështu Jezusi i shpalli të pastra të gjitha ushqimet.

20 Dhe vazhdoi:

“Çka del prej njeriut ajo e bën të papastër, 21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

  • Jezusi është i gatshëm të bekojë gjërat që janë në botë, duke afirmuar kështu mirësinë e krijesave të Zotit. Lutem që të mund ta njoh se Zoti është i gatshëm të më bekojë nëpërmjet të gjitha gjërave që më rrethojnë.
  • Lutem që mos të lejoj të hutohem, që të mos bie në tundim nga ndonjë gjë që më shqetëson. Do të lutem që të rritem në dhembshuri dhe shërbim siç ka bërë Jezusi.

 

Bashkëbisedimi

I/e vetëdijshëm/e se jam ende në praninë e Zotit,
e paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

dhe ia them të gjitha që më vijnë në mendje, që kam në zemër,

si shoku shokut.

 
Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »