A mos jam i/e shurdhër ndaj asaj që më ofron Zoti?

Feb 14 • Meditimi i ditës

14 shkurt 2020 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1Mbr 11, 29-32; 12, 19; Ps 81, 10-15; Mk 7, 31-37)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhuruar.

Këtë bekim tëndin ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 7, 31-37


31 Pastaj doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit.

32 I sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. 33Ai e ndau prej popullit veçmas, ia futi gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, 34 i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha ‑ që do të thotë: “Çelu!” 35 E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

36 Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. 37 Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin:

“Gjithçka bëri mirë!”

“Ky po bën të dëgjojnë të shurdhërit e të flasin memecët!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E falënderoj Hyjin për dhuratën e të folurit. E lus Jezusin që të ma bekojë gojën, të ma lirojë gjuhën time. Do të lus për mençuri që më duhet në mënyrë që të di të shqiptoj fjalë nga më të mirat.
  • Jezus, m`i prek edhe veshët e mi. Shih se si s`po i dëgjoj fjalët e tua në mesin e të gjitha këtyre tingujve që më rrethojnë. Më ndihmo që të mos jem i/e shurdhër ndaj asaj që më ofron për shpëtimin tim.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Po edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti kurrë nuk do ta bësh këtë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »