Ç’është Dashuria?

Feb 14 • Kulturë, Letërsi

Me rastin e festës së Shën Valentinit  (14 shkurt) 

 

Nga Merita B.McCormack

 

Më pyetën një ditë ca djem të rinj

Hej, ç’është Shën Valentini, ke dëgjuar “të dua”? 

Ju buzëqesha rinokëve, s’ju thashë asnjë fjalë

Dukej që donin të qeshnin me mua.

 

Më pyetën  ca vajza gjithashtu

I njihja nga punët që bënim në arë 

Ç’është dashuria, mike, na trego

Duam ta dimë ne, vajzat, më parë

 

I buzëqesha edhe vajzave sërish,

Ç’t’u thosha, atyre, unë s’ditkam gjë

Dashuria sipas atyre na qenkësh

Diçka që s’shpjegohet me fjalë a me zë.

 

Por kur më pyetën fëmijët e mijë

Për dashurinë, në kisha diçka për të thënë

Atëherë, vendosa të flas me fjalë dhe me penë

E kam për detyrë, t’ju shpjegoj  atyre, si Nënë. 

 

Dhe vizatova shpejt një zemër mbi letër

E preva, shkujdesur, me pak nxitim

Dhe shkrova  mbi të  fjalën “Dashuri”

Që ta kuptonin fëmijët konceptin si fillim.

 

Shikoheni këtë zemër, ju thashë, është veç një simbol

Dashuria e vërtetë  është  më e komplikuar

Ne njerëzit e tokës, jemi shumë larg dashurisë së vërtetë

Siç është  uji në det nga qielli i veçuar.

 

Pushova një çast, doja  me kujdes fjalët të gjeja

Valentin, thashë së pari,  thirra, ah, po Valentin!

Dhe nga fillimi historinë e ri-tregova

Siç e dëshiroj ta ndjej në shpirtin tim.

 

Ishte njëherë një shërbëtor zemërflori, iu thashë

Që për hir te Zotit martesa kurorëzonte

S’pyeste për mbretin që donte ushtarë

Por martesat dhe dashurinë në fshehtësi i bekonte.

 

Sepse Valentini  e njihte dashurinë e vërtetë

E  dinte qëllimin e saj të shenjtë e triumfator

Kurorëzonte dashurinë  e Krijuesit

Që reflektonte shpirti i pastër njerëzor.

 

Dhe kështu  për heroizëm dhe virtyt

Valentini u bë shenjtor i dashurisë së vërtetë

Njerëzit atij i drejtohen kur dashurohen

Me shpirt, dhe duan të gëzojnë e krijojnë jetë.

 

Kujtoj  si u habitën paksa, fëmijët e mijë nga ky rrëfim

Se ndryshe iu ish servirur në rrugë a diku tjetër

Më ngjan se iu duka e huaj, e trishtë, mbase ireale,

A ndoshta në gjithë botën, gruaja më e vjetër.

 

Por s’më trembi shikimi dhe habia e tyre

Në fakt, u ndjeva fort e lehtësuar

Se, Shën Valentinin dhe dashurinë e vërtetë

Atyre sapo jua kisha  përshkruar.

 

Kështu, kaloi  rrëfimi i parë për dashurinë

Kështu  u kuptua së dyti fruti i saj për jetën

Kështu kalojnë vitet dhe ata kërkojnë të gjejnë 

Me ngulm e dëshirë, të plotë, të vërtetën.

 

Edhe kësaj here, ndër miq e rrëfeva

Shën Valentinin dhe historinë e bekuar! 

Në i dashkemi a na dashkan për Hir të Zotit,

Parajsën e dashurisë do të kemi fituar./drita.info

 

(Shkurt  2011)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »