A e falënderoj Zotin për atë që kam?
15 shkurt 2020 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Mbr 12, 26-32; 13, 33-34; Ps 106, 6-7a.19-22; Mk 8, 1-10)
Prania e Hyjit
Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.
Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.
Liria
Po të dëshironte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte guxim dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë për atë çfarë Hyji dëshiron të më njoftojë.
Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye sinqerisht e vështroj ditën e kaluar, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që do të duhej të isha mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
Diçka që e ndjej veten fajtor? Atëherë do të lus për falje.
Fjala
Fjala e Hyjit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që tu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Mk 8, 1-10
1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:
2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë. 3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”
4 Nxënësit e tij iu përgjigjën:
“E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?”
5 Ai i pyeti:
“Sa bukë keni?”
“Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata.
6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit. 7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.
8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta. 9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë. 10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimi Shenjt:
- E marr me mend se si Jezusi ka mëshirë për mua dhe dëshiron të më ushqejë. E sheh distancën që e kam kaluar dhe dëshiron të më forcojë.
- Jezusi falënderon edhe për gjëra të vogla. Nevojat janë të mëdha, kurse mjetet (fondet) e mia janë të pamjaftueshme. Do të falënderoj për atë që kam.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës.
« A mos jam i/e shurdhër ndaj asaj që më ofron Zoti? Dashuria e Zotit tregohet në mbajtjen e urdhërimeve dhe bërjen e drejtësisë »