Dashuria e Zotit tregohet në mbajtjen e urdhërimeve dhe bërjen e drejtësisë

Feb 15 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela VI gjatë vitit (A)

 

Leximi i parë   Sir 15, 15-20

Ligji që Hyji i ka dhuruar Izraelit, i lejon të bëjë lirisht disa zgjedhje. Zbatimi i urdhërimeve nuk është një shtrëngim i detyruar, por një përgjigje e lirë dashurie. Teksti përmban një deklaratë solemne të lirisë njerëzore. Është liria njerëzore që shpjegon mëkatin. Të zgjedhësh vullnetin hyjnor do të thotë të zgjedhësh jetën: ta refuzosh është një zgjedhje vdekjeje. Vdekja i përket natyrës njerëzore, por kthehet në një dënim për atë që refuzon Zotin.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë; nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh. Ai t’i vuri përpara ujin e zjarrin, ku të duash, shtrije dorën tënde! Përpara njeriut është jeta e vdekja, e mira dhe e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet. Sepse e madhe është urtia e Hyjit, Ai është i madh në pushtet e pandërprerë sheh gjithçka. Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druan, Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut. Nuk i urdhëroi askujt të jetë i paudhë e nuk ia dha askujt lejen për të bërë mëkat. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  119

 

Ref: Lum ai që ec në ligjin e Zotit

——————————–

Lum njeriu me sjellje të pastër,

që ecën në ligjin e Zotit!

Lum kush i mban dëshmitë e tija,

që e kërkon me gjithë zemër.

——————————–

Ti i shpalle urdhërimet e tua

që të mbahen përpikërisht.

Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia

për t’i zbatuar rregulloret e tua!

——————————–

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:

që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.

M’i hap sytë të shikoj

mrekullitë e ligjit tënd.

——————————–

Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,

sepse gjithmonë është me mua. 

Shpirti im i ruan ligjet e tua

dhe i desha ato me gjithë shpirt.

——————————–

 

Leximi i dytë    1 Kor 2, 6-10

Dituria e Hyjit është plani i mistershëm i krijuar prej tij për të sjellë shpëtimin tonë. Korintasit në fakt me ndarjet e tyre janë të paaftë të kuptojnë diturinë hyjnore e mistershme e të fshehur në shekuj, që na është zbuluar neve sot nëpërmjet Shpirtit. Të ndahesh domethënë të boshatisësh misterin e Krishtit të kryqëzuar, që ka qëllimin të bashkojë gjithçka në të e të shfaqë Krishtin shpresën e lavdisë së ardhshme.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ne shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton në gjithçka, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore. Fjala e Zotit

 

 

Aleluja.

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja.

 

 

Ungjilli    Mt 5, 17-37

Krishti, me mësimet e tij të reja dhe rrënjësore, jepte përshtypjen e mosrespektimit dhe përbuzjes së ligjit; ndërsa ai pranon vlerën e ligjit të Moisiut e për këtë arsye nuk vjen ta shfuqizojë por ta përsosë. Por ligji nuk mund të zvogëlohet në një listë përshkrimesh duke shtrembëruar vetë ligjin, siç bënin skribët dhe farisenjtë. Ligji, si shprehje e vullnetit hyjnor, duhet të pranohet në tërësinë e tij e në qëllimin e tij të vërtetë. Mbi këtë parim të përgjithshëm themelohen antitezat e Jezusit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet ligjit, por do të zbatohen të gjithat. Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit. Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit! Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.” E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budall’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.  Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!  Ndrequ me shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të dorëzojë gjykatësit e ky rojtarit të gjyqit, që të mos të ndryjnë në burg. Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë e fundit.  Keni dëgjuar se që thënë: ‘Mos e the kurorën!’ E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.  Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet, përveç në rastin e fëlligështisë, e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën. Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tija, as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. Mos bëj be as në krye tënd, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej qoftëlargut.”

 

POROSIA

Dashuria nuk është një ndjenjë që na lejon të bëjmë atë që na pëlqen, por është motori që na shtyn t’i shërbejmë të afërmit e t’i bindemi Hyjit.

Jezusi prezanton gjashtë raste në të cilat shfaqet kjo dashuri konkrete. “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose profetët!”. Jezusi ka ardhur të ‘përsosë’ Ligjin e Profetët, që tregojnë gjithë Besëlidhjen e Vjetër. “Nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve …”

Drejtësia e mësuar nga Jezusi realizon kërkesat më të thella të Besëlidhjes së Vjetër. Një drejtësi e tillë konsiston në besnikërinë ndaj vullnetit të Hyjit e shprehur në Ligjin dhe e interpretuar sërish nga vetë Jezusi. “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vrit!’”. Jezusi na fton të shkojmë në rrënjë të vrasjes, për të çrrënjosur çdo sjellje që i hap rrugën vrasjes. “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’”. Jezusi nënvizon atë që qëndron në themel të mëkatit seksual: dëshirën e fëlligështisë. “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, …’”. Jezusi këmbëngul mbi pazgjidhshmërinë e martesës, e për Mateun vetë divorci është i barazvlefshëm me shkeljen e kurorës. “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin’”. Jezusi shkon më thellë e ndalon edhe betimin, sepse në fjalët e njeriut fshihet i Ligu.

Mesazhi i Jezusit është në kontrast me kriteret që udhëheqin botën. A janë të krishterët akoma sot të gatshëm të shkojnë kundër rrymës?

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, fjala e Hyjit që kemi dëgjuar është themeli i besimit tonë, ushqim i shpresës sonë dhe tharmi i vëllazërimit.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na shpëto, o Zot.

L. Që fjala e Hyjit e mbjellë në fushën e Kishës të frymëzojë propozime ripërtëritjeje dhe të prodhojë në ne vepra drejtësie dhe paqeje. Të lutemi.

L. Që Zoti t’u dhurojë gjithë të krishterëve dhe gjithë njerëzve vullnetmirë ndihmën e nevojshme për të vepruar drejtësisht sipas vetëdijes dhe besnikë ndaj ftesave të Zotit. Të lutemi.

L. Që provat, vështirësitë dhe vuajtjet që na godasin, të rrisin në ne besimin në Zotin. Të lutemi.

L. Që Zoti të na dhurojë gjithë neve një zemër solidale ndaj vëllezërve që jetojnë nën peshën e varfërisë e të urisë, që të bëhemi ndërtues të një bote të themeluar mbi drejtësinë dhe vëllazërinë. Të lutemi.

L. Dëgjoje, o Atë, lutjen tonë dhe ruaji në ne dhuratat e Shpirtit tënd; bëj që çdo njeri të të njohë ty, Zot i vetëm dhe i vërtetë, dhe atë që Ti ke dërguar, Jezu Krishtin birin tënd. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »