A e perceptoj mirësinë e Zotit çdo ditë?

Feb 18 • Meditimi i ditës

18 shkurt 2020 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 1, 12-18; Ps 94, 12-13a.14-15.18-19; Mk 8, 14-21)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.

Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.

Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.

Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për jetën.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e përjetoj/ndiej veten sot?

Si po sillem me Zotin? Me të tjerët?

A ekziston diçka për ç`gjë duhet të jem mirënjohës? Atëherë do të them: faleminderit.

A ekziston diçka për ç`gjë do të më duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 8,14-21

 

14 Nxënësit harruan të marrin bukë. Me vete në barkë kishin vetëm një bukë. 15 Atëherë Jezusi u dha këtë porosi: “Dëgjoni: ruajuni prej tharmit të farisenjve e prej tharmit të Herodit!” 16 Ata i thoshin njëri‑tjetrit: “Nuk kemi bukë!” 17Jezusi e hetoi atë gjë e u tha:

“Përse po shqetësoheni pse s’keni bukë? Po, a ende nuk po kuptoni e nuk po merrni vesh? Po aq pak mend paskeni?

18 ‘Me sy në ballë e nuk shihni,

me veshë në kokë e nuk dëgjoni?’

Po a nuk po ju kujtohet 19 se kur i ndava pesë bukë për pesë mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?” Ata iu përgjigjën: “Dymbëdhjetë!”

20 “E kur ndava shtatë bukë për katër mijë vetë, sa shporta plot me copa mblodhët?”

“Shtatë!” ‑ iu përgjigjën.

21 “Dhe ende nuk po kuptoni?! ‑ u tha.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E marr me mend Jezusin si më vështron me shumë dashuri, më flet me butësi duke më ftuar ta kuptoj dhe ta pranoj Lajmin e Mirë në zemrën time.
  • Buka e përditshme për të cilën flet Jezusi nuk është për bark. Lus që sytë e mi të mund të shohin, veshët të mund të dëgjojnë, kurse kujtesa të jetë e bekuar që ta perceptoj mirësinë e Zotit dhe ta marr ushqimin që Hyji ma ofron çdo ditë.

 

Bashkëbisedimi 

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e rëndë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për te rruga e Zotit mund të bëhet çdo natë para se të shkosh të flesh dhe çdo mëngjes kur fillon dita.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. Mendoje, shprehe, zbatoje këtë.

 

Përmbyllja 

Faleminderit, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »