Në ditën e lindjes së Àt Justin Rrotës (17 Fruer 1889)

Feb 18 • Kulturë, Letërsi

Nga Ledi Shamku-Shkreli

 

Geni françeskan

Përkufizimi mbi genin defton pak a shumë se është fjala për aftësinë që ky element i jep qelizës për të përçuar informacionin biologjik. Me pak fjalë sa më i fuqishëm geni, aq më i fortë është tipari i trashëgueshëm në organizmin pasardhës. Kushdo që i qaset trashëgimisë letraro-gjuhësore të shqipes, e kupton se kontributi i fretënve françeskanë ka formësuar në ndërgjegjen kombëtare atë pjesë të kromozomeve, e cila mandej ka përcaktuar në masë të madhe krejt tiparet trashëgimore të kulturës kombëtare shqiptare.

Lavrimi i filologjisë prej kohës së mesme e këndej, kohë e cila përkon edhe me formimin e gjuhëve kombëtare europiane, i ka gjithkund fillesat e veta ndër tekste liturgjike a shkrime murgjish të palodhur. Dokumenti i parë i italishtes së shkruar (shek. IX) mbërrin prej një manastiri dhe i këndon dorës së murgut që shkruan. Po në shek. IX murgjit bullgarë nga Selaniku, Çiril dhe Metod, inkurajohen nga papa Hadrian i Dytë të përdorin gjuhën kombëtare duke dëshmuar për herë të parë sllavishten. Në vitin 1332 Arqipeshkvi i Tivarit, Guljelm Adami jep njoftimet e para mbi lavrimin e shqipes ndër libra. Nuk kemi ende dëshmi materiale të shkrimeve shqipe t’asokohe, por gjithsesi, edhe Formula e Pagëzimit (v. 1462) u shkrua sërish me dorë të një Arqipeshkvi, Pal Êjllit, për të mbërritur më pas tek ai libër i bekuar i meshtarit të prunjtë Buzuk.

Historitë e kulturave përreth nesh dëftojnë se erdh një kohë kur mendjet laike u mëkambën aq sa ta mbanin pa zor dorëzimin e dijes së mbledhur e të selitur nga klerikët, për ta përhapur mandej në krejt shoqërinë. Në mjedise dioqezane lindën edhe studimet e para dialektologjike në Europë, për të cilat laiku Jilliéron mblodhi fletushkat e Ungjillit të s’Dielës ndër krahina të Francës.
Për vetë ndeshtrashat e Shqipërisë, kjo kohë dorëzanie asaj i erdh vonë, në zgjim të saj aty nga fillimi i shek. XX. Pohohet me bindje se mendimi i dijetarëve si Çabej, Xhuvani, Ashta e Geci, u ndërtua mirëfilli mbi trashëgiminë e Buzukut, Budit, Bardhit, Da Lecces, Kazazit, Fishtës, Mjedës, Gazullit, Rrotës e shumëkujt tjetër syresh. Po për vetë ndeshtrashat e Shqipërisë, procesi i dorëzanisë diturore u ndërpre fill pas disa dekadash. Sot botimi i Kolanës Françeskane, vënia e kësaj pune të pashembëllt në dispozicion të kujtdo, a me fjalë të tjera dearkivimi i vlerave të saj, e ka shënuar sakaq hapin vijues të një procesi jetik për kulturën tonë kombëtare. Pra rimarrjen në dorëzim nga mendjet laike t’atij visari dituror, të cilin kleri shqiptar e në mënyrë të veçantë ai françeskan, ka shekuj që e laton. Sot kurrgjë nuk e pengon më këtë proces gati biologjik të rritjes së gjuhës shqipe e të kulturës që ajo sendërton. Vërtet mungon një brez mes Plejadës Françeskane dhe studiuesve të sotëm laikë, por tekstet e dorëshkrimet që trashëgojmë mund ta kryejnë më së miri ringjalljen e vlerave dhe bartjen e tyre tek e sotmja dhe tek e nesërmja e mendimit shqiptar.

Nga gjithë urdhnat kishtarë, Françeskanët kanë qenë më të lidhurit me popullin. Duke ruajtur të pacënuar besojmën misionare, ata zgjodhën me vetëdije t’i jepnin laicitet veprës së tyre, duke i ofruar gjithçka gjuhës shqipe: gojëdhana e legjenda, etnografi, krijime poetike si skalitje të hijshme të poezisë tradicionale shekullore, fjalorë, studime gjuhësore historike, studime gramatikore, studime mbi kulturën e gjuhës. Ky itinerar laik që udhëhiqej nga drita e njinjishme shpirtnore e shndërroi përftesën e tyre intelektuale në gur të fortë themeli për krejt kulturën tonë kombëtare. Në mbështetje të këtij pohimi vijnë vetë titujt e kësaj Kolane: “Lahuta e Malcis” e Át Gjergj Fishtës; “Bota e maleve shqiptare” nga Át Bernardin Palaj; “Visaret e Kombit” nga Át Bernardin Palaj e Át Donat Kurti; “Prralla kombëtare” e “Lojna kombëtare” nga Át Donat Kurti; “Kangë popullore gegnishte” nga Át Vinçenc Prennushi – punime këto që do të kryenin një shërbim të paçmuar duke u caktuar sot si tekste mbështetëse në edukimin fillestar shkollor. Hallkat e gjerdanit françeskan vijnë e mbërthehen fort nga hallka qendrore e tij, nga vepra e Át Justin Rrotës. Shpirti lyp forcë e mendja don dritë; kështu frati françeskan e dijetari Justin Rrota dha sa mundi forcë e dritë. Kushdo që i referohet korpusit të studimeve të tij gjuhësore, e kupton menjëherë se ka marrë në dorë një libër të plotë mbi gjuhën shqipe: “Për historín e alfabetit shqyp, dhe studime tjera gjuhësore”, “Letratyra shqype për shkolla të mjesme”, “Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore”, “Sintaksi i shqipes” – punime këto të botuara tashmë në Kolanën e Shkrimtarëve Françeskanë – shenjuan për të parën herë shtegun klasik të gjuhësisë shqiptare, të cilin sot mjafton ta ndjekësh e ta rivlerësosh. Sikundër vëren M. Domi, “Letratyra shqype për shkolla të mjesme”, punim i vitit 1925, është i pari tekst i historisë së letërsisë shqipe që u botua në shqip. Në pjesën hyrëse të këtij teksti, titulluar “Parime Letratyre” vërehet një strukturim didaktik aq i vlefshëm e i pasur i elementeve të teorisë letrare, sa cilido nxënës i sotëm do ta kuptonte menjëherë se formimit që ai është duke marrë në shkollë i mungojnë dy tregues të domosdoshëm: qartësia dhe thelbi. Kjo mangësi e formimit të sotëm ndjehet sidomos kur shfleton Kreun III të këtij punimi, “Hartime parashtruese”, i cili trajton: 1) Shka âsht parashtrimi; 2) Letra; 3) Ligjerata; 4) Traktati; 5) Djalogu; 6) Epigrafi.

E po të ndalesh në pikën 1) Letra, e ndjen ende më fort se duhet të shkosh patjetër në “shkollën” e Át Justinit. Shpjegimi i tij i përimtë e shterrues i 13 modeleve të letrave që sekujt i takon të hartojë gjatë jetës, shmangin çdo lloj stepjeje para fletës së bardhë. Regjistrat gjuhësore dhe mjetet stilemore ndahen qartë për secilin nga përdorimet; shembujt ilustrues nuk janë thjesht shpjegime të ngushta, por tipologji përgjithësuese. Përdoruesit e sotëm të shqipes publike e vuajnë një mangësi të tillë në formim, ndaj ky tekst, përsa klasik në ftillesa, nga pikëpamja funksionale mbetet modern për ne.

Duke vijuar me dhantitë që la Át Justini, do përmendur se po prej dorës së tij mbërritën përsëpari në Shqipëri kopjet fotografike të “Mesharit” të Buzukut. E prejse dijetari kërkonte që më i pari tekst i shqipes të njihej prej shumëkujt, ai ndërmori menjëherë edhe transkriptimin e pjesëve të veçanta të tij, duke i pajisur edhe me aparatet kritike të nevojshme. Vizioni i tij global se shqipja me ecurinë e saj të pandërprerë i kapton kufijtë e sotëm politikë të Shqipërisë, e shtyu të ndërmerrte fill pak muaj pas transkriptimit të Buzukut edhe transkriptimin e “Shkrimtari ma i vjetër i italo-shqyptarëvet, D. Lukë Matranga”, duke e kthyer edhe këtë dëshmi të vyer të identitetit tonë gjuhësor e kombëtar në vepër të lexueshme nga shumëkush. Një pjesë e këtyre transkriptimeve (me aparatet kritike përkatëse) si dhe mjaft pjesë të tjera nga Kazazi, De Rada, Santori, Sqiroi, Serembe etj., gjenden sot të përmbledhura në dy vepra: “Për historín e alfabetit shqyp” e sidomos te “Letratyra shqype për shkolla të mjesme”.

Deri këtu vijojmë të mbetemi në lëmin e studimeve historike, pra s’e kemi kaptuar ende gjysmën e rrugës që shtroi Át Justini. Duke kaluar te studimet mbi gramatikën dhe mbi çështje të kulturës gjuhësore, e kupton se klasiku Justin Rrota mbetet sërish jo vetëm modern, por ç’është më e rëndësishmja, për gjuhësinë e sotme shqiptare ai rishfaqet aktual e prognostik njëherësh. Në një kohë kur as në Europë nuk ish kristalizuar qartë objekti dhe metodat e gjuhësisë si shkencë, ai ngulmoi të përcaktojë dy linja veprimi, brenda të cilave demokracia gjuhësore është mandej diçka mëse e natyrshme. Të vërehen në tekstin “Për historín e alfabetit shqyp, dhe studime tjera gjuhësore”, çështjet që trajton Kreu “Rreth problemit të gjuhës letrare”: – Gjûhën e perbân populli; – Çë na duhen shkrimtarët e hershem; – Gjûha shkon tue bâm ato parimet e veta!
Shtjellimet e këtyre temave të shtyjnë sot të thuash pa droje se Justin Rrota është prekursori i Sociolinguistikës në Shqipëri. Dy linjat e qarta që ai heq qysh në fillim janë: “Gjuha letrare nuk gjindet gati në popull. Nuk krijohet as prej letrarëve por do të zgjidhet prej krahinavet të ndryshme të mbarë Shqypnis. Në nji punë kaq delikate, qi prekë mu shpirtin e kombit, do të shkohet fort tue u matë. Trajtimi i gjuhës letrare nuk do të jet nji gja për dhuni”. E mandej: “Të folunat dhe gjuha janë dy shllime që nuk mund të dahen njani prej tjetrit. Këjo e dyta shkon tue u shndrue e tue u zhvillue pa reshtun edhe prej s’parës”. Të dyja këto këndvështrime mbeten ende për t’u aplikuar në metodat e gjuhësisë shqiptare. Qenë parathënë dikur në trajtë vërejtjesh ngulmuese edhe nga Çabej e Xhuvani, por për arsye që dihen politika gjuhësore shqiptare ndoqi një shteg sui generis, i parrahur nga asnjë gjuhësi tjetër, qoftë lindore, qoftë perëndimore. Gjithsesi përdoruesit e sotëm të shqipes publike tash u përmbahen vetiu e me instiktin e gjuhës amtare pikërisht këtyre dy parimeve që përcaktoi dikur Át Justin Rrota. Në përpjekjen për të rigjallëruar e deskematizuar shqipen e përbashkët, ata kanë formësuar sot varietetin Neostandard të Shqipes Aktuale, i cili është një ndërtim mbi themelet e shqipes letrare të njësuar, porse në thelb demokratik e mjaft më i gjerë në mjete gjuhësore.

Në lidhje me trajtimin e gjuhës së shkruar, Át Justini nuk ofron veç dijen, por edhe mesazhin etik që i përkapet fare mirë ndërmjet rreshtash. Shumëkush që ka lexuar mbi polemikat që e shoqëruan gjithë fazën selitëse të përcaktimit të shqipes së përbashkët qyshse nisi punë Komisija Letrare, e di fare mirë se ujdia për këtë varietet gjuhësor nuk ka qenë aspak e plotë. Justin Rrota, pa hequr dorë nga sugjerimet e veta sa të sakta aq edhe të prunjta, lë të kuptohet se pjesa e mirë dhe e dobishme që u arrit nga njësimi paraprak i shqipes së shkruar i ngjet, sic thotë ai vetë “atij brumit që pret të latohet nga gjithfarë duarsh”. Kjo grishje për bashkëpunim e gjithë forcave intelektuale në dobi të visarit gjuhë, është diçka që në Shqipërinë e Pasluftës u thye e sot duhet rivendosur sa më parë.

Miqtë laikë të Át Justinit që patën rast të kuvendonin me të për së gjalli, si fjala vjen Eqrem Çabej, e kanë përshkruar ndër biseda si një njeri plot dritë, që nuk i ndau kurrë punët e shpirtit nga punët e dijes. Ne të tjerët sot mund t’i qasemi veç shkrimeve të tij, prej të cilave na mbërrin i qartë kumti se gjuha dhe shpirti i një populli janë një./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »