Bibla dhe përkthimet e saja në gjuhën shqipe 

Feb 19 • Bibla, Teologji

Me rastin e 1600-vjetorit të kalimit në amshim të Shën Jeronimit, dalmat, përkthyesit të Biblës në gjuhën latine – Vulgata

 

Nga Prof. dr. sc. Zef Mirdita

 

 

Ç’është Bibla[1]?

Bibla apo Shkrimi i Shenjtë ose Besëlidhja,[2] është një libër sado i lashtë, aq edhe aktual, sado kontestues, aq edhe frymëzues. Për dikë ky është thjeshtë një libër gojëdhënash dhe legjendash, ndërsa për arkeologët dhe historianët që merren me ndriçimin dhe me studimin e kulturave, të ngjarjeve politiko-shoqërore të Lindjes së Afërme, dëshmuese e një realiteti historik të djepit të qytetërimit të lashtë të kësaj treve.[3] Me idetë e veta universale, ky libër është i pranishëm në të gjithat kulturat e meridianeve dhe të paraleleve të ndryshme të rruzullit tokësor. Me inkulturimin e vet jo vetëm që nuk e cënon a zvetënon autenticitetin dhe identitetin individual të kulturave përkatëse, por i begaton dhe i frymëzon ato. Prandaj çdo përkthim i Biblës në cilëndo gjuhë botërore – e sot dihet se Bibla është i vetmi libër i përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët a dialektet botërore – nuk është vetëm ngjarje kulturore, por edhe shprehje e entuziazmit dhe e aftësive intelektuale të vetë përkthyesit.

Sa i përket gjuhës shumica e librave të Besëlidhjes së Vjetër është shkruar në gjuhën hebraishte, ndërsa disa kaptina të Danielit (2, 4b-7,28) dhe të Ezres (4,8-6,18 dhe 7,12 – 26) janë shkruar në gjuhën arameike.  

Lidhur me hebraishten, duhet thënë se nocioni «hebraik» për herë të parë përmendet në shek. II para Krishtit.[4]Ndërkaq, Nehemia në shek. V. para Kr., flet për gjuhën «judeike»,[5] kurse Izaia, pra, në shek. VIII para Kr. gjuhën e popullit hebre e quan «gjuhë kanaane».[6] Kjo do të thotë se me vendosjen e Abrahamit në tokën e kanaanëve së shpejti merret gjuha e të nënshtruarve, që nuk është rast i rrallë në histori dhe që me siguri ka qenë e ngjashme me atë të popullit të vet.[7]Veç kësaj, gjuha hebraishte, e cila është ruajtur vetëm në tekste biblike dhe në saje të dorëshkrimeve Kumrane, shihet se është ringjallur pak para erës krishtere, i ka takuar grupit perëndimor të gjuhëve semite.[8]

Ndërkaq, gjuha arameike, të cilën e ka folur edhe Krishti, ka qenë gjuhë e fiseve nomade të cilat para vendosjes së fiseve izraelite në Kanaan, ishin të vendosura në këto treva. Hebrenjtë që e përvetësuan gjuhën kanaane nuk mund t’ju shmangën ndikimit të gjuhës arameike.[9] Meqë kjo gjuhë në këtë trevë të gjërë të Lindjes së Afërme bëhet gjuhë diplomatike dhe afariste, kuptohet se përdorimi i saj është karakteristikë për shtresat e larta dhe bujare, ndërsa gjuha e shtresave të gjëra popullore ishte hebraishtja.[10]Me kohë hebraishtja u la pas dore, sa që në shek. V para Kr. pothuajse qe harruar tërësisht, kështu që në shek. II para Kr., me gjithë lulëzimin e literaturës apokrife në hebraishte, leximi i librave të shenjtë nëpër sinagoga bëhej në gjuhën aramease. Dhe, për nevoja të tilla këta libra përktheheshin në këtë gjuhë. Mirëpo, në kohën e Krishtit ekzistonin edhe dallime dialektore të kësaj gjuhe,[11]që dëshmojnë qartë për shtrirjen e të folurit të  kësaj gjuhe në strukturat e gjëra hebraike në këtë kohë.

Lidhur me karakterin e gjuhës greke, në të cilën ka qenë e shkruar e tërë Besëlidhja e Re e disa libra të Besëlidhjes së Vjetër, si Libri i Urtisë dhe Libri i dytë i Makabenjve, duhet thënë se kjo gjuhë ishte një koine e kohës së Aleksandrit të Madh dhe që e flisnin popujt e Mesdheut Lindor: Me fjalë të tjera «lingua franca», gjuhë popullore me një vulë të theksuar të frymës semite, konkretisht të hebraishtes dhe të gjuhës aramease. Kjo është fare e kuptueshme kur dihet  se gjuha amtare e autorëve të Besëlidhijes së Re ka qenë gjuha arameike,[12] përveç ajo e Shën Lukës, gjuha amtare e të cilit ka qenë greqishtja.[13] Nga kjo që u tha, është fare e kuptueshme që autorët e Besëlidhjes së Re i kanë qëndruar besnik frymës së kulturës semite, mënyrës së të shprehurit semit dhe stilit të tij,[14]duke përdorur shumë fjalë semite. Kështu p.sh. te Gjoni ndeshemi me disa fjalë arameike të transliteruara së bashku me shprehjet e përkthyera e me homonime.[15]

Nga kjo që u tha më sipër, duhet theksuar se pa marrë parasysh se kush e përkthen Biblën, përkthimi i drejtë i saj paraqet një faktor tejet të rëndësishëm si për nga gjuha, ashtu edhe për nga funksioni i fjalës së përdorur në tekst dhe në kontekst.

Pos kësaj, për një përkthim të drejtë biblik është e nevojshme jo vetëm aspekti gjuhësor, por edhe njohja e ambientit kulturor dhe e të menduarit filozofik. Dihet se koha e veprimtarisë së autorëve të Besëlidhjes së Re ishte ajo e helenizmit, që shihet qartë në tekstet e tyre. Kështu psh. te Gjoni kemi elementin e filozofisë së Filonit të Aleksandrisë dhe idenë e tij LOGOS-in si në Ungjill,[16]ashtu edhe në Zbulesë,[17] kurse filozofinë e stoicizmit te Pali.[18]   Problemi tjetër me rëndësi, që paraqitet edhe para përkthyesit më të mirë të librave biblik, është pa dyshim dorëshkrimi nga i cili bëhët përkthimi.

Ndër kodekset më të shquara veçohen Codex Vaticanus i shek. IV në të cilin gjendet e tërë Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, duke përfshirë këtu edhe Letrën e Palit, dërguar hebrenjve (IX, 14 a) dhe Codex sinaiticus, po ashtu i shek. IV, që përmban gati gjysmën e Besëlidhjes së Vjetër dhe tërë Besëlidhjen e Re.[19] Vetëvetiu shtrohet pyetja: cila është gjendja e sotme e teksteve greke të Besëlidhjes së Re?

Studiuesit analitik ato i kanë ndarë në katër kategori, me sa vijon: 1. Teksti aleksandrin apo neutral; 2. Teksti perëndimor; 3. Teksti i Cezaresë dhe 4. Teksti koine, i cili është i pranuar nga gjithë redaktorët kritikë të Besëlidhjes së Re sot e kësaj dite.[20]

Në renditjen e sotme, që për nga koha është dy mij vjeçare, Bibla hapet me Librin e Zënafillës dhe përfundon me Zbulesën e Gjonit apo Apokalipsen, gjithsej 45 libra të Besëlidhjes së Vjetër dhe 27 të Besëlidhjes së Re, do me thënë 72 libra.

Duhet theksuar se Bibla nuk është vepër me karakter të përmbledhjes «së të vërtetave» shkencore a sistem doktrinor,[21]madje as që e ka këtë porosi. Përkundrazi, ajo është vepër letrare që duhet shikuar në kontekstin historik, e përbërë prej gjinive të ndryshme letrare dhe si e tillë duhet shpjeguar dhe kuptuar.[22] Kështu bie fjala, poezia epike është bazë e disa paraqitjeve në «Pentateuh» dhe «Jozua», ndërkaq, poezia lirike gjendet në «Psalmet» dhe në librin « Kënga mbi Këngët.»[23] Veç të tjerash, duhet ta kemi para sysh faktin se Besëlidhja e Vjetër përbëhet prej 21 libra me përmbajtje historike, 17 profetike dhe 7 edukativo-pedagogjike, pra, prej gjithsej 45 libra. Ndërsa, Besëlidhja e Re përbëhet prej 5 libra historik, 21 libra edukativo-pedagogjikë dhe 1 libri profetik,[24] dhe «po deshëm t’i përkthenim këto tekste me kuptimin e drejtë të fjalëve, duhet të dihet më tepër se kuptimi i thjeshtë i fjalës. Duhet të njihen edhe rrethanat e jashtme, bota e të menduarit dhe natyra e gjuhës biblike.»[25] Prandaj, po që se Biblës i qasemi me pikëpamjet e të menduarit tonë, konkretisht të njeriut të sotëm, të pajisur me kategoritë e të menduarit abstrakt, platonian dhe aristotelian, siç është mentaliteti i të menduarit perëndimor,[26] Biblën do ta shijojmë estetikisht, por sa dhe çfarë do të jetë kuptimi i vërtetë biblik, kjo është çështje më vete. Kur them kështu, atëherë e kam para sysh faktin se kultura dhe botëkuptimi i njeriut semit, mentaliteti i tij dallohet krejtësisht nga ky i yni. Deri sa «dituria» për ne do të thotë të kuptuarit e ndonjë ideje, për semitët kjo ka një dimension më të gjërë, më dinamik. Për autorët e Biblës më me rëndësi është «të dëgjuarit», se sa «të pamurit.»[27] Dhe kur gjithë kësaj që u tha më sipër, ia shtojmë faktin se Bibla është krijuar brenda 1300 vjetësh, prej vitit 1200 para Krishtit e deri në 100 pas Krishtit në një trevë të lëvizjeve të shumta të popujve të ndryshëm, trevë të gërshetimit të kulturave të ndryshme, atëherë nuk duhet të na befasojnë fare analogjitë e shumta me tekstet e tjera të këtij nënqielli, stilet e llojllojshme etj. Tek e fundit, duhet theksuar se Besëlidhja e Vjetër është historia e popullit hebrej, kurse Besëlidhja e Re është dëshmia dhe historia e themelimit të krishtërimit. Prandaj edhe autorët e teksteve të përmendura janë fëmijët e kohës së tyre, të cilët në shkrimet e veta u janë përmbajtur stileve të të shkruarit e të të menduarit, normave, dokeve dhe zakoneve të kohës së tyre.[28] 

Para se të ndalemi në shqyrtimin e përkthimeve të Biblës në gjuhën shqipe duhet të themi se tradita e përkthimit të Bibles fillon me Septuaginten, gjegjësisht përkthimi i Shtatëdhjetë vetave dhe me përkthimin e Shën Jeronimit, përkthim ky i njohur si Vulgata.

Përkthimi i Septuagintes u bë në Aleksandri, qytetin e njohur të Egjiptit. Ky qytet ka qenë i njohur si vend tregtarësh, si vend me Biblioteken e njohur në antikë, muze të ndryshëm, qendër e kulturës dhe e dijës, qendër e vendtakimit dhe këmbimit të ideve filozofike, letrare etj.

Meqë hebrenjtë e vendosur këtu, në Egjipt, greqishten e kanë përdorur në komunikim të përditshëm, gjuha në të cilën ishte shkruar Besëlidhja e Vjetër filloj të harohet dhe tekstet e Besëlidhjes së Vjetër nuk kuptoheshin më, kështu që u ndie nevoja e përkthimit të tyre në greqisht. Sipas legjendës e cila u krijua në bazë të letrës së Aristeut mësojmë se faraoni Ptolemeu II Filadelf (283 – 247) në saje të lutjes së Dhimitër Falereut, bibliotekarit të Bibliotekës së Aleksandrisë, i fton hebrenjtë nga Palestina të cilët kanë qenë zotërues të shkëlqyeshëm në gjuhën greke. Lutjes së tij i përgjigjet kryeprifti Eleazar, duke ia dërguar 72 burra, 6 nga secili fis, të cilët brenda 72 ditëve e kryen përkthimin. Përkthimi i Besëlidhjes së Vjetër njihet edhe me emrin Septuaginta. Duhet theksuar se ky përkthim nuk u bë i nxitur nga aspekti shkencor, por për hirë të nevojave të sinagogës.[29] Për hirë të së vërtetës, përkthimi i Septuagintes nuk është bërë i tëri në të njëjtën kohë. Rëndësia këtij përkthimi qëndron në faktin se është dëshmi e vlefshme i tekstit të vjetër hebraik.

Përkthimi tjetër është ai i Shën Jeronimit (340 – 420), i njohur me emrin Vulgata, në gjuhën latine, gjuhë e popullit. Me ftesën e Papës Damazit (366 – 384), ai i qaset rënjësisht rishqyrtimit të përkthimit të deriatëhershëm në latinishte të vjetër. Në te ka punuar prej vitit 383 e deri në vitin 406. Shumicën e librave të Besëlidhjes së Vjetër i ka përkthyer, kurse disa prej Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re i ka marë nga përkthimi i vjetër latin, e disa, si për shembull, Ungjijt i ka korrigjuar. Rëndësia e këtij përkthimi qëndron në faktin se sot e kësaj dite është përkthim zyrtar në Kishën Katolike.

Meqë paraqitja e gjithë autorëve të librave të Biblës nuk ështe e mundur në kuadër të këtij punimi, do të ndalem shkurtimisht vetëm në Palin dhe katër ungjilltarët.

Pali, u lind rreth vitit 5-10 në Tarz, qytetin e Azisë së Vogël, prej prindërve çifut, nga të cilët e ka trashëguar të drejtën civile romake. Ka qenë i edukuar në frymën e rreptë farizease. Vdes në kohën e persekutimeve të Neronit në vitin 67. Ai nëtë vërtetë është shkrimtar i parë. Meqë brengosej për bashkësinë e re në Selanik, në vitin 51. nga Korinti i shkruan dy letra baritore, dërguar Selanikasve. Që nga momenti, kur Krishti e ndali para dyerve të qytetit të Damaskut, ku si çifut i zellshëm ishte nisur në përndjekjen e të krishterve, Pali mbetet përherë rob i Krishtit. Për shkak të Krishtit Pali është gjithnjë në rrugë, si «përfaqësues» i Tij. E ka rrugtua pothuaj se gjysmën e botës së atëhershme, duke predikuar Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur dhe kudo ka qenë ka themeluar bashkësira të krishtera. Askund nuk ka qëndruar më gjatë se që ka qenë nevoja. Në diskutime e sipër brenda këtyre bashkësirave të reja çfaqeshin pytje të ndryshme dhe dyshime. Pali atëherë u shkruante letra me të cilat përpiqej që t’i forconte në fe. Kjo shihet qartë në këtë letër dërguar selanikasve nga Korinti në vitin 51, në të cilën ndër të tjera lexojmë: «(…) Dhe, siç e dini, secilin prej jush – si baba fëmijët, e kemi nxitur, i kemi dhënë zemër dhe e kemi përbetuar të jetojë në mënyrë të denjë për Hyjin që ju thërret në Mbretërinë e vet dhe në lumturi. Prandaj edhe ne, prej anës sonë, kur e moret fjalën e Hyjit, të dëgjuar prej nesh e morët, jo porsi fjalë njerëzish, por shi ashtu si në të vërtetë është – porsi fjalën e Hyjit – që vazhdimisht vepron në ju që besoni. Në të vërtetë, o vëllezër, ju u përngjatë Kishave të Hyjit që janë në Jude në Krishtin Jezus, sepse edhe ju keni vuajtur prej bashkëvendasve tuaj atë që edhe ata e pësuan prej çifutëve. Këta e vranë edhe Zotin Jezus dhe profetët. Na salvuan edhe ne (…)E njëmend, nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t’i marrë në lumturi ( 1 Sel 2, 11 – 15 dhe 4, 14).»

Pali e përfundon letrën: »Ju përbetoj me Zotin kjo letër le t’ju lexohet të gjithë vëllezërve(1 Sel 5, 27).»

Në saje të një analize të thukët del qartë se Pali flet për qëndrimin e çifutëve ndaj Krishtit, për qëllimin e predikimit apostolik e ky është shpallja e porosisë së Zotit dhe, në mënyrë të veçantë, duke u përqëndruar në vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit. Letrat e tija, e këte e thekson edhe vetë Pali, janë lexuar para të gjithve dhe më vonë me siguri edhe janë këmbyer dhe kopjuar.[30]

Mateun, i cili quhej edhe Levi dhe ka qenë i biri i Alfeut, doganor nga Kafarnaumi, e ftoi Krishti që ta ndjek, kështu që ky u bë njëri prej apostujve që ka qenë bashkëkohës i Jezu Krishtit, dëshmitar i drejtpërdrejtë i veprave të Jezu Krishtit dhe jetës së tij. Së pari, rreth vitit 50 në gjuhën arameike i shkruan fjalimet dhe veprat e Krishtit, të cilat për fat të keq janë humbur.

Ungjilli i sotëm kanonik i Mateut, të cilin Kisha e pranon, është shkruar në gjuhën greke, por pas Ungjillit të Markut dhe të Lukës. Siç duket është shkruar në mes viteve 65 dhe 70. As Ungjilli i Mateut nuk është paraqitje historike me një rënditje të saktë kohore të ngjarjeve, por shpallje e Hyjnisë së Jezu Krishtit. Mateu me këtë Ungjill ka dashur ta paraqet se si në Krishtin është realizuar pritja e Mesisë nga Besëlidhja e Vjetër.

I pari i cili e shkroi Ungjillin në formë në të cilën e kemi sot është Marku. Meqë ka qenë bashkudhëtar i përhershëm i Pjetrit, që nga fillimi është menduar se Ungjilli i tij është në të vërtetë reflektim i predikimeve të Shën Pjetrit. Shkruan në greqishte, lehtë, me një stil të gjallë, duke iu përmbajtur sistemit kronologjik të ngjarjeve. U drejtohet të krishterëve që jetojnë në mesin e paganëve, lexuesve romak. Në përshkrimin e tij në mënyrë të veçantë jepen shpjegime lidhur me vendet, doket dhe rrethanat e jetës si dhe të shprehjeve arameike, të cilat nuk i gjejmë te ungjilltarët e tjerë. Marku është i pari i cili përpiqet të na i jep ngjarjet e vogla dhe të mëdhaja nga jeta e Jezu Krishtit – që nga paraqitja e tij në bregun e Jordanit e der te varri i zbrazët. Megjithatë, Ungjilli i tij nuk është thjeshtë jetëshkrimi i Jezu Krishtit. Ungjillin e ka shkruar rreth vitit 55.

Luka, Ungjillin si edhe Veprat e Apostujve, i ka shkruar rreth viteve 61 – 63. Ai ka qenë njëri prej bashkpunëtorëve më të ngushtë të Shën Palit. Për nga vokacioni ka qenë mjek (Kol 4, 14) ku shihet se si me lehtësi i përshkruan shërimet nga sëmundjet e ndryshme. Si shoqërues i Shën Palit, apostullit të popujve, në përshkrimet e tija në mënyrë të veçantë u drejtohet bashkësirave të krishtera të cilat në mesin e paganëve i ka themeluar vet Shën Pali. Me siguri e ka njohur Ungjillin e Shën Markut të cilin në shkrimin e Ungjillit dhe të Veprave të apostujve e ka shfrytëzuar. Në Ungjillin e tij në mënyrë të veçantë kanë ndikuar predikimet e Shën Palit. Ka shkruar me një greqishte të bukur. Lukën e konsidrojnë si njërin prej helenistëve të arsimuar në përhapjen e krishtenizmit që e dëshmon vepra e tij dypjesëshe letrare: Ungjilli dhe Veprat e apostujve.

Këta tre Ungjij quhen edhe Ungjijt sinoptik nga se po të krahasohen paraqitjet njëra me tjetrën, do të shihet se si përputhen në zgjedhjen dhe rënditjen e materialit dhe se si i përngjajnë njëri tjetrit..

Ungjilli i Shën Gjonit dallohet nga tre të parët për nga mënyra e të shkruarit. Në te ka pak mrekulli dhe biseda të Jezu Krishtit, por ai i përpunon gjërë e gjatë. Ai përpiqet të dëshmon se si Krishti ka qenë i vetëdijshëm se është i dërguari i Atit Zot dhe se me Zotin është i njëqenësie, Biri i Zotit i cili u bë njeri me qëllim të shelbimit njerëzimit.

Mrekullitë, këtu janë «shenja» të pushtetit të tij hyjnor, kurse bisedat e tija nuk përmbahen si te sinoptikët, një rënditje të proverbave, por pjesë të bisedave me tematikë të gjërë drejtuar botës helenistike e cila ka qenë e përshkuar me filozofinë greke. Terminologjia e Gjonit është në frymën e botës se arsimuar helenistike, sikur bie fjala «drita» ,« jeta», «e vërteta» etj. »Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta»(Gjn 14, 6); «Unë jam drita e botës: kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.» (Gjn 8, 12)

Rreth vitit 95 pas Krishtit, Gjoni gjendet në Efez (Azia e Vogël) ku i shkruan shënimet për Ungjillin e vet, shënime këto të cilat i kanë publikuar më vonë nxënësit e tij. Ungjilli u shkrua, sipas mendimit të shumicës së specialistëve, në Efez rreth viteve 95 – 100.[31]     

Duhet thënë se në qendër të tërë veprës biblike qëndron Krishti. Besëlidhja e Vjetër të udhëheq kah Krishti, ajo «edukon për Krishtin», ndërkaq Besëlidhja e Re e shpall Krishtin në Jezusin nga Nazareti, Birin e Mishëruar të Hyjit, Zot dhe Shelbues.

 

Përkthimet në gjuhën shqipe

Është më se e domosdoshme të thuhet se historiku i përkthimeve të teksteve biblike, qoftë fragmentare qoftë edhe në tërësi si në toskërishte, ashtu edhe në gegërishte, është mjaft i pasur. Po ashtu duhet thënë se tradita e përkthimit të teksteve biblike në gjuhën shqipe është mjaft e lashtë dhe e begatshme, për t’u intensifikuar nga fundi i shekullit XVIII dhe gjatë shekullit XIX në kuadër të aktivitetit kulturor e politik të rilindësve. Mund të thuhet se Konstandin Kristoforidhi është i fundit nga rilindësit shqiptar, të cilët përmes përkthimeve të librave fetarë, konkretisht të Biblës, përpiqeshin të begatonin autenticitetin dhe identitetin e gjuhës shqipe, pastërtinë dhe aftësinë e saj për t’i shprehur nocionet më suptile, simbolike, figurative, alegorike dhe parabolike që janë karakteristikë e gjuhës së teksteve biblike.

Nga ana tjetër përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe, sidomos në kohën e Rilindjes kombëtare, ka qenë edhe veprim politik ndaj Kishës Ortodokse greke për pavarësinë dhe identitetin kombëtar të saj ndër shqiptarë të ritit greko-bizantin, në të cilën deri me 1922 ka qenë ajo e Kishës greke.[32]

Eqrem Çabej me të drejtë konstaton se «Do t’ishte megjith’atë një gabim të mendohej se gjuha shqipe gjjatë kohës së mesme nuk ka qenë shkruar asfare Shqipëria është një nga ato vendet e Mesdheut, ku krishtërimi depërtoi që në kohët më të lashta (…) Me gjithë karakterin  universal të latinishtës si gjuhë kishtare në botën katolike, e me gjithë mbizotërimin e greqishtes në kishën ortodokse përkundrejt gjuhëve të vendit, dihet se në të dy disa elementë të liturgjisë, disa urata e formula lutjesh, disa copa biblike që ishin të një përdorimi të përditshëm, në shumë vende kanë qenë thënë e kënduar në gjuhët nacionale.»[33]

Se kanë ekzistuar librat në gjuhën shqipe, të shkruar me alfabetin latin na dëshnon ipeshkvi frëng Guillelmus Adae, i njohur me emrin Brocardus Monacus. Ai, më 1332, në veprën e tij «Directorium ad passagium faciendum per Philippum regem Franciae in terram sanctam anno 1332 ( lib.I, ps 8), ndër të tjera thotë: «Shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga latinishtja, me gjithë atë kanë alfabetin latin (litteram latinam) në përdorim dhe në tërë librat e tyre»[34]

Pavarësisht që nuk dijmë asgjë se me çfarë përmbajtje kanë qenë librat dhe tekstet shqipe, të shkruara me alfabetin latin, e nuk është për të dyshuar se në to, përveç uratëve, ka pasur edhe fragmente biblike, dëshmia e ipeshkvit Guillelm Adaes e ka rëndësinë e vetë historiografike e cila e dëshmon faktin se treva e së folmes shqipe ka qenë pjesë përbërëse e kulturës europiane.

Sidoqoftë, të pakten sa i përket teksteve biblike, mund të thuhet se teksti më i lashtë biblik i përkthyar në gjuhën shqipe, është: Formula e pagëzimit, sipas ritit latin e vitit 1462, që deri më tash njihet edhe si dëshmia në e lashtë e shkrimit shqip.

Fjala është në lidhje me veprimtarinë baritore të argjipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëlli. Ky me rastin e vizitës së tij baritore në regjionin e Matit (Emathia) ndeshet me çrregullime të mëdha kishtare dhe të ushtrimit të fesë. Në mesin e udhëzimeve që i dha klerit të Emathisë me titull: Constitutiones, Ordinationes et Statuto (Vendime, Urdhëresa dhe Rregullore), lëshuar nga: Paulus Angelus, me mëshirë hyjnore Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Krahinës së Illirikumit… në kishën e Shenjtës Trini të Matit (Emathia), në vitin e Zotit 1462, indikti i dhjetë, ditën e hënë më tetë të muajit nëndor, gjendet «Formula e pagëzimit.»

Fl 3 – 4 e dorëshkrimit: kur pagëzimi nuk mund të bëhet në kisha dhe kur nuk ka prift, arqipeshkvi lejon që ta bëjnë laikët vetë, duke përdorur shqip formulën, të cilën autori e shkruan kështu:» Vnte’ paghesont pemenit Atit et birit et spertit senit» (Un të pagëzonj pr’emënit Atit e t’Birit e t’Shprtit shenjt).

Këtë dokument më të lashtë të gjuhës shqipe, të shkruar në alfabetin latin,i cili si dorëshkrim gjindet në bibliotekën Laurentiana të Firencës, e ka gjetur dhe e ka botuar Nicola Jorga.[35]

Mirëpo, nisma e «vërtetë» e përkthimit të teksteve biblike më të gjëra lidhet me emrin e Gjon Buzukut, i cili me «Mesharin» e vet bëhet gurshënues i kulturës shqiptare, dëshmi e një epoke që flet për traditën e të shkruarit shqip dhe për ekzistencën e mëhershme të librave të shkruara në gjuhën shqipe.[36]

Sado që është shkruar mjaft rreth shkaqeve dhe shkaseve të përpilimit të këtij «Meshari», prapëseprapë, mendoj se çështja mbetët e hapët. Dijmë se ky libër u paraqit në kohën e Reformacionit protestant dhe të mbajtjes së Koncilit të Tridentit (1545 – 1563). Mirëpo, nuk mund të thuhet kursesi se ky është fryt i ndikimit të Protestantizmit, i cili në këto anë as që ka mundur të ketë ndonjë ndikim të dukshëm. Sa na është e njohur, deri më tani askush nuk e ka marrë parasysh një moment tejet të rëndësishëm, e ky është fakti i përdorimit të gjuhës sllave të vjetër apo glagolike në Kishën katolike ndër kroatët si në Dalmaci, Istri, Bosnje, madje edhe në ipeshkvinë e Zagrebit. Nga ana tjetër, Ivan Kukuljeviq – Sakcinski thotë: « Gjuha slave kishtare me glagolicën në shërbesen hyjnore (…) gjatë kohës u përhap te kroatët e Kishës perëndimore aq shumë sa që në shekullin 15. mbizotëroi në tërë Dalmacinë, Shqipërinë veriore (nënvizoi; Z.M.), në Kroacinë matan Kupes, në Posavinë, Podravinë dhe Međumurje«,[37] pra, që kjo gjuhë ka qenë në përdorim e sipër, si gjuhë liturgjike edhe në Shqipërinë Veriore, atëherë besoj se këtu mund ta gjejmë edhe një prej momenteve të rëndësishme për përpilimin dhe botimin e këtij «Meshari». Dihet se treva e Ballkanit nga aspekti kishtar është sot e kësaj dite trevë misionarësh. Domethënë, asokohe ndihej mungesa e klerit vendës, ose edhe kur kishte të tillë, në aspektin e formimit teologjik, ata ishin në shkallë të mjerueshme dhe, jo vetëm që nuk e njihnin latinishten, por as sllavishten e vjetër, prandaj, siç thotë me të drejtë E. Çabej:(…) autoriteti kishtar, i cili direkt ose indirekt ngarkoi këtë famullitar shqiptar (Dom Gjon Buzukun, Z. M.) me hartimin e një vepre të këtij lloji (duhet) të ketë qenë udhëhequr në këtë punë nga vullneti i prerë për të ngritur në Shqipëri gjuhën e vendit në rangun e një gjuhe liturgjike,»[38] kuptohet si pandan të gjuhës së vjetër sllave, përkatësisht për menjanimin e saj nga përdorimi në ritet liturgjike. Kjo ka mund të jetë edhe vetëiniciativë e Dom Gjon Buzukut, i cili ka mundur të jetë edhe vetë prelat i lartë kishtar – se si prift, famullitar i thjeshtë – vështirë do të mund të gjente ndonjë botues të këtij libri, e ndoshta, edhe pa leje të hiearkisë kishtare vendëse, atëherë nuk do të kishte ndodhur që të ndalohej nga ana e inkvizicionit.[39] Kur them kështu, atëherë kuptohet në mënyrë kondicionale, pasi na mungojnë disa faqe të para, mendoj për faktin se nuk ka pasur «Imprimatur» kishtar. E kur dihet se papa Pali IV (1555 – 1559) urdhëron që Bibla të lexohet në gjuhën e popullit me lejen e posaçme të Selisë Shenjte,[40]atëherë mendoj se hiearkia kishtare vendëse, duke pasur nevojën e ngutshme për një tekst të tillë, do të ndërmerrte diçka te Selia Shenjte, që të lejohej përdorimi i tij në shërbesat liturgjike. Ndonëse, «Meshari» është doracak që përdorej në raste të riteve të ndryshme fetare, ai është edhe leksionar i parë që përmban tekste të gjëra biblike të përdorura gjatë meshës së ritit latin. Ndërkaq, arqipeshkvi i Shkupit, Pjetër Bogdani, në relacionin e tij dërguar Propaganda Fides në vitin 1665., ndër të tjerat përmend «Ungjijt në gjuhën shqipe.»[41] Çfarë dhe të kujt ishin këto përkthime, nuk dijmë asgjë.

Është interesant të theksohet se Parabola e «Djalit të humbur» apo «Djalit plangprishës» (Lk XV, 11 – 32) siç e përkthen edhe K. Kristoforidhi, qoftë përshkak të bukurisë së saj, qoftë edhe për shkak të notës edukativo – pedagogjike, ka qenë objekt përkthimi i shumë përkthyesve.

Në dialektin e Veriut – gegë, këtë Parabolë e kemi në përkthimin, sipas V. Meksit,[42] të një prifti katolik, i cili kujdesej shpirtërisht për njësitë mirditore që ishin në shërbim të Ali Pashë Tepelenës. Po këte Parabolë e përkthen edhe Giuseppe Corinaldi, prift katolik në Poreç, në Istri, më 1835. Përkthimi është në dialektin e shqiptarëve të Veriut, të cilët, duke dashur ta ruanin identitetin e tyre fetar, patën ikur para mizorive të turqve dhe u vendosën në disa fshatra përreth Poreçit, gjuha e të cilëve u ruajt deri nga mesi i shek. XIX..[43]

Mirëpo, intensiteti i përkthimit të teksteve biblike dhe të librave të tjerë fetarë do të shtohet në gjirin e pjesëtarëve të Kishës ortodokse shqiptare.

Në gjysmën e dytë të shekullit XVII. Anonimi i Elbasanit është përkthyes i katër Ungjijve, në të folmen e Elbasanit. Se kush ishte ky Anonim Elbasanas mendimet janë të ndara. Mahir Domi mendon se është Grigori i Durrësit,[44] kurse Dh. S. Shuteriqi mendon se është Papa Totasi.[45]Përkthimet e tija kanë qenë jo vetëm për sherbesa liturgjike, por edhe dëshmi e zgjimit të vetëdijës kombëtare në qarqet e Kishës Ortodokse shqiptare. Njëherit ka qenë edhe shprehje e rezistencës së saj ndaj politikës shkombëtarizuese të Kishës Ortodokse greke ndaj të krishterëve shqiptarë. Në vargun e përkthyesve të teksteve biblike hyn edhe Theodhor Haxhifilipi, nga përkthimet e të cilit janë ruajtur vetëm disa fragmente ungjijsh.[46]

Disa qytete të Shqipërisë, si Elbasani, Berati, Durrësi, Shkodra e të tjerë në saje të zhvillimit intensiv të tregtisë në gjysmën e parë të shekullit XVII. krijuan një bazë të fortë ekonomike. Bartëse e këtij zhvillimi ekonomik ishte borgjezia e vogël. Nga ana tjetër, iluminizmi evropian me idetë e veta filloi të shtrihej edhe në trevën shqiptare. Së këndejmi, themelimi i « Akademisë së re» në Voskopojë me 1774, ku kohë më parë ( në vitin 1710) u ngrit një kolegj grek, bëri që të krijohej edhe një strukturë e inteligjencës, vërtetë kishtare, por që do të jetë edhe vatër e kultivimit, në një anë të ideve përparimtare, iluministe, e në anën tjetër, edhe të idesë se vetëdijës kombëtare të Kishës ortodokse shqiptare. Kjo do të shprehet pikërisht në përkthimet e Shkrimit Shenjt dhe të librave të tjerë fetarë.

Përkthyes i Biblës është edhe Theodor Anastas Kavallioti (1728-1789), rektor i Akademisë së Re. Ky e përktheu Besëlidhjen e re dhe Besëlidhjen e Vjetër. Këtë të fundit e përktheu nga teksti i Septuagintes që është ne greqishte, meqë nuk e njihte hebraishte. Është përpjekur që të përkthen në gjuhën letrare me qëllim që të jet i kuptueshëm për të dy dialektet. Siç duket, kjo gjuhë ishte elbasanishtja.

Kështu nga mesi i shek. XVIII Gregori i Durrësit, i cili pas shuarjes së patriarkatit të Ohrit më 1767,[47] u zgjodh arkipeshkop në Durrës, përktheu Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatën e Re. Ndërkaq, G. Schirò na njofton edhe për një dorëshkrim të një përkthimi të Ungjillit sipas Mateut në shqip nga një «Anonim Epirot[48]

Duke u nisur nga fillimi i shekullit XVIII janë bërë përpjekjet në përkthimin e ndonjë libri të Shkrimit Shenjt, por që kanë mbetur në dorëshkrim. Një i tillë është N.N., Ungjilli sipas Mateut, i vitit 1700 dhe i cili gjendet në Bibliotekën private të Zef Skiroit. Përkthyesi nuk dihet dhe përkthimi është bërë në toskërishte; Andrea Dara: (1796-1872): Ungjilli sipas Mateut.[49]           

Së këndejmi, duke i falenderuar porosive dhe subvencionimit të Shoqërisë biblike në Londër, në shërbim të cilës kanë qenë edhe disa përkthyes rilindas të njohur, përkthimet e teksteve biblike, dhe botimi i tyre gjatë shek. XIX do të intensifikohet.

Me 1824 Vangjel. Meksi nga Labova afër Gjirokastrës përktheu Ungjillin sipas Matheut, të cilin e redaktoi Grigor Gjirokastriti,[50] ndërsa më 1827 doli përkthimi i tij i Dhjatës së Re.[51] Parabola e «Djalit të humbur» (Lk XV, 11-32) në dialektin toskë përkthehet më 1813 nga ana e një Anonimi, dhe i njejti tekst përkthehet më 1826. Ndërkaq më 1829 po këtë tekst e përkthejnë vëllezërit Thanas dhe Spiro Çelo.[52] Siç duket, me përkthimin e teksteve biblike është marrë edhe Naum Veqilharxhi. Përveç teksteve biblike që i kishte përfshirë në Evetarin e vitit 1845, mendohet se Veqilharxhi për Shoqërinë e Biblës në Londër, e kishte përkthyer edhe Dhjatën e Re.[53]

Nga kjo që u tha deri më tash, pavarësisht se është fjala për përkthimin e Biblës në tërësi apo vetëm të fragmenteve të saj, qoftë thjesht për nevojat liturgjike ose për lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, përkthimit të teksteve biblike, konkretisht të Dhjatës se Re nga ana e Konstantin Kristoforidhit, i ka paraprirë një traditë mjaft e gjatë për nga koha. Dhe, s’do mend se gjatë përkthimit të teksteve të përmendura, përkundrejt fakti të një parapërgatitjeje solide gjuhësore, sidomos të atyre semite, konkretisht hebraike, i ka konsultuar përkthimet e mëparshme të Biblës në gjuhën shqipe, sidomos të V. Meksit, të redaktuar nga Grigor Gjirokastriti, botuar më 1824 dhe 1827 dhe ribotuar më 1858.[54]

Me përkthimin e Biblës Konstantin Kristoforidhi (1830 – 1895) filloi të merrej që në vitin 1857, kur edhe filloi përkthimin e Ungjillit pas Matheut, të cilin e përfundoi me 1860. Për Shoqërinë Biblike në Londër, me të cilën, për shkak të shpifjeve të ndryshme, Kristoforidhi nuk i ka pasur përherë marrëdhëniet të mira,[55]më 1859[56] fillon të përkthej Dhjatën e Re në gegërishte, ndërkaq më 1869 i përkthen psalmet po ashtu në gegërishte, të cilat i boton së bashku në Stamboll, .[57] Përveç Dhjatës së Re dhe Psaltirit, ai përkthen edhe disa fragmente nga Besëlidhja e Vjetër.[58]

Përveç Vulgatës, përkthim i Biblës nga ana e Shën Jeronimit në gjuhën latine, teksti bazë të cilin Konstantin Kristoforidhi e ka shfrytëzuar në përkthimin e teksteve të përmendura ka qenë teksti k o i n e. Për një konstatim të tillë flet edhe fakti se ky ka qenë «textus receptus», përkatësisht «tekst i pranuar» për të gjithë, pra edhe nga Kisha greke.[59] 

Pas K. Kristoforidhit në shekullin e XIX., si përkthyes i Ungjillit të Mateut përmendet edhe njëfarë P. Franceso Rossi.[60]

Kemi përkthime e botime ndër italoarbëresh, siç është: Ungjilli sipas shën Mateut i përkthyer nga teksti grek në dialekt shqiptar të Piana dei Greci në Siqeli prej një të linduri nga ky vend. I rishikuar dhe i ndrequr prej Dom Demetrio Kamardës, autorit të gramatikës shqipe, Londër, 1866[61]; pastaj : Ungjilli i shën Mateut, i përkthyer nga teksti greqisht në dialektin kalabrez- shqiptar të Frashinetit prej Zot. Vinçenc Dorsa, Londër, 1869.[62]

Përkthimet e K. Kristoforidhit i ka çmuar jashtëzakonisht kleri i ulët katolik shqiptar të cilat, ndonëse pa lejen «imprimatur-in» të organeve kishtare, do t’i përdorë gjatë riteve kishtare, për ç’arsye shumë prej tyre do të thirren në përgjegjësi.

Kisha katolike e ballafaquar me faktin se kleri është duke i përdorur përkthimet e Biblës pa «imprimatur» të organeve kishtare, fillon të merret me këtë problem.

Kështu Anton M. Xanoni, italian i shqiptarizuar, anëtar i Shoqërisë Jezuite, e përkthen Ungjillin e Sh’Mateut të cilin e boton në Shkodër me 1915. Për fat të keq, vdekja e hershme në vitin 1917 nga gripa spanjolle, e ndërpreu qëllimin e tij që ta përkthej Besëlidhjen e Re në tërësi..

Në Shqipëri, në gjysmën e parë të shek. XX ka pasur mjaft iniciativa në përkthimin e teksteve biblike.

Unjilli i Jezu Krishtit mbas Sh’Njonit, është përkthim D. Llesh Bitrojt, Shkodër – Shtyp. e Zojës së Paperlyeme, 1921. Përkthyesi në «Parathënie» thotë se ka pasur para sysh tekstin «iuxta vulgatam Clementinam», të përgatitur prej kap. Mikel Hetzenauerit si edhe tekstin greqisht të Eberard Nestles. Gjuha është shumë e rrjedhshme – gegnishte me mjaft neologjizme.[63]

Nuk mund të mos e përmendi edhe «Bylbylin e Kosovës», siç e quanin Don Ndue Bytyçin i cili Psalmet e Davidit i rikëndon në gjuhën shqipe dhe i boton në faqet e revistës mujore «Zani i Zemrës së Jezu Krishtit», që e botonin Jezuitët e Shkodrës.[64]

Në vitet e 30-ta të shekullit XX kanë qenë të përkthyer edhe Ungjijt e Markut dhe të Lukës në përgatitje të P. Pietro Palladinit dhe P. Zef Valentinit dhe nën mbikqyrjen e P. Gjon Karmës dhe Don Ndre Mjedes.   

Të ballafaquar me mungesën e tekstit integral të Biblës në Shkodër, në vitet e 30-ta të shekullit XX me qëllim që të përkthehet Bibla integrale formohet një këshill koordinues, anëtarët e të cilit kanë qenë intelektualët e shquar laik dhe të klerit, në krye me P. Gjergj Fishtën.[65] Mirëpo, kjo punë nuk u realizua, duke iu falënderuar stuhisë së Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj regjimit antinjerëzor dhe antikombëtar të Enver Hoxhës. Të gjithë ata intelektual, qofshin klerik apo laik të cilët nuk patën fat të ikin nga Shqipëria, sipas gjykimeve «popullore» me procedurë të shkurtër, dërgoheshin në pushkatime apo burgime të shumëvjeçare. Por, edhe nëpër këto kazamate nuk u shua ideja e nevojës së përkthimit integral të Biblës, përkundrazi, ajo gjithnjë e më tepër u poq.

Njëri prej tyre ishte edhe P. Donat Kurti, i cili më 15. janar 1948. u denua me burgim të përjetshëm, që më vonë u shndërua automatikisht në 25 vjet. Mbas 17 vjetësh u lirua. Ai, gjatë viteve të burgimit në burgjet më të tmershme, siç ishte ai i Burelit, së bashku me disa sivëllezër të tij, e përktheu Besëlidhjen e Re. Meqenëse në këto burgje ndalohej leximi i librave të tjerë përveç atyre të Marksit, Engelsit, Lenjinit, Stalinit dhe të Enver Hoxhës, ai megjithatë nuk u dorëzua. Përkthimin e mbajtën të fshehur qofte në kopertinat e librave të Leninit apo në ndonjë mënyrë tjetër. Megjithatë, deri më sot, përveç Ungjillit të Shën Gjonit, përkthimet e Ungjijve tjere nuk u botuan. Për fat të keq, meqë përkthimi është në gegërishte, nuk përdoret në meshë.[66]

Dom Frano Illija është përkthyes i Librit Tobias nga Vulgata. Përkthimi është gegërisht – shkodranisht dhe gjuha e rjedhshme[67].

Po ashtu Dom Zef Oroshi është përkthyes i Shkrimi shenjët Dhiata e Re, Ungjilli i Jezu Krishtit simbas Matheut. Përkthyer shqip prej tekstit origjinal kritik greqisht.[68] Ndër përkthyesit numërohet edhe Dom Rrok Matej: Ungjilli dhe Veprat e Apostujve ka mbetur në dorëshkrim, Ferizaj 1969.[69]

Në të folurit e gegërishtës më 1978. në New York, doli përkthimi i «KatërUngjijve dhe punët e Apostujve» nga penda e Msgr. Dr. Zef Oroshit, i cili nga Shqipëria iku nëpër Kosovë, së pari në Itali e pastaj në SHBA.[70]

Njëri prej përkthyesve më të palodhshëm i teksteve të Shkrimit Shenjt në gjuhën shqipe është Dom Simon Filipaj. Përveç teksteve liturgjike sipas udhëzimit të Koncilit II Vatikanit është përkthyes i Ungjijve në veçanti 1.: Shkrimi Shenjt Besëlidhja eRe, Ungjilli sipas Mateut, botim i Shoqërisë Biblike, Beograd, 1977; 2.:Bibla e ilustruar për të rinj – Zagreb 1978; Drita – KS. (1988); 3.: Besëlidhja e Re-Përktheu nga teksti origjinal, Kršćanska Sadašnjost – Drita – Ferizaj, 1980; 1991; 4. Shkrimi Shenjt: Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, «Drita» Ferizaj 1994.[71]

           

Përfundim

Nga gjithë kjo që u tha më sipër del qartë se tradita e përkthimit të teksteve biblike fillon me «Formulën e pagëzimit» sipas ritit romak «Unë po të pagëzoj në Emën të Atit, të Birit e të Shpirtit Shejt» e cila daton nga viti 1462, e autor është arqipeshkvi i Durrësit, Palë Engjëlli. Këtë formulë e karakterizon të menduarit dhe të shkruarit letrar europian, e deri më tani njihet edhe si dëshmia më e lashtë e shkrimit shqip.

Mirëpo, nisma e vërtetë e përkthimit të teksteve biblike më të gjëra lidhet me emrin e Gjon Buzukut, i cili me «Mesharin» e vet bëhet gurëshënues i kulturës shqiptare, dëshmi e një epoke që flet për traditën e të shkruarit shqip dhe për ekzistencën edhe më te hershme të librave të shkruara në këtë gjuhë.

Përkundrejt errësirës shpirtërore e kulturore që i kaploi të gjithë popujt e Ballkanit që ishin të pushtuar nga fuqia osmane-turke. kuptohet se ky proces nuk u ndal.

Intensiteti i përkthimit të teksteve biblike dhe të librave të tjera fetare do të shtohet në gjirin e pjesëtarëve të Kishës ortodokse shqiptare.

Në gjysmën e dytë të shek. XVII, Anonimi i Elbasanit, me përkthimin e katër Ungjijve, në të folmen e Elbasanit, sigurisht për përdorim në liturgji, është jo vetëm dëshmi e zgjimit të vetëdijës kombëtare, por edhe shprehje e rezistencës së saj ndaj politikës shkombëtariuzuese të Kishës ortodokse greke ndaj të krishterëve shqiptarë.

Në vargun e përkthyesve të teksteve biblike hyn edhe Theodhor Haxhifilipi, pastaj arqipeshkvi i Durrësit, i njohur me emrin Grigori i Durrësit, Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastriti.

Ndër më të njohurit, dhe sa i përket strukturës gjuhësore i pakrahasuar, është pa dyshim Konstantin Kristoforidhi nga Elbasani. Si njëri prej njohësve më të mirë të gjuhës shqipe që për përkthimin e Biblës është tejet e rëndësishme, ka qenë edhe njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës greke dhe gjuhëve semite, konkretisht gjuhës hebraike, arabe e të tjerë

 Përkthimet e tij i ka çmuar jashtëzakonisht kleri i ulët katolik shqiptar, përkthime këto të cilat, ndonëse pa lejën e organeve kishtare, do t’i përdor gjatë riteve kishtare.

Kisha katolike e ballafaquar me faktin e përmendur, fillon të merret me përkthimin e teksteve biblike. Kështu Anton M. Xanoni, anëtar i shoqërisë Jezuite, e përkthen Ungjillin e Sh’Mateut të cilin e boton në Shkodër më 1915.

Mirëpo, kleri i lartë katolik shqiptar është marrë më tepër me politikë se sa me problemet kishtare dhe ato të thirjes së tyre meshtarake. Kjo është edhe e kuptueshme kur dihet se populli shqiptar doli nga errësira shpirtërore osmano-turke më 28. Nëntor 1912, kurse integriteti i vendit të coptuar gjithnjë cenohej nga fqinjët e tij. Prandaj, janë marrë më tepër me botimin e veprave shekullare, vërtetë të literaturës klasike dhe asaj botërore, kurse Bibla përkthehej copa – copa.

Të ballafaquar me mungesën e tekstit integral të Biblës në Shkodër, në vitet e 30-ta të shekullit XX formohet një këshill koordinues, anëtarët e të cilit kanë qenë intelektual të shquar laik dhe të klerit, në krye me P. Gjergj Fishtën, me qëllim që të përkthehet Bibla integrale.

Mirëpo, kjo iniciativë nuk u reailzua, duke iu falenderuar stuhisë së Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj regjimit të Enver Hoxhës.Të gjithë ata intelektual, qofshin klerik apo laik të cilët nuk patën fat të ikin nga Shqipëria, sipas gjykimeve «popullore» me procedurë të shkurtër, dërgoheshin në pushkatime apo burgime shumëvjecare.

Por edhe nëpër këto kazamate nuk u shua ideja e nevojës së përkthimit integral të Biblës.Për më tepër këtu gjithnjë e më tepër u poq.

Njëri prej përkthyesve  ishte edhe P. Donat Kurti, i cili më 15 janar në vitin 1948 u dënua me burgim të përjetshëm, që më vonë u shndërrua automatikisht në 25 vjet, e pas 17 vjetësh u lirua.

Ai, gjatë viteve të burgimit, në burgjet më të tmerrshme, siç ishte ai i Burelit, së bashku me disa sivëllezër të tij, e përktheu Besëlidhjen e Re. Meqenëse në këto burgje ndalohej leximi i librave të tjerë përveç atyre të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe të E. Hoxhës. P. Donat Kurti, megjithatë, nuk u dorëzua. Përkthimin e mbajtën të fshehur, herë në kopertinat e librave të Leninit apo në ndonjë mënyrë tjetër. Megjithatë deri më sot, përveç Ungjillit të Shën Gjonit, perkthimet tjera nuk u botuan. Përkthimi u bë në gegërishtën e butë.

Në të folurit e gegërishtës me 1978. në New York, doli përkthimi i «Katër Ungjijve dhe punët e Apostujve» nga penda e Msgr. Zef Oroshit i cili nga Shqipëria iku nëpër Kosovë, së pari në Itali e pastaj në Amerikë.

Përkthyes i fundit i Biblës në gjuhën shqipe është Dom Simon Filipaj (1925 – 1999), meshtar i argjipeshkvisë së Tivarit. Kështu në botimin e «Drita» – «Krščanska sadašnjost» në Zagreb më 1980 doli përkthimi i tij i Besëlidhjes së Re në tërësi, e në vitin 1994 edhe teksti integral i Besëlidhjes së Vjetër dhe të Resë.

Në fund nga gjithë kjo që u tha mund t’i nxjerrim dy përfundime tejet të rëndësishme për kulturën e mirëfillt shqiptare dhe identitetin europian të popullit shqiptar.

Së pari: »Rëndësia e përkthimeve të Biblës për zhvillimin e sëcilës gjuhë letrare është jashtëzakonisht e madhe. Ajo qëndron në dy elemente. Duke e adaptuar çfarëdo gjuhë për përkthim të teksteve të tilla, përkthyesit janë të detyruar që ti zbulojnë mundësitë e fshehta dhe të pashfrytëzuara të gjuhës në të cilën përkthehet dhe kështu të zhvillojnë shprehjet letrare të asaj gjuhe. Kështu përkthimi i Biblës  paraqet mundësitë e sëcilës gjuhë në të cilën ajo përkthehet si dhe pasurimin e ri të saj. Tregon mundësitë e reja të cilat bashkësia gjuhësore dhe letrare deri më atëherë nuk i kanë zbuluar.[72]» E tërë kjo mund të aplikohet në përkthimet e Biblës në gjuhën shqipe.

Së dyti, duke i falënderuar «Formulës së pagëzimit» u ruajt identiteti shpirtëror dhe kulturor i mirëfilltë europian i popullit shqiptar, «të ndërtuar, në njërën anë, mbi kulturën patriarkale vendëse, kurse, në anën tjetër mbi kulturën klasike romake dhe mbi krishterimin.»[73] /drita.info

 

 

(Ky shkrim i prof. Zef Mirditës, histrian, është shkruar në vitet ’90-ta me rastin e përkthimit të plotë dhe botimit të Biblës në gjuhën shqipe, i përkthyer nga Don Simon Filipaj dhe i botuar nga Sh. B. “Drita”. Autori ia ka dhënë këtë tekst kryeredaktorit tonë dhe tani botohet pa ndërhyrje, përveç ndonjë prekje teknike.  Redaksia.)

.

———————————————

[1] Në bregdetin mesdhetar gjendej qyteti i quajtur XHEBEL. Fenikasit e kanë quajtur GUBLU, ndërsa grekët e kanë quajtur BYBLOS, dikur qytet e gjallë dhe lima tregtar, pakës më sipër të Bejrutit të sotëm në Libanon. Falë Fenikasve të cilët e shpikën alfabetin, që ëhtë bazë e alfabetit të sotëm. Njerëzit nga Byblosi blenin papirus-in nga Egjipti nga i cili përgatiteshin librat dhe sipas tij u quajt edhe BIBLA.

[2] Në shqipe ndeshemi edhe me «Shkronja Shejte» (shih. Anton M. X a n o n i   SJ., Ungjilli i Jezu Krishtit mas Sh’Mateut. Shkodër. «Shtyp. e Zojës s’paperlyeme 1915.: 12) nga latinishtja »Scriptura Sacra». Përveç këtyre emërtimeve, kemi edhe DHJATA e VJETËR dhe  DHJATA e RE, TESTAMENTI i VJETËR dhe TESTAMENTI i RI, po ashtu nga latinishtja :Testamentun antiquum et Testamentum novum»Të dy këto fjalë duan ta përkthejnë fjalën greke « he diatheke» me të cilën u përkthye fjala hebraike «BERITH» që do të thotë: lidhje, god, pakt, besëlidhje ( Besëlidhja e re, përktheu nga origjinali Donn Simon F i l i p a j. «Kršćanska sadašnjost – Drita, Zagreb – Ferizaj, 1980.: XI; W. J. H a r r i n g t o n, Uvod u Bibliju (përkthim nga anglishtja: Record of Revelation: The Bible), «Kršćanska sadašnjost» Zagreb, 1977.:19 ss.

[3] W. J. H a r r i n g t o n, Uvod u stari zavjet – Spomen obećanja  (përkthim nga anglishtja: The Old Testament ),» Kršćanska sadašnjost «, Zagreb, 1977; Idem, Uvod u Novi Zavjet – Spomen ispunjenja (Record of the Fulfillment – The New Testament ), «Kršćanska sadašnjost», Zagreb 1975.; Claus  SCHEDL, Geschichte des Alten Testaments I. Band. Alter Orient und Biblische Urgeschichte. Zweite Auflage. Innsbruck – Wien – München, 1964; J. B. P r i t s c h a r d, Archaeology and the Old Testament, Princeton University Press. Princeton, N. J. 1958.; P. Bellarmino B a g a t t i, L’Archeologiua Cristiana in Paletina, G.C. Sansoni. Firenze 1952 e tj..

[4] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju..., fq. 133.

[5] Neh 13, 24.

[6] Iz 19, 18.

[7] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju…, fq. 133 s.; E. WEBER, Kumranski rKOPISI IZ PEĆINA KRAJ Mrtvoga mora. Drugo izdanje, BIGZ. Beograd 1983.

[8] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju…, fq. 134.

[9] Claus SCHEDL, op. cit. I., fq. 92 ss.

[10] 2 Mb 18, 26.

[11] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju….,fq. 134 ss.

[12] W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet…, fq. 162 – 163

[13]  Idem, fq.  211.

[14]  Idem, fq.  406.

[15] Gjn I, 38, 41, 42; IV 25; IX 7; XI 16; XIX 13, 17; XX 16; XXI 2.; W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet…, fq. 405.Ndërkaq, tradita popullore thotë se Ungjilli i Mateut është shkruar në gjuhën aramease për hebrenjtë e kthyer në krishtërizëm. Ndonëse autori i tij nuk dihet me siguri, ky u përkthye në gjuhën greke nën mbikqyrjen e vetë Mateut.(Shih: W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet…, fq.163.). Ndërkaq, ndikimi i arameishtës shihet qartë te Pali, i cili për nga formimi intelektual ka qenë më i kompletuari se gjithë apostujt e tjerë. Ai,që nga fëjëria e fliste arameishtën dhe ndonjëherë, kur shkruante greqisht, mendonte arameisht (Shih: W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet…, fq. 15 – 16, 291). Vetëm Luka u ikën hebraizmave, ndërsa fjalët aramease i përkthen (Shih: W. J. HARRINGTON, op. cit., fq. 211). Së këndejmi, në saje të shprehjeve latine që përdor Marku ( psh. Mk XII, 42; XV, 16), edhe pse është shkruar në gjuhën e thjeshtë popullore greke, mund të konkludohet se kjo vepër është shkruar në një mjedis romak.(Shih: W.  J. HARRINGTON, op. cit., 145 – 146).

[16] Gjn I, 1-18; 1 Gjn I, 1. Megjithatë, të gjithë egzegetët janë të mendimit se nocioni «LOGOS» te Gjoni duhet shpjeguar dhe kuptuar  në kontekstin e Besëlidhjes së Vjetër dhe të traditës së krishterë (Shih: W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet…, fq. 445).

[17] Zb XIX, 11 – 13.

[18]  1 Kor VIII, 6; 2 Kor V, 6 – 8; Rom XI, 36; Ef  IV, 6. Shih edhe: W. J. HARRINGTON, Uvod u Novi Zavjet..., 15 – 16.

[19] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju…, fq. 140.Këtu gjendet e tërë lista e dorëshkrimeve të teksteve biblike.

[20] W. J. HARRINGTON, Uvod  u Bibliju..., 144 – 146.

[21] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju. fq. 53.; O. GOLDMANN, op. cit., 21.

[22] W. J. HARRINGTON, op. cit., fq. 101.

[23]  Idem, fq. 105..

[24] Lidhur me kanonicitetin e librave të Besëlidhjes së Vjetër ekziston dallimi në mes Kishës Katolike dhe atyre ruse, greke dhe protestante. Derisa për katolikët 45 librat e Besëlidhjes së Vjetër janë kanonike, për protestantët  janë gjithsej 39 sikurse edhe Bibla hebraike. Librat Deuteronome për protestantët janë apokrife, kurse për Kishën ortodokse ruse një qëndrim i tillë është dogmë, ndërsa për Kishën ortodokse greke nuk ka qëndrim të prerë.

( Shih:G. PERELLA, Introduzione generale alla Sacra Bibbia.Roma – Torino, 19522, fq. 164 – 167.; W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju…, fq. 116.

[25] O. GOLDMANN, op. cit., fq. 6.

[26] Mentaliteti perëndimor është shprehur edhe në ndarjen dhe sistemimin e librave të Besëlidhjes së Vjetër në ate historik, profetik dhe pedagogjiko-edukativ. Ndërsa më e saktë dhe më «biblike» do të ishte ndarja që e kanë bërë hebrenjtë në Tora, profetët dhe shkresat.(Shih: W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju...,fq. 101.)

[27] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju..., fq. 38 – 39, 56 – 57;  David M. STANLEY, SJ – Raymond E. BROWN, SS., Bitni elementi Novozavjetne misli, në: Biblijska teologija Staroga i Novoga Zavjeta. «Kršćanska sadašnjost» Zagreb 1980., fq. 324 ss.

[28] W. J. HARRINGTON, Uvod u Bibliju…, fq. 101.

[29] Claus SCHEDL, V/1964.: 258 s.

[30] Opći uvod u Bibliju, Biblija Stari i Novi Zavjet. Stvarnost – Zagreb, 1968.:320.; Dom Simon FILIPAJ, Letrat e Palit, Shkrimi Shenjt. Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, Ferizaj 1994.: 1587 s.

[31] Opći Uvod u Bibliju – Evanđelja, Stvarnost – Zagreb, 1968.:295, 298, 300, 303; Dom Simon Filipaj, Shkrimi Shenjt, Drita – Ferizaj 1994.: 1983, 1428, 1457, 1504.

[32] Duhet dalluar gjuha zyrtare kishtare nga gjuha e Kishës orientale, e cila deri më 1922, kur futet në përdorim gjuha shqipe, ka qenë greqishtja dhe çdo përpjekje e përdorimit të gjuhës shqipe, qoftë në rite ceremoniale a në tekste fetare nga Kisha greke përndiqej ( shih: Xhevat  LLOSHI, Duke kërkuar nëpër arkivat e huaj, në: Drita viti XII Nr. 328611), 3 shtator 1972, fq. 14), ndërsa në Kishën e ritit perëndimor apo katolike deri me Koncilin II të Vatikanit që u mbajt prej 11. X. 1962 – 8. XII. 1965., kur në të gjitha ceremonitë fetare, pra edhe në meshë, futet në përdorim gjuha e popullit me çka gjuha latine hiqet nga përdorimi. Mirëpo, uratat private, leksionarët me fragmente nga Bibla a katekizmet kanë qenë të përpiluara në gjuhën shqipe dhe të përdorura zyrtarisht (Shih: Dhimitër SHUTERIQI, Shkrimet shqipe në vitet 1332 – 1850. Tiranë, 1963, fq. 34 nr.7(1462) fq.42 nr. 13(1555), fq.47, Nr. 14 – 16 (1592), fq. 56, Nr.23 – 24 (para 1616) fq.60, Nr.25 (1618) etj.; G. PETROTTA, Popolo, lingua e letteratura albanese.., fq. 64 – 78, 86 – 100 ss.

[33] Eqrem ÇABEJ, Gjon Buzuku dhe gjuha e tij, në: Studime gjuhësore VI «Rilindja» Prishtinë 1977.78.

[34] Ch. Kohler, Recueil des historiens des Croasades, Paris 1906, vol. II, p. 487.; ap. Dh. S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë,1963:.13.  »Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnis suis libris

[35] Nicola JORGA, Notes et extraits pour servir à l’histoir des croisades au XV siècle 4 sèries (1453 – 1476), Bucarest 1915.:193 ss; Mario ROQUES, Recherches sur les anciens textes albanais, Paris, 1932.. 7; Shkrimtarët shqiptarë. Pjesa I. (1462 – 1878). Tiranë, 1941 –XIX, fq. 3.

[36] P. SCHIRÒ – G. PETROTTA, Il più antico testo di lingua albanese. Trascrizione fonetica con note e osservazione grammaticali di Mons. P. Schirò e riproduzione del testo dell’Editio princeps con introduzione di G. Petrotta, në: «Revista indo-greco-italica», XVI(1932),fq. 41 – 67.; G. PETROTTA, Popolo, lingua e letteratura…, fq. 64 ss.; ¨»Meshari» i Gjon Buzukut (1555): Botim kritik. Punuar nga E. ÇABEJ; I – II; Tiranë, 1968. (Universiteti Shtetëror i Tiranës. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë); Meshari i Gjon Buzukut I-II, «Rilindja», Prishtinë, 1987; Martin CAMAJ, «Mesale» di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi, Roma, 1960.; G. SCHIRÒ Jun. , Storia della letteratura albanese. «Nova Academia editrice» Milano 1959., fq. 75 ss; DH. S. SHUTERIQI, Mbi Barletin dhe shkrime të tjera., Tiranë, 1979, fq. 129 – 143; Idem, Shkrimet shqipe…., fq. 42, nr. 13 (1555).

[37] cit. ap. Franjo FANCEV, O najstarijem bogoslužju u Posavskoj Hrvatskoj, në: Zbornik Kralja Tomislava u spomen tisuću godišnjice Hrvatskoga Kraljevstva. Izdala JAZU. Posebna djela. Knj. XVII. Zagreb 1925, fq. 514. :»Slovenski crkveni jezik s glagolskom službom božjom (…) rasplodi se tečajem vremena kod Hrvata zapadne Crkve na toliko, da je u 15. vijeku vladao po svoj Dalmaciji, sjevernoj Albaniji, prekokupskoj Hrvatskoj, posavskoj, podravskoj i međumurskoj

[38] Eqrem ÇABEJ, «Meshari» i Gjon Buzukut, II., fq. 23 – 24.

[39] Dh. S. SHUTERIQI, Mbi Barletin dhe shkrime të tjera…, fq.136.

[40] Otto GOLDMANN, Ima li Biblija pravo, Zagreb, 1971.:6

[41] DH. S. SHUTERIQI, Mbi Barletin dhe shkrimet tjera, Tiranë, 1979, fq. 136

[42] V. MEKSI, Ali Pashë Tepelena dhe gjuha shqipe, në: Studime filologjike. nr. 3/1975 (Tiranë), fq. 128 (Prej tashit: SF.).; DH. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe…, fq. 183, n. 1

[43] Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe…, fq. 144 nr. 211 (1835).

[44]  Mahir DOMI, Rreth autorit dhe kohës së dorëshkrimit Elbasanas me shqipërim copash të ungjillit, në: Konferenca e parë e studimeve Albanologjike. Tiranë 1965, fq. 272.

[45] Dh. S. SHUTERIQI, Diskutim rreth kumtesës së Prof. M. Domit «Rreth autorit dhe kohës së dorëshkrimit elbasanas me shqipërim copash të ungjillit, në: Konferenca e parë e studimeve Albanologjike…, fq. 397.;  Idem, Shkrimet shqipe…, fq. 91, nr. 60 (pdt); Idem, Mbi Barletin dhe shkrime të tjera…, fq. 3 – 22.; Historia e letërsisë shqipe, I – II, Prishtinë 1968., fq. 240 -241.

[46] J. G. HAHN, Albanesische Studien I., Jena – Wien 1853, fq. 296.; Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe..., fq. 115 – 116, nr. 151 – 154  (para 1805); Historia e letërsisë shqipe, I-II, Prishtinë, 1968, fq. 242 – 244

[47] Dh. S. SHUTERIQI, Historia e letërsisë shqipe, I-II., Prishtinë 1968., fq. 241., thotë se Patrikana e Ohrit prishet me 1769, kurse në «Shkrimet shqipe…, fq. 89, 1767, siç thuhet edhe në «Historia e popullit shqiotar I/1959., fq. 389.

[48] Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe..., 142,  nr. 165 (pdt).

[49] Eqrem ÇABEJ, Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre, në: Studime gjuhësore. «Rilindja» Prishtinë 1977, fq.332.

[50] Xhevat LLOSHI, Të dhënat dokumentare të reja mbi veprimtarinë e V. Meksit, G. Gjirokastritit dhe K. Kristoforidhit, në: SF. 4, 1973, fq.176.; Historia e letërsisë shqipe I – II/1968, fq.245; Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe..., fq. 131, nr. 186 (1824).Dom Simon FILIPAJ, Perpjekje përkthimi të Shkrimit Shenjt – Biblës në gjuhën shqipe, në:Papa në Shqipëri 25 prill 1993. Radio Vatikani 1995., fq. 80

[51] Xhevat LLOSHI, Të dhëna dokumentare..., 176.; Idem, Duke kërkuar nëper arkivet e huaja, në: «Drita» XII. Nr. 32 (611), 3 shtator 1972, fq. 2. ; Dom Simon FILIPAJ, ibidem.

[52] G. PETROTTA, op. cit., fq. 454,  476.; Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe…., fq. 138, nr. 198 – 199 (1829). 

[53] Dh. S. SHUTERIQI, Shkrimet shqipe…, fq. 163, nr. 250 (1844)

[54] Rexhep QOSJA, Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi. vëllim II, Prishtinë, 1984 .fq. 386.; Dom Simon FILIPAJ, op. cit. 80.

[55] Ibidem, fq. 462.

[56] Ibidem, fq. 461.

[57] Dhjata e Re e Zotit edhe Shelbyesit t’ynë Jesu – Krishtit. Këthyen prej greqishte së vjetër shqip në gjuhë Gegënishte prei Konstantin Kristoforidhit, Elbasanasit, Konstantinopol, 1872.

[58] Lidhur me datat këtu u jam përmbajtur atyre që i sjell R. Q o s j a , vep. e cit. II, fq. 461 – 463., ndonëse G. S c h i r ò i  J u n., Storia della litteratura albanese…, fq. 98., thotë se Besëlidhjen e re në toskërishte dhe gegërishte e përktheu në vitet 1866-1879. Psalltirin 1868 – 1872. dhe pjesët e Besëlidhjes së Vjetër 1880 – 1884.Më gjërësisht për këtë shih edhe G. Petrotta, op. cit., fq. XXIII dhe 287.

[59] Novum Testamentum Graece et Latine. Utrumque textum cum apparatu critico imprimendum curavit Eberhard Nestle novis curis elaboraverunt Erwin Nestle et Kurt Aland. Editio vicesima secunda. United Bible Societies London.

[60] P. Francesco ROSSI, Il vangelo di S. Mateo, in Albanese, London  1870.

[61] Simon FILIPAJ, op. cit., fq. 77: Il Vangelo di San Matteo, tradotto dal testo greco nel dialetto lbanese di Piana dei Greci in Sicilia da un nativo di questo luogo. Riveduto e corretto da don Camarda, autore della grammatologia albanese, Londra 1866.

[62] Simon FILIPAJ, ibidem: Il Vangelo di San Matteo, tradotto dal testo greco nel dialetto calabro-albanese di Frascineto dal Sign. Vincenzo Dorsa, Londra 1869.

[63] Dom Simon  FILIPAJ, op. cit., fq. 78.

[64] Zef  VALENTINI, Ndue Bytyçi, në: Shkrimtarët shqiptarë. Pjesa I. (1462-1878), Tiranë, 1941- XIX,  175 s.

[65] Giuseppe VALENTINI  S.J.,  La missione dei Gesuiti e la cultura albanese, Milano 1976., fq. 29.

[66] P. Zef  Pllumi, Donat Kurti. Shqipërim i Testamendit të Ri. Nga «Ungjilli i Shën Gjonit», në: Quo vadis, Shqipëri. Antologji e përgatitur nga Ardian Klosi, Tiranë – München, 1993, fq. 246 -282.

[67] Simon FILIPAJ, op. cit. fq. 78.

[68] Ibidem.

[69] Idem, fq. 79.

[70] SHKRIMI SHKJT. Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet. Përkthye shqip prej teksteve origjinale nga Msgr. Dr. Joseph J. Oroshi. Our Lady of Good Counsel. Albanian Roman Catholic Center 4221 Park Ave. Bronx, N.Y. 10457 U. S. A. 1978.

[71] Dom Simon FILIPAJ, op. cit., fq.78, 79, 81, 82, 83.

[72] Radoslav KATIČIĆ, «Hrvatski rujopis, nr. CXXX. Zagreb, 3. veljače 1994., str. 15.

[73] R. QOSJA, Shqiptarët dhe Evropa, në: Strategjia e Bashkimit Shqiptar, Tiranë 1998., f. 9.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »