Lutja – aftësimi për ta vlerësuar dritën dhe ngushëllimin e Zotit

Feb 19 • Meditimi i ditës

19 shkurt 2020 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 1, 19-27; Ps 15, 2-5; Mk 8, 22-26)

 

Prania e Hyjit

Kur jam i/e ftuar të rri me mikun,

mezi pres të takohem dhe e ndiej veten se më bëhet nder.

Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në afërsinë e tij,

Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndjej dashurinë e tij.

Në fe dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën ndaj Hyjit,

Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i vetëdijshëm për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e lidhur, që ndan.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të ndërthurur me marrëdhënie – me raporte apo lidhje të shumta me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedhë nëpërmjet tyre.

Disa prej këtyre raporteve janë të shtrembëruara, disa të prishura, disa të ndërprera:

Ndoshta për shkak kësaj ndjehem i/e mërzitur, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Mk 8, 22-26

 

22 Dhe arritën në Betsaidë. Aty i sollën një të verbër dhe iu lutën ta prekte. 23 Ai e mori për dore të verbërin, e qiti jashtë fshatit, i pështyu në sy, vuri duart mbi të dhe i tha:

“A sheh gjë?”

24 Ai i hapi sytë dhe tha:

“Po shoh njerëz… më duken si drurë… ecin.”

25 Pastaj Jezusi prapë i vuri duart mbi sytë e të verbërit. I verbëri pa qartë. U shërua. Shihte mirë, gjithçka. 26 Jezusi e nisi të shkojë në shtëpi e i tha: “Mos hyr assesi në fshat!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e mori të verbrin dhe e çoi jashtë fshatit, pasi e shëroi, i tha që mos të kthehej më atje. Kjo kohë e lutjes për mua është kohë shkëputjeje nga çdo gjë tjetër, kohë kur unë jam vetë me Jezusin. A kam ndonjë brengë për shkak të së cilës s`po jam në gjendje të shkëputem për një kohë? A ekzistojnë gjëra për shkak të të cilave jam i/e shqetësuar që do të mund t`i dorëzoja në duart e Zotit?
  • Njeriut iu kthye drita e syve gradualisht, jo krejt menjëherë. Do të marr pak kohë për ta vërejtur sesi lutja ngadalë më çon ta vlerësoj dritën dhe ngushëllimin e Hyjit. Ndërsa shikoj se si Zoti me të butë mi hap sytë, do të lus për fe dhe shpresë që më duhen për të vazhduar së besuari në mirësinë e Zotit.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton edhe bisedimin edhe dëgjimin.

Ndërsa bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjojë gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta imagjinoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri ndërsa ai më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin ndërsa ia besoj të gjitha brengosjet dhe gëzimet e mia.

Ia hap zemrën time ndërsa i flas për frikësimet dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund t`i besohem përkujdesjes së tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di çfarë është gjëja më e mirë për mua.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »