Papa Françesku: edukimi është realitet dinamik, që i nxjerr njerëzit në dritë

Feb 21 • Kisha në botë

Françesku priti Kongregatën për Edukimin Katolik në Vatikan. Duke kujtuar Takimin e 14 majit për Paktin Edukativ Global, Ati i Shenjtë kërkoi të përshpejtohet “lëvizja gjithëpërfshirëse”, që përmbahet në procesin e arsimimit, për të “frenuar kulturën e hedhurinave”. Nga Papa, edhe nxitja për t’i paguar më mirë arsimtarët.

 

Ndryshimet nuk e pengojnë bashkimin: edukimi duhet të jetë “forcë paqtuese”, që e vendos njeriun në qendër, për t’ia lehtësuar njohjen e “shtëpisë së përbashkët”, për t’i vënë fre “kulturës së hedhurinave” në favor të “gjithëpërfshirjes”, për të krijuar një bashkësi vërtet njerëzore. Ky ishte reflektimi i Papës Françesku me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Kongregatës për Edukimin Katolik, të cilët i priti sot në Vatikan. Ati i Shenjtë uroi që arsimtarët të paguhen më mirë.

 

Rritje e pjekuri

Duke kujtuar Paktin Edukativ Global, për të cilin do të diskutohet më 14 maj, Ati i Shenjtë, i cili ia ka dhënë detyrën për ta organizuar këtë Takim, dikasterit përkatës vatikanas, shprehu dëshirën që ai të jetë “revolucionar” dhe jo “rregullore e thjeshtë”.

“Arsimi është realitet dinamik, është lëvizje, që nxjerr njerëzit në dritë. Është një lloj i veçantë lëvizjeje, me karakteristikat e dinamizmit të rritjes, e orientuar kah zhvillimi i plotë i njeriut, në përmasën e tij individuale dhe shoqërore”.

 

Lëvizje ekologjike, gjithëpërfshirëse, paqtuese

Sipas Papës, edukimi dhe arsimi kanë tre tipare karakteristike. Është fjala për një lëvizje ekologjike, pasi e bën njeriun të njohë vetveten dhe shtëpinë e përbashkët, ku jeton me njerëzit e tjerë, në një botë shumëkulturore, ku vëllazërimi është element i domosdoshëm. Arsimi është edhe lëvizje gjithëpërfshirëse, sepse e realizon detyrën e vet vetëm kur përfshin gjithë të përjashtuarit nga shoqëria, pa dallim. Gjithëpërfshirja, për Atin e Shenjtë është pjesë përbërëse e mesazhit të krishterë. Tipari i tretë i arsimit dhe i edukimit është paqtimi. Në të vërtetë, arsimi është “bartës i paqes”, pasi lidh ndërmjet tyre brezat, popujt, kulturat, popullsitë e pasura e të varfëra, meshkuj e femra, ekonominë me etikën, njerëzimin me ambientin. Edukimi na bën të kuptojmë se ndryshimet janë pasuri e jo kërcënim për indentitetin tonë e të të tjerëve.

 

Edukimi është edhe lëvizje skuadre

Edukimi, vërejti Papa, është edhe lëvizje skuadre, sepse “nuk është kurrë veprim i një personi, ose i një institucioni të vetëm”. Megjithatë, prej kohësh po kalon një periudhë krize. Për këtë, është i domosdoshëm një Pakt i ri Edukativ Global, theksoi Françesku, duke kujtuar Takimin e 14 majit.

“U bëj thirrje gjithë atyre, që kanë përgjegjësi politike, administrative, fetare dhe arsimore, që ta rindërtojnë ‘fshatin arsimor’. Mbledhja e të gjithëve së bashku nuk ka si objektiv hartimin e programeve, por gjetjen e hapit të përbashkët për ta gjallëruar impenjimin për brezat e rinj dhe me ta, duke e përtërirë pasionin për një arsim më të hapur dhe gjithëpërfshirës, të aftë për të dëgjuar me durim, për të dialoguar në mënyrë konstruktive dhe për ta kuptuar tjetrin. Pakti Edukativ nuk duhet të jetë një rregullore e thjeshtë, nuk duhet të jetë ‘gjellë e ripërpunuar’ e pozitivizmave, që kemi përvetësuar nga edukimi iluminist. Duhet të jetë revolucionar”.

 

Aleancë edukative për të kapërcyer kundërshtitë

 “Kurrë si tani”, theksoi Papa, kemi nevojë për “bashkimin e përpjekjeve në një aleancë të gjerë arsimore”, për të formuar njerëz të pjekur, të aftë të kapërcejnë fragmentime e kundërshti, duke endur sërish strukturën e marrëdhënieve të një njerëzimi më vëllazëror.

“Për të arritur këto qëllime duhet guxim: ‘Guximi për ta vendosur njeriun në qendër. Guximi për të investuar energjitë më të mira. Guximi për të formuar njerëz të gatshëm për t’i shërbyer bashkësisë’. Guximi për të paguar mirë arsimtarët”.

 

Observator botëror

Në këtë Pakt Edukativ Global, Papa Françesku sheh edhe një aleancë më të fuqishme ndërdisiplinore dhe transdisiplinore në studimet kishtare. Ati i Shenjtë përvijoi udhën e hartimit të programeve për vitet në vijim, të krijimit të një Drejtorie, të themelimit të një Observatori botëror, si edhe atë të kualifikimit dhe të azhurnimit të studimeve kishtare. E nxiti Kishën të shqetësohet më shumë për punën baritore në universitet, duke e konsideruar “mjet për ungjillëzimin e ri”. Të gjitha këto, përfundoi Papa Françesku, janë impenjime, që mund të kontribuojnë për konsolidimin e Paktit. (radio vatikani)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »