Dashuria ngadhënjen mbi gjithçka

E diela VII gjatë vitit – vit A

 

Leximi i parë   Lev 19, 1-2.17-18

Pjesa gjendet në “ligjin e shenjtërisë”, e pohon themelin e një ligji të tillë: “jini të shenjtë sepse unë jam i shenjtë”. Tregohet konkretisht si ta jetojmë shenjtërinë: të mos mbajmë mëri e të mos përdorim hakmarrjen. Dashuria ndaj të afërmit reflekton në ne shenjtërinë e Hyjit. Një mësim i tillë do të thellohet e do të paraqitet rrënjësisht në Besëlidhjen e Re.

 

Lexim prej Librit të Levitikut

Zoti foli me Moisiun e tha: “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj! Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti.” Fjala e Zotit

 

 

Psalmi   103

 

Ref: Zoti është i mirë dhe i madh në dashuri

————————————

Bekoje, shpirti im, Zotin,

dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im, Zotin,

e mos i harro bamirësitë e tija.

————————————

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,

Ai i shëron sëmundjet e tua;

Ai ta shpëton jetën prej varrit,

Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.

————————————

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,

i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.

Nuk zemërohet gjithherë,

as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

————————————

Sa është lindja larg perëndimit,

aq larg i tret prej nesh fajet tona.

Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet,

ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.

————————————

 

Leximi i dytë   1 Kor 3, 16-23

Pali është duke përfunduar temën e diturisë së Hyjit, që është zbuluar në kryqin e Krishtit, e dënon çdo formë kulti të personalitetit, të pranishme në bashkësi. Me të vërtetë të formuarit në Kishë të grupeve të mbyllura, që kanë si qendër persona që nuk janë kryqëzuar për ne, domethënë të mos kesh parasysh bashkimin e arritur në Krishtin e kryqëzuar.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë – e ky Tempull jeni ju! Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre’; dhe përsëri: ‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve, e di se janë të kota’. Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhshmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit, e Krishti është i Hyjit! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë, ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja

 

 

Ungjilli  Mt 5, 38-48

Në pjesën e parë zhvillohet lumturia që flet për “lum të butët”; në të cilën Krishti është modeli më i ndriçuar. Në pjesën e dytë arrihet kulmi i mësimit të Krishtit, me urdhërimin e dashurisë. Dashuria e krishterë (agape) nuk pranon dallime dhe kufizime: për këtë duhet të duhen edhe armiqtë. Të realizosh dashurinë e krishterë (agape) do të thotë të imitosh Hyjin Atë, që të gjithëve u ofron shenja të dashurisë së tij. Nëse të gjithë janë bij të të njëjtit Atë, të gjithë janë vëllezërit e mi.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb.’ Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të qesë në gjyq për të marrë këmishën, jepja edhe mallotën. E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën. Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd.’ E unë po ju them: Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqij e mbi të mirë e të bjerë shi për të drejtë e për të padrejtë. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çka bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët? Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell. Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Shpesh jeta jonë, jo e ndriçuar nga drita e fjalës së Krishtit, miraton ligjin e njeriut të vjetër: “duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd”. “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb’”. Me Jezusin kalohet nga ligji i shpagimit në atë që i përgjigjet së keqes me të mirën. Është kjo drejtësia e re që largon mllefin, urrejtjen dhe dhunën. Me shpagimin hakmarrja i korrespondon dhunës së jetuar, me Ungjillin dashamirësia është përgjigjja ndaj së keqes së marrë: të kthesh faqen tjetër, të lësh petkun, të mos kthesh shpinën …

“Duani armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë”. Një urdhërim i fortë e i padëgjuar, një revolucion i vërtetë: nga Jezusi mësojmë t’i përgjigjemi së keqes me të mirën. Është Ai, Zoti, modeli dhe imazhi i Atit: vdes në kryq duke falur vrasësit e tij.

Lutja është shpërblimi që armiku merr në këmbim të së keqes që ka kryer. “Jini, pra, të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell”. Përsosmëria është të duash pa masë e dallime, ashtu siç do Hyji. Të dhurohemi pa masë: kjo është rruga e plotësisë, që na bën të imitojmë Atin. Armiqtë tanë mund të njohin dashurinë që Krishti ka ndaj njeriut, nëse japim jetën në gjestet konkrete, kur tjetri ka nevojë.

Vetëm Krishti mund të na thoshte me bindje këto fjalë duke na treguar, me të gjithë jetën e tij, rrugën e përsosmërisë. Të jemi të përsosur si Ati e të imitojmë Jezusin është rregulli i vetëm i sjelljes së krishterë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, ta lartësojmë lutjen tonë drejt Hyjit Atë, që edhe ne të dimë të bëjmë të mirën dhe të shkatërrojmë zinxhirët e urrejtjes dhe të dhunës.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Ardhtë Mbretëria jote, o Zot.

L. Bëj, o Zot, që Kisha të jetë gjithmonë nënë dhe mësuese faljeje për të gjithë njerëzit, edhe ata që ne i konsiderojmë armiq. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që autoritetet civile të nxisin në çdo vend bashkëjetesën paqësore mes njerëzve të racave, kulturave dhe besimeve të ndryshme. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që të dimë të falim me bujari të gjithë ata që na kanë fyer, ashtu si Ati i fal gabimet tona. Të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që anëtarët e kësaj bashkësie të dinë të dëshmojnë në kohën tonë që dashuria është më e fortë se urrejtja dhe hakmarrja. Të lutemi.

M. Na jep, o Atë, hirin për të fituar mbi tundimin e dhunës dhe hape zemrën tonë ndaj faljes dhe pajtimit, duke tejkaluar çdo shpirtvogëlsi njerëzore. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: