“Qofsh bekuar!”
22 shkurt 2020 – E shtunë, Katedra e Shën Pjetrit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: 1Pt 5, 1-4; Ps 23, 1-6; Mt 16, 13-19)
Prania e Hyjit
Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.
Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtë.
Liria
I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.
Ndërgjegjësimi
Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.
Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.
Fjala e Zotit
Lutu Shpirtit Shenjt që të të ndriçojë dhe ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.
Mt 16, 13-19
13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:
“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
14 Ata u përgjigjën:
“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”
15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”
16 Iu përgjigj Simon Pjetri:
“Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”
17 Atëherë Jezusi i tha:
“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Frymëzimi dhe shpresa që më jepen në lutje vijnë nga Hyji. E imagjinoj sesi Jezusi e uron Pjetrin dhe e dëgjoj duke më thënë: “Qofsh bekuar!”
- Besimi i Pjetrit ishte një bazë e qëndrueshme që Jezusi e çmonte. Jezusi e çmon edhe besimin tim, dhe mbi të dëshiron të ndërtojë lumturinë time, në shërbim të të tjerëve dhe për lavdinë e Hyjit.
Bashkëbisedimi
Nuk po më vijnë fjalët lehtë, o Zot.
Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.
Më ruaj, o Zot. E di se je gjithmonë pranë meje.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Më 25 shkurt do të bëhet Rrivarrimi i Imzot Nikë Prelës në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza Dashuria ngadhënjen mbi gjithçka »