Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i shquar dhe i dalluar  (1918 – 1996)

Feb 23 • Histori, Kisha në Kosovë, Kulturë

Nga Don Lush GJERGJI

 

Imzot Nikë Prela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918 nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra. Dhe kjo mjaftonte që të ishte i dëbuar dhe i padëshiruar, sepse i kishte dy “faje” kapitale: ishte gjallë – shqiptar dhe meshtar katolik.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Kotor. Studimet filozofike dhe teologjike në Split, për disa kohë edhe në Strasburg. Shugurimi meshtarak më13 qershor 1941, në kohë të keqe, në mes të bombardimeve dhe rreziqeve të shumta. Shërbeu si famullitar në Sutomore (1941-1954) dhe në Muo (1955-1969), deri te emërimi ipeshkvor më 2 tetot 1969.

Rishtas ishte “koha pa kohë”, pas protestave të viteve 1968-1970, veçmas për të, sepse çdo gjë ishte e panjohur dhe e paqartë për shumëçka, vendi, njerëzit, rrethanat, kompetencat…

Dy çështje jetësore ishin binaret e jetës dhe të veprimtarisë së Imzot Nikës, vuajtja, pësimi, martirizimi i Popullit dhe i Kishës sonë, si dhe të varfërit, njerëzit e përbuzur dhe të mjerë. Shpeshherë më thoshte: “Për të varfër, për Popullin tim shqiptar, për Kishën tonë, nuk di çka nuk do të bëja… Pa e sprovuar vuajtjen në lëkurën tënde, nuk e di çka është vuajtja, as jeta…”.

Dhjetë vitet e para të (1970-1980) ishin në shërbim të Zotit dhe të Popullit, nëpërmjet vizitave baritore, shtypit fetaro-kulturor nëpërmjet “Dritës”, ndërtimeve të objekteve kishtare, përkujdesjes për thirrje meshtarake dhe rregulltare, ndihmave të të varfërve.

Dhjetëvjetori i dytë(1981-1990) ishte i karakterizuar me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm dhe profetik në dobi dhe të mirë të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, organizatave, institucioneve, mbarë Popullit të pambrojtur, sidomos pas heqjes së autonomisë dhe shpalljes së Kosovës Republikë. Fjala e tij e shkruar apo me gojë ishte e pranishme në të gjitha forumet kishtare, shtetërore evropiane dhe botërore. Po i përmendi vetëm disa, që iu kishte shkruar dhe drejtuar: Papës Gjon Pali II, Nënës Tereze, Kryetarit të  SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Kinës, të gjitha shteteve të Bashkësisë Evropiane, Parlamentit Evropian, Konferencave Ipeshkvore Europiane në krye me kardinalin e famshëm Carlo Maria Martini-n.

Imzot Nikë Prela thoshte kështu: “Bota ende nuk e di mirë dhe sa duket se çka po ngjan me ne. Edhe mos të isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, sepse vuan pafajësisht dhe padrejtësisht. Politika ime është drejtësia dhe dashuria ndaj Zotit dhe ndaj popullit. Detyra ime është ta njoftoj botën mbi gjendjen tonë dhe të lutëm. Herëdokur do të ngadhënjejë drejtësia, e vërteta, sepse askush nuk e ka botën në dorë përpos Zotit…”.

Periudha e tretë jetësore e tij (1991-1996), edhe pse mjaft i lodhur, i sëmurë dhe i moshuar, bile edhe me këmbë të amputuar, ai gjithnjë punonte, shkruante, lexonte, fliste, udhëtonte nëpër metropole të Evropës dhe Amerikës, si dëshmitar i të drejtës dhe të vërtetës, ishte i palodhshëm dhe i pandalshëm. Vullneti dhe dëshira e tij e madhe për jetë dhe për punë, besimi i pathyeshëm në Zotin dhe në njeriun, dashuria flijuese dhe dhuruese për Kishën dhe Popullin shqiptar, kujdesi për të varfër, thjeshtësia dhe përvujtëria shembullore, puna rreth krijimit të kulturës së paqes dhe qytetërimit të dashurisë, ishin vetëm disa aspekte të personalitetit të spikatur,  të cilat e bëjnë atë njeri të dalluar dhe të angazhuar në çdo drejtim dhe kuptim, dhe si të tillë të pavdekshëm edhe në kujtimet tona.

Tezave famëkeqe se në Kosovë vepronte terrorizmi, separatizmi, irredentizmi, ekstremizmi fundamentalist islamik, bile edhe deri te kanibalizmi shqiptar, ai iu përgjigj qartas dhe bindshëm kështu: ”Fjala është për popullin tim, pa dallime fetare, për njerëzit e shkretë të cilët vuajnë dhe përndjekjen padrejtësisht. Edhe unë jam dënuar tri herë me burg vetëm pse jam shqiptar dhe meshtar katolik. Prandaj, unë nuk do të heq dorë kurrë nga e vërteta. S’ ka kompromis me rrena dhe mashtrime, me manipulime. Për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi të gatshëm të flijojmë çdo gjë, nëse është nevoja edhe jetën. Këtë mund ta bëjmë vetëm me fe dhe me dashuri. Tërë jeta ime  sintetizohet në këtë:”PËR ZOTIN, PËR KISHËN, PËR POPULLIN TIM SHQIPTAR”.

Imzot Nikë Prela ishte një flijimtar i vërtetë, një vizionar i shquar, një profet i guximshëm, një Bari i mirë, një “Martir i gjallë”, një dëshmitar i rëndësishëm i kohës dhe hapësirave tona, një pjesëmarrës cilësor i proceseve tona në rrugëtim kah liria, demokracia, pavarësia, me një fjalë Njeri i Zotit dhe i Popullit. Duke nderuar atë, nderojmë vetveten, duke përkujtuar atë përkujtojmë shumë ngjarje të rëndësishme dhe vendimtare edhe për kohën tonë, frymëzohemi që ta nderojmë dhe ta duam njëri – tjetrin, sepse vetëm vëllazërisht dhe bashkërisht mund t’i arrijmë qëllimet tona. Kështu edhe për ne historia, e lashta apo edhe e afërta, do të jetë dhe do të mbesë Mësuesja e jetës.

Ai pati një bashkëpunim shumë të frytshëm me Shën Nënën Tereze, Papën Shën Gjon Pali II, shumë qendra botërore të vendimmarrjes, në paraqitjen e gjendjes sonë dramatike, në ndërhyrjen dhe ndërmjetësimin e Zotit, Papës, Kombeve të Bashkuara, SHBA-së e shumë tjerëve. Ishte themelues dhe përkrahës i flaktë i SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”., veprimtar i palodhshëm në zbutjen e varfërisë, skamjes, mungesës së bukës dhe lirisë, të dinjitetit dhe personalitetit të Popullit shqiptar ndër ne dhe në botë.

Nënën Tereze e vlerësonte kështu“Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumëshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishterimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare…”.

Ditën e varrimit të tij Presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), Dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë e që frymon brenda nesh”.

Disa e quajtën edhe “Plaku i Kosovës”,Babai i   Kosovës”,Njeriu i Zotit dhe i Popullit”, “Guximtari i patrandshëm”, “Bariu i Mirë”, ipeshkvi i vetëm shqiptar në botë gjatë viteve 1970 – 1980…, që shpesh përsëriste: “Kem provuar gjithçka, përpos vorrit”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »