Aftësia për ta dëgjuar Zotin midis zhurmës

Feb 24 • Meditimi i ditës

24 shkurt 2020 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jak 3, 13-18; Ps 19, 8-10.15; Mk 9, 14-29)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Madje edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Lexoje paragrafin e Shkrimit Shenjt, avash, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a shprehje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Mk 9, 14-29

 

14 Kur arritën te nxënësit, panë mori të madhe njerëzish rreth tyre dhe skribët që po rrahnin çështje me ta. 15 Tërë ajo mori, kur e pa Jezusin, u habit dhe me nxitim vrapoi për ta përshëndetur. 16 Ai i pyeti:

“Mbi çka diskutoni me ta?”

17 Dikush prej morisë iu përgjigj:

“Mësues, e solla te ti djalin tim që ka në trup një djall që s’e lë të flasë. 18 Kudo e kap, e shkapet andej këndej e djali shkumon e kërcëllon dhëmbët dhe i ngrihen gjymtyrët. U thashë nxënësve të tu ta dëbojnë, por ata nuk mundën.”

19 “O brezni e pafe ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jem me ju? Ma sillni këtu!”

20 Ia sollën. Shpirti i ndytë, posa e pa Jezusin, menjëherë e shkapeti djalin; djali, i rënë ashtu për dhe, rrokullisej e shkumonte.

21 Jezusi e pyeti babanë e tij:

“Tani sa kohë i ndodh kështu?”

22 “Që në fëmijëri ‑ iu përgjigj ‑ Shpeshherë e ka hedhur herë në zjarr e herë në ujë për ta mbytur. Nëse mund të bësh gjë, na ndihmo! Ki mëshirë për ne!”

23 “Nëse mund të bësh gjë… ! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Gjithçka është e mundshme për atë që beson!”

24 Menjëherë babai i djaloshit tha me zë të lartë:

“Besoj, por më ndihmo ti të besoj!”

25 Kur Jezusi pa se po afroheshin përherë e më shumë njerëz, i urdhëroi shpirtit të ndytë dhe i tha:

“Shpirt memec dhe i shurdhër, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos u kthe më në të!”

26 Ai bërtiti, e shkapeti fort djalin dhe doli prej tij. Djaloshi mbeti menjëherë, porsi i vdekur, kështu që shumë thoshin: “Vdiq!” 27 Jezusi e kapi për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.

28 Kur Jezusi shkoi në shtëpi, nxënësit e tij e pyetën veçmas:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

29Ai iu përgjigj:

“Ky lloj nuk mund të dëbohet me asgjë tjetër, përveçse me lutje.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Paramendoje këtë skenë; vë re shamatën (zhurmën) dhe rrëmujën e turmës. Duket të ketë shumë diskutim, grindje dhe të bërtitura – por pak mençuri. Ajo çfarë thotë Jezusi çdonjëri duhet ta marrë në zemër, një nga një. Përfitoj nga kjo kohë lutjeje për të qëndruar larg nga “turma” për ta dëgjuar Jezusin që i flet zemrës sime.
  • Jezusi dëshiron të nxjerrë nga unë çdo gjë që më pengon për të parë apo dëgjuar, çdo shpirt që kërcënon paqen dhe qetësinë e mendjes Lus për veten, por edhe për ata që i konsideroj të dashur, që të mund të marr mirësinë e Zotit edhe më shumë, gjatë kohës kur lutemi për njëri-tjetrin.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus me Fjalën e Hyjit?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më neveritet?

Ndërsa e imagjinoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

duke u mbështetur në besimin e tij, si shoku shokut, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »