Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Kreshmë 2020

Feb 26 • Këndvështrime, Kisha në botë

“Ju përbejmë në emër të Krishtit: pajtohuni me Hyjin” (2 Kor 5,20)

 

Të dashur vëllezër e motra!

Edhe këtë vit Zoti na jep një kohë të përshtatshme për t’u përgatitur që të kremtojmë me zemër të përtërirë Misterin e madh të vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, bosht i jetës së krishterë personale dhe bashkësiore. Te ky Mister duhet të kthehemi vazhdimisht, me mendje dhe me zemër. Në të vërtetë, ai nuk resht së rrituri në ne në atë masë në të cilin lejojmë të përfshihemi prej dinamizmit të tij shpirtëror dhe bashkohemi me të me një përgjigje të lirë e bujare.

 

  1. Misteri i Pashkëve, themel i kthimit

Gëzimi i të krishterit buron prej dëgjimit dhe prej pranimit të Lajmit të Mirë të vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit: kerygma. Ajo përmbledh Misterin e një dashurie “kaq reale, kaq të vërtetë, kaq konkrete, që na dhuron një marrëdhënie plot me dialog të sinqertë e të frytshëm” (Nxit. ap. Krishti jeton, 117). Ai që beson në këtë lajm nuk e pranon rrenën sipas së cilës jeta jonë e ka origjinën nga ne vetë, ndërsa në realitet ajo lind prej dashurisë së Hyjit Atë, prej vullnetit të tij për të dhënë jetën me plotësi (krh. Gjn 10,10). Ndërsa nëse ia vëmë veshin zërit joshës të “babait të rrenës” (krh. Gjn 8,45) rrezikojmë të biem në humnerën e jokuptimit, duke përjetuar ferrin që këtu në tokë, sikurse, mjerisht, dëshmojnë shumë ngjarje dramatike të përvojës njerëzore personale dhe kolektive.

Prandaj në këto Kreshmë 2020 do të doja ta shtrija te çdo i krishterë atë që u kam thënë të rinjve në Nxitjen apostolike Krishti jeton: “Shiko krahët e hapur të Krishtit të kryqëzuar, lejo të shpëtohesh përsëri e përsëri. Dhe kur afrohesh për të rrëfyer mëkatet e tua, beso në mënyrë të patundur në mëshirën e tij që të liron prej fajit. Sodite gjakun e tij të derdhur me shumë dashuri dhe lejo të pastrohesh prej tij. Kështu do të mund të rilindësh përsëri e përsëri” (nr. 123). Pashkët e Jezusit nuk janë një ngjarje e së kaluarës: prej fuqisë së Shpirtit Shenjt janë gjithmonë aktuale dhe na lejojnë të shohim e të prekim me fe trupin e Krishtit në shumë persona të vuajtur.

 

  1. Urgjenca e kthimit

Është gjë e mirëta sodisim më në thellësi Misterin pashkor, falë të cilin na është dhuruar mëshira e Hyjit. Në të vërtetë, përjetimi i mëshirës është i mundur vetëm në një “faqe faqas” me Zotin e kryqëzuar dhe të ringjallur “i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua” (Gal 2,20). Një dialog zemër më zemër, si miku me mikun. Ja se përse lutja është aq e rëndësishme në kohën e kreshmëve. Para se të jetë një detyrë, ajo shpreh nevojën për t’iu përgjigjur dashurisë së Hyjit, që gjithmonë na paraprin dhe na mbështet. Në të vërtetë, i krishteri lutet me vetëdijen se është i dashur edhe pse është i padenjë. Lutja do të mund të marrë forma të ndryshme, por ajo që ka me të vërtetë rëndësi në sytë e Hyjit është që ajo të gërryejë brenda nesh, duke arritur ta gërvishtë ngurtësinë e zemrës sonë, për ta kthyer atë gjithnjë e më shumë nga Ai dhe nga vullneti i tij.

Prandaj, në këtë kohë të volitshme, le të lejojmë të udhëhiqemi sikurse Izraeli në shkretëtirë (krh. Oz 2,16), që më në fund të mund ta dëgjojmë zërin e Dhëndrit tonë, duke e lënë atë të jehojë në ne me thellësi dhe gatishmëri më të madhe. Sa më shumë të lejojmë të përfshihemi prej Fjalës së tij, aq më shumë do të arrijmë të përjetojmë mëshirën e tij falas për ne. Prandaj të mos e lëmë të na ikë kot kjo kohë e hirit, me iluzionin mendjemadh se jemi ne zotërinjtë e kohëve dhe të mënyrave të kthimit tonë nga Ai.

 

  1. Vullneti entuziast i Hyjit për të dialoguar me bijtë e tij

Fakti se Zoti na dhuron edhe një herë një kohë të volitshme për kthimin tonë, nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë. Kjo mundësi e re duhet të nxisë në ne një ndjenjë mirënjohjeje dhe të na shkundë prej plogështisë sonë. Pavarësisht prej pranisë, nganjëherë edhe dramatike, të së keqes në jetën tonë, si në atë të Kishës dhe të botës, kjo hapësirë që i dhurohet ndryshimit të drejtimit shpreh vullnetin këmbëngulës të Hyjit që të mos e ndërpresë dialogun e shpëtimit me ne. Në Jezusin e kryqëzuar, që“Hyji për ne e bëri mëkat” (2Kor 5,21), ky vullnet ka arritur në atë pikë sa të bëjë që të bien mbi Birin e tij të gjitha mëkatet tona, aq sa “të vërë Hyjin kundër Hyjit”, siç ka thënë Papa Benedikti XVI (Enc. Deus caritas est, 12). Në të vërtetë, Hyji i do edhe armiqtë e vet (krh. Mt 5,43-48).

Dialogu që Hyji dëshiron të krijojë me çdo njeri, nëpërmjet Misterit pashkor të Birit të tij, nuk është si ai që u atribuohet banorëve të Athinës, të cilët “në asgjë tjetër s’kalojnë kohën sa në të treguar e në të dëgjuar të lajmeve të fundit” (Vap 17,21). Ky lloj thashethemeje, e diktuar nga kureshtja e zbrazët dhe sipërfaqësore, karakterizon botën e të gjitha kohëve, dhe në ditët tona mund të hyjë edhe në një përdorim devijues të mjeteve të komunikimit.

 

  1. Një pasuri që duhet të bashkëndahet, jo të grumbullohet vetëm për vete

Ta vëmë Misterin pashkor në qendër të jetës do të thotë të ndiejmë dhembshuri për plagët e Krishtit të kryqëzuar të pranishme në viktimat e shumta e të pafajshme të luftërave, të abuzimeve kundër jetës, nga fëmija ende i palindur deri te i moshuari, të formave të shumta të dhunës, të shkatërrimeve mjedisore, të shpërndarjes së padrejtë të pasurive të tokës, të trafikut të qenieve njerëzore në të gjitha format e tij dhe të etjes së shfrenuar për fitim, qëështë një formë idhujtarie.

Edhe sot është e rëndësishme t’u bëjmë thirrje burrave e grave vullnetmirë për bashkëndarje të të mirave të veta me më nevojtarët nëpërmjet lëmoshës, si formë e pjesëmarrjes personale në ndërtimin e një bote më të drejtë. Bashkëndarja në dashuri e bën njeriun më njerëzor; grumbullimi rrezikon ta mbrapshtojë, duke e mbyllur në egoizmin e vet. Mund dhe duhet të shtyhemi edhe më tej, duke marrë në konsideratë dimensionet strukturore të ekonomisë. Për këtë arsye, në Kreshmët e vitit 2020, nga data 26 deri më 28 mars, kam thirrur në Asizi ekonomistë të rinj, sipërmarrës dhe change-makers, me objektivin që të ndihmojmë për të përvijuar një ekonomi më të drejtë dhe përfshirëse se sa ajo aktuale. Siç ka përsëritur shumë herë magjisteri i Kishës, politika është një formë e shkëlqyer e dashurisë (krh. Piu XI, Fjalim drejtuar FUCI-t, 18 dhjetor 1927). I tillë do të jetë edhe angazhimi i ekonomisë me po këtë shpirt ungjillor, që është shpirti i Lumturive.

Thërras ndërmjetësimin e Shenjtes Mari mbi Kreshmët që po vijnë, në mënyrë që ta pranojmë thirrjen për të lejuar që të pajtohemi me Hyjin, ta ngulisim vështrimin e zemrës mbi Misterin e Pashkëve dhe të kthehemi nga një dialog i hapur dhe i sinqertë me Hyjin. Në këtë mënyrë do të mund të bëhemi ashtu sikurse Krishti u thotë nxënësve të vet: kripë e tokës dhe dritë e botës (krh. Mt 5,13-14).

 

Romë, pranë Shën Gjonit në Lateran, 7 tetor 2019

Përkujtimi i Zojës Rruzare

                                                 Françesku

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »