Imzot Nikë Prela dhe koha e tij (1918-1996)

Feb 27 • Opinion

Në shenjë të 24 -vjetorit dhe të rivarrimit në Prishtinë

 

 

Nga Dr. Don Shan ZEFI

 

 

I. Kam nderin dhe privilegjin që, sot, me rastin e 24-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës (25 shkurt 1996), ta kemi fjalën e rastit, e cila, mrekullisht, po përkon edhe me rivarrimin e tij në kriptën e kësaj katedraleje Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Jo rastësisht po bëhet rivarrimi i tij, sepse tashmë nga viti ’93 të shek. të kaluar, gjegjësisht tre vjet para se të kalonte në amshim, patëm lutjen dhe bekimin e tij, si dhe ato të Presidentit Rugova, të Imzot M. Sopit që, idea i një tempulli të shenjtë të realizohet në kryeqytetin e vendit tonë, në vendin ku të huajt, bie fjala, si Argjipeshkvin në zë Pjetër Bogdanin, do ta nxjerrin nga kisha në qendër të Prishtinës dhe t’ia hidhnin qenjve për ushqim, madje pa fije turpi e me mitër në kokë, pikërisht siç thuhet nga korespondeca e kohës në mes Argjipeshkvisë së Shkpit-Prizrenit dhe Selisë së Shenjtë. Por, ja që tani kohërat kanë ndryshuar dhe në kuptimin simbolik të fjalës, Imozt Bogdani, futet i pari në këtë panteon të pavdekshëm shqiptar, siç do t’i bashkohet pas pak edhe pasardhësi i tij Imzot Prela, e vitin tjetër edhe Imzot Mark Sopi dhe kështu me radhë.

Vërtet, nga vështrimi i rrethanave dhe kohës, nëpër të cilën kaluan Prela, Rugova dhe Sopi, si dhe të gjithë neve, vështirë ka qenë të jesh entuziast, optimist e lëre më fare të jesh njëfarë profeti se, Kisha dhe Kosova jonë, do ta kenë një tempull madhështor në qendër të Prishtinës ku do të preheshin klerikët e lartë, deri në ngjalljen e fundit, siç na premtohet nga i Ringjalluri me ardhjen e Tij të dytë. Ç’është e vërteta, ishim të vetëdijshëm se mund të përsëritet e kaluara  shkatërruese për vendin e popullin, të ndodhë një thyerje e madhe shpirtërore e morale, një arratisje me përmasa biblike, një shfarosje gjenodiciale që, në fakt edhe ndodhi, por fal Zotit, thënia e kahmotshme “Salva nos Domine perimus” gjeti ndërmjetësimin hyjnore, e Kosova filloi më të madhe të ripërtërihet, madje në të gjitha fushat e jetës ku, veçohet, ndër të tjera, edhe  katedralja e Prishtinës që tashmë është bërë si një sinonim i Kosovës për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm. Ajo po bëhet edhe si një bazilikë tjetër e shekujve të parë e të mëvonshëm të krishterimit ku, me xhelozi dhe dashuri i ruanin barinjtë e tyre. Në këtë kuptim sot, më 25 shkurt 2020, po bëhet rivarrimi i Mons. Nikë Prelës, sepse ai e meritoi këtë vend kulti, nderimin dhe dashurinë tonë.  

Tani pas kësaj hyrjeje të shkurtër t’i kthehemi figurës së  madhe të Imzot Nikë Prelës, jeta e të cilit, siç do të bëhet fjalë më poshtë, ishte, nëse jo e njëjtë,  e ngjashme  me atë që u tha sipër, pa e parë Kosovën e pavarur dhe rimëkëmbjen e Kishës Katolike në Kosovë dhe themelimin e Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, megjithëse kishte bërë shumë për binomin e njohur nga kleri katolik “Për Atme e Fe”.

 

II. Ipeshkvi Nikë Prela lindi në Kotorr, më 2 qershor 1918, në kohën kur dheu ynë tashmë ishte shpërndarë nëpër disa shtete që edhe sot na rrethojnë, ndërsa populli i tij i lashtë i Illyricum-it ishte i dërmuar e i copëtuar nga periudhat e gjata të përndjekjeve të vazhdueshme e shkatërrimtare që, si rrjedhojë, ia ndalën hovin e vrullin për kulturë e civilizim perëndimor të krishterë. Në atë botë, ky fëmijë i Zotit, kishte lindur kur qe formuar pa të drejtë e artificialisht njëfarë Jugosllavi (sepse e kishte aneksuar, ndër të tjera, edhe Kosovën), pasojat e të cilës edhe vetë Nika i vogël i kishte përjetuar.

Vetë na tregonte se shkollën fillore e kishte kryer në Kotorr e gjimnazin klasik në Split, kurse studimet filozofiko-teologjike në të njëjtin qytet dhe në Strasburg. Në rrethana lufte, siç i përcjellin shqiptarët nëpër shekuj, shugurohet meshtar, më 13 qershor të vitit 1941. Si prift i ri do kryejë misionin e meshtarisë në Sutomore(1941-1954), mandej në Muo(1954-1969), deri kur Ati i Shenjtë Papa Pali VI do ta emërojë për ipeshkëv “sedi datus” në Ipeshkvinë Shkup-Prizren (më 2 tetor 1969). Gjatë tërë kësaj kohe meshtarake, prej kishës në kishë, përhapte fjalën e Ungjillit të shenjtë atyre pak besimtarëve katolikë (e të tjerëve) që kishin mbetur ende të paasimiluar e të shpërndarë në ipeshkvinë e Kotorrit. Le të themi edhe ne se kur ishim në këto anë ende e përkujtonin njerëzit me mall që e kishin njohur dhe me admirim flisnin për të, si një prift që kryente me zell e shpirt të Zotit misionin e tij. Ja, një shëmbëlltyrë e Bariut të mirë që i tubon delet e veta dhe ky shpirt i afrimit (bashkimit) të njerëzve nuk do t’i mungojë gjatë tërë jetës së tij.  

Kjo periudhë e jetës së tij nuk ishte fare e lehtë. Ç’është e vërteta, si prift i ri qe burgosur tri herë dhe i dënuar, madje dy herë e kishin sjellë afër kufirit të Shqipërisë për ta përjashtuar nga vendi ose për ta pushkatuar. Shpeshherë përsëritej se në këto dy raste e kishte parë, siç thuhej, vdekjen me sy, por Zotit ky meshtar i nevojitet akoma për misione ende më të mëdha. Kuptohet se motivet, kur janë në fjalë priftërinjtë katolikë, konsideroheshin si spiunë apo tradhtarë të Vatikanit, ndërsa në atë kohë Don Nikë Prela ishte shqiptar në viset e “huaja”. Nuk duhet harruar se pushteti i kohës kishte tentuar që ai të bëhej i tyre, siç tentonin t’i bënin të tillë edhe shumë meshtarë të tjerë, por ky prift ishte i vendosur që deri në fund t’i mbesë besnik misionit të tij shpirtëror, edhe nëse do t’ia merrnin jetën, pikërisht siç do të ndodhë me shumë meshtarë të tjerë, sidomos në vendlindjen e prindërve të tij (nga Shqipëria).

Imot Nikë Prela, pasi erdhi si ipeshkëv i Dioqezës Shkup-Prizren në vitin 1969, gjeti një situatë jo të mirë të gjendjes së përgjithshme në Kosovë. Kush nuk i kujton vitet e tensionit ’68-70 për çështjen kombëtare, për flamurin kombëtar, universitetin, republikën, për të drejtat e barabarta të shqiptarëve me popujt të tjerë të ish-Jugosllavisë etj., ndërsa në anën tjetër kishte ardhur edhe në një ambient të ri, ku vërente mungesën e priftërinjve, objekteve të kultit, varfërinë e popullit, lirinë e pamjaftueshme të veprimtarisë baritore, mungesën e shtypit… A mund të thuhej se shihte vetëm zi? Jo, natyrisht! Vetë pohonte se Kosova kishte resurse të mëdha natyrore, natalitetin më të lartë në Evropë e më gjerë, mandej një rini të mrekullueshme, njerëz të mëdhenj e fisnikë, nëna të shenjta-si Nëna Tereze, atdhedashës të flaktë… Në këto kushte të vështira të jetës, por njëherit edhe me shpresë të ngultë për një të nesërme më të mirë e më fatlume, filloi veprimtarinë baritore në cilësinë e ipeshkvit, ku gjatë një dekade mund ta falënderonte Zotit për shumë thirrje të reja meshtarake e rregulltare, si shenjë se Dioqeza e tij po rimëkëmbet. Pas ardhjes së osmanlinjve kurrë Kosova nuk kishte aq meshtarë dhe motra të nderit, e ky numër do të rritej vazhdimisht, madje deri në ditët tona. Sigurisht se lutjet e tija për këtë qëllim Zoti i dëgjoi, por njëherit edhe lutjet e tija të vazhdueshme për lirinë fetare në Shqipëri.

Kjo periudhë e viteve ’69-80 për të dhe për ne ishte shumë shpresëdhënëse, vëreheshin hapat e para të rimëkëmbjes së përgjithshme. Le t’i përmendim fillet e revistës fetare-kulturore “DRITA”, që asobote ishte si e vetmja gazetë apo revistë ku mund të shkruheshin artikuj që “implicite” i kundërshtonin ideologjisë ateiste, e krahas kësaj reviste filloi menjëherë edhe botimi i librave nga fushat e ndryshme kulturore, historike, fetare… dhe këtë në gjuhën e njësuar, si shenjë e mirë e bashkimit, për të cilën vepruan gjithmonë klerikët.  Sigurisht se me përpjekjet e tilla për vazhdimësinë e kontiniutetit historik, Imzot Nikë Prela kishte vetëdijen se kleri katolik në këtë mënyrë do të dilte edhe një herë nga “heshtja” e “katakombet” e sistemit ateist e bashkë me ta edhe populli i tyre.

Derisa në frymën e Koncilt II Vatikanas Imzot Nikë Prela vazhdonte të jepte kontributin e madh në rimëkëmbjen e përgjithshme të Kishës dhe të kulturës sonë, do të ndodhin ngjarjet e paharrueshme të viteve ’81 e këndej (madje deri në vdekjen e tij në vitin 1996) për Republikën e Kosovës, për të drejtat e barabarta të shqiptarëve me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë.

Duke parë se ke kishte filluar udha e kalvarit (udha e kryqit) të Kosovës e që nuk kishte më të ndalur, Imzot Prela u bë ZËRI i fuqishëm i dënimit të represionit ndaj shqiptarëve, ndaj shkeljes së të drejtave të tyre, ndaj arrestimeve, burgosjeve dhe vrasjeve mizore. Gjithmonë i ka mbrojtur me bindje të fortë para autoriteteve politike, kulturore, kishtare… të DREJTAT e shqiptarëve për REPUBLIKIKËN E KOSOVËS, për PVARËSINË E SAJ – SHTETIN E TYRE. Dua të them, thjeshtë, e ka dashur Kosovën dhe qytetarët e saj, i ka dashur shqiptarët, për të cilët vazhdimisht thoshte se “ky popull do të jetojë“, pa dyshim duke parë vitalitetin e dinamizmin, bukurinë dhe rinë e tyre.

 

Të nderuar pjesëmarrës,

III. Ky ipeshkëv i shqiptarëve (pa dallim besimi) na obligon moralisht që ta përkujtojmë në lutjet tona, t’i mbesim besnik Kosovës sonë të dashur e martire, të qëndrojmë të paluhatshëm për të mirën e njeriut dhe të kombit, për kulturën dhe traditën tonë dymijëvjeçare të krishterimit. Këto janë arsyet që Imzot Nikë Prela përgjithmonë do të mbesë në historinë e shqiptarëve si një ipeshkëv i dashur dhe si një klerik i lartë dhe i denjë në  hierarkinë e Kishës katolike te shqiptarët./drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »