Imzot Nikë Prela rivarroset pranë Pjetër Bogdanit në Kriptën e Katedrales në Prishtinë

Feb 27 • Kisha në Kosovë

Më 25 shkurt 2020, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë u bë rivarrimi i ipeshkvit tonë Imzot Nikë Prelës, i cili përkoi me 24-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Eshtrat e Imzot Nikë Prelës, që pushonin në varrezat e Prizrenit, u barten në kriptën e Katedrales Shën Nënë Terezës në Prishtinë, sipas dekretit të lëshuar nga Imzot Dodë Gjergji, të datës 24 shkurt 2020, port. nr. 36/2020, përmes të cilit kërkon që të bartën mbetjet mortore nga varrezat e Prizrenit në Kriptën e Katedrales në Prishinë, pranë Pjetër Bogdanit. Në këtë ngjarje, organizuar nga Dioqeza Prizren-Prishtinë, në krye me Imzot Dodë Gjergji, pjesë edhe Delegati Apostolik për Kosove, Mons. Jean Marie-Speich, argjipeshkvi i Tivarit në pension Imzot Zef Gashi, meshtarë e motra të nderit, personalitete të kulturës, përfaqësues të institucioneve të ndryshe politike e të shoqërisë civile.

Kjo ngjarje e rëndësishme e Kishës sonë në Kosovë, ishte organizuar në momente të ndryshme: simpoziumi, mesha e shenjtë dhe akademi a rivarrimit.

 

I. Simpoziumi

Figura e Imzotit tonë Nikë Prela, që shërbeu në Kosovë nga viti 1969 deri në vitin 1996, në një ndër periudhat më të vështira të kishës dhe të popullit tonë, u shqua si bari i përvujtë, i suksesshëm dhe promovues i lirisë së popullit tonë.

Përmes kumtesave u shpalos figura e tij shumëdimensionale në shërbim të kishës dhe të vendit,  njohës të Imzot Prelës. Don Viktor Sopi, famullitar i Ferizajit, aty ku gjatë tërë jetës së tij jetoi e veproi ipeshkvi,  e udhëheqi këtë simpozium, i cili në fillim fare paraqiti një jetëshkrim të shkurtër të Imzot Prelës, e më pastaj ftoi që të hap zyrtarisht dhe të bekoj këtë simpozium, delegati apostolik për Kosovë, Mons. Jean Marie-Speich.

Kumtuesi i parë ishte i ftuar Mons. Lush Gjergji, bashkëpunëtori më i ngushtë dhe i një kohe të gjatë i Imzot Prelës, i cili e përkufizoi Prelën si zë kritik dhe profetik i Kishës dhe i Vendit. Periudhën e jetës dhe veprimtarisë së ipeshkvit në Kosovë, kumtuesi e ndau në tri periudha: “Dhjetë vitet e para të (1970-1980) ishin në shërbim të Zotit dhe të popullit, nëpërmjet vizitave baritore, shtypit fetar-kulturor, revista fetare-kulturore DRITA, më vonë edhe Shtëpia botuese me të njëjtin emër, ndërtimeve të objekteve kishtare, përkujdesjes për thirrje meshtarake dhe rregulltare, ndihmave të të varfërve. Dhjetëvjetori i dytë(1981-1990) ishte i karakterizuar me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm dhe profetik në dobi dhe të mirë të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, organizatave, institucioneve, mbarë popullit të pambrojtur, sidomos pas heqjes së autonomisë dhe shpalljes së Kosovës Republikë. Periudha e tretë jetësore e tij (1991-1996), edhe pse mjaft i lodhur, i sëmurë dhe i moshuar, bile edhe me këmbë të amputuar, ai gjithnjë punonte, shkruante, lexonte, fliste, udhëtonte, mbi të gjitha vuante dhe i dhurohej Zotit për Kishën dhe Popullin tonë.“Tërë jeta ime  sintetizohet në këtë:”PËR ZOTIN, PËR KISHËN, PËR POPULLIN TIM SHQIPTAR.”

Don Shan Zefi, vikari gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë, një bashkëpuntor po ashtu i ngusht i Prelës, shpalosi temën e tij “Nikë Prela dhe koha e tij”, kurse Agim Agim H. Berisha, kryetar Shoqata HEKAS “NIKË PRELA”, në Ferizaj, foli për personin e Prelës si klerik dhe si kombëtar.

Pas kumtesave pati edhe dëshmi të njerëzve që e kanë njohur dhe kanë pasur takime personale, bashkëpunime dhe eksperienca të bukura. Ata ishin Aurora dhe Franc Kurit, Viktoria dhe Prenk Gashi, Ekrem Kryqziu dhe Avni Shabani. Ishin rikujtime, shpalosje të panjohura e të mrekullueshme që ipeshkvi ka pasur me këta njerëz të fushave të ndryshme; besimtarë, gazetarë e njerëz të kulturës në Kosovë.

 

II. Mesha e shenjtë

Pjesa e dytë e ceremonisë së rivarrimit të Imzot Prela, ishte mesha e shenjtë, e cila u kremtua në Katedralen Shën Nënë Tereza, në orën 18:00, të cilën e kryesoi Delegati Apostolik, Mons. Jean Marie-Speich, në bashkëmeshim me Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, argjipeshkvi i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi, meshtarët e dioqezës sonë, në prani të murgeshave dhe besimtarëve të shumtë. Delegati gjatë predikimit foli edhe për ipeshkvin Prela dhe aktivitetet e zhvilluara për të, si edhe për rendësin e kohës së shenjtë të kreshmëve.

‘’Kisha jonë nuk është vetëm Katolike dhe Apostolike por është edhe e mirë, ndërsa leximet që i dëgjuam përputhen edhe me ngjarjen për ipeshkvin, por në mënyrë të jashtëzakonshme edhe me Kreshmët të cilat do t’i fillojmë nesër. Për ipeshkvin që u fol sot, dihet se ai ishte një dëshmitar, ai vërtet nuk është vrarë, por në burg ka vuajtur shumë, që ju kosovarët e kuptoni më së miri. Më parë dëgjova edhe për kontributet e ipeshkvit Nike Prela, që ishin të mëdha, por jam prek shumë nga ato dëshmi që i dëgjova nga njerëzit e bashkëpunëtoret e tij. Ndërsa, përshtypje të mëdha me kanë bërë fjalët e folësve te besimit mysliman, mbeta shumë i kënaqur që ata folën mirë për ipeshkvin Prela’’ tha ndër të tjera Delegati Apostolik.

Ndërsa ipeshkvi, Imzot Dode Gjergji pasi falënderoi Delegatin Apostolik, për prezencën dhe kremtimin e meshës shenjte tha: “Ju lutem që t’i dërgoni Atit të Shenjtë përshëndetjet e gjithë këtyre pjesëmarrësve dhe t’ia dëshmoni edhe njëherë dashurinë tonë për Kishën, për vuajtjet tona të dikurshme, por edhe për gatishmërinë tonë për ta ndryshuar zemrën, ashtu sikurse e kemi ndryshuar krejt Kosovën’’.

 

III. Akademia e rivarrimit

Pika e tretë e këtij kremtimi ishte Akademia solemne e rivarrimit, që u zhvillua në Qendrën BogdaniPolis, në pjesëmarrje të mijëra njerëzve: përfaqësues të institucioneve të shtetit, personalitete kulturore e besimtarë të të gjitha famullive.  

Fjalimin qendror e mbajti  Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, i cili mes të tjerash tha: “Imzot Nikë Prela ka qenë një bari që ka ditur të dojë dhe ta ruaj Kishën e vet, grigjën e vet. Ai ka ditur të jetë një mësues i mirë edhe pse nuk ka pasur Katedrale, por ka shkuar nëpër kisha të vendit tonë që të ju predikojë e t’i mësojë besimtarët e vet. Ai ka qenë një ipeshkëv që me përgjegjësi dhe me dëshmi na ka mësuar të gjithë neve se si duhet të duam Kishën, si duhet të sakrifikojmë për popullin tonë dhe si duhet të dëshmojmë paqe, dashuri për njeri-tjetrin.

Fakti së ne po i mbledhim mbetjet mortore të ipeshkvijve tanë, siç kemi bërë me Bogdanin vitin e kaluar me rivarrimin simbolik, nuk do të thotë se ne thjeshtë po e kryejmë një përgjegjësi dhe detyrë kishtare, as që duam të mburremi me personalitetet që kisha i ka, por ne thjeshtë po mbledhim copëzat e vetës tonë për ta rindërtuar mozaikun e fytyrës së vërtetë të Kishës në Kosovë dhe të popullit tonë në Kriptën e Katedrales, ku nuk do të pushojë kurrë kjo Kishë të lutet për barinj të vet e njëkohësisht nuk do të lejojë që populli ynë të harrojë asnjëherë për veprën e madhe të tyre për kishën edhe vendin.” – ishin fjalët e Imzot Dodës.

Për kontributin e madh për Fe e Atdhe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” Imzot Nike Prelen “post mortem”, e që në mungesë, ipeshkvit tonë Imzot Dodë Gjergjit, ia dorëzoi, këshilltari i parë i tij, Ismail Syla.

Pastaj u lexua dekreti i rivarrimit nga vikari gjeneral Don Shan Zefi, me të cilën ishte vendosur që eshtrat e ipeshkvit Prela të sillen nga varrezat e Prizrenit në Kriptën e Katedrales.

Akademia përfundoi me ty pika muzikore nga studentë të shkollës së muzikës në Ferizaj, Blenda Konxheli (flautë), Viola Sylejmani (piano) dhe Bardh Lepaja (violinë).

Akti përfundimtar ishte bekimi i varrit dhe i eshtrave të Imzot Nikë Prelës, nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, në Kriptën e Katedrales Shën Nënë Tereza, afër Imzot Pjetër Bogdanit, aty ky vitin e kaluar u rivarros simbolikisht./drita.info 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »