Imzot Nikë Prela, zëri kritik dhe profetik i Kishës (1918 – 1996)

Feb 27 • Opinion

Nga Don Lush Gjergji

 

 

Biografia – jeta dhe veprimtaria

 

Imzot NikëPrela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918 nga prindërit shqiptarë katolikë Gjergji dhe Çila, mërgimtarë nga Shkodra.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Kotor. Studimet filozofik-teologjike në Split, për disa kohë edhe në Strasburg.Shugurimi meshtarak dhe Mesha e Parë, më 13 qershor 1941, në mes të bombardimeve dhe rreziqeve të shumta. Shërbeu si famullitar në Sutomore (1941-1954) dhe në Muo (1955-1969), deri te emrimi ipeshkvor më 2 tetot 1969.

Edhe në Kosovë si ipeshkëv nuk e kishte lehtë për shumë arsye: mungesa e klerit shqiptar, varfëria, mungesa e lirisë, kishave dhe shtëpive famullitare,  shtypit fetar. Përpos kësaj edhe rrethanat shoqërore dhe politike ishin mjaft të ndërlikuara dhe të tensionuara. Thoshte  me parandjenja shpeshherë kështu: “Po zihet moti si para shiut apo rrebeshit të rrezikshëm, do të ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme”.

Më kujtohet fare mirë audienca private me Papën Gjon-Palin II më 21 janar 1981, pak para shpërthimeve të demonstratave në Kosovë. Imzot NikëPrela ndër të tjera i tha Papës kështu: “Shenjtëri, gjendja në Kosovë është tejet e ngarkuar dhe s’di kur dhe si do të shpërthejë…Bëni diçka për  popullin tim shqiptar dhe për Kishën tonë martire”.

Papa i vendosur tha: ”Komunizmi dhe ateizmi shtetëror po përfundon, fitorja është e Drejtësisë dhe e Dashurisë…”.Në përcjellje tha: “Unë, pas popullit tim polak, më së shumti e dua popullin shqiptar, sepse keni vuajtur shumë  dhe padrejtësisht, si dhe e keni dhuruar Nënën Tereze”.

Dy çështje jetësore ishin binaret e jetës dhe të veprimtarisë së Imzot Nikës, vuajtja, martirizimi i popullit dhe i Kishës sonë, si dhe të varfrit. “Vetëm vuajtja, pësimi, kryqi na përgatit ditë më të mira, ardhmërinë  më të bukur”.

Dhjetë vitet e para të (1970-1980) ishin në shërbim të Zotit dhe të popullit, nëpërmjet vizitave baritore, shtypit fetar-kulturor, revista fetare-kulturore DRITA, më vonë edhe Shtëpia botuese me të njëjtin emër, ndërtimeve të objekteve kishtare, përkujdesjes për thirrje meshtarake dhe rregulltare, ndihmave të të varfërve.

Dhjetëvjetori i dytë(1981-1990) ishte i karakterizuar me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm dhe profetik në dobi dhe të mirë të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, organizatave, institucioneve, mbarë popullit të pambrojtur, sidomos pas heqjes së autonomisë dhe shpalljes së Kosovës Republikë. Fjala e tij e shkruar apo me gojë ishte e pranishme në të gjitha forumet kishtare, shtetërore evropiane dhe botërore. Po i përmendi vetëm disa: Papës Gjon Pali II, Nënës Tereze Kryetarit të  SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Kinës, të gjitha shteteve të Bashkësisë Evropiane, Parlamentit Evropian, Konferencave Ipeshkvore Evropiane në krye me kardinalin e famshëm CarloMariaMartini-n.

Me urti iu përgjigjej sfidave dhe kritikave kinse kjo nuk ishte detyra e tij që të merrej me politikë. Thoshte kështu: ”Bota ende nuk e di mirë dhe sa duket se çka po ngjan me ne… Detyra ime është ta njoftoj botën mbi gjendjen tonë dhe të lutëm. Herdo-kurdo do të ngadhënjejë drejtësia, e vërteta, sepse askush nuk e ka botën në dorë, përpos Zotit…”.

Gjatë vitit 1990 më tërë fuqitë i përkrahu lëvizjet tona të atëhershme: Pajtimet e Gjaqeve, bamirësinë dhe solidaritetin nëpërmjet themelimit dhe veprimit SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor.

Periudha e tretë jetësore e tij (1991-1996), edhe pse mjaft i lodhur, i sëmurë dhe i moshuar, bile edhe me këmbë të amputuar, ai gjithnjë punonte, shkruante, lexonte, fliste, udhëtonte, mbi të gjitha vuante dhe i dhurohej Zotit për Kishën dhe Popullin tonë.“Tërë jeta ime  sintetizohet në këtë:”PËR ZOTIN, PËR KISHËN, PËR POPULLIN TIM SHQIPTAR”.

Veprimtaria e tij mund të përbledhet në katër drejtime: baritore, bamirëse, botuese dhe shoqërore. Ai në thjeshtësi dhe përvuajtëri nuk dëshironte festime, lavdata. Megjithatë disi e bindëm që më 2 tetor 1991 të festonim 50 – vjetoin e meshtarisë dhe 25 – vjetorin e  shugurimit ipeshkvor. Ai t me atë rast tha kështu: “Unë s’kam bërë asgjë të veçantë, kam vuajtur shumë në përgjasim të Krishtit dhe kam dashur Kishën dhe Popullin tim Shqiptar”.

Imzot Nikë Prela ishte njeri i shkrimit dhe leximit, kulturës, themelues dhe përkrahës i revistës dhe shtëpisë botuese  të vetme katolike  të asaj kohe“DRITA” së bashku me Don Nikollë Mini, Don Gaspër Gjini, Don Damjan Kurti, Don Mark Sopi dhe të tjerët. Ai ka botuar këto vepra: “Fjalori biblik” (1994); “Shenjtërit – pajtorët tanë” (1995); “Vështrime dhe meditime” (përblodhi dhe përgatiti Don Lush Gjergji; përktheu nga kroatishtja në gjuhën shqipe Don Fatmir Koliqi, 2006); Ka përkthye në kroatisht “Nëna jonë Tereze” (1982); “Dokumentet Konciliare” (1992); në shqip, Leonore Mohl, “Zbatimi i thirrjes” (1995). Përpos DRITËS, ai shkruante dhe bashkëpunonte  rregullisht edhe me shumë revista katolike kroate të kohës së tij.

Vdiq një javë pas dorëzimit të detyrës pasardhësit Imzot Mark SOPIT, më 25 shkurt 1996. Varrimi i tij ishte dëshmi feje dhe dashurie për Ipeshkvin tonë, si dhe për Kishën katolike në Kosovë.Kur të tjerët heshtën, ai foli; kur të tjerët fshiheshin, ai dol në shesh; kur të tjerët kërkonin shpëtimin, ai rrezikoi çdo gjë: për Zotin, për Kishën, për Popullin, si zëri kritik dhe profetik në hapësirat tona.

Këtë më së miri e ka shprehur Dr. Ibrahim Rugova, qëditën e varrimit të tij  e shpalli ditë zie për Kosovën. Ai e kishte vlerësuar kështu Imzot NikëPrelën:“Shembëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë e që frymon brenda nesh”.

 

Të huajt për Imzot Nikë Prela

 

SHËN PAPA PALI VI (1897 – 1978),   në takim me Imzot NikëPrelën në  vitin 1977 ndër të tjera tha: “Vëlla i dashur, të falënderoj për besnikërinë, dashurinë dhe dëshminë tënde ndaj Selisë Shenjte, Kishës Katolike, ndaj meje dhe për  çdo njeri”.

(Giancarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna,  1999,  fq. 83).

SHËN PAPA GJON – PALI II (1920 – 2005): “Të falënderoj, i dashuri vëlla, për vuajtjet tua të cilat ia paraqet Zotit për Kishën Katolike, për mua, për popullin shqiptar. Kosova, plaga dhe shpresa jonë!”  (Vatikan, 17 tetor 1995).

(Giancarlo Salvoldi, Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione, Edizioni Messaggero Padova, Velar – Bergamo, 2003, fq. 115).

ATË BERNARD HARING (1912 – 1998), moralisti i madh i shekullit XX “Dy njerëz në Kosovë, Dr. Ibrahim Rugova, kryetar,  dhe Imzot Nikë Prela, ipeshkëv, së bashku me shqiptarët myslimanë dhe shqiptarët katolikë, kanë ndihmuar që të krijohet strategjia paqësore jodhunore, ajo e faljes dhe e mëshirës…”.

(Giancarlo e Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 6).

DON VALENTINO SALVOLDI (1945 -), prift katolik, zëvendësi i Atë Bernard Heringut në katedrën e teologjisë morale: “Ipeshkvi Nikë Prela ishte figurë dhe simbol i popullit shqiptar, martir i gjallë…”.

(Valentino Salvoldi,  Kossovo, ex – Jugoslavia, dove la non-violenza e’  vita, Editrice Velar, 1999, fq. 7. 12).

GIANCARLO SALVOLDI (1947 -), parlamentar italian, zëvendësministër për çështje të ambientit: “Imzot Nikë Prela thoshte : “Unë vuaj shumë, por Jezusi ka vuajtur edhe më shumë. Edhe populli im sot vuan më tepër se unë”.

(Giancarlo Salvoldi, Madre Teresa nel Kosovo della riconciliazione, vep, e cit. fq. 107 – 115).

 CARLO MARIA  MARTINI (1927 -2012), kardinali i famshëm i Milanos, thotë:

“Shkëlqesi, deri sa Kisha dhe populli do të ketë njerëz si Ju, e tashmja dhe e ardhmja është e siguruar”(Nga shënimet e mia, Milano, tetor 1994).

JOSIP TURČINOVIĆ (1933 -1990), themeluesi i shtëpisë botuese katolike “Kršćanska sadašnost” në Zagreb, miku i madh i Kishës dhe popullit  shqiptar: “Në sprova të rënda për popullin dhe Kishën tuaj, keni fatin dhe hirin e Zotit që ju udhëheq një njeri kaq i madh dhe tejet i mirë, Imzot Nikë Prela”. (Nga bisedat dhe shënimet e mia, Zagreb, tetor 1988).

 

Imzot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE

Imzot NikëPrela e kishte takuar personalisht Nënën Tereze për të parën herë gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë. Herën e dytë Nëna Tereze erdhi në Kosovë më 28 mars 1978.Herën e tretë gjatë Shpërblimit Nobel për Paqe në Oslo. Pastaj vizitae tretë e Nënës Tereze, si Nobeliste e Paqes, ishte më 27 qershor 1980.

Më kujtohen fare mirë fjalët dhe vlerësimi i tij rreth këtij takimi: “Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishtërimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare…”.

Ai Nënën Tereze e vlerësonte kështu“Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishtërimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare…”.

 

Testamenti shpirtëror i Imzot NikëPrelës

 

Në përkrahje të Pajtimeve të Gjaqeve, Imzot NikëPrela, për Pashkë 1990, ndër të tjera shkruante kështu: “Krishti ngjallet vetëm për ata që falin dhe lypin falje. Falja, domethënë hapi më i lartë dhe më i thellë i dashurisë”.

Si përfundim Don Valentino SALVOLDI shkruan kështu:“Shqiptarët,  të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe Imzot NikëPrela, të frymëzuar nga Nëna Tereze, e kanë shpëtuar Kosovën nga përgjysmimi apo zhdukja e tërësishme, me mençuri, lartëpamësi, profetizëm. Kështu, të them disi në mënyrë alegorike dhe figurative , “e kanë detyruar”  Zotin, por edhe mbarë botën, për t’iu ndihmuar dhe për t’i shpëtuar. Kjo është vepra e Zotit në ditët tona!

… por dhurata më e madhe e Kosovës, së paku për ne, është e Shën Nëna Tereze, dhe së bashku me të, edhe Imzot NikëPrela, Ipeshkvi i dashur nga të gjithë, Njeriu vërtet i Zotit, Kishës dhe Popullit!”

(Don Lush Gjergji – Don ValentinoSalvoldi, Imzot NikëPrela njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, Velar-DRITA, 2010, fq.44-45).

Po e përfundoj me disa thënie tipike dhe karakteristike të Imzot NikëPrelës:

Kafshata deri te goja, por jo edhe në gojë”.

“Në Popullin tim e kam gjetur veten.Një fat i përbashkët është mes meje dhe Kishës  time, vuajtja, kryqi, Kalvari në vazhdimësi… Mu për këtë ndoshta jemi kuptuar mjaft mirë…”

“Të mirën dhe lirinë e kemi pritur shumë gjatë. Megjithatë  më s’ ka të ndalur”.

“Të gjitha i kemi provuar përpos varrit”.

“Jam i lumtur që i përngjaj Krishtit të braktisur, të poshtëruar, të kryqëzuar…”.

“Fjala e fundit është ngjallja e Krishtit, Pashkët tona”.

“Kemi mbjellë me lot dhe me gjak, e kjo nuk mund të tretet pa fryte”.

“Nëna Tereze është antifona jonë. Populli ynë do të ketë shumë figura të ndritshme, sepse ka vuajtur gjatë shumë shekujve”.

“Gonxhja jonë është ujitur me gjak, martirizim, fryti i lashtësisë ilire dhe të krishterë. Ajo është përfaqësuesja më e mirë e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë”.

Zoti e shpërbleftë Imzot Nikë Prelën me pavdekësi dhe lumturi, kurse ne, Populli dhe Kisha e tij, gjithnjë e kujtofshim dhe kurrë  mos e harrofshim.  Kush beson dhe dashuron, jeton gjithmonë. Pushoftë në paqe! Amen./drita.info  

 

(Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin për Imzot Nikë Prela, në Qendrën BogdaniPolis, Prishtinë, më 25 shkurt 2020)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »