Kleriku e atdhetari Imzot Nikë Prela

Feb 27 • Opinion

Nga Agim H. Berisha*

 

Imzot Nikë Prela, gjatë gjithë jetës së tij ishte në shërbim të fesë e të atdheut. Pa mëdyshje, Imzot Nikë Prela zë një vend nderi në mesin e personaliteteve më të veçanta shqiptare.
Jemi bashkë këtu për të nderuar një figurë të papërsëritshme në rrafshin fetar e kombëtar, e që ne të gjallët duhet të bëjmë më shumë për jetën dhe veprën e tij.
E themi me zë se ky veprim i Ipeshkvisë është për t’u përshëndetur dhe përkrahur nga të gjithë, sepse vetëm kështu e pasurojmë kulturën dhe e ruajmë traditën tonë në vazhdimësi.
Prandaj, duhet të mësojmë e ta përqafojmë frymën e tolerancës, thjeshtësinë, guximin, mençurinë dhe pragmatizmin e tij si intelektual e klerik shembullor.
Të nderuar të pranishëm, sa herë që jemi takuar me imzot Nikë Prelën, ka qenë e pamundur të mos bisedohet edhe për jetën e territ që e kishte pllakosur këtë pjesë të hapësirës shqiptare. Pra, shfrytëzimi e keqtrajtimi, përndjekja sistematike, torturat e burgosjet e qytetarëve tanë nga regjimi serb ishte bërë përditëshmëri, veçmas për intelegjencën shqiptare. Për t’u dhanë vullnet e kurajo njerëzve, ai e përsëriste shpesh thënien: Vuajtja e përforcon karakterin e njeriut, për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi në gatishmëri të plotë për sakrificë, deri në vetëflijim!
Çka do të thotë se imzot Nikë Prela ishte një pikë orientuese e shpresë për të rinjtë tanë që kishin nisur veprimet atdhetare kundër regjimit shtypës të Serbisë. Ata takoheshin me të, bisedonin dhe frymëzoheshin nga ky burrë atdhetar, si p.sh. Elmi Reçica, Enver Topalli, e të tjerë me shokë.
Duhet thënë, gjithashtu se imzot Nikë Prela është njeriu i parë që hapi dyert e Kishës Katolike në Ferizaj, atëherë kur ishte e domosdoshme, atëherë kur po shthurej ish-Jugosllavia, kur ne e kishim të ndaluar të hynim në objektet tona institucionale.
Kisha Katolike në Ferizaj, në vitet e ‘90-ta më së paku kuptohej si tempull ku kryheshin vetëm ritet fetare, ajo në fakt ishte kombëtare, hapësira e saj ishte gjithnjë në shërbim të njerëzve të vullnetit të mirë që ishin në funksion të qytetarëve dhe atdheut.
Këtë traditë të mirë, që e trasoi imzot Nikë Prela, e vazhduan edhe pasardhësit e tij meshtarë, në kohë dhe rrethana edhe më të vështira, në kohë lufte…
Imzot Nikë Prela me shpirt njeriu mbetet i veçantë, sepse mori qëndrime të duhura në rrethana kritike. Në kohën e segregacionit dhe të helmimeve të nxënësve tanë është e pamundshme të mos shihej dora e ndihmesë së tij, megjithë kërcënimet e bastisjeve të selisë së ipeshkvit nga milicia serbe.
Ky meshtar e burrë i paepur nuk kishte urrejtje as ndaj popujve të tjerë, as besimeve tjera fetare. Asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk kishte mëdyshje për veprimtarinë e tij që e bënte për popullin e vet. Gjithashtu, Nikë Prela ishte nga ata njerëz të rrallë që ishte në shërbim të qytetarëve hallexhinj dhe i përkushtuar me shpirt e zemër që t’u dalë në ndihmë për t’i zbutur sadopak vështirësitë e tyre sociale, për aq sa e lejonin mundësitë në kohë robërie.
Pra, me Imzot Nikë Prelën kush s’është takuar me të që ka shfaqur vullnet dhe dëshirë, ai ishte i gatshëm ta priste secilin në çdo kohë. Por takimet me intelektualë, artistë e krijues merrnin një peshë e dimension tjetër, sepse Nikë Prela me ta ishte i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Kishte besim për trajtimin e temave të mëdha.
P.sh. në një takim që pati me rektorin e Universitetit të Prishtinës në atë kohë, me z. Ejup Statovci, në fund të bisedës, sipas z. Rexhep Ismanit që e shoqëronte, rektori i thotë Nikë Prelës: “Hirësi, si ta njoftojmë Papën për krejt këto që i biseduam me Ju?” Ipeshkvi i përgjigjet shkurt e thjeshtë: “Ti mua, unë atij!” (fjala është për Papën).
Gjithashtu, Imzot Nikë Prela, i kishte bërë një ftesë Nënë Terezës që ta vizitonte Kosovën dhe ta shihte realitetin me sytë e saj.

Më 3 maj 1990, ajo i përgjigjet nga Kalkuta:

“Pranoj thirrjen e Ipeshkvit tonë zotni Nikë Prelës dhe dëshiroj të vije në Kosovë për të mirat qi mi ka dhanë Zoti jetes teme. Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem shqiptar.
Zoti kjoftë me ju – dhe dashnia e paqja e Zotit gjithmon kjoft me ju.
Zoti ju bekoft
Nënë Tereza”.

I mora këta dy shembuj, në mënyrë që të shihej vizioni dhe strategjia e imzot Nikë Prelës, përpjekjet e tij për ndërkombëtarizimin e gjendjes së shqiptarëve të Kosovës, sepse imzot Nikë Prela ishte një personalitet i fuqishëm që kishte ndikim te njerëzit e veshur me pushtet moral e politik, si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës.
Gjithashtu, dua ta shpalos edhe një virtyt të imzot Nikë Prelës, modestinë e tij që e pati gjatë gjithë jetës.
Aso kohe kur ne vepronin si Këshill i kulturës, në kuadër të Komunës së Ferizajt, në vitet e ‘90-ta, ku kishim organizuar manifestime e takime të shumta për personalitete të ndryshme, pra, një ditë i themi: imzot Nikë Prela, na lejoni që ta organizojmë një manifestim edhe për Ju. Ai heshti për një çast, pastaj tha: JO! Pra, është dashur të pritet kohë e kohë për ta marrë PO-në e tij.
Unë mendoj se ky është vetëm fillimi për ta nderuar e respektuar këtë personalitet që reflektoi ndryshe nga të tjerët. Me rastin e shkuarjes në amshim të imzot Nikë Prelës, sipas Agjencisë Informative Katolike (IKA), ky medium kroat shkruante: Nikë Prela ishte ipeshkvi i vetëm asokohe me kombësi shqiptare në botë.
Në shenjë nderimi e respekti ditën, kur arkivoli me trupin e Nikë Prelës niset nga kisha katolike “Engjëlli i Rojës” për në Prizren, qytetarët e Ferizajt të të gjitha moshave, pa dallim të besimeve fetare, dolën në të dy anët e rrugës kryesore, nga furra e bacës Mikel e deri te Shtëpia e Kulturës në dalje të qytetit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit këtij burri të madh. Kjo ka ndodhur vetëm njëherë, për imzot Nikë Prelën.
Shoqata “Nikë Prela” si dhe qytetarët ferizajas, nuk do të ndihen shpirtërisht të qetë derisa nuk e shohim shtatoren e ngritur të imzot Nikë Prelës në një vend nderi në Ferizaj.
Përulje e respekt jetës dhe veprës së Nikë Prelës./drita.info

(Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin për Imzot Nikë Prela dhe rivarrimin e tij në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, më 25 shkurt 2020.)

 

*Kryetar i Shoqata HEKAS “NIKË PRELA” Ferizaj

Comments are closed.

« »