“Un-i” i fshehur që e njeh Zoti

Feb 27 • Meditimi i ditës

27 shkurt 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Lp 30, 15-20; Ps 1, 1-4.6; Lk 9, 22-25)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Madje edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem nga frika dhe pritshmëritë e asaj se çfarë do të nevojitej apo do të duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 9, 22-25

 

22 E vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

25 E njëmend, ç’dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Shumë njerëz sot fotografohen me celularët e tyre, dhe fotografitë kanë filluar të quhen “selfie”. Ky është “un-i” apo vetja jonë sipërfaqësore (e jashtme) dhe shpesh e nxit krenarinë tonë të zbrazët. Ekziston edhe “un-i” i fshehur që kurrë nuk do të shfaqet në celular (telefon), “un-i”, që është i fshehur te Hyji, i cili e shikon zemrën e njeriut.
  • Ndërsa e ndjekim Jezusin, ta ndjekim atë që zemrat tona të jenë të pasuruara në dashuri dhe drejtësi.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ima u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »