Nga Kujtimet me Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela

Feb 28 • Opinion

Nga Ekrem Kryeziu

 

Kam nderin që para jush t’i shpalos kujtimet që nuk harrohen, kujtimet nga takimet e mia me Imzot Nikë Prelen, Ipeshkvin ndihmës të Ipeshkvisë Shkup – Prizren.

Si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kohën kur ajo parti po i bënte hapat e parë si Parti Politike e regjistruar ligjërisht, shtroheshin kërkesat që jehona e kësaj fryme – gjakim për Kosovën e pavarur, lypsej të trokisnim në të gjitha dyert dhe zemrat e atyre që ia duan dhe i japin krah rrugëtimit te Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, përmes rrugëve paqësore.

Kisha katolike në Ferizaj, ku ishte edhe selia e Imzot Nikë Prelajt, në atë kohë ishte ndër ato pak institucione publike, për të mos thënë e vetmja,qe pulsonte zemërdëlirë dhe mendjendritur. Imzot Nikë Prela, me bashkëpunëtorët e tij kurdo që kishin mundësi, i shpalosnin para botës demokratike idealet legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi të Kosovës – përmes rrugëve paqësore. Për këtë arsye me ndihmën e mikut të familjes sime, të nderuarit Don Lush Gjergji, arrita ta takojë Shkëlqesinë e tij, Ipeshkvin Imzot Nikë Prela. Qëllimi  i takimit ishte që Shkëlqesia e tij Imzot Nikë Prelaj, përmes qarqeve intelektuale politike, qofshin ato, pse jo, edhe  fetare të cilat kishin mundësi ta bëjnë të përbotshme njërën nga kumtesat e radhës së Lidhjes Demografike të Kosovës.

Në takimin tim të parë me Shkëlqesinë e tij, Ipeshkvin Imzot Nikë Prela, që nga fjalët e para të tij m’u krijua bindja se nuk po takohem për herë të parë por po ri -akohem  më një mik të vjetër e jo me dikë që mban skeptrin e Ipeshkvit të kishës katolike në Kosovë.

Imzot Nikë Prela, e lexoi kumtesën që ia solla, përmbajtja e së cilës ishte me rëndësi të shpalosej dhe të bëhej e përbotshme, në mënyrë që të dëgjohej edhe në ato qarqe, në të cilat ne nuk mund t’i arrinim pa ndihmën  e Shkëlqesisë së tij, dhe,  nuk u gabuam. Fjalët e kumtesës ai i përjetoi si fjalë të zemrës së tij prandaj, pa ekuivokë, pranoi të na ndihmoi dhe jo vetëm tash por, tash e tutje, gjithmonë do të jetë zemër hapur dhe bashkudhëtar në këtë rrugëtim drejt dritës përmes- rrugëve paqësore.

S’mund ta harrojë atë ditë. Imzot Nik Prelaj ligjëronte qetë, i hapur për çdo temë që bisedonim, duke më liruar nga hezitimi me të cilin kisha shkuar ta takojë këtë personalitet të shquar.

Në pjesën e shtendosur të takimit tonë u shërbyem me verë dhe ia shtruam bisedës si miq të vjetër. Ishte ajo kohë e pas burgut tim dhe interesimi i Shkëlqesisë shtrihej me problemet dhe hallet që kishte përjetuar familja ime për kohën sa isha në burg.

Pa dashur të ndalem më gjatë në kohen e burgut ngase, nuk isha i vetmi në valën e burgimeve politike të shqiptarëve, më shumë u ndala për jetën familjare, për bashkëshorten time dhe fëmijët – tre djemtë tanë, që mundoheshim t’i mbajmë në rrugë të mirë.

Imzot Nikë Prelaj me modesti të thellë, plot njerëzi, shprehu dëshirën që edhe ai të njihet me fëmijët tanë, se bashkëshorten time e kishte parë dhe dëgjuar kur me Don Lush Gjergjin konsultohej lidhur me një punim shkencor të saj me temë të personazhit të gruas në letërsinë shqipe. I gëzuar thash se në takimin e ardhshëm të ju do të vijmë bashkë me fëmijë.

Kur morën vesh ata se do të shkojmë në Ferizaj që ta vizitojmë shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prelën, ky kumt tek ta ngjalli dëshirën që edha ata ta takojnë atë personalitet me të cilin ne mburreshim.

Kur sot po e mendoj se, pas një golgote që kisha kaluar, po bëheshim gati ta takonim Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela, kisha bindjen se nga ajo ditë do të ankoroheshim në një liman të paqes dhe qetësisë.

Kurrë nuk e kisha menduar se aq i gëzuar do të ndahem nga ky takim i parë me shkëlqesinë e tij, im zot, Nikë Prelaj, dhe ndodhi ta planifikojmë dhe takimin me djemtë e mi. Ai iu gëzua këtij takimi. Kur erdhëm me fëmijë tek ai Shkëlqesia e tij u habit, por i buzëqeshur tha: “Unë për fëmijët tuaj kam përgatitur ëmbëlsira dhe bonbone, dhe sheqerka të ndryshëm ju erdhët me burra jo me fëmijë”. Qeshem të gjithë. Edhe kësaj here u dëshmua afria emblematike njerëzore e këtij burri të madh.  Takimet e tona me Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prelën, shtoheshin sa shkonin javët. Pas secilit takim miqësia jonë rritej dhe thellohej.

Ky takim me shumë vlerë për mua dhe familjen time që, edhe sot e kësaj dite, është i paharruar, më ngjalli një mëndim, që këto ditë e kisha lexuar nga punimi i një miku të ri dhe të shumë çmuar, Don Dominik Qerimi, që thotë: “Rastësitë nuk ekzistojnë, gjithçka është pjesë mozaiku të përbërë nga një pafundësi copëzash të krijuara, të renditura dhe të udhëhequra nga dora e Artistit të madh. Me qe jemi të kufizuar në trup, kohë dhe hapësirë, shumë herë nuk jemi në gjendje të shohim lidhshmërinë dhe tërësinë e këtyre copëzave andaj i quajmë rastësi… Pikërisht  atëherë kur rrezikojmë t’i humbasim gjërat e çmueshme  është momenti në të cilin fillojmë t’i vlerësojmë ato më shumë”.

Një ditë, duke folur kokë me kokë, me shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela u hap tema e lirimit nga burgu të Adem Demaçit. Në të vërtetë, në atë kohë unë kisha takime të shpeshta me Adem Demaçin dhe Demaçit i kisha folur për angazhimet e Shkëlqesisë së tij Imzot Nikë Prela, mbështetës i politikës së  Ibrahim Rugovës, Demaçi me kënaqësi shprehu dëshirën qe edhe ai ta takonte Imzot Nikë Prelen, dhe, u takuam.

Takimi i Shkëlqesisë së tij Imzot Nikë Prela me Adem Demaçn ishte prekës. Deri atëherë nuk kisha ditur se edhe Imzot Nikë Prela kishte qenë i burgosur. Imzot Nikë Prela, bari i paqes, krahëhapur e përqafoi Adem Demaçin dhe u kthye nga ne me fjalët, “A e keni parë Jezu Krishtin?… Ja! Ky njeri është  po si Jezusi… 28 vite të qëndrojë në burg për popullin e vet. Është vështir t’i numërosh deri 28, e lere më t’i kalosh gjithë atë kohë në burgjet e Jugosllavisë…” Biseda e tyre ishte plotë njerëzi.

Me kënaqësi dhe pietet po e dëgjoja bisedën e dy të burgosurve politik. Atë ditë, nga rrëfimet e Imzot Nikë Prela mësova se, Ipeshkvi ynë  i pari shqiptar në këtë post i kishte vuajtur torturat në burgjet jugosllave nga Cetina, Tivari dhe Kotorri, vendlindja e tij.

Sa shkojnë vitet më ringjallen kujtimet me Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela, njeriun e rrallë që, pavarësisht torturat e burgjeve, nga thyerjet e eshtrave nga aksidenti automobilistik shpirti i tij ishte i pa thyer. Si shpirtmadh që ishte dinte të afrojë njerëzit rreth tij, t’ua qajë hallet dhe me fjalë të tij balsam për shpirt që kurrë nuk fliste nga katedra por si mik i rrallë, e çmoja dhe e doja si pak kë.

Lirshëm flisnim dhe jo rrallë herë më miqësisht më ngacmonte dhe qeshnim si të ishim moshatar. Një ditë më shaka më the “O Ekrem bej, ti sa i di këto punë tona, sot mund të të shugurojë për prift…” Dhe unë po më shaka iu përgjigja “Shkëlqesi unë po e pres postin tuaj, jo prift i thjesht...” Dhe qeshem të gjithë.

Kurdo që më thërriste i gëzohesha  takimit me Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela,  ngase  aura e tij më përshkëndite dhe mua bashkë me familjen time. Si sot më kujtohet, kur familjarisht ishim ftuar nga Shkëlqesia e tij Imzot Nikë Prela të marrim pjesë me ceremoninë e Krezmimit në Kishën e Zllakuqanit të Klinës. Në dreken që ishte shtruar pas meshës dhe ceremonisë së Krezmimit isha afër Shkëlqesisë Imzot Nikë Prela, që ishte i veshur me një kostum kishtar ndryshe që e shihja në Ferizaj dhe e pyeta pse e kishte ndërruar kostumin… Ai me buzëqeshjen e tij emblematike, pa një pa dy mu përgjigj ”Moda…” Mbeta pa fjalë.

Takimi ynë i fundit me Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prela ishte, kur papritur erdhi në shtëpinë tonë. Ishte kjo hera e parë që Imzot Nikë Prela po e vizitonte një shtëpi myslimane. Ai nuk erdhi vetëm të na nderoj familjen tonë po ishte i përcjellë nga suita e tij e nderuar Don Lushin, Don Dodë Gjergjin, Don Lucjanin… Nga ajo ditë e shënuar 4 nëntor 1992 e deri sot Meshari Romak, libri që ma la Imzot Nikë Prela si kujtim i përjetshëm me fjalët e tij të zgjedhura “Zotërisë Ekrem Kryeziut në kujtim, me bekim prej hyjit.

+ Nikë Prela Ferizaj 4 Nëntor 1992”

Prej asaj dite Meshari Romak është kurorë e bibliotekës sime që ta kujtojë për jetë të paharrueshmin shkëlqesinë e tij Ipeshkvin Imzot Nikë Prela. Atë libër do ta ruaj po siç e ruan edhe shkëlqesia e tij Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kryqin e Ipeshkvit të Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, që është në amshim.,

Duke e përmbyllur këtë fjalë për Shkëlqesinë e tij Imzot Nikë Prelen e ndiej veten i nderuar kur flas për të. Në ninëzën e mendjes më ngjallet buzëqeshja e tij e ngrohtë rrezatuese që të afron dhe ke dëshirë që të rrish sa me gjatë me të. Një buzëqeshje të tillë tani më është e ngjallur tek Shkëlqesia e tij Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji dhe po mendoj, athua vallë hierarkia kishtare për punën e tyre të devotshme i kurorëzon me një buzëqeshje të tillë por, jo, ajo buzëqeshje jeton tek të gjithë ata që devocionin e kanë në shpirt. Uroj që ai devocion të jetoj tek të gjithë njerëzia se vetëm në këtë mënyrë bota do të jetë çdo ditë e më e mirë./drita.info

 

(Dëshmi e lexuar në Simpoziumin për Imzot Nikë Prela, në 24-vjetorin e kalimit në amshim, në Qendrën BogdaniPolis, 25 shkurt 2020)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »