Njeriu nuk jeton vetëm prej buke…!

Feb 29 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela I e Kreshmës A

 

Leximi i parë  Zan 2, 7-9; 3, 1-7

Mëkati i Adamit dhe i Evës nuk është vetëm mëkati i parë i njeriut: është edhe mëkati i vetëm i mundshëm, simbol i të gjitha mëkateve të tjera të bëra përgjatë shekujve. Tregimi biblik përdor figura popullore, për të na shpjeguar dramën e situatës njerëzore: njeriu lind nga toka, por bëhet i gjallë nga fryma hyjnore. Njeriu beson se mund të bëjë gjithçka vetëm, sikur të ishte pronar i vetes së tij dhe gjithësisë.

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje, e në të e vendoi njeriun që e kishte krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë, e në midis të parrizit pemën e jetës e pemën e dijes të mirës e të së keqes. Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?” Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.” Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kur do të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.”  Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   51

 

Ref: Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar

——————————————-

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,

pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim! 

Më laj krejtësisht prej mëkatit tim

e më pastro prej fajit tim.

——————————————-

Sepse e pranoj paudhësinë time:

mëkatin tim përherë e kam para sysh.

Ty, vetëm ty të kam rënë në faj

dhe kam bërë ç’është keq para teje.

——————————————-

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,

përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!

Mos më flak larg fytyrës sate,

mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

——————————————-

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,

dhe më forco me shpirt të gatshëm.

Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,

dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.

——————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 5, 12-19

Para ardhjes së Krishtit njerëzimi kishte si kryetar Adamin, njeriun e mëkatit. Njerëzimi tashmë ka një kryetar tjetër. Adami i vjetër e ka humbur fuqinë e tij; ligji i tij, i themeluar mbi rebelimin ndaj Zotit që sillte vdekjen, u shfuqizua.  Pushteti tani është në duart e Krishtit që fitoi mbi vdekjen dhe na bashkon me Hyjin në drejtësi dhe në hir. Ata që pranojnë kryetarin e ri dhe ligjin e tij kalojnë nga vdekja në jetë.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.  Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja – për shkak të një njeriu të vetëm – me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin – Jezu Krishtin.  Prandaj, mëkati i njërit – dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjalë që del nga goja e Hyjit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Mt 4, 1-11

Jezusi prezantohet mes mëkatarëve për t’u pagëzuar nga Gjoni, fillon udhëtimin e tij në shkretëtirë dhe vihet nën tundimin e djallit. Ai fiton, sepse fjala e Hyjit është udhëheqja e tij. Fitorja e vetme e vërtetë, e mundshme për njeriun, është ajo e bindjes ndaj dashurisë së Zotit. Kur mendojmë se Jezusi është një magjistar i plotfuqishëm, i aftë të shndërrojë gurët në bukë, të zotërojë pasuritë e kësaj bote dhe të fluturojë, ne sillemi si Djalli: harrojmë që Jezusi është mishëruar duke pranuar jetën njerëzore me të gjitha pasojat e saj.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”  Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!” Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.” Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Secili prej nesh hyn në shkretëtirë kur i vetëm fillon të mendojë mbi kuptimin e jetës së tij. “Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Vetë Biri i Hyjit, ashtu si populli i Izraelit në shkretëtirë, vihet në provë, për të parë nëse do t’i qëndronte besnik besëlidhjes me Hyjin.

Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!” Djalli vë në dyshim bijësinë e Jezusit që ishte deklaruar gjatë pagëzimit të tij. I njëjti dyshim do të shprehet gjatë kryqëzimit të tij. ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.” Me çfarë jeton me të vërtetë njeriu? Nga ajo që hyn në gojën e tij apo nga ajo që del nga goja e Hyjit? Është dëgjesa që e bën njeriun të jetojë! “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë”. Djalli përdor Shkrimin e Shenjtë për të pohuar atë që do. Psalmi i premton çdo besimtari një mbrojtje engjëllore vetëm nëse nuk vë në rrezik jetën e vet në kërkim të një mrekullie.

‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!” Jezusi i përgjigjet djallit duke cituar Fjalën e Hyjit, e duke kujtuar që Zoti kujdeset për popullin e vet. “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”. Djalli i ofron fuqinë e vet Jezusit me kusht që të heqë dorë nga bijësia e tij. “Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij”. Jezusi rithekson natyrën e tij më të thellë e të vërtetë të Birit e largon Djallin. Vetëm duke iu bindur Fjalës së Hyjit mund t’i qëndrojmë besnik Hyjit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Zoti Jezus ka vuajtur të njëjtat tundime si ne për të na dhënë fitoren mbi to. Të udhëhequr nga Shpirti i tij thërrasim Atin duke thënë:

Na jep forcën tënde, o Zot.

L. Për Kishën: që e ripërtërirë nga fjala e Hyjit dhe e mbështetur nga vepra pendese dhe mirësie, të mund ta jetojë këtë kohë kreshmesh si një moment të favorshëm për të zbuluar dashurinë e Hyjit. Të lutemi

L. Për katekistët: që të ndihmojnë vëllezërit dhe motrat të njohin Krishtin, që është fillimi dhe fundi i historisë njerëzore, qendra e gjinisë njerëzore dhe gëzimi i çdo zemre. Të lutemi

L. Për të rinjtë që, Eukaristia të jetë qendra e gjallë rreth së cilës mblidhen për të ushqyer besimin e tyre dhe entuziazmin e tyre. Të lutemi

L. Për të gjithë të krishterët: që në këto Kreshme largojnë rastet e mëkatit, të luftojnë me forcë kundër së keqes dhe të jenë të hapur ndaj dashurisë së Hyjit dhe të vëllezërve. Të lutemi

M. O Hyj, që na jep ditë dhe kohë për të na mbushur me mëshirën tënde, dëgjoji lutjet tona: duke rrëfyer dobësinë tonë thërrasim nga ty forcën e besimit, që të mbështetur nga fjala e Ungjillit të përballojmë tundimin për t’u larguar prej teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.  Amen

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »