Imzot Nikë Prela (1918-1996) – personalitet i Kishës dhe Kombit

Mar 2 • Opinion

Nga Don Viktor Sopi

 

Mons. Nikë Prela, jetën dhe veprën e të cilin po e përkujtojmë në këtë ditë të 24-vjetorit të kalimit të tij në amshim, nuk përkufizohet vetëm me të si person, por mund të themi se në jetën e tij disi pasqyrohet jeta, realiteti, dëshmia dhe historia e gjithë kombit tonë gjatë shekujve.

Imzot Nika ka lindur ne Mal te Zi, saktësisht në Kotorr më 3.07.1918, nga prindërit Gjergji dhe Çilja. Periudha,hapësira dhe rrethanat politiko-shoqërore në të cilat është rritur ai, karakterizohen nga stuhinat dhe fushatat e egra kundër shqiptarëve. Ndërsa për faktin se e ëma e tij vinte nga Shkodra, ishte edhe një arsye shtesë për t’ia vështirësuar jetën.

Pas shkollimit fillor dhe të mesëm në vendlindje (në Kotorr) ai vendosi të bëhet meshtar dhe vijoji studimet në Kroaci, në Split. Në rrethanat e luftës së Dytë Botërore, më 13.06.1941 shugurohet meshtar dhe emërohet famullitar në Sutomore, ku shërbeu nga viti 1941 deri në vitin 1954. Emërimi ipeshkvor më 31.10.1969 për shqiptarët e Kosovës,e gjeti atë si famullitar në Muo, famulli kjo ku ai shërbente që nga vitit 1955.

 

Ipeshkëv në Kosovë

Nikë Prela si ipeshkëv, tërë jetën e kaloi në Ferizaj… Unë pata fatin që si meshtar i ri të filloj shërbimin baritor pikërisht në Ferizaj, kështu që kam pasur rastin nga së afërmi ta përjetoj atë si prijës të kishës, si bari të kujdesshëm, spontan, karizmatik dhe si atdhedashës.

Nga ana tjetër, si ipeshkëv ai është ballafaquar me mungesa të shumta në Kosovë si në misionin e kishës, po aq edhe në jetën shoqërore dhe kulturore të qytetarit kosovar. Si Ipeshkëv në Kosovë, veprimtarinë e imzot Nikë Prela mund ta përmbledhim në tri pika kryesore:

 

a) Angazhimi shumëdimensionali tij pastoral

Kisha Katolike në Kosovë, atëbotë ballafaqohej me shumë sfida, siç vihej ne dukje: mungesa e klerit shqiptar, mungesa e objekteve kishtare, shtypi, librat liturgjike, etj. Që nga fillimi ai bërë një strategji të mençur për funkcionalizimin sa me te mire të kishës sonë.

Ndonëse me kompetenca të kufizuara, kujdes dhe mbështetje të veçantë i dha thirrjeve meshtarake dhe rregulltare. Ka mbështetur meshtarët e ri sipas karizmave që kishin, duke i stimuluar për punë dhe shërbim. Përkujdesje të veçantë ai tregonte sidomos për thirrje meshtarake. Mons. Nikë Prela, së bashku me Dr. Don Gaspër Gjinin, Mons. Nikollë Minin, Don Damjan Kurtin, Don Mark Sopin dhe të tjerët, themeluan revistën e kishës sonë DRITA.

Përveç revistës Drita, imzot Nika përpiloi disa vëllime, si: “Fjalori biblik” /1994/, “Shenjtërit – pajtorët tanë” (1995); Dokumentet konciliare: Lumen Gentium, Dei Verbum dhe Gaudium et Spes (1992); nga kroatishtja në shqip “Zbatimi i thirrjes” (1995) dhe shumë përmbledhje dhe shkrime tjera.

Në pjesën e fundit të jetës së tij, edhe pse i moshuar dhe me shendet jo të mirë (me këmbë të amputuar) vullneti dhe dëshira e tij për jetë dhe për punë ishte e madhe.

Në vitin 1993, Selia e Shenjtë, juridikisht e shkëput Kosovën nga Shkupi duke ia besuar imz. Nikë Prelës kompetencat e plota për drejtimin e Kishës në Kosovë, kurse në nëntor të vitit 1995, për pasardhës të tij emërohet Imzot Mark Sopi.

 

b) Rrethanat politike dhe rreziku nga shpërthimi i dhunës

Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë në periudhën e Imzot Nikë Prela, e karakterizojnë tensionet e njëpasnjëshme. Ai nuk ishte vetëm vëzhgues pasiv i atyre ngjarjeve, por ne forma të ndryshme i ka qëndruar afër popullit (gjitha shtresave) në vështirësi nëpër të cilat kalonim.

Ai e përkrahu rezistencën lëvizjet paqësore dhe sidomos qëndrimin paqësor të udhëhequr nga presidenti atëhershëm, Dr. Ibrahim Rugova, dhe nga ana tjetër shfrytëzoi gjitha kanalet kishtare, diplomatike dhe njerëzore për ta mbrojtur vendin nga më e keqja. Situata e vështirësuar në Kosovë, atë e shtyri që t’i fuqizoj raportet me bijën e madhe shqiptare Nënë Tereza. Kurse gjatë kohës sa Imzot Nika ishte ipeshkëv në Kosovë, Nënë Tereza tri here e ka vizituar Kosovën (1970, 1978 dhe 1980).

Ipeshkvi Prela në forma të ndryshme ka mbështetur dhe punuar për rrugën paqësore mes njerëzve dhe kombeve. Kontributi i tij ishte i madh edhe ne pajtime dhe falje. Duhet ta mësojmë artin e faljes, ta ndërtojmë pajtimin nëpërmjet strategjisë paqësore që nëpër familje tona të kemi më shumë dashuri, harmoni dhe progres… Me rastin e vdekjes së imzot Nikë Prelës (25.02.1996) ditën e varrimit të tij presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën.

 

c) Sëmundja dhe perspektiva për drejtësi dhe paqe

Meqenëse si meshtar i ri isha në shërbim në Ferizaj, më ka rastisur që t’i kemi edhe disa udhëtime relativisht te gjata me te si nëpër disa famulli të Kosovës, në Ohër, etj, fliste se si e keqja është mjaft mirë e organizuar në botë, dhe që duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të na mos përfshirë e keqja as si individ dhe as si popull.

Me gjitha sprovat e jetës që kishte, ai i kontribuoi vendit dhe popullit tonë, duke e mbrojtur nga eskalimi i dhunës. Veprimtaria dhe rrugëtimi i tij me popullin e Kosovës i ngjan udhëtimit biblik të Moisiut, i cili e nxori popullin e vet nga skllavëria, e pa Tokën e premtuar por që nuk arriti të hyjë në te.

Edhe sot Kosova është para sfidave të mëdha, urojmë që te kemi njerëz që duke e dashur këtë vend sinqerisht, të kemi një të ardhme të mirë ku çdo qytetar të ndjehet i lirë dhe i pranuar, kurse talentet të zhvillohen për pasurimin e vendit dhe të tërë globit./drita.info

 

(Kumtesë e mbajtur në Simpoziumin për Imzot Nikë Prela, në 24-vjetorin e kalimit në amshim, Qendra BogdaniPolis, Prishtinë, 25 shkurt 2020)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »